33. Ahzab · Ajeti 32 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:28–33:35

Pas disfatës së ushtrisë së aleatëve dhe pas zgjerimit të territorit të myslimanëve, jeta e myslimanëve përmirësohet në përgjithësi, por Pejgamberi dhe shokët e tij më të ngushtë nuk bëjnë ndonjë ndryshim në modestinë e jetës së tyre të përditshme. Megjithatë, gratë e Pejgamberit lakmuan për një jetë më luksoze. Sigurisht ato nuk ishin në gjendje ta kuptonin sa duhet se jeta dhe begatitë e kësaj bote, sado që të jenë të këndshme, nuk peshojnë as sa krahu i mizës, në krahasim me të mirat që Allahu u ka përgatitur besimtarëve në Ahiret. Nuk ishin në gjendje të kuptojnë se kushtet e jetës mund të ndryshojnë te myslimanët, por jo edhe në shtëpinë e Pejgamberit, andaj ato një ditë u ulën dhe kërkuan prej Pejgamberit t'u lejojë jetë më luksoze dhe stoli më të shumta.

Duke qenë Pejgamberi ulur në mesin e tyre, vjen Ebu Bekri e pas tij Ymeri dhe kërkojnë leje të hyjnë, por një herë nuk lejohen e më vonë lejohen. Pejgamberi rrinte në heshtje, Ymeri tha: do të flasë e ndoshta do të na buzëqeshë Pejgamberi. tha: O i dërguar i Zotit, të kishe parë se si gruaja ime kërkonte prej meje furnizim më të madh, e unë i thash: ta shtrembërojë qafën, Pejgamberi buzëqeshi e u tha se edhe këto rreth meje janë duke kërkuar ashtu...

Shpallet ky ajet dhe Pejgamberi urdhërohet t'u thotë grave: Nëse duan jetë luksoze të kësaj bote...

Derisa gratë e Pejgamberit shfaqën dëshirën të jenë ndaj tij, të jenë në respekt të Allahut dhe nuk zgjodhën jetën e kësaj bote, ato nuk ishin më si gratë e tjera të rëndomta. Gabimi i tyre konsiderohej dyfish më i madh, e edhe shpërblimi, andaj ato porositen të jenë të matura në fjalë, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre duke përsëritur Kur'anin e shpallur dhe duke përpunuar thëniet e Pejgamberit e rregullat e tjera islame, sepse ato ishin shembull i të gjitha grave myslimane të asaj dhe të çdo kohe, dhe se shtëpia e tyre ishte vendi ku vinte shpallja.

Megjithëse në fenë islame gruaja është e barabartë me burrin, shumë ajete të Kur'anit u drejtohen burrave si më përgjegjës. Ymmi Seleme, bashkëshorte e Pejgamberit paska thënë: "O i dërguar i Zotit, unë po dëgjoj se po përmenden burrat në Kur'an e jo edhe gratë!" Atëherë qenka shpallur ajeti: myslimanët, myslimanet, besimtarët besimtaret...

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:32–33:34

- “O gratë e Profetit! Ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse e keni frikë Allahun. ” - Këto janë disa këshilla të Allahut të Lartësuar për t’u pajisur me edukatë dhe virtyte të larta, drejtuar grave të Profetit ﷺ . Pa dyshim se të gjitha gratë e umetit duhet t’i zbatojnë këto porosi nga Zoti. Kështu, Allahu i Lartësuar u thotë grave të Profetit ﷺ se, nëse ato do të jenë të devotshme, ashtu sikurse Ai i urdhëroi, atëherë me to nuk ka për të qenë e barabartë asnjë prej grave të botës dhe askush prej tyre nuk ka për t’i arritur në gradën e lartë, që iu premtohet. - “Prandaj mos u llastoni në të folur… ” - Flitet për të folurën duke u përkëdhelur, kur u drejtohen burrave. - “... që t'ju lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij ...” - Ai që ka në zemër prishjen dhe imoralitetin. - “... por flisni me fjalë të matura. ” - Gjithmonë thoni fjalë të mira, sipas normave të bukura; fjalë në të cilat të mos ketë asnjë ngjyrim përkëdhelie, ashtu sikurse i flitet bashkëshortit. - “Dhe rrini qetësisht në shtëpitë tuaja ...” - Të mos dalin nga shtëpitë e tyre, përveçse kur e kërkon nevoja ose për raste të lejuara nga Sheriati, si për shembull, për

