30. Rum · Ajeti 60 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 30:52–30:60
Pejgamberit i thuhet: sikurse nuk ke fuqi t'i bësh të dëgjojnë të vdekurit, të dëgjojë i shurdhëti, po ashtu nuk ke fuqi t'i udhëzosh në rrugë të drejtë të verbërit (jobesimtarët) ajo është punë e Zotit.
Të vdekurit dëgjojnë ngase Pejgamberi në pyetje të as-habëve u ka thënë: "Këtë që u them (të vdekurve) ju nuk e dëgjoni më mirë se ata.." "I vdekuri e dëgjon krismën e këpucëve." Selami me lutje ndaj të vdekurëve E E është porosi nga Pejgamberi, e porosia e selamit ndaj atij që nuk dëgjon dhe nuk e di kush po i jep selam, është porosi e palogjikshme. Këto ajete të Kur'anit nuk mohojnë mundshmërinë që të vdekurit dëgjojnë.
Ai Zot që ju krijoi të dobët, Ai ju jep më vonë fuqi, mandej sërish ju bën të dobët e pleq. Ai ka mundësi për gjithçka, por edhe pas të gjtha fakteve që i solli Kur'ani, disa njerëz mbetën jashtë rrugës së vërtetë, e kur do të binden për gabimin e vet, atëherë bëhet vonë.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kësaj kaptine. Allahut i qofsha falë!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 30:58–30:60
- “Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kuran çdo lloj shembulli. ” - Ne ua kemi shtjelluar plotësisht të vërtetën në Kuran. U kemi sjellë në Kuran shumë shembuj, që e ndriçojnë të vërtetën, në mënyrë që ata ta ndjekin atë. - “Por, çfarëdo argumenti që t’u sillje atyre, ata që nuk besojnë gjithmonë do të thonë: “Ju nuk bëni gjë tjetër, veçse thoni kotësira!” Kështu i vulos Allahu zemrat e atyre, që nuk duan të kuptojnë.” - Çfarëdo mrekullie e shenje t’u sjellësh, qoftë nga ato që vetë i kërkojnë, qoftë të tjera, ata nuk kanë për ta besuar të vërtetën dhe as ta pasojnë atë, por do të këmbëngulin në besimin e tyre se ato janë kotësira e magjira. Kështu thanë ata, kur panë me sytë e ballit çarjen e Hënës, ose shenja të tjera të sjella nga Profeti i Allahut. I Lartësuari thotë: “Me të vërtetë, ata të cilët e merituan vendimin e Zotit tënd (për ndëshkim), ata nuk do të besonin, edhe sikur t’u vinin të gjitha shenjat, derisa ta shohin vetë dënimin e rëndë.” [Junus 96, 97]. - “Prandaj, bëj durim, sepse premtimi i Allahut është i vërtetë ...” - Pra ji durimtar, i qëndrueshëm dhe i palëkundur përballë kundërshtimit të tyre me forcë, kokfortësi dhe inat të të vërtetës që u solle, sepse Allahu i Lartësuar ka për ta përmbushur atë premtim që të dha, për triumf të plotë mbi ta. Përfundimi i mirë dhe fitorja e plotë do të jetë në anën tënde dhe të atyre që të pasojnë, si në në jetën e dynjasë dhe në ahiret. - “... e kurrë mos lejo të të lëkundin vendosmërinë ata që kanë dyshime (për ringjalljen para Zotit) ...” - Përkundrazi, qëndro i palëkundur dhe i fortë në atë rrugë, në të cilën të udhëzoi Zoti yt, në Shpalljen që të dhuroi, sepse ajo është e vërteta, që nuk ka asnjë dyshim se është prej Allahut. Kurrë mos devijo prej saj, sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër, ku mund të gjesh udhëzimin e drejtë, që duhet pasuar. E gjithë e vërteta është e kufizuar në Shpalljen që Ai të dhuroi dhe në udhëzimin e dritën, që Ai ta zbriti. Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Rum. Vetëm Allahut i qofshin të gjitha lavdërimet e mirënjohja! E lusim të Madhëruarin të na e lehtësojë përfundimin e pjesës së mbetur të këtij punimi! 26 / 4 / 1390 h, ose (30/06 /1970)
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 30:58–30:60
- Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kur'an çdo lloj shembulli. - Kjo tregon për përkujdesin e madh të Zotit për ne, për mëshirën e butësinë e Tij të madhe kur Ai na mëson atë që nuk e dimë. Ai thotë: "Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kur'an çdo lloj shembulli." Nëpërmjet këtyre shembujve, Allahu na sqaron të vërtetën dhe çështjet që duhet t’i dimë. Kështu, askush nuk do të ketë më justifikim para Zotit. Nëpërmjet disa shembujve, Allahu i Lartësuar i përafron gjërat konceptuale përmes gjërave të prekshme e të dëshmueshme nga shqisat, që njerëzit t'i kuptojnë më mirë. Ndërsa në disa raste të tjera, Ai i pasqyron e i përshkruan ngjarjet që do të ndodhin aq realisht, saqë duket se ato tashmë kanë ndodhur dhe kanë përfunduar. Në Kur'an sillen shumë shembuj të tillë. Edhe në këto ajete kemi një shembull të tillë. I Lartësuari na tregon se çfarë do të ndodhë Ditën e Kijametit dhe për gjendjen e keqbërësve atë ditë. Ai na tregon për keqardhjen e tyre të madhe dhe se prej tyre nuk do të pranohen justifikimet, autokritikat apo keqardhjet. Mohuesit e fesë janë të padrejtë dhe dinë veçse të mohojnë me kokëfortësi e inat të vërtetën e qartë: - Megjithatë, çfarëdo argumenti që t’u sjellësh atyre, ata që nuk besojnë gjithmonë do të thonë: “Ju nuk bëni gjë tjetër, veçse thoni kotësira!” - Edhe nëse u sjell ndonjë shenjë mrekulli, që tregon se ajo që solle prej Zotit është e vërtetë, ata që nuk besojnë gjithmonë do të thonë: “Ju thoni kotësira!” Kështu, thonë për të vërtetën se ajo është e kotë. Në këtë mëyrë reagojnë ata ndaj shenjave e mrekullive të Allahut, sepse zemrat e tyre janë të mbushura me kufër, refuzim dhe padrejtësi, si dhe për shkak të vulosjes së zemrave të
tyre. Ato zemra i vulos Zoti, ndaj janë tërësisht të painteresuara rreth Zotit e besimit të vërtetë. - Kështu i vulos Allahu zemrat e atyre që nuk duan të kuptojnë. - Në ato zemra nuk hyn mirësia dhe ata nuk arrijnë që t’i konceptojnë gjërat ashtu siç duhet. Madje, të vërtetën e shohin të kotë dhe të kotën e shohin si të vërtetë. - Prandaj, bëj durim, sepse premtimi i Allahut është i vërtetë... - Ki durim për të zbatuar urdhëresat e Zotit dhe në përpjekjet për të ftuar njerëzit në rrugën e Tij. Nëse ata kundërshtojnë, mos u dëshpëro dhe mos ndalo nga rruga jote! Gjithmonë mbaj mend se: premtimi i Allahut është i vërtetë. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Kujtimi i vazhdueshëm i këtij fakti është një ndihmë e madhe dhe një nxitje e fortë e durimit. Kur njeriu sigurohet se veprat e tij kurrë nuk do të humbasin, por do të gjejnë të plotë shpërblimin, i duket e lehtë dhe e përballueshme çdo vështirësi e vuajtje gjatë rrugës. Çdo gjë e vështirë i bëhet e thjeshtë dhe çdo punë e madhe që kryen i duket e vogël dhe e pakët, prandaj punon gjithmonë e më shumë. - ...e kurrë mos lejo të të lëkundin vendosmërinë ata që kanë dyshime! - Këta kanë iman të dobët dhe nuk kanë siguri, prandaj dhe qëllimet i kanë të ulta dhe durimin e pakët. Kurrë mos të të plogështojnë dhe frenojnë këta lloj njerëzish! Nëse nuk tregohesh i kujdeshëm me ta, do të të plogështojnë dhe do të të bëjnë të paqëndrueshëm në zbatimin e urdhëresave. Dobësia e shpirtit njerëzor i ndihmon ata, ndaj të shtyjnë që t'u përgjasosh dhe t’i miratosh ata. Ajeti tregon se çdo besimtar i mirë që ka siguri të fortë në besim dhe gëzon një mendje të shëndoshë, e ka të lehtë të jetë i durueshëm dhe këmbëngulës në jetën sipas fesë së tij. Ndërsa ai që është i dobët në sigurinë dhe logjikën e tij, është i dobët edhe në durimin për të jetuar sipas fesë së tij. I pari është si thelpinjtë e arrës, ndërsa i dyti është si lëvozhga e saj! E lus Allahun të na ndihmojë e të na ruajë!