31. Lukman · Ajeti 20 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 31:20–31:34

E tërë gjithësia me të gjithë trupat qiellorë dhe me të gjitha qeniet dhe sendet që janë në tokë, është në shërbim të njeriut, po jo me mjeshtërinë ose fuqinë e njeriut, pse njeriu i gjeti të gatshme të gjitha këto të mira, këto ia përgatiti Allahu, i cili i dha edhe shumë të mira të tjera fizike e kuptimore siç janë: të dëgjuarit, të parit, shëndeti, mendja ndjenjat, zemra etj. E megjithatë se Zoti ua dha të gjitha këto të mira, ka disa njerëz që nuk ndjekin rrugën që u caktoi Zoti, por imitojnë verbërisht traditat e të parëve, edhe pse ato janë krejt të gabuara. Prej këtij ajeti duhet marrë mësim se çdo traditë e të parëve nuk duhet respektuar, por vetëm ato që janë të dobishme.

Kush i është dorëzuar sinqerisht Allahut, ai është i sigurt pse çdo send tjetër zhduket, e Allahu është i përjetshëm dhe të gjitha çështjet janë në duar të Tij.

Allahu nuk ka nevojë për asgjë, nuk ka nevojë as për falënderimin e njerëzve, Ai vetvetiu është i lavdishëm. Faktet për fuqinë, urtësinë dhe mrekullinë që manifestohen në krijesat e Tij, janë të pasosshme, para do të soseshin drunjtë si lapsa dhe uji i detit si ngjyrë, nëse do të tentohej të regjistrohen ato fakte.

Në ditën e gjykimit çdokush do të jetë i preokupuar me punët e veta, ashtu që askujt nuk do t'i bjerë ndërmend për tjetrin edhe nëse është më i afërmi, siç janë fëmija me prindërit.

Në një hadith, të cilin e regjistrojnë Sahihajnët e të tjerë, pesë të fshehta janë që nuk i di askush pos Allahut: kur do të ndodhë katastrofa e përgjithshme, kur dhe në cilin vend do të bjerë shi, si është foshnja në barkun e nënës, i shëndoshë ose i gjymtë, mashkull ose femër: çka dhe çfarë do të punojë, çka do t'i ndodhë dikujt nesër, kur dhe në ç'vend do të vdesë dikush. Këto pesë të fshehta i përmend ky ajet, e në një ajet tjetër thuhet: "Çelësat e të fshehtave janë vetëm te Allahu", e Pejgamberi i përmend këto të pesta. Duhet kuptuar se tjetër është e fshehta, e tjetër çelësi i të fshehtës, pra çelësin e tyre e di vetëm Zoti. Ndonjë e fshehtë mund të zbulohet, por çelësi i këtyre të pestave, jo.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Llukman". Falënderim i qoftë Allahut të madhërishëm!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 31:20–31:21

