33. Ahzab · Ajeti 73 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:58–33:73
Gratë e Pejgamberit dhe të besimtarëve urdhërohen të mbulohen ashtu që të dihen se janë gra të ndershme, i e të mos sulmohen prej rrugaçëve, pse në atë kohë kishte edhe gra që ishin robëresha, nuk ishin të strehuara te ndonjë burrë dhe si të tilla, njerëzit e pamoralshëm u vërsuleshin me fjalë e sjellje të këqija. Mbulimi i bukurive të trupit të gruas nuk është ndonjë gjest fanatizmi apo gjelozie, por ishte mjet me të cilin ngritej vlera e gruas.
Të gjithë ata që përpiqeshin në ndonjë mënyrë ta njollosnin pastërtinë dhe autoritetin e fesë islame, ishin hipokritë, idhujtarë ose intrigantë që nuk i lënin të qetë as besimtarët e as besimtaret. Pejgamberi urdhërohet t'ju tërheqë vërejtjen për të pushuar prej atyre intrigave të tyre. Përndryshe ata do të dëbohen prej Medinës dhe do të ndiqen e do të vriten kudo që të gjenden, sepse ky është ligj i Zotit kundër fesatxhinjve.
Në formë talljeje, disa njerëz e pyetnin Pejgamberin se kur do të jetë kijameti..? Kur'ani u përgjigjet se ai mund të jetë shumë afër, po si do që të jetë, duhet ta dijnë ata që nuk besuan se ata janë të mallkuar, se do të hudhen në zjarr, ashtu që fytyrat e tyre do t'i ekspozohen zjarrit sa në një anë e sa në anën tjetër dhe atëherë do të dëshprohen pse nuk besuan. Do të përpiqen t'ua hedhin fajin parisë që i udhëhoqi në rrugë të gabuar.
I Musai ka qenë njeri shumë i turpshëm, andaj nuk ka mundur askush t'ia shohë trupin. Hipokritët shpifën trillime se ai ka të meta të lloj-llojshme trupore. Një ditë mënjanohet në një skutë për t'u larë, e teshat i lë mbi një gur. Kur doli nga uji dhe shkoi te rrobat, ato nuk i gjeti ku i kishte lënë, por në një vend tjetër më larg. Duke vajtur lakuriq te petkat e veta, ka has në një grup njerëzish që ia shohin trupin e tij të shëndoshë dhe ashtu demantohen të gjitha trillimet.
Përgjegjësia e njeriut si halif në tokë, është shumë e madhe, andaj një përgjegjësi të tillë nuk do ta pranonin as trupat më të mëdhenj siç janë qiej, tokë e male. Mirëpo, pranimi i një përgjegjësie të tillë prej dikujt, ishte nevojë e domosdoshme, ngase përmes tij do të arrihej shfrytëzimi i begative të Zotit të krijuara për njeriun. Njeriu e pranoi emanetin dhe është përgjegjës për zbatimin e programit të Zotit, sipas të cilit i është garantuar secilit njeri jetë e lumtur edhe në këtë botë, e shpërblim i madh në jetën tjetër, e cila është qëllim përfundimtar. Me këtë emanet njerëzit janë vënë në sprovë. Fatlum është ai, që zbaton mësimet e Allahut, sepse është besnik i emanetit të besuar, e fatzi është ai që nuk llogarit për përgjegjësinë që e ka marrë përsipër dhe e mundon vetën e vet dhe tregohet xhahil.
