يَحۡسَبُونَ ٱلۡأَحۡزَابَ لَمۡ يَذۡهَبُواْۖ وَإِن يَأۡتِ ٱلۡأَحۡزَابُ يَوَدُّواْ لَوۡ أَنَّهُم بَادُونَ فِي ٱلۡأَعۡرَابِ يَسۡـَٔلُونَ عَنۡ أَنۢبَآئِكُمۡۖ وَلَوۡ كَانُواْ فِيكُم مَّا قَٰتَلُوٓاْ إِلَّا قَلِيلٗا
Ata mendonin se grupet aleate ende nuk kishin shkuar, dhe nëse aleatët kthehen edhe njëherë, ata (hipokritët) do të dëshironin të kishin qenë beduinë diku me arabët dhe prej atje të pyesin për çështjen tuaj, por edhe sikur të ishin në mesin tuaj, ata krejt pak do të luftonin.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Edhe në kaptinën Ali Imran është përmendur besa e marrë prej pejgamberëve, se do ta vërtetojnë, do ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe do t’i përmbahen saktë detyrës së besuar prej Zotit. Këtu përmenden pesë pejgamberët më autoritativë “Ulul Azmi”, por për hir të pozitës dhe famës më të lartë i pari përmendet Muhamedi a.s., anipse është i dërguari i fundit. Zoti xh. sh. i thërret besimtarët të përkujtojnë të mirën, ndihmën që iu ofroi me rastin e rrethimit të Medines prej ushtrisë së armikut. Në të vërtetë afër një viti e sipër pas luftës së Uhudit idhujtarët arabë, kurejshë e Gatafanë dhe jehuditë: Beni Nadir dhe Kurejdha formojnë një ushtri të përbashkët për ta sulmuar Medinen, gjegjësisht Pejgamberin dhe muslimanët. Për aleancën e armikut, e cila kishte tubuar më tepër se dhjetëmijë ushtarë dhe së cilës i printe Ebu Sufjani kishte dëgjuar Pejgamberi a.s. Me propozimin e Selman Farisiut Pejgamberi urdhëron hapjen e një kanali (hendeku, istikami) rreth e përqark Medines. Ushtria muslimane numëronte tremijë veta. Kur arriti ushtria e armikut dhe e rrethoi qytetin, e asaj iu bashkuan edhe jehuditë e vendit me të cilët muslimanët kishin pasur marrëveshje, frika u shtua, belaja u zmadhua, saqë pati mendime të ndryshme. Muslimanët mbanin shpresë në ndihmën e Zotit, e formalistët munafikë i humbën shpresat dhe premtimin e Allahut e të Muhamedit e konsideruan mashtrim. Shumë prej munafikëve kërkonin leje nga Pejgmaberi të shkonin në shtëpitë e veta për t’u mbrojtur. Pejgamberi iu dha leje, por e dinte se po ikin prej luftës. Kurani i thotë se ata, edhe sikur të ishin në mesin tuaj, nuk do të luftonin, do të pranonin të kthehen në idhujtari, po qe se armiku do të dominonte. Ata thonin me vete, se më mirë do të ishte për neve sikur të ishim beduinë, e të jetonim në shkretëtirë e të mos ishim në Medine, e prej atje do të kuptonim se ç’po ngjan me muslimanët. Si përfundim i kësaj lufte që quhet: Lufta e Hendekut, sipas kanalit të hapur, ose: Lufta e Ahzabit, sipas aleancës ushtarake të armikut, armiku e mban të rrethuar Medinen për disa ditë, por një natë kur ishte errësirë e madhe Zoti lëshon një erë të stuhishme e të ftohtë, ua shuan zjarrin, ua rrënon çadrat, ua shtie frikën