- “A nuk e shihni ju se si Allahu e ka nënshtruar për të mirën tuaj gjithçka ka në qiej e në tokë dhe i plotësoi ndaj jush mirësitë e Tij, të dukshme e të padukshme!” - Allahu i Lavdëruar u kujton robërve mirësitë e shumta që Ai u ka dhuruar atyre, qofshin ato që kanë të bëjnë me jetën e dynjasë, qofshin në lidhje me fenë dhe në dobi të ahiretit të tyre. Kështu, Ai vendosi në qiell yjet dhe Diellin, me anë të të cilëve ata ndriçohen e udhëzohen netëve dhe ditëve të jetës së tyre. Ai krijoi dhe sjell prej qiellit, retë, shirat, breshërin, dëborën. Ai e bëri qiellin si një kupolë mbrojtëse për jetën në tokë. Ndërsa tokën e bëri të qëndrueshme dhe vendprehje, e në të vendosi lumenj, pemë, të lashta e bimësi të shumta. Ndërsa në lidhje me fenë dhe në dobi të ahiretit të tyre, Allahu u bëri mirësi të shumta dhe madhështore, duke u dërguar profetë e shpallur libra, duke u larguar çdo dyshim e paqartësi të robërve në lidhje me rrugën e drejtë ku duhet të ecin. Megjithatë, jo të gjithë njerëzit besuan dhe pranuan ftesën e Tij. - “Megjithatë, ka prej njerëzve, të tillë që polemizojnë për Allahu n pa patur asnjë dituri, pa udhëzim të qartë dhe pa ndonjë libër të ndritshëm. ” - Ka njerëz që polemizojnë dhe nuk e pranojnë besimin e drejtë se Zoti është një i vetëm dhe refuzojnë të pasojnë profetët e dërguar prej Tij. Ata polemizojnë vetëm për të refuzuar të vërtetën, pa pasur asnjë dituri, asnjë bazë argumentimi të saktë dhe as libër të ndritur nga Zoti. - “Kur atyre u thuhet: “Ndiqni Shpalljen e Allahut!”, ata thonë: “Jo. Ne do të ndjekim atë që e gjetëm te prindërit tanë.”- Kur këtyre njerëzve, që refuzojnë besimin e drejtë në një Zot të vetëm, u thuhet që të pasojnë Shpalljen, që Zoti ia zbriti Profetit të Tij, ligjin e pastër dhe rrugën e drejtë, që e ligjëroi për ta, ata thonë: “Jo. Ne do të ndjekim atë që gjetëm te prindërit tanë.” Pra, i vetmi arsyetim i tyre është se ata ndjekin rrugën e etërve të tyre të hershëm. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Kur atyre (idhujtarëve) u thuhet “Pasoni atë që shpalli Allahu!”, ata thonë: “Jo. Ne ndjekim atë rrugë që kishin të parët tanë.” Po sikur të parët e tyre të mos kishin kuptuar asgjë dhe të mos ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë?” [Bekare 170]. Pra, si mendoni dhe me çfarë mendje arsyetoni, o ju njerëz, që kapeni pas rrugës së të parëve tuaj?! Pa mendohuni pak: nëse ata ishin në humbje, mos vallë, duke pasuar ata, do të jeni të shpëtuar e të justifikuar?! - “... edhe pse shejtani është duke i ftuar në dënimin e zjarrit. ” - Si mendoni se mund të shpëtoni, nëse ata ju ftojnë për në dënimin e Zjarrit? Fakti që ishit pasues të tyre nuk ka për t’ju sjellë asnjë dobi e arsyetim para Zotit dhe nuk mund t’ju shërbejë si argument për të refuzuar të vërtetën e shpallur nga Zoti.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 31:20–31:21

Allahu i Lartësuar u tregon njerëzve për mirësitë e Tij dhe i fton e inkurajon ata për t’u treguar mirënjohës e jo të tregohen të pavëmendshëm ndaj tyre. Ai thotë: - A nuk e shihni ju se si Allahu e nënshtroi për të mirën tuaj gjithçka ka në qiej e në tokë... - A nuk e shihni me sytë e zemrat tuaja se Allahu nënshtroi për të mirën tuaj gjithçka ka në qiej e në tokë? Ai nënshtroi diellin, hënën, yjet. Në Tokë, Ai vendosi krijesa të shumta, kafshë, pemë, bimë, lumenj, minerale etj. Të gjitha këto Zoti i ka nënshtruar që të jenë në dobi të njerëzve, sikurse thotë i Madhëruari: "Gjithçka që ka në Tokë, Ai (Allahu) e krijoi për ju, pastaj iu drejtua qiellit dhe i përsosi shtatë qiejt. Ai është i Gjithëditur për gjithçka." [Bekare 29]. - dhe i plotësoi ndaj jush mirësitë e Tij, të dukshme e të padukshme! - Ai i ka përfshirë të gjithë me mirësitë e Tij të shfaqura dhe të fshehura, të cilat i dimë, por edhe me shumë mirësi që ne nuk i dimë. Ai na ka mbuluar me mirësitë e dynjasë dhe mirësitë e fesë e të besimit. Mirësitë e Tij na vijnë ose si begati, ose si ruajtje nga të këqijat. Kështu, ne duhet të përkushtohemi për të shprehur mirënjohjen ndaj këtyre mirësive, duke treguar dashurinë për