Me ndihmën e Zotit, mori fund përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Ahzabë". Lavdëruar qoftë Allahu i madhërishëm!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:72–33:73
- “Ne ua ofruam Amanetin qiejve, Tokës dhe Maleve, por nuk pranuan ta merrnin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij. E mori njeriu. Pa dyshim, ai qe i padrejtë dhe i paditur. ” - Aufiu përcjell nga Ibn Abasi shpjegimin e fjalës el emâne (amanet): “Amaneti është bindja ndaj Allahut të Madhëruar. Kështu, Allahu i Lartësuar ua ofroi qiejve, Tokës dhe maleve amanetin, pra, urdhrin për përmbushjen e bindjes ndaj Tij, përpara se t’ia ofronte këtë njeriut. Këto krijesa treguan përunjësisht dobësinë e tyre dhe pamundësinë për ta mbajtur peshën dhe përgjegjësinë e këtij amaneti. Allahu i Madhëruar i tha Ademit: “Unë ua paraqita këtë amanet, për ta çuar në vend, qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta merrnin përsipër. A do ta marrësh ti përsipër përmbushjen e tij, me gjithçka që ai përmban?” Ademi tha: “O Zot, po çfarë përmban ky amanet?” - “Nëse bën mirë, ke për t’u shpërblyer, por nëse bën keq, ke për t’u ndëshkuar.” Atëherë Ademi e pranoi ta mbante peshën e këtij amaneti. Për këtë flet fjala e Allahut të Lartësuar: “E mori njeriu. Pa dyshim, ai qe i
padrejtë dhe i paditur.” Ibn Xheriri sjell hadithin nga Seid Ibn Xhubejri, se Ibn Abasi ka thënë: “Nuk zgjati më shumë sesa koha nga ikindia deri në aksham, që Ademi të gabonte.” Edhe Muxhahidi, Seid Ibn Xhubejri, Dahaku, Hasen el Basriu etj, kanë thënë se amaneti ishte pikërisht përmbushja e detyrave, urdhëresave dhe porosive të Zotit. Të tjerë kanë thënë se amaneti ishte angazhimi për t’iu bindur Allahut. Po ashtu kanë thënë se amaneti është feja, kufijtë dhe dispozitat e vendosura nga Allahu; ose pastrimi ritual (gusuli) nga xhunubllëku, ose falja e namazit, agjërimi dhe pastrimi ritual (gusul) nga xhunubllëku. Të gjitha këto mendime janë të përafërta dhe kanë një të përbashkët: amaneti është pranimi i urdhëresave, ndalesave dhe ligjeve të Zotit, me kushtin e vendosur prej Tij. Pra, ai që i përmbush ato dhe i zbaton me përpikmëri dhe sinqeritet, do të shpërblehet, ndërsa ai që i braktis dhe i shpërfill ato, do të ndëshkohet. Kështu, njeriu e pranoi këtë amanet, edhe pse ishte i dobët dhe i paditur, përveç atyre që Zoti ua priu mbarë dhe u dha sukses për ta përmbushur atë. Vetëm Allahut i kërkojmë ndihmë e mbështetje. Ibn Xheriri sjell hadithin nga Ibn Abasi, se Profeti ka thënë: 2192. “Vdekja në luftë në rrugën e Zotit i fal e fshin të gjitha gjynahet (ose tha: “fal çdo gjë, përveç mospërmbushjes së amanetit”). Mosmbajtësi i amanetit do të sillet në atë botë dhe do t’i thuhet: “Përmbushe amanetin, që more përsipër!”. Ai do të thotë: “E si mund ta përmbush tani, o Zot, kur ajo botë tashmë nuk është më?!” Do t’i thuhet përsëri: “Përmbushe amanetin, që more përsipër!” - “E si mund ta përmbush tani, o Zot, kur ajo botë tashmë nuk është më?!” - “Përmbushe amanetin, që more përsipër!” - “E si mund ta përmbush tani, o Zot, kur ajo botë tashmë nuk është më?!” Atëherë do të thuhet: “Merreni atë dhe hidheni në humnerën Ha uije (të Xhehenemit)!” Kështu, atë do ta hedhin në Ha uije dhe ai do të bjerë në humnerë, derisa të mbërrijë në fund të saj, ku do ta gjejë amanetin që nuk e mbajti, në formën e tij. Ai do ta ngrejë, do ta hedhë mbi qafën e supet e tij dhe do të niset të ngjisë përpjetën e Xhehenemit. Atëherë kur mendon se po ia del, do t’i rrëshqasin këmbët dhe do të rrëzohet sërish në humnerë. Kështu do të vazhdojë përjetë e pafundësisht.” Dhe amaneti që duhet përmbushur është amaneti i faljes së namazit, amaneti i agjërimit, amaneti i marrjes së abdesit, amaneti për të folur veçse të vërtetën. Ndër më të rëndësishmet janë amanetet e njerëzve, që u ke dhënë besën për t’i përmbushur.” Unë takova El Berain dhe i thashë: “A e dëgjon çfarë thotë vëllai yt, Abdullahi?” Ai tha: “Të vërtetën ka thënë.” Lidhje me amanetin