të shkuar në xhami. Megjithatë, namazi në shtëpi për to është më i vlefshëm sesa namazi në xhami, siç thuhet në hadithin që sjell Imam Ahmedi nga Ummu Humejd, gruaja e Ebu Humejd el Saidi, e cila shkoi tek Profeti ﷺ dhe tha: “Unë e dëshiroj shumë që të falem (në xhami) me ty.” Ai i tha: “E di që ke dëshirë të falesh me mua, por namazi në dhomën tënde është më i mirë për ty, se namazi në korridorin e shtëpisë tënde; namazi në korridorin e shtëpisë tënde është më i mirë se namazi në oborrin e shtëpisë tënde, namazi në oborrin e shtëpisë tënde është më i mirë se namazi në xhaminë e fisit tënd; namazi në xhaminë e fisit tënd është më i mirë se namazi në xhaminë time.” Ajo dha urdhër dhe ata i ndërtuan një faltore në pjesën më të futur të shtëpisë së saj dhe, betohem në Allah, atje vazhdoi të falej, derisa ndërroi jetë.” 167 Gruas i lejohet që të marrë pjesë në namazet me xhemat në xhami, por me kusht që të mos përbëjë shqetësim për burrat, duke shfaqur zbukurime të saj ose parfum e gjëra të tjera të ngjashme. Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: 2124. “Mos i ndalni robëreshat e Allahut prej xhamive të Allahut!” [Buhariu dhe Muslimi]. Ndërsa Ahmedi dhe Ebu Daudi shtojnë: “por shtëpitë janë më mirë për to.” 168 Ebu Daudi gjithashtu sjell hadithin nga Profeti ﷺ se: 2125. “Namazi i gruas në dhomën e saj është më i mirë se namazi në shtëpinë e saj. Namazi në shtëpinë e saj është më i mirë për të se namazi i saj në oborrin e saj.” Ky është një isnad i mirë. - “... dhe mos e shfaqni bukurinë tuaj ashtu siç shfaqej në injorancën e hershme!” - Në kohën e injorancës së hershme, kur gratë dilnin nga shtëpia, ecnin duke shfaqur delikatesë të tepruar, duke folur me zë joshës, të veshura në mënyrë të pahijshme, të zbuluara, për të tunduar meshkujt. Kështu, edhe pse hidhnin rrobën sipër kokës, ato nuk e vendosnin me kujdes, por zbulonin pjesë të trupit dhe prej tyre shiheshin zbukurimet që i kishin vendosur në qafë. Kjo lloj (zh)veshjeje u përhap mes grave të besimtarëve në atë kohë të shkuar, pra, në kohën e injorancës së parë, për të cilën flitet në këtë ajet. Ajo është koha mes Idrisit (a.s) dhe Nuhut (a.s), e cila zgjati njëmijë vjet. Ajo ishte koha kur u shfaq zhveshja dhe shfrenimi i parë mes grave dhe burrave. Të gjithë burrat dhe gratë mblidheshin dhe dëgjonin Iblisin, tek luante me një mjet muzikor, si fyelli që mbajnë barinjtë, i cili nxirrte një zë që njerëzit kurrë nuk e kishin dëgjuar. Iblisi shfaqej në formën e një djaloshi dhe i binte kësaj vegle, duke u bërë shkak që gratë dhe burrat të afroheshin për të dëgjuar. Më pas, kjo nxiste atë zhveshje, joshje të ndërsjelltë mes burrave dhe grave, derisa u përhap imoraliteti dhe poshtërsia. Pikërisht për këtë flet fjala e Allahut të Lartësuar, kur thotë: “...dhe mos e shfaqni bukurinë tuaj, ashtu siç shfaqej në injorancën e hershme!” Kjo është marrë me shkurtime nga shpjegimi i Ibn Abasit. - “Faleni namazin, jepni zekatin dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij!” - Fillimisht, Allahu i Madhëruar i ndaloi ato nga sherri e ligësia, pastaj i urdhëroi për mirësi dhe pikërisht për kryerjen e një adhurimi të rëndësishëm, siç është namazi. Nuk ka dyshim që namazi është shprehje e adhurimit të Allahut të Lartësuar si një i vetëm dhe pa ortak. Pastaj, Allahu i urdhëron për dhënien e zekatit, që është nxitës për bamirësi ndaj krijesave. 169 Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: "... dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij!” Pra, bindjuni porosive të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Këtu kemi të bëjmë me përmendjen e diçkaje gjithëpërfshirëse, pasi është përmendur diçka e veçantë, e cila është pjesë e së parës. Kështu, bindja ndaj Allahut dhe Profetit, që është një urdhër i përgjithshëm, e përfshin namazin dhe zekatin, që janë pjesë e bindjes ndaj Allahut dhe Profetit ﷺ .170 - “Allahu dëshiron që të largojë nga ju, o familja e shtëpisë (së Profetit) papastërtinë e gjynaheve dhe t’ju pastrojë me