Allahun dhe përunjësinë ndaj Tij. Ne duhet që këto mirësi t'i përdorim për t'iu bindur Allahut dhe jo për të bërë poshtërsi ndaj Allahut. - Megjithatë, ka njerëz të tillë që polemizojnë për Allahun pa patur aspak dituri, pa udhëzim të qartë dhe pa ndonjë libër të ndritshëm. - Megjithë këto mirësi, ka përsëri njerëz që nuk tregohen mirënjohës, madje tregohen mohues të këtyre mirësive, duke mos njohur as Atë që ua dhuroi. Këta nuk e pranojnë mesazhin që Zoti e dërgoi me profetët dhe librat që i shpalli për njerëzit, që ata t'i përmbahen. Këta njerëz: "...polemizojnë për Allahut pa patur aspak dituri, pa udhëzim të qartë dhe pa ndonjë libër të ndritshëm." Ata polemizojnë me të kotën, për të hedhur poshtë të mirën. Nëpërmjet kotësive, ata synojnë që të hedhin poshtë urdhrat që profetët e Zotit sollën ndër njerëz për të adhuruar Zotin si një të vetëm. Por këta polemizues me të kotën janë të verbër dhe nuk kanë asnjë argument nga Zoti. Polemikat e tyre nuk janë të mbështetura në të vërtetën dhe të drejtën dhe as në dituri e dritë nga Zoti. Prandaj këtyre njerëzve nuk u dëgjohet fjala dhe as duhen lënë që të llomotitin me kotësitë e tyre, por u duhet dalë përpara me prova e fakte. Ata nuk ofrojnë ndonjë udhëzim, nëpërmjet të cilit të udhëzohen të diturit. Ata nuk bazohen në ndonjë libër të ndritur, që qartëson të vërtetën. Ata nuk mbështeten në argumentet tradicionale, as në argumente logjike dhe nuk marrin për bazë rrugën e të udhëzuarëve. Polemikat e këtyre në kundërshtim të Zotit, janë ndërtuar dhe mbështetur veçse në pasimin e verbër të të parëve të tyre, që nuk ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë, por ishin të humbur dhe të devijuar, të zhytur në errësirat e mohimit dhe idhujtarisë. - Kur atyre u thuhet: “Ndiqni shpalljen e Allahut!”, ata thonë: “Jo! Ne do të ndjekim atë që gjetëm te prindërit tanë.” - Atyre u thuhej që të pasonin shpalljet që sollën profetët nga Zoti i tyre, që ishin e vërteta e sigurt. Këtë të vërtetë, Allahu ua sqaroi atyre me argumente të qarta e të plota, por ata thoshin: “Jo, ne do të ndjekim atë që gjetëm te prindërit tanë. Ne nuk kemi për ta lënë kurrë rrugën e të parëve tanë për asnjë shkak dhe fjalë tjetër, kushdo qoftë ai që e sjell atë fjalë. Por Allahu i Madhëruar, duke u kthyer përgjigje atyre dhe të parëve të tyre, thotë: - Edhe pse shejtani është duke i ftuar për në dënimin e zjarrit. - Ata iu përgjigjën shejtanit dhe ndoqën hapat e të mallkuarit. Ata u bënë ndjekës të shejtanit, prandaj i pushtoi dyshimi e pasiguria. Mos, vallë, kjo i bën ata që t'i ndjekin e pasojnë të parët e tyre në këtë rrugë të humbjes? Përkundrazi, ky fakt duhet t'i bëjë të frikësohen dhe të ruhen që të mos bien në të njëjtin kurth që ranë të parët e tyre. Kjo duhet t’i bëjë që ta shohin qartë devijimin dhe humbjen ku të parët e tyre u zhytën. Çdokush që ndjek hapat e shejtanit dhe refuzon dritën e Zotit i ka hyrë rrugës së humbjes dhe dëshpërimit. Kur shejtani i mallkuar i fton ata dhe të parët e tyre në rrugën e tij, e bën këtë jo nga dashuria e përkujdesi për ta, por nga armiqësia dhe dëshira për t'i shkatërruar e shkaktuar dhimbje e dëshpërim. Kështu, pasues të shejtanit u bënë pikërisht armiqtë e tij, të cilët ai arriti që t'i mashtrojë e nënshtrojë me kurthet dhe hilet e tij. Ai dëshiron që edhe ata të bëhen banorë të Zjarrit që në momentin kur i përgjigjen ftesës së tij.

← Lukman 31:20