33. Ahzab · Ajeti 57 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:49–33:57
Edhe në këto ajete jepet shenjë për disa rregulla të martesës, por bëhet një përjashtim i tyre kur është fjala për Pejgamberin, i cili ishte i lejuar të mbajë numrin e grave që i kishte me kurorë, që kishin migruar si dhe ato që i kishte si robëresha të luftës, ose që ndonjë grua paraqet dëshirën të jetë nën strehimin e Pejgamberit, e që Pejgamberi nuk është i obliguar t'u përmbahet rregullave.
Gjendja në të cilën ishin myslimanët në ditët e para dhe rrethanat që diktonin për përhapjen e fesë islame, ishin si faktorë që Pejgamberi të jetë i lirë për martesë me gra: të kurorëzuara, robëresha si pre lufte, muhaxhire dhe me ato që shprehin dëshirë të jenë gra të tij edhe pa kushte paraprake.
Kur gratë e Pejgamberit u vunë para zgjedhjes: të vazhdojnë jetën modeste me Pejgamberin ose të përcaktohen për jetën e kësaj bote. Ato shprehen dëshirën të mbesin pranë rrugës së Allahut, të Pejgamberit dhe të botës tjetër. Allahu ua ngriti nderin duke mos lejuar Pejgamberin që pos atyre të martohet edhe me ndonjë grua tjetër.
Për të mos e penguar Pejgamberin në kryerjen e detyrave të veta e të myslimanëve dhe për të mos e shqetësuar oreçast, myslimanët udhëzoheshin se si duhet të sillen ndaj tij. Këto rregulla vlejnë edhe ndaj njëri-tjetrit. Pas zbritjes së shpalljes për mbulimin e grave, myslimanët nuk kanë qenë të lejuar të hyjnë te gratë e Pejgamberit, me përjashtim të të afërmëve që përmenden. Të njëjtat rregulla vlejnë edhe për besimtarët.
Gratë e Pejgamberit, të cilat konsiderohen nëna të myslimanëve, pas vdekjes së Pejgamberit, me to nuk mund të martohet askush.
Myslimanët kanë për detyrë të bijnë salavatë për Pejgamberin, kur thuhet se edhe Zoti e engjëjt i shprehin mëshirë e respekt. Salavati për Pejgamberin është detyrë e të gjitha krijesave, ngase çdo të mirë që e përjetojnë është rezultat i mëshirës, të cilën Allahu ia dhuroi atij për të gjitha krijesat, e derisa krijesat nuk janë në gjendje t'ia shprehin falënderimin që e meriton, i drejtohen Zotit që Ai t'i japë shpërblimin e merituar, andaj thonë: "Allahume sal-li ala Muhammed..."
Për rëndësinë e salavatit ndaj Pejgamberit flasin shumë hadithe, por edhe sikur të mos kishte të tjera pos atyre që janë shënuar në hadithet e sakta që Pejgamberi ka thënë: "Kush bën salavatë për mua njëherë, Allahu bën për atë dhjetë herë", do të kishte mjaft për të kuptuar rëndësinë e salavatit.
