31. Lukman · Ajeti 29 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 31:20–31:34

E tërë gjithësia me të gjithë trupat qiellorë dhe me të gjitha qeniet dhe sendet që janë në tokë, është në shërbim të njeriut, po jo me mjeshtërinë ose fuqinë e njeriut, pse njeriu i gjeti të gatshme të gjitha këto të mira, këto ia përgatiti Allahu, i cili i dha edhe shumë të mira të tjera fizike e kuptimore siç janë: të dëgjuarit, të parit, shëndeti, mendja ndjenjat, zemra etj. E megjithatë se Zoti ua dha të gjitha këto të mira, ka disa njerëz që nuk ndjekin rrugën që u caktoi Zoti, por imitojnë verbërisht traditat e të parëve, edhe pse ato janë krejt të gabuara. Prej këtij ajeti duhet marrë mësim se çdo traditë e të parëve nuk duhet respektuar, por vetëm ato që janë të dobishme.

Kush i është dorëzuar sinqerisht Allahut, ai është i sigurt pse çdo send tjetër zhduket, e Allahu është i përjetshëm dhe të gjitha çështjet janë në duar të Tij.

Allahu nuk ka nevojë për asgjë, nuk ka nevojë as për falënderimin e njerëzve, Ai vetvetiu është i lavdishëm. Faktet për fuqinë, urtësinë dhe mrekullinë që manifestohen në krijesat e Tij, janë të pasosshme, para do të soseshin drunjtë si lapsa dhe uji i detit si ngjyrë, nëse do të tentohej të regjistrohen ato fakte.

Në ditën e gjykimit çdokush do të jetë i preokupuar me punët e veta, ashtu që askujt nuk do t'i bjerë ndërmend për tjetrin edhe nëse është më i afërmi, siç janë fëmija me prindërit.

Në një hadith, të cilin e regjistrojnë Sahihajnët e të tjerë, pesë të fshehta janë që nuk i di askush pos Allahut: kur do të ndodhë katastrofa e përgjithshme, kur dhe në cilin vend do të bjerë shi, si është foshnja në barkun e nënës, i shëndoshë ose i gjymtë, mashkull ose femër: çka dhe çfarë do të punojë, çka do t'i ndodhë dikujt nesër, kur dhe në ç'vend do të vdesë dikush. Këto pesë të fshehta i përmend ky ajet, e në një ajet tjetër thuhet: "Çelësat e të fshehtave janë vetëm te Allahu", e Pejgamberi i përmend këto të pesta. Duhet kuptuar se tjetër është e fshehta, e tjetër çelësi i të fshehtës, pra çelësin e tyre e di vetëm Zoti. Ndonjë e fshehtë mund të zbulohet, por çelësi i këtyre të pestave, jo.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Llukman". Falënderim i qoftë Allahut të madhërishëm!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 31:29–31:30

- “A nuk e sheh ti se është Allahu Ai që e fut natën te dita dhe Ai që e fut ditën te nata ...” - Pra, Ai njëherë zgjat ditën dhe shkurton natën. Kjo ndodh gjatë verës. Ndërsa gjatë dimrit ndodh e kundërta: Ai zgjat natën dhe shkurton ditën. - “... dhe është Ai që i ka nënshtruar Diellin e Hënën, që lëvizin deri në afatin e caktuar ...” - Kështu do të vazhdojnë të lëvizin, deri në kohën e caktuar nga Zoti, kur dielli do të lindë nga perëndimi. Mbase ka kuptimin deri në Ditën e Kijametit, kur ky rregull i vendosur nga Zoti do të prishet. Të dyja kuptimet janë të sakta. Për mendimin e parë janë argumentuar me hadithin që vjen në dy Sahih-ët nga Ebu Dher Xhundub Ibn Xhenadehi, që rrëfen: “Profeti i Allahut më tha njëherë: 2093. “A e di ku shkon dielli, kur perëndon?” - “Nuk e di.” - Ai shkon nën Arsh dhe bie në sexhde për Allahun, pastaj ngrihet dhe atëherë i thuhet: “Shko!” O Ebu Dher! Pritet një ditë që atij t’i thuhet: “Kthehu andej nga erdhe (nga perëndimi)!” Kjo është ajo koha, për të cilën Allahu thotë: “... askujt nuk do t’i vlejë besimi, nëse nuk ka besuar më parë ose nëse nuk ka bërë asnjë të mirë prej besimit të tij.” - “... dhe se Allahu e di mirë gjithçka që ju bëni? ” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut: “Allahu është Ai që krijoi shtatë qiej dhe Toka po aq sa ata. Nëpër to zbret vendimi i Tij, për të qenë të bindur se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka dhe se me të vërtetë, Allahu ka përfshirë gjithçka me dijen e Vet.” [Talak 12] - “Po, kështu, sepse Allahu është e Vërteta, dhe se çfarëdo tjetër që ata adhurojnë veç Tij është gënjeshtër ...” - Allahu i Lavdëruar ju tregon shenjat e Tij, që nëpërmjet tyre të argumentoni se Ai është e vërteta e sigurt, pra, që Ai ekziston dhe është i vetmi i Adhuruar me meritë, që të kuptoni se çdo gjë tjetër që adhurohet është kotësi. Ai është i Pasuri, që nuk ka nevojë për krijesat, ndërsa çdo gjë tjetër është e varfër e nevojtare për Të

