32. Sexhde · Ajeti 26 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 32:18–32:30

Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, nuk janë të njëjtë me ata që nuk besuan, sepse besimtarët do t'i presin me nderime të larta si mysafirë, me vende të zgjedhura në xhennet. Ndërsa ata që nuk besuan, vendin e kanë në zjarr. Saherë i hedh vala lart e ata tentojnë të dalin, ajo i kthen në fund të tij. Por edhe para atij dënimi të madh në Ahiret, do të përjetojnë dënime edhe në Dynja, për t'u ndihmuar që të largohen prej rrugës së gabuar.

Muhammedit i thuhet se ligji i Zotit është, t'i shpallë libër të dërguarit, Musait i shpalli Tevratin e ty Kur'anin, pra mos kij dyshim se është shpallje e Zotit. Ka mendime se fjala është që Muhammedi do të takohej me Musain në Kudsi Sherif ose në qiell natën e Israut, ka mendime se fjala është edhe për atë se vështirësitë që e goditën Musain do të godasin edhe ty... Edhe prej ymetit të Musait pati prijës që udhëzuan në rrugë të drejtë, por ata që ishin të durueshëm e të bindshëm.

Është për t'u habitur me kurejshitët që kalojnë nëpër ato vende ku popujt e tyre u shkatërruan më herët dhe megjithatë nuk mblidhnin. mend, nuk i vështronin mrekullitë e Zotit, por talleshin me myslimanë se kur do ta çlirojnë Meken! Në fund Muhammedi porositet të heq dorë prej tyre, të presë ndilimën e Zotit se edhe ata janë duke pritur ndryshimin e gjendjes.

Me ndihmën e Zotit, mori fund përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Sexhde''. Falënderuar qoftë Allahu i madhërishëm!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 32:26–32:27

- “A nuk marrin mësim nga gjithë ata breza që kemi shkatërruar para tyre, nëpër vendbanimet e të cilëve shpesh kalojnë?” - A nuk shohin këta mohues të profetëve, se cili ishte shkaku i shkatërrimit të popujve para tyre? Ishte pikërisht kundërshtimi i profetëve dhe refuzimi i udhëzimit në rrugën e Zotit, ai që ua solli atyre ndëshkimin dhe shkatërrimin, prandaj prej tyre nuk mbeti asnjë sy që pulitet dhe asnjë gjurmë, që të mbahet mend, siç thotë Allahu i Lartësuar : “Sa e sa breza kemi shkatërruar Ne para tyre! Vallë, a po vëren ndonjë prej tyre dhe a po dëgjon ndonjë pëshpërimë?” [Merjem 98]. Edhe këta ecin në vendbanimet e mohuesve të hershëm, por nuk shohin atje asnjë prej atyre që dikur i mbushnin me jetë ato vendbanime. Të gjithë u zhdukën, siç thotë i Lartësuari: “... u bënë sikur të mos kishin qenë kurrë më parë.” [Earaf 92]. Ose: “ Dhe shiko se si qe përfundimi i dredhisë së tyre! Ne i shkatërruam të gjithë ata dhe popullin e tyre. Këto janë gërmadhat e shtëpive të tyre. Ata u shkretuan për shkak të padrejtësive të tyre. Nuk ka dyshim se në gjithë këtë (ndodhi) ka argument për njerëzit që kuptojnë. Ne i shpëtuam ata që besuan dhe që ishin të devotshëm.” [Neml 51 - 53]. “Sa e sa fshatra keqbërësish kemi goditur, që janë rrënuar tërësisht. Puset janë braktisur e pallatet e larta janë shkretuar . A nuk udhëtojnë ata nëpër tokë, që zemrat e tyre të mund të mësojnë urtësinë dhe veshët e tyre të mund të dëgjojnë?! Vërtet, nuk verbohen sytë, por verbohen zemrat në kraharor .” [Haxh 45, 46]. - “Me të vërtetë në to ka argumente të shumta.” - Ka mësime, këshilla dhe argu - mente, të cilat tregojnë përfundimin dhe ndëshkimin e atyre që mohuan dhe përfu - ndimin e mirë të atyre që besuan.