Fyerje për Allahun është: mosbesimi ndaj Tij, përshkrim i fëmijës së Tij, Zoti i varfër, Isai bir i Zotit etj. Fyerje ndaj Pejgamberit është përgënjeshtrimi, tallja me shpalljen që e sillte dhe me dispozitat e fesë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:57–33:58
- “Ata që fyejnë (përmes veprave e fjalëve të ulëta) Allahun dhe të dërguar it e Tij, i ka mallkuar Allahu në këtë jetë e në jetën tjetër dhe ka përgatitur për ta një dënim poshtërues.” - Allahu i Madhëruar kërcënon e paralajmëron frikshëm të gjithë ata që fyejnë e nuk respektojnë madhërinë e Tij, duke kundërshtuar urdhëresat e Tij dhe që nuk i ndahen kësaj rrugeje të keqe. Po kështu i kërcënon edhe ata të cilët fyejnë Profetin e Tij, duke trilluar e shpifur për të gjëra të paqena, - Allahu na ruajtë nga këto rrugë të frikshme të humbjes! Duke shpjeguar këtë ajet, Ikrima thotë se ka zbritur e flet për musauirin-ët (ata që pikturojnë krijesa nga bota shtazore) 186. Ndërsa në dy Sahihët vjen hadithi nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti ﷺ u ka treguar që Allahu ka thënë: 2185. “I biri i Ademit më fyen Mua, kur ai shan kohën, sepse Unë jam koha (Zoti i saj); në dorën Time është çdo çështje; Unë rrotulloj natën dhe ditën.” Kështu veprohej në kohën e injorancës paraislamike: njerëzit shanin kohën dhe çfarë ndodhte në të, duke thënë: “Kohë e poshtër, që na solli këto fatkeqësi!” Ata ia atribuonin kohës veprat dhe caktimin e Allahut dhe e shanin atë. Në fakt, Ai që përcakton gjithçka që të ndodhë në çdo kohë është Allahu i Madhëruar, prandaj Ai e ndaloi këtë veprim të shëmtuar. Kështu e ka shpjeguar Shafiu, Ebu Ubejde etj. Disa të tjerë janë të mendimit se ky ajet flet për ata që përfolën martesën e Profetit me Safijen, bijën e Hujej Ibn Ahtabit. Megjithatë, ajeti është i përgjithshëm dhe përfshin të gjitha rastet e atyre që fyejnë Profetin e Zotit. Pa dyshim fyerja e Profetit konsiderohet edhe si fyerje për Zotin e Madhëruar. Ashtu sikurse edhe ai që i rrespekton dhe i bindet Profetit, në fakt ka rrespektuar dhe i është bindur Allahut Krenar dhe të Lartësuar. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mugafel el Muzenij, se Profeti i Allahut ka thënë: 2186. “Kini frikë Allahun në lidhje me sahabët e mi! Mos i fyeni e të flisni keq për ta pas meje! Ai që i do ata, në fakt, i do për hir të dashurisë që ka për mua dhe ai që i urren, në fakt, i urren sepse më urren edhe mua. Ai që i fyen ata, më ka fyer mua dhe ai që më fyen mua, ka fyer Allahun. Dijeni se, për atë që fyen Allahun , pritet që Ai ta rrëmbejë me ndëshkim.” Hadithin e ka sjellë edhe Tirmidhiu. - “Ata që mundojnë (fyejnë e shpifin për) besimtarët dhe besimtaret pa të drejtë, ata e kanë ngarkuar veten me një gjynah shumë të madh. ” - Ata që shpifin për besimtarët, kur ata janë të pastër, për këta i Lartësuari thotë që: “...e kanë ngarkuar veten me një gjynah shumë të madh.” Kjo konsiderohet shpifje e rëndë. Ndër më fatzinjtë që hyjnë në këtë kërcënim janë, së pari, mohuesit e besimit të vërtetë dhe të Muhamedit, të gjithë pa përjashtim. Pastaj janë rafiditë (shiitët), të cilët shpifin, fyejnë e mallkojnë sahabët e Profetit të Allahut, kur Vetë Zoti i botëve ka dëshmuar për sahabët se janë të pastër dhe të mbrojtur.