një pastrim të madh. ” - Ky ajet është një argument tekstual, që tregon se edhe gratë e Profetit ﷺ janë Ehlul Bejt , pra, njerëzit e familjes së Profetit ﷺ ,sepse ato janë shkaku i zbritjes së këtij ajeti dhe, pa dyshim, ato të cilat janë shkak i zbritjes së këtij ajeti bëjnë pjesë në këtë kategori. Sipas një mendimi, termi Ehlul Bejt tregon veçse gratë e Profetit. Ndërsa sipas mendimit tjetër, në këtë term përfshihen gratë e Profetit, së bashku me të tjerë. Ky i fundit është mendi - mi më i saktë në këtë çështje. Domethënë, në emërtimin Ehlu Bejt bëjnë pjesë gratë e Profetit ﷺ dhe të tjerët, që janë përcaktuar me argumente të ndryshme. Ibn Xheriri sjell nga Ikrima dhe Ibn Ebu Hatimi pohimin e Ibn Abasit, se ky ajet ka zbritur në mënyrë të veçantë për gratë e Profetit ﷺ .Ikrima ka thënë: “Kush dëshiron, le të bëjë mubâhale 171 me mua, nëse e kundërshton mendimin tim se ky ajet ka zbritur në mënyrë të veçantë për gratë e Profetit ﷺ ”.Nëse qëllimi i kësaj fjale të përcjellë prej tyre është që të tregojnë se shkaku për zbritjen e këtij ajeti janë vetëm gratë e Profetit dhe askush tjetër, ky është një mendim i saktë. Por nëse me këtë fjalë synohet të pohohet se me termin Ehlul Bejt emërtohen vetëm gratë e Profetit ﷺ e askush tjetër, atëherë ky është një pohim i cili duhet të rishikuar dhe rigjykuar, sepse janë sjellë hadithe të ndryshme, që tregojnë se termi Ehlul Bejt është një term më i gjerë dhe gjithëpërfshirës sesa th jesht dhe vetëm gratë e Profetit ﷺ . Muslimi sjell në Sahih-un e tij hadithin nga Jezid Ibn Hajani, i cili rrëfen: 2126. “Bashkë me Husejn Ibn Seburan dhe Omer Ibn Muslimin shkuam te Zejd Ibn Erkami. Pasi u ulëm pranë tij, Husejni i tha: “Ti o Zejd, ke parë mirësi të shumta, ke parë të Dërguarin e Allahut, i ke dëgjuar fjalët e tij, ke luftuar përkrah tij dhe je falur pas tij. Vërtet ke parë mirësi të shumta, o Zejd, ndaj, na trego diçka nga ajo që ke dëgjuar nga i Dërguari i Allahut!” Atëherë, Zejdi tha: “O biri i vëllait tim, kam kaluar shumë në moshë dhe iku koha ime, prandaj, një pjesë të gjërave që i mbaja mend nga i Dërguari i Allahut i kam harruar. Kështu, ato që do t’jua tregoj merrni, kurse për të tjerat mos më ngushtoni me to. Pastaj tregoi: Një ditë, i Dërguari i Allahut u ngrit dhe na mbajti një ligjëratë përbri një vendi me ujë, që quhej Hum, midis Mekës dhe Medinës. Ai e lavdëroi Allahun, e lartësoi dhe përlëvdoi Atë, pastaj ndër të tjera tha: “ ... vini re, o njerëz! Edhe unë jam një njeri. Në çdo kohë ka mundësi që i Dërguari i Zotit tim (meleku i vdekjes) të më vijë, e unë t'i përgjigjem, ndaj, po jua lë dy gjëra me peshë të rëndë: E para është Libri i Allahut, në të cilin gjendet udhëzimi dhe drita. Kapuni për Librin e Allahut dhe mbajuni fort për të.” Në vijim, na nxiti shumë që të merremi me Librin e Allahut, pastaj tha: “Familja ime! Ju këshilloj që ta keni frikë Allahun, në lidhje me familjen time! Ju këshilloj që ta keni frikë Allahun në lidhje me familjen time! Ju këshilloj që ta keni frikë Allahun në lidhje me familjen time (tre herë).” Husejni i tha: “Cilët janë “Ehlu Bejtihi’, o Zejd? A nuk janë gratë e tij prej familjes së tij? Ai tha: “Gratë e tij janë prej Ehlu Bejtit familjes, por Ehlu Bejti janë edhe pjestarët e tjerë të familjes së tij, madje janë edhe ata që e kanë haram marrjen e sadakasë, pas tij. Ai tha: “Cilët janë ata?” - “Ata janë Familja e Aliut, familja e Akilit, familja e Xhaferit dhe familja e Abasit, - Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!” Husejni pyeti: “Të gjithë këtyre u është ndaluar të marrin prej sadakasë, pas Profetit?” Tha: “po.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Enes Ibn Maliku, i cili rrëfen: 2127. “Profeti i Allahut kalonte pranë portës së Fatimes, - Allahu qoftë i kënaqur prej saj! - për 6 muaj rresht, sa herë që dilte për namazin e sabahut dhe thoshte: “Namazin, o Ehlu Bejt !” Pastaj shtonte: “Allahu dëshiron që të largojë nga ju, o familja e shtëpisë (së Profetit) papastërtinë e gjynaheve dhe t’ju pastrojë me një pastrim të madh.” Me një version të ngjashëm nga Abd Ibn Humejdi, dhe ky nga Afani, e sjell edhe Tirmidhiu, i cili thotë se është hadith hasen garib . Ibn Xheriri sjell hadithin nga

Ebu Hurejra, i cili përcjell nga Umu Seleme (r.a) rrëfimin: 2128. “Fatimja erdhi njëherë tek Profeti ﷺ me një berme (enë) të saj, në të cilën kishte gatuar aside (lloj ushqimi) dhe e mbante me një tabaka. Kur e vendosi atë përpara Profetit ﷺ , ai i tha: “Ku është djali i xhaxhait tënd dhe dy djemtë e tu?” Ajo tha: “Në shtëpi.” Atëherë, Profeti ﷺ tha: “Ftoji edhe ata.” Kështu, ajo shkoi tek Aliu (r.a) dhe i tha: “Përgjigjju Profetit ﷺ ,ti së bashku me dy djemtë e tu!”. Ummu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të) vazhdon dhe thotë: “Atëherë, kur ai i pa duke ardhur, zgjati dorën tek një mbulesë, e cila ishte mbi vendin ku ai flinte, dhe ua shtroi atë. Pasi i uli ata mbi atë shtrojë, kapi katër cepat e saj dhe e ngriti mbi kokat e tyre. Pastaj tregoi më dorën e tij të djathtë lart, drejt Zotit të tij, dhe tha: “O Zot, këta janë Ehlu Bejti! Largo prej tyre ndyrësinë e gjynaheve dhe pastroji me një pastrim të madh!” Ai i cili mediton në Kuran krijon bindje të plotë se gratë e Profetit (a.s) bëjnë pjesë në Ehlul Bejt , siç thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu dëshiron që të largojë nga ju, o familja e shtëpisë (së Profetit) papastërtinë e gjynaheve dhe t’ju pastrojë me një pastrim të madh.” Ajeti flet pikërisht për gratë e Profetit ﷺ ,prandaj dhe Allahu i Lartësuar thotë më pas: - “Kujtojeni atë që lexohet në shtëpitë tuaja nga ajetet e Allahut dhe urtësisë (traditës profetike dhe dispozitat e fesë) !” - Përkujtoni mes jush këtë mirësi të madhe me të cilën ju veçoi Zoti mes gjithë njerëzve. Shpallja e Zotit zbriste në shtëpitë tuaja dhe jo në shtëpitë e njerëzve të tjerë. Pa dyshim që Aishja, kjo e sinqertë, e zgjedhur, bija e të sinqertit, (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, at e bijë!) është e para që gëzon këtë prestigj. Ajo ishte gruaja më me fat, që stolisej me këtë mirësi që përmendet në ajet. Ajo ishte më e veçanta, më e zgjedhura, në lidhje me këtë mëshirë gjithëpërfshirëse, që do të zbriste përmes Shpalljes në ato shtëpi. Profetit ﷺ nuk i ka zbritur Shpallja në shtratin e ndonjë gruaje tjetër, veç shtratit të saj, siç është shprehur konkretisht për këtë vetë ai . Disa dijetarë (Allahu i mëshiroftë!) kanë thënë se Profeti ﷺ nuk është martuar me tjetër grua të virgjër, përveç Aishes, - Allahu qoftë i kënaqur me të! Për këtë arsye, është shumë me vend që ajo të veçohej me këtë mirësi mbi gratë e tjera të Profetit ﷺ . Sidoqoftë, duke qenë se gratë e Profetit meritojnë të jenë pjesë e Ehlul Bejt , mund të thuhet se farefisi dhe të afërmit e tij nga gjaku e meritojnë më shumë për të qenë në kategorinë Ehlu Bejt, siç thuhet në hadithin, që e sjell imam Ahmedi: 2129. “Shkova tek Uathile bin Eska’, kur tek ai kishte njerëz të tjerë. Ata përmendën diçka rreth Aliut. Kur u ngritën për t’u larguar, ai më tha: “A të të tregoj atë që e kam parë nga i Dërguari i Zotit?” - “Po.” Ai tha: “Shkova tek Fati - mja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe e pyeta për Aliun. Ajo më tha: “Prit, të vijë i Dërguari i Allahut!” Kështu, u ula dhe prita, derisa erdhi i Dërguari i Zotit, së bashku me Aliun, Hasanin dhe Huseinin. Ai i mbante për dore Hasanin dhe Husejnin. Kur hyri, ai e uli Aliun dhe Fatimen përpara vetes, ndërsa Hasanin dhe Husejnin i uli në prehrin e tij. Pastaj hodhi mbi ta rrobën e tij (ose tha: mbulesën e tij) dhe lexoi këtë ajet: “Allahu dëshiron që të largojë nga ju, o familja e shtëpisë (së Profetit) papastërtinë e gjynaheve dhe t’ju pastrojë me një pastrim të madh.” Pastaj tha: “O Zot, këta janë Ehlu Bejti dhe familja ime është më e denja!” Allahu qoftë i kënaqur me të gjitha gratë e tij dhe me të gjithë të afërmit e tij. Të gjithë ata janë Ehlu Bejt, pra, janë të gjithë “njerëzit e Familjes” së tij. - “Me të vërtetë, Allahu është shumë i Mëshirshëm dhe i Gjithëditur.”” - Allahu është i butë me ju. Butësia dhe mëshira e Tij për ju shfaqet në faktin se Ai ju vendosi në ato shtëpi, ku lexohen ajetet e Allahut dhe urtësia, pra, hadithet e Profetit ﷺ . Gjithashtu, Allahu i Lartësuar di gjithçka rreth jush, prandaj ju zgjodhi për të qenë bashkëshorte të Profetit të Tij. Thuhet, - shpjegon Ibn Xheriri, - se në këtë ajet, Allahu i Lartësuar u tregon grave të Profetit

mirësinë e Tij të madhe mbi to, që i bëri bashkëshorte të Profetit të Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:28–33:34

Gratë e Profetit (a.s) ranë në ujdi që t'i kërkonin Profetit (a.s) të shtonte shpenzimet për to në ushqim dhe veshje. Kështu, ato kërkuan prej tij diçka që ai nuk mund t'ua plotësonte. Ato vazhduan për njëfarë kohe të ishin në një fjalë me njëra tjetrën, që të kërkonin me këmbëngulje nga Profeti a.s. që të plotësonte kërkesat e tyre. Kjo çështje e rëndoi Profetin (a.s), aq sa ai për një muaj rresht u largua prej tyre. Kështu, Allahu i Madhëruar dëshiroi që t'ia lehtësonte çështjen Profetit të Tij dhe ta ngrinte edhe gradën e grave të tij. Ai donte t’i pastronte ato nga çdo gjë që e cenonte figurën e tyre të nderuar dhe e pakësonte shpërblimin e tyre. Për këtë arsye, zbritën këto ajete me këto mesazhe të rëndësishme: - O Profet! Thuaju grave të tua: “Në qoftë se lakmoni jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, atëherë unë do t'jua siguroj kënaqësinë dhe do t'ju ndaj (divorcoj) si është më mirë. - Nëse ju dëshironi veçse kënaqësitë e kësaj dynjaje dhe gëzoheni e zemëroheni për hir të saj, atëherë unë nuk kam nevojë për ju. Atëherë unë po përmbush çdo detyrim ndaj jush (për divorcin) dhe po ju ndaj me mënyrën më të bukur. Ejani t'ju jap atë që kam mundësi, dhe të ndahemi (divorcohemi) pa zemërim dhe qejfmbetje. Le të ndahemi me kënaqësi

dhe mirëkuptim, para se të arrijë gjendja atje ku nuk duhet. - Por, në qoftë se e doni Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Botën Tjetër, atëherë të jeni të sigurta se Allahu ka përgatiur shpërblim të madh për cilëndo prej jush që bën punë të mira. - Nëse ky është qëllimi juaj në jetë, atëherë puna qëndron ndryshe. Nëse synoni kënaqësinë e Allahut, të Profetit dhe nëse synoni Xhenetin e Zotit, megjithë lehtësitë dhe vështirësitë e kësaj jete; nëse kënaqeni me Profetin e Allahut dhe atë që ju ofron ai prej dynjasë, pa i kërkuar atij diçka që atë e rëndon dhe e vështirëson, "...atëherë të jeni të sigurta se Allahu ka përgatiur shpërblim të madh për cilëndo prej jush që bën punë të mira." Vëreni me kujdes! Allahu e lidh ngushtë shpërblimin e tyre me bamirësinë. Është bamirësia e veprat e mira që e mundësojnë shpërblimin e Allahut e jo statusi si gra të Profetit. Përkatësia farefisnore apo bashkëshortore nuk sjell asnjë dobi për shpërblimin apo dënimin e njeriut, nëse ai nuk bën vetë vepra të mira. Kështu, Profeti (a.s) u parashtroi atyre dy mundësi zgjidhjeje në këtë çështje. Ato zgjodhën Allahun dhe Profetin e Tij dhe shpërblimin në ahiret. Të gjitha bënë këtë zgjidhje, pa përjashtim, - Allahu qoftë i kënaqur me to! Në këtë propozim që Profeti (a.s) u parashtroi atyre, kishte shumë dobi: 1. Në të tregohet përkujdesi i madh që Zoti tregoi për Profetin e Tij. Allahu nuk kënaqej që Profeti të vihej në pozitë nga gratë e tij, duke shtuar kërkesat e tyre. 2. Me këtë përzgjedhjeje, Profeti (a.s) u la i lirë që të vendoste si të dëshironte dhe nuk do të kishte asnjë qortim për zgjedhjen e tij, a do t’i mbante apo jo ato, a do t'u jepte e plotësonte kërkesat e tyre apo jo, siç thotë i Lartësuar: "Për Profetin nuk ka asnjë qortim kur bën atë që ia ka urdhëruar vetë Allahu." [Ahzab 38]. 3. Kjo do të nxirte në pah dhe largonte nga shtëpia e Profetit ato gra që do t’i jepnin përparësi dynjasë kundrejt ahiretit, nëse do të kishte. 4. Kjo është një dëshmi që tregon se gratë e Profetit (a.s) ishin të pastra, pasi ato treguan se e donin Allahun dhe Profetin (a.s) më shumë sesa dynjanë, - Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Grave iu mundësua që të mos bëheshin shkaktare për zemërimin e Profetit, dhe kështu të zemëronin Zotin dhe të merrnin dënim. 5. Duke u mundësuar që të bënin zgjedhjen e duhur, Allahu i Madhëruar tregoi gradën e lartë të atyre grave dhe vullnetin dhe durimin e tyre të spikatur dhe tregoi se ato e donin Allahun dhe Profetin e Tij dhe se ato synonin ahiretin dhe kënaqësinë e Allahut, e jo dynjanë. 6. Kjo përzgjedhje tregon se ato e meritonin që të ishin gratë e Profetit në dynja, ndërsa në ahiret jenë në grada të larta të Xhenetit. 7. Nëpërmjet kësaj sprove, Allahu i dëshiroi që t'i lartësonte ato gra. Bashkëshorti i tyre ishte njeriu më i lartë dhe kështu duhej të ishin edhe bashkëshortet e tij. Për këtë arsye, edhe kjo sprovë përfundoi aq bukur, sepse nxori në pah se ato gra ishin të mira, të plota dhe të devotshme, siç thotë i Madhëruari: "Gratë e këqija janë për burra të këqij dhe burrat e këqij janë për gratë e këqija, ndërsa të ndershmet janë për të ndershmit dhe të ndershmit janë për të ndershmet." [Nur 26]. 8. Kjo përzgjedhje edukoi tek gratë e Profetiti (a.s) atë që quhet el-kaneatu, pra, kënaqësia me atë që të ka dhënë Zoti, pa patur lakmi e pa shkuar pas dëshirave të nefsit. Ai që ka el-kaneatu, ai është i qetë e i lumtur, kurse tahmaqari që dëshiron të përmbushë çdo dëshirë që i kalon nëpër mend nuk është i qetë, por gjithmonë i pakënaqur. Ai është i dëshpëruar dhe asnjëherë nuk kënaqet me gjendjen që ka. 9. Me këtë përzgjedhje, Allahu i Madhëruar bëri që atyre t'u shtohet shpërblimi, si dhe të lartësohet grada e tyre, duke u bërë ashtu siç i përshkroi Zoti: si asnjë grua tjetër në botë. - O gratë e Profetit! Në qoftë se ndonjëra prej jush do të bënte ndonjë të keqe, do t'i shtohej Dënimi dyfish. Dhe kjo për Allahun është shumë e lehtë. - Duke

zgjedhur Allahun dhe botën tjetër, atëherë shpërblimi i tyre do të jetë i shumëfishtë, por edhe pesha e gabimeve do të jetë edhe më e madhe nëse gabojnë. Kështu tha Zoti, në mënyrë që kujdesi i atyre zemrave të pastra dhe të devotshme të shtohej dhe të ishte edhe më i madh në të ardhmen. Në këtë mënyrë, jo vetëm do të ishin më të kujdesshme, por edhe më mirënjohëse për Allahun e Lartësuar. Tashmë, çdokush nga ato që do të bënte ndonjë gabim, do t'i dyfishohej dënimi. Por gjithashtu: - Kurse cilësdo prej jush, që i përkushtohet adhurimit të Allahut, bindjes ndaj të dërguarit të Tij dhe bën punë të mira, Ne do t’i japim shpërblim të dyfishtë - Çfarëdo pune të mirë që do të bëjnë në bindje ndaj Allahut dhe Profetit, atje do t'u jepet shpërblim i dyfishtë. - ...dhe për të kemi përgatitur një Shpërblim bujar. - Do t'u dhurojë Xhenetin. Me bindje ndaj Allahut dhe Profetit dhe me vepra të mira, ato do të kenë Xhenetin dhe shpërblim të shumëfishuar. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: - O gratë e Profetit! Ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse e keni frikë Allahun. - Kjo fjalë u drejtohet të gjitha grave të Profetit (a.s). Ai u thotë: "Ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse jeni të devotshme." Nëse tregoheni të devotshme ndaj Allahut, keni për t'u lartësuar mbi të gjitha gratë e botës, pra, askush prej tyre nuk ka për ta arritur gradën tuaj. Për këtë arsye, punoni për ta kompletuar devotshmërinë ndaj Allahut me të gjitha mënyrat dhe pastrojeni nijetin, duke qenë ai veçse kënaqësia e Allahut. Për këtë arsye, ai i udhëzoi që të jenë të kujdesshme dhe t'i largoheshin çdo rruge që të çon në haram dhe cenon devotshmërinë. - Prandaj mos u llastoni në të folur që t'ju lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, por flisni me fjalë të matura. - Të jenë të kujdesshme kur u flasin burrave me zërin e tyre dhe me përzgjedhjen e fjalëve, në mënyrë që të mos joshet ai që, siç thotë Zoti, ka sëmundje në zemrën e vet, që të mos joshen zemrat e sëmura nga epshet dhe dëshira për imoralitet. Të tillë njerëz janë gati dhe mezi presin çdo shenjë, qoftë edhe të vogël. Kështu janë zemrat e sëmura. Ndërsa zemrat e shëndetshme nuk joshen nga diçka që është haram nga Zoti. Këto lloj zemrash të ndriçuara janë të palëkundura dhe nuk tronditen aspak nga joshjet haram. Ndryshe ndodh me zemrën e sëmurë. Ajo nuk mund të përballojë atë që e përballon aq mirë zemra e shëndetshme, siç janë joshjet dhe tundimet haram. Mjafton një tundim i vogël, dhe ajo i përgjigjet, pa gjetur forcë që të refuzojë. Ky ajet tregon se edhe mjetet kanë të njëjtin gjykim si qëllimet. Kështu të folurit me butësi e fjalë të buta me armikun është i lejuar. Por nëse ato janë shkak për haram dhe të çojnë në haram, ato gjykohen si të ndaluara. Për këtë arsye, femra duhet të jetë shumë e kujdesshme kur flet me burrat. Ajo nuk duhet t’u flasë butësisht dhe me fjalë që lënë hapësira të padëshiruara. Duke qenë se Allahu i ndaloi gratë që të flasin butësisht, ndoshta dikush mund të mendojë se ky është një urdhër për të folur me ashpërsi e vrazhdësi. Por Allahu e largon këtë keqkuptim duke i udhëzuar ato që të thonë gjithmonë fjalë të matura. Nuk ka nevojë që fjala të jetë e ashpër apo e vrazhdë, por mjafton të jetë brenda kufijve të mirësjelljes së njohur mes njerëzve. Vëreni me kujdes fjalën e Allahut kur thotë: Për këtë arsye, mos u llastoni në të folur, që të mund të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij..". Llastimi në të folur tregon njëfarë nënshtrimi e dorëzimi. Kur gruaja i flet burrave të huaj, nuk duhet të ndihet në të folurën e saj asnjë lloj dorëzimi apo animi tek bashkëfolësi. Kjo është e rëndësishme. Domethënë, nuk është për qëllim këtu që gruaja të flasë në mënyrë të vrazhdë e të ashpër. Gruaja mund të jetë e mirësjellshme, por nuk duhet t'i japë bashkëfolësit të kuptojë dorëzim apo anim, që ai të joshet e t'i provokohen dëshirat. Gruaja mund të flasë butësisht e me fjalë jo të vrazhda dhe, në të njëjtën kohë, të tregojë

