30. Rum · Ajeti 51 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 30:41–30:51
Fatbardhësia e jetës në këtë botë është e lidhur me zbatimin e udhëzimeve të Zotit. Ai që nuk respekton porositë e Zotit, ai bën çrregullime, të gjitha të këqiat, të gjitha fatkeqësitë në këtë botë, janë rrjedhim i veprave të këqia të njerëzve, e ato të këqia mund të jenë rezultat i veprave të njerëzve, e mund të jenë edhe ndërhyrje e qiellit, prandaj duhet marrë mësim prej punës së keqe se si e pati përfundimin tek popujt e mëparshëm, e duhet përmbajtur sinqerisht mësimeve të Zotit, të cilat na i solli përmes Kur'anit para se të vijë dita kur nuk ka mundësi për përmirësim.
Qarkullimi i erërave, të cilat i bartin dhe formojnë retë, të lehta ose të rënda, të rralla ose të dendura, në një lartësi të madhe ose të vogël prej tokës, e prej të cilave lëshohet shiu jo në valë të mëdha, të cilat më shumë do të dëmtonin, por në pika të vogla e të përshtatshme për ta ujitur tokën dhe për të ngjallur bimët në të. Të gjitha këto janë argument për fuqinë e Zotit, se po kështu do të ngjallë edhe të vdekurit.
Vetëm në këta shekuj të vonë të jetës së njerëzve është arritur njëfarë njohurie për mënyrën e formimit të shiut, e Kur'ani ka cekur të gjitha ato elemente, që kanë ndikim në formimin e tij, si avullimin, takimin e tij me ajër të ftohët, qarkullimin e erërave, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në grumbullimin e reve. Pra, mësimet e Kur'anit dalëngadalë do t'i zbulojë mendja e njeriut dhe ashtu në të gjitha të mbërrimet e veta do të gjejë mbështetje në atë që e ka thënë Kur'ani shumë më përpara.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 30:48–30:51
Allahu i Lavdëruar na tregon se si i krijon retë, prej të cilave lëshon shiun. Ai thotë: - “Është Allahu Ai që i dërgon erërat për të ngritur retë.” - Ai i formon retë ose nga detrat, siç e kanë thënë disa, ose nga të dëshirojë Allahu Krenar dhe i Lartësuar. - “Pastaj i shpërndan nëpër qiell si të dojë dhe i ndan në pjesë ...” - Domethënë, i shtrin, i dendëson dhe i shumon. Kështu, Ai e bën renë fillimisht një masë e vogël të mbledhur, pastaj e shtrin dhe e zgjeron atë, aq sa mbulon gjithë horizontin. Herë të tjera, reja ngrihet e vjen nga ana e detit e mbushur me ujë, siç thotë i Lartësuari: “Është Ai që i lëshon erërat si përgëzim para mëshirës së Tij. Kur erërat bartin re të mëdha, Ne i sjellim ato mbi një tokë të vdekur dhe atje e zbresim shiun, nëpërmjet të cilit bëjmë që të dalin nga të gjitha prodhimet. Kështu do t’i nxjerrim të vdekurit; kësisoj ju mund të kujtoni.” [Ea’raf 57]. Po kështu edhe në këtë ajet: “Pastaj i shpërndan nëpër qiell si të dojë dhe i ndan në pjesë ...” Domethënë, në masa të mëdha, të rënda, të zeza dhe pranë tokës. - “... derisa nga mesi i tyre fillojnë të dalin pikat e shiut. ” - Ti sheh se si ajo masë e madhe uji fillon të dalë prej resë e të bjerë poshtë. - “Ai ia lëshon atë kujt të dojë prej robërve të Vet, të cilët gëzohen ...” - Për shkak të nevojës së madhe të tyre për ujë, ata gëzohen kur ai bie në tokë. - “... edhe pse para se të bjerë ai, ata janë krejt të dëshpëruar. ” - Shiu bie në kohën kur më së shumti kanë nevojë për të, pikërisht kur kanë humbur edhe shpresat, pasi e kanë pritur një kohë të gjatë. Menjëherë sapo bie shiu, toka nis të gjallërohet. Kjo, sigurisht që le gjurmë të