- “... dhe se Allahu - Ai është i Lartësuari, i Madhëruari.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 31:29–31:30

- A nuk e sheh ti se është Allahu Ai që e fut natën te dita dhe Ai që e fut ditën te nata...? - Edhe kjo tregon se Allahu i Lartësuar është i vetëm dhe nuk ka shokë në administrimin, përkujdesin dhe rregullimin e çështjeve të krijesave. Pushteti i Tij është madhështor dhe gjithëpërfshirës. Me këtë pushtet, Allahu e fut natën në ditë dhe e fut ditën në natë. Kështu, kur vjen njëra, e largon tjetrën dhe e kundërta. Është Allahu që e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën që të lëvizin sipas ligjit të vendosur prej Tij. Ky rregull nuk është cenuar qysh në kohën kur Ai i krijoi ato. Ai e rregulloi këtë çështje në mënyrë që të jetë në shërbim të krijesave, qoftë në lidhje me fenë dhe besimin e tyre, qoftë në lidhje me dynjanë e tyre. Nëpërmjet këtyre shenjave dhe krijesave madhështore, ata nxjerrin mësime e përfitojnë. - se është Ai që i ka nënshtruar Diellin e Hënën, që lëvizin deri në një afat të caktuar... - Por kur të vijë ai moment dhe afat i caktuar nga Zoti, ata nuk do të vazhdojnë më lëvizjen me rregullsinë e mëparshme. Forca e tyre do të shuhet e do të zhduket. Kjo do të ndodhë Ditën e Gjykimit. Atë ditë, Dielli dhe Hëna do të shuhen dhe mbështillen dhe e gjithë dynjaja do të marrë fund. Ajo është dita kur do të fillojë ahireti. - dhe se Allahu e di mirë gjithçka që ju bëni? - Allahu është i Gjithëditur për të gjitha veprat tuaja, të mirat dhe të këqijat. Asgjë nuk mund t'i fshihet Atij. Ai do t'ju shpërblejë me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij. Të bindurit do t'i shpërblejë me sevape dhe mirësi të shumta, ndësa mohuesit dhe të pabindurit do t'i ndëshkojë me drejtësi. - Po, kështu, sepse Allahu është e Vërteta... - Të gjitha këto fakte rreth madhështisë së Allahut dhe bukurisë së cilësive të Tij, Ai jua dha që ju të kuptoni se: "Allahu është e Vërteta." Ai është i vërteti, i vetmi që nuk ka shok në çdo aspekt. Allahu është i vërteti në Qenien dhe cilësitë e Tij. Feja e Tij është e vërteta, të dërguarit e Tij janë të vërtetë, premtimi dhe kërcënimet e Tij janë të vërteta dhe vetëm adhurimet që i përkushtohen dhe dedikohen Atij janë të vërteta dhe të drejta. - ...dhe se çfarëdo tjetër që ata adhurojnë veç Tij është gënjeshtër... - Ata janë kotësi si në qenien, dhe në cilësitë e tyre. Nëse Allahu nuk do t’i sillte në ekzistencë, ata nuk do të ekzistonin. Gjithashtu, nëse Zoti nuk do të kujdesej për ta, ata nuk do të vazhdonin të ekzistonin. Duke qenë se këto janë gjëra të kota, edhe adhurimi i tyre është i kotë. - Allahu është i Lartësuari dhe i Madhëruari. - Allahu i Madhëruar është i Lartësuar në Qenien e Tij. Ai është sipër të gjithë krijesave të Tij. Të larta janë të gjitha cilësitë e Tij dhe me to askush nuk mund të përshkruhet dhe t'i afrohet. Cilësitë e Tij nuk lejohet të krahasohen dhe shëmbëllehen me cilësitë e krijesave. Ai është i Lartësuar dhe i ka nënshtruar të gjitha krijesat. Atij i takon krenaria në Qenien dhe cilësitë e Tij. Shpirtrat dhe zemrat e banorëve të qiellit dhe të Tokës janë të mbushura me madhështinë e Tij.

← Lukman 31:29