dhe përmbushjen e tij ka edhe hadithi që Imam Ahmedi e sjell nga Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: 2193. “I Dërguari i Allahut ﷺ na ka rrëfyer për dy gjëra, njërën prej të cilave e pashë, kurse tjetrën po e pres. Ai na ka thënë: “Besnikëria (mbajtja e amanetit) zbriti në thelbin e zemrës së burrave; pastaj zbriti Kurani dhe ata mësuan prej Kuranit; më vonë edhe prej Sunetit.” Pastaj, duke na rrëfyer për humbjen e besnikërisë, tha: “Njeriu do të bjerë në gjumë dhe atëherë do t’i merret besnikëria prej zemrës së tij, saqë do t’i mbesin vetëm shenjat, si ato shenjat e zjarrit. Kur të bjerë në gjumë sërish, prapë do t’i merret, duke i lënë shenjë si ajo flluska që krijon prushi kur të bie e rrokulliset në këmbë: e sheh të fryrë, porse brenda nuk ka asgjë. (Këtu mori një guralec dhe e rrokullisi nëpër këmbë) Njerëzit do të merren me shitblerje, por pothuajse askush nuk do të jetë besnik, saqë do të thuhet: “Në filan fis është një njeri besnik!” Po ashtu, njeriut do t’i thuhet: “Sa i fuqishëm, sa i zgjuar e sa i mençur, porse në zemër nuk ka besim as sa fara e sinapit.” Hudhejfe vazhdon: “Pata arritur një kohë kur nuk brengosesha me kë bëja shitblerje, për sa kohë që ishte musliman, sepse Islami e ndalonte atë (nga mashtrimi), e, nëse ishte i krishterë (e më mashtronte) , atë (të drejtën) do të ma kthente udhëheqësi (me të drejtën që i jep ligji) . Ndërkaq, sot nuk bëj
shitblerje, përveçse me filanin e filanin.” [Buhariu dhe Muslimi]. Është përcjellë tek ne ndalesa që të betohesh për amanetin, pra, të thuash: “Pasha amanetin (për besë)!” Ebu Daudi sjell hadithin nga Burejde, e ky nga i ati (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se Profeti i Allahut ka thënë: 2194. “Ai që betohet “për amanetin” nuk është prej nesh.” Këtë hadith e ka sjellë vetëm Ebu Daudi. - “Allahu do t'i ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret ...” - Njeriu u ngarkua për të përmbushur detyrimet ndaj Zotit dhe pikërisht në lidhje me përmbushjen ose jo të tyre do të merret në llogari. I Lartësuari do t’i ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, të cilët shfaqin besimin, nga frika prej besimtarëve, por brenda në zemër fshehin mosbesimin, duke pasuar rrugën e të humburve. Ai do t’i ndëshkojë edhe “idhujtarët dhe idhujtaret”, të cilët si jashtë, edhe brenda në zemër kanë mohimin e besimit të vërtetë, idhujtarinë, kundërshtimin e profetëve dhe të rrugës së tyre. - “... dhe do t'i falë besimtarët dhe besimtaret.” - Allahu e ngarkoi njeriun me amanetin për të kryer detyrimet ndaj Tij, për të mëshiruar besimtarët, ata të cilët patën besim të pastër për Allahun, melekët, shpalljet dhe profetët e Tij, e adhuruan dhe punuan në bindje ndaj Tij. Pastaj i Lavdëruari thotë: - “Allahu Falës i Madh e Mëshirëplotë.” Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Ahzab. Vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe mirënjohja për të gjitha mirësitë e Tij!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:72–33:73
- Ne ua ofruam Amanetin qiejve, Tokës dhe Maleve, por nuk pranuan ta merrnin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij. E mori njeriu. Pa dyshim, ai qe i padrejtë dhe i paditur. - Allahu i Madhëruar tregon rëndësinë e madhe të amanetit, me të cilin ngarkoi të përgjegjshmit ligjërisht. Amanet është kryerja e urdhëresave dhe lënia e ndalesave, qoftë haptazi dhe të shohin njerëzit, qoftë kur je fshehur dhe të sheh vetëm Zoti. Allahu i Lartësuar na njoftoi se këtë detyrë ua parashtroi edhe këtyre krijesave të mëdha, si qiejve, Tokës e maleve, që të zgjidhnin për të pranuar ose jo dhe me premtimin se, nëse e përmbushnin këtë amanet siç u kërkohej nga Zoti, do të shpërbleheshin e nëse nuk e përmbushnin, atëherë do të ndëshkoheshin. Por ato nuk pranuan ta merrnin përsipër atë, nga frika se nuk do ta përmbushnin ashtu siç u kërkohej, dhe jo për të refuzuar kërkesën e Zotit të tyre e as për t'u treguar mospërfillës të shpërblimeve