- “A nuk dëgjojnë me vëmendje?! ” - A nuk i dëgjojnë historitë e popujve të shkuar dhe si qe përfundimi i tyre? - “A nuk e shohin ata se Ne çojmë ujin në tokën e shkretuar ...” - Allahu i Lartësuar na tregon për butësinë dhe kujdesin e Tij për krijesat, kur dërgon ujin ose nga qielli, ose përmes lumenjve dhe burimeve në tokë, të cilat zbresin prej maleve drejt fushave që kanë nevojë për të, pikërisht në kohën kur u duhet. I Lartësuari thotë: “Ne çojmë ujin në tokën e shkretuar ...” - “Erdul xhuruzi ” quhet (në arabisht) toka pa bimësi dhe e zhuritur për ujë. Ajeti nuk flet vetëm për tokën e Egjiptit; ajo është vetëm një pjesë e asaj që përfshin ajeti. Allahu i Lartësuar i ka çuar asaj ujin e Nilit, i cili shtohet edhe nga reshjet, kur kalon nëpër zona të tjera. Kjo masë uji dhe balte mbulon tokën e Egjiptit, e cila vetë është një tokë e thatë dhe e varfër. Ajo ka shumë nevojë për ujë, që të mbijë bimësia në të. Kështu, tokat e Egjiptit, çdo vit vaditen nga uji i pasuruar me shirat dhe balta e re, që vijnë jo nga zonat e tyre. I lavdëruar, i dëlirë dhe i pastër qoftë Ai që është i Urtë, Bujar, Bamirës dhe i Lavdëruar, për të gjitha mirësitë që dhuron! I lavdëruar qoftë Ai përjetë dhe përgjithmonë! - “... dhe me të nxjerrim bimë, prej të cilave ushqehen kafshët e tyre dhe ata vetë. A nuk kanë sy të shohin?! ” - Ose siç thotë i Lartësuari: “Le të shikojë njeriu ushqimin e vet! Ne lëshojmë ujë me mbushulli. Pastaj e çajmë tokën në thellësi, dhe bëjmë që në të të mbijnë drithëra, edhe rrush e perime, edhe ullinj e hurma, edhe kopshte të dendura, edhe pemë e kullota; si furnizim për ju dhe për bagëtinë tuaj.” [Abese 24 - 32]. “Argument për ata është toka e vdekur, kur Ne i japim jetë dhe bëhen drithërat nga të cilët ju hani. Ne kemi bërë në të kopshte hurmash e rrushi dhe bëjmë që të shpërthejmë burime (uji), që ata të hanë nga ato fruta dhe nga ajo që e prodhojnë me duart e tyre. Atëherë, a nuk po tregohen mirënjohës?” [Ja sin 33 - 35].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 32:26–32:27

- A nuk marrin mësim ata (mohuesit e profetëve) nga gjithë ato breza që kemi shkatërruar para tyre, nëpër vendbanimet e të cilëve shpesh kalojnë? - A nuk shërbejnë këto ndodhi si argument për këta që i mohojnë profetët dhe si udhëzim për t’i drejtuar tek e vërteta? Edhe popujt e shkuar që Zoti i shkatërroi ndoqën të njëjtën rrugë si këta mohuesit e sotëm. Le të udhëtojnë dhe të ecin përmes vendbanimeve të tyre dhe të shohin me sytë e ballit si përfunduan ata, siç ishte populli i Hudit, Salihut dhe populli i Lutit. - Me të vërtetë në ato (vende të shkretuara) ka argumenta të shumta.... - Ka argumente për besnikërinë e profetëve, që u dërguan ndër ata popuj, për kotësinë dhe rrugën e humbjes ku ishin zhytur ata të mjerë. Ata ishin zhytur në idhujtari dhe poshtërsi, larg shpalljeve të Zotit. Këto ajete na tregojnë se çdokush që bën të njëjtat vepra si ata popuj, do ta pësojë njëlloj si ata. Këto ajete na tregojnë, gjithashtu, se Allahu i Lartësuar do t’i ringjallë robërit për t’i shpërblyer në Ditën e Ringjalljes dhe Tubimit para Tij, kur të thirren për t’u bashkuar të gjithë në vendin e tubimit. - ...a nuk po dëgjojnë me vëmendje?! - A nuk i dëgjojnë dhe kuptojnë ajetet e Allahut? Nëse i dëgjojnë me kujdes dhe dëshirojnë për t’i kuptuar, ata me siguri kanë për të përfituar. Kështu do të ndodhte nëse do të ishte një dëgjim i kujdesshëm dhe i mirë, si dhe një logjikë e shëndetshme e rregullt. Kështu, ata nuk do të vazhdonin të ishin në atë gjende mosbesimi e poshtërsish, që e bëjnë të pashmangshëm dënimin e ashpër të Zotit.

- A nuk e shohin ata se Ne çojmë ujin në tokën e shkretuar... - A nuk e shohin me sytë e tyre këtë mirësi të madhe që u kemi dhuruar dhe urtësinë Tonë të plotë e absolute? Ne dërgojmë ujin, nëpërmjet shiut ose lumenjve në tokën shkretuar, ku nuk ka bimësi: - dhe me të nxjerrim bimë prej të cilave ushqehen kafshët e tyre dhe ata vetë. - Nxjerrim bimësi të shumëllojshme, të cilat i hanë bagëtitë dhe njerëzit, gjithashtu. - A nuk kanë sy të shohin (e të kuptojnë)?! - A nuk i shohin këto mirësi? Nëpërmjet këtyre mirësive marrin jetë vendet dhe krijesat e shumta që mbushin tokën. A nuk i bën ky shikim që të hapin sytë e zemrës dhe të shpirtit, dhe të shohin dritën për të gjetur rrugën e drejtë? Por ja që shumë nga ata i ka zënë verbëria dhe i ka vënë poshtë pakujdesia dhe dhe harresa. Ata nuk dinë të shohin ashtu siç shohin burrat e urtë dhe të mençur. Ata shohin si të pakujdesshmit e mendjelehtët dhe çdo gjë e mbrapshtë u duket normale. Ata nuk arrijnë të shohin dritën, që t’u jepet sukses për të mirën dhe besimin.

← Sexhde 32:26