forta tek njeriu. - “Shikoji, o njeri, gjurmët e mëshirës së Allahut, se si Ai e ngjall tokën, pasi ajo ka qenë e shkretuar! ” - Nëpërmjet shiut, Ai i sjell jetën tokës së vdekur. Më pas, i Lartësuari tregon për ringjalljen e trupave pas vdekjes së tyre, pasi të jenë tretur e shpërndarë nëpër tokë. - “Kështu do t’i ngjallë Ai të vdekurit . Ai ka fuqi për gjithçka. ” - Ai që është i gjithëfuqishëm të risjellë në jetë tokën e vdekur, po Ai ka pushtet për të ringjallur të vdekurit. - “Nëse Ne lëshojmë ndonjë furtunë mbi të mbjellat e tyre dhe ata i shohin ato të zverdhura, ata do të nxitojnë të mohojnë besimin.” - Nëse lëshojmë ndonjë furtunë të nxehtë mbi të mbjellat e tyre, që i shkatërron dhe than ato, pas kësaj ata mohojnë dhe tregohen mosmirënjohës për çdo mirësi që Zoti u ka dhënë. I Lartësuari thotë: “A nuk e shihni atë që e mbillni? Vallë, ju e bëni atë të mbijë, apo Ne e bëjmë të mbijë? Sikur Ne të dëshironim, do ta bënim atë të thahej, e ju do të mbeteshit gjithmonë të habitur (duke thënë :) “Ne u dëmtuam, madje, mbetëm krejtësisht të privuar”.” [Uakiah 63 - 67].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 30:48–30:51
Allahu i Lartësuar na njofton rreth pushtetit të Tij të plotë dhe mirësisë së Tij të gjerë: - Është Allahu Ai që i dërgon erërat për të ngritur retë. Pastaj i shpërndan nëpër qiell si të dojë dhe i ndan në pjesë... - Erërat formojnë dhe i mbledhin retë dhe pastaj i përhapin ato në qiell, ashtu si Ai dëshiron. Ai i shpërndan nëpër qiell si të dojë dhe i ndan në pjesë. Atëherë, formohen re të dendura, që duket sikur qëndrojnë mbi njëra tjetrën. - derisa nga mesi i tyre fillojnë të dalin pikat e shiut. - Ju shikoni se nga retë dalin pika shiu, që bien me hijeshi. Nëse ky ujë i shumtë do të binte i tëri njëherësh, do të shkatërronte gjithçka në tokë. - Ai ia lëshon atë kujt të dojë prej robve të Vet, që ata gëzohen... - Kur shiu bie me ngadalë e butësisht, njerëzit gëzohen dhe kënaqen, sepse nevoja e tyre është shumë e madhe për të. - pasi para se të bjerë ai (shiu), ata janë të dëshpëruar. - Para shiut, njerëzit janë të dëshpëruar, por kur ai bie, gëzimi në zemrat e tyre është i papërshkrueshëm. - Shikoji (o njeri) gjurmët e mëshirës së Allahut, se si Ai e ngjall tokën pasi është shkretuar. - Toka trazohet, çahet dhe gëlon nga bimësia. - Kështu do t'u japë jetë Ai njerëzve që janë të vdekur, sepse Ai ka fuqi për gjithçka. - Pushteti i Allahut është absolut dhe asgjë nuk është e pamundshme për Të; edhe pse mund të duket e pamundur për mendjet dhe logjikën e njerëzve. - Nëse Ne lëshojmë ndonjë furtunë mbi të mbjellat e tyre dhe ata i shohin ato të zverdhura (e të shkatërruara), pas kësaj, ata do të nxitojnë të mohojnë besimin (në Zot). - Allahu i Lartësuar na tregon gjendjen e krijesave, që nuk tregojnë mirënjohje për Atë, me gjithë mirësitë e Tij dhe faktin se Ai e ngjall tokën pasi ka vdekur dhe është shkretuar, duke shpërndarë në të mëshirën e Tij. Nuk e mendojnë ata të mjerë se çfarë do
të ndodhte nëse Allahu do t’u lëshonte atyre bimëve një erë të fuqishme e shkatërruese? Si do të veprojnë kur ta shohin atë të zverdhur, gati për t’u shkatërruar? Këta mosmirënjohës do të nxitojnë të mohojnë besimin e drejtë. Ata harrojnë të gjitha mirësitë e shkuara dhe nguten të shprehin mohimin e Zotit. Këtyre të mjerëve nuk u bëjnë dobi këshillat e qortimet.