lartësi e krenari, në mënyrë që bashkëfolësi të mos ketë tërheqje drejt saj. Madje, Allahu i Madhëruar e lëvdoi Profetin e Tij për butësinë e tij dhe tha: "Në sajë të mëshirës së Allahut, ti u solle me butësi me ta. Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do largoheshin prej teje. Fali dhe kërko falje (nga Allahu) për ta! Këshillohu me ta për të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetju Allahut! Allahu i do ata që i mbështeten Atij." [Al Imran 159]. Musain dhe Harunin e dërgoi tek Faraoni dhe i porositi të thonë fjalë të buta: "Shkoni që të dy te Faraoni, sepse ai vërtet e ka tepruar! Por i flisni me fjalë të buta! Ndoshta ai mendohet e frikësohet." [Ta ha 43, 44]. Nga fjala e Allahut: "Për këtë arsye, mos u llastoni në të folur që të mund të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thoni gjithmonë fjalë të matura", nxjerrim një mësim shumë të rëndësishëm. Ne kuptojmë një mënyrë për të zbuluar nëse e kemi zemrën të sëmurë apo të shëndetshme. Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të ruajmë ndershmërinë dhe i ka lavdëruar ata që e ruajnë ndershmërinë. Ai na ka ndaluar që edhe të i afrohemi imoralitetit dhe na porosit të ulim shikimet. Nga të gjitha këto kuptohet se, nëse robi sheh në veten e tij se e dëshiron gjynahun kur sheh ose dëgjon diçka haram, dhe vëren se i përgjigjet dhe vepron për të përmbushur atë gjynah, atëherë le ta dijë se e ka zemrën të sëmurë. Për këtë arsye, le të përpiqet shumë që ta shërojë këtë sëmundje dhe ta zbusë ndikimin e saj, duke e frenuar veten dhe duke e ruajtur atë nga çdo portë joshjeje dhe tundimi, që e lidhin me ato dëshira të ulta. Prej tij kërkohet një luftë dhe përpjekje e madhe për të shëruar veten dhe lutje të shumta dhe me përunjësi drejtuar Allahut që ta shërojë zemrën e tij dhe t'ia bëjë mbarë që të pastrohet. Të gjitha këto përpjekje janë detyrë për çdo njeri dhe bëjnë pjesë në urdhrin e Allahut të Madhëruar për të ruajtur ndershmërinë. - Dhe rrini qetësisht në shtëpitë tuaja... - Qëndroni në to, sepse kjo është mbrojtje më e mirë e nderit dhe moralit tuaj. - .... dhe mos e shfaqni bukurinë tuaj ashtu siç shfaqej në injorancën e hershme! Faleni namazin, jepeni zekatin dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij! - Mos dilni shpesh nga shtëpia dhe mos dilni të zbukuruara dhe të parfumosura, siç vepronin në kohën e injorancës ata njerëz që nuk kishin as dituri e as fe. Ky urdhër është një ligj që parandalon ligësinë me të gjitha rrugët dhe shkaqet e saj. Në ajetet më lart, Allahu i Madhëruar urdhëroi gratë për devotshmëri në mënyrë të përgjithshme dhe për veprat e devotshmërisë në mënyrë të veçantë, për vetë nevojën e madhe të grave për diçka të tillë. Po kështu, i urdhëroi ato për bindje ndaj Allahut dhe Profetit, në mënyrë të veçantë për namaz e zekat, vepra këto për të cilat ka nevojë çdo njeri. Këto janë nga adhurimet më madhështore, sepse falja e namazit tregon për sinqeritetin ndaj Allahut, ndërsa dhënia e zekatit është bamirësi ndaj krijesave. Në vijim, Allahu i Madhëruar u jep një urdhër të përgjithshëm për bindje ndaj Allahut dhe Profetit (a.s). Ai thotë:"…dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij!" Këtu futet bindja për çdo urdhër që ka dhënë Allahu dhe Profeti i Tij, qoftë ato kategorikë, qoftë ato jo kategorikë, pra, për gjërat e pëlqyeshme e vullnetare. Lum ajo grua që i bindet Allahut e Profetit në të gjitha këto urdhra! - Allahu dëshiron që të largojë nga ju, o familja e shtëpisë (së Profetit) papastërtinë e gjynaheve dhe t’ju pastrojë me një pastrim të madh. - Me gjithë këto urdhëresa dhe ndalesa, Allahu i Madhëruar dëshiron që: "...të largojë nga ju, o familja e Shtëpisë (së Profetit), ndyrësinë e gjynaheve dhe t’ju bëjë një pastrim të madh, duke ju larguar nga çdo ligësi dhe paudhësi. Kështu, ju do të jeni të pastruara nga çdo e keqe, prandaj duhet ta falënderoni dhe lavdëroni Zotin tuaj, për gjithë këto urdhëresa dhe ndalesa dhe për dobitë e shumta të tyre, që Ai jua qartësoi. Me këto

ligje, Allahu i Lartësuar nuk dëshiron që t’ju rëndojë, por do që të pastrojë dhe lartësojë shpirtrat tuaj, të përmirësojë dhe ta përkryejë moralin tuaj, t'i rregullojë dhe zbukurojë veprat dhe sjelljen tuaj, dhe kështu ta zmadhojë dhe shumëfishojë shpërblimin tuaj. Pasi i urdhëroi për vepra të mira që, në fakt, janë përmbushje e urdhëresave e lënie e ndalesave, Allahu i Madhëruar urdhëron për dituri të dobishme, duke treguar rrugën e arritjes së kësaj diturie. Ai thotë: - Kujtojeni atë që lexohet në shtëpitë tuaja nga ajetet e Allahut dhe urtësisë (traditës profetike dhe dispozitat e fesë) ! - Shprehja “ajetet e Allahut” përshin Kur'anin, ndërsa “urtësinë” nënkupton fshehtësitë e Librit të Zotit dhe traditën e Profetit. Kështu, Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar gratë që të kujtojnë ajetet e Kur'anit, dhe ky urdhër përfshin qoftë leximin e ajeteve, qoftë meditimin dhe kuptimin e këtyre ajeteve. Ato duhet të lexojnë ajetet e Kur'anit dhe Sunetit, duhet të meditojnë dhe të nxjerin mësimet prej tyre, të përfitojnë dhe të nxjerrin ligjet e urtësitë, si edhe të punojnë sipas diturisë që përfitojnë dhe ta jetësojnë atë që e lexojnë. - Me të vërtetë, Allahu është shumë i Mëshirshëm dhe i Gjithëditur. - Allahu di çdo hollësi të çështjeve dhe të fshehtat e gjokseve, fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës. Ai i sheh të gjitha veprat, si ato që bëhen haptazi dhe ato që bëhen fshehtazi. Përmendja e emrit të Tij Latif, njëri nga kuptimet e të cilit është “i Gjithëdituri për të gjitha të fshehtat”, është një nxitës për të qenë i sinqertë dhe për fshehjen e veprave të mira, për arsye se është Allahu që i sheh dhe që do të shpërblejë për to. Ndër kuptimet e emrit El -Latif është edhe ajo që Allahu e ndihmon dhe e drejton robin e Tij drejt mirësive dhe e mbron prej ligësive përmes mënyrave të fshehta, që robi as që i ndien dhe kupton. Allahu i Lartësuar ia sjell robit të mirat andej nga ai nuk e di dhe nuk e pret, pa asnjë mund e lodhje. Madje, ndonjëherë, nga rrugë që mund të jenë të urryera për nefsin, Ai e ngre robin në grada të larta të Xhenetit.

← Ahzab 33:32