Ata flasin për sahabët tërësisht ndryshe nga përshkrimi që Zoti i Madhëruar ka bërë për ta. Allahu i Lavdëruar na ka thënë se Ai është i kënaqur nga muhaxhirët dhe ensarët dhe i ka lëvduar ata në shumë ajete në Kuran, ndërsa këta fatzinj, injorantë të shëmtuar e pa mend në kokë, i fyejnë shpifin dhe i akuzojnë sahabët, ata besimtarë të zgjedhur, për gjëra që kurrë nuk i kanë bërë. Këta të mjerë janë me zemra e mendje të përmbysura, fyejnë e shajnë ata që janë të lëvduar e të mirë dhe lëvdojnë ata që janë të poshtër e të devijuar. Ebu Daudi sjell hadithin nga Ebu Hurejra: 2187. “E pyetën njëherë: “O i Dërguari i Allahut, çfarë konsiderohet përgojim (gibet)? Ai tha: “Ta përmendësh vëllanë për diçka që ai e urren.” - “Po sikur ajo të jetë e vërtetë dhe ai ta ketë vërtet atë cilësi?” - “Nëse ajo fjalë është e vërtetë, atëherë konsiderohet përgojim, ndërsa nëse nuk është e vërtetë, ajo konsiderohet shpifje.” Kështu e ka sjellë edhe Tirmidhiu, që ka thënë se është hadith hasen sahih. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Aishja, që tregon se Profeti i Allahut u tha njëherë shokëve të tij: 2188. “Cila është ribaja (fajdeja) më e keqe tek Zoti?” - “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.” Ai tha: “ Ribaja më e keqe është shkelja e cenimi i nderit të muslimanit.” Pastaj lexoi: “Ata që i mundojnë besimtarët dhe besimtaret pa të drejtë, e kanë ngarkuar veten me një gjynah shumë të madh.” 187
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:57–33:58
Pasi na urdhëroi që të çojmë salavate dhe ta respektojmë e lëvdojmë figurën e Profetit (a.s), Allahu i Madhëruar vijon të na ndalojë nga e kundërta e kësaj vepre, pra, nga fyerja dhe mundimet për të: - Ata që flasin (fjalë të ulëta) kundër Allahut dhe të dërguarve të Tij, i ka mallkuar Allahu në këtë jetë e në jetën tjetër dhe ka përgatitur për ta një dënim poshtërues. - Kjo përfshin çdo lloj mundimi, qoftë me fjalë, qoftë me vepra, si fyerja, sharja, cenimi i figurës së tij ose i fesë së tij, ose i çdo gjëje që do ta shqetësonte atë. Ata që bëjnë diçka të tillë i pret diçka shumë e tmershme: "...i ka mallkuar Allahu në këtë jetë” Allahu i Lartësuar i ka larguar nga mëshira e Tij në dynja. Pjesë e këtij mallkimi është edhe dënimi për ata që fyejnë figurën e Profetit (a.s). Ai është dënim me vdekje. Pastaj tha: "... e në jetën tjetër dhe ka përgatitur për ta një dënim poshtërues." Kështu do të jetë dënimi i tyre, për shkak të mundimeve që i sjellin Profetit të Zotit. Fyerja e figurës së Profetit (a.s) nuk është si fyerja e dikujt tjetër, sepse ai është profet i Allahut dhe dikush nuk quhet besimtar i Zotit derisa të besojë në Profetin e Tij. Besimi i Profetit të Allahut kërkon që ta madhërosh figurën e tij dhe ta respektosh atë. Respektimi dhe madhërimi i figurës së Profetit është prej domosdoshmërive të besimit të drejtë. Për këtë arsye, fyerja e tij nuk mund të konsiderohet njëlloj si rastet e tjera. 34 Edhe fyerja apo mundimi i muslimanëve është diçka shumë e dënueshme tek Allahu i Lartësuar. Për këtë arsye, Ai tha: - Dhe ata që i mundojnë besimtarët dhe besimtaret pa të drejtë,... - Domethënë, pa i bërë ndonjë gjë, që të meritojnë atë mundim: - ...e kanë ngarkuar veten me një gjynah shumë të madh. - Do të mbajnë mbi supet e tyre një shpifje të madhe, sepse i mundojnë pas shkak dhe pa e merituar. Ata do të ngarkohen me një gjynah shumë të madh, sepse kjo është padrejtësi, që cenon
urdhrin e Zotit për bamirësi ndaj besimtarëve dhe që na ndalon nga padrejtësia ndaj tyre. Për këtë arsye, fyerja e një muslimani dënohet me ligj, sipas gjendjes dhe gradës së atij që i bëhet padrejtësi. Kështu, sharja e sahabëve është nga më të rëndat. Po kështu, ai që fyen dijetarët dhe njerëzit besimtarë të mirë ka bërë gjynah më të madh se në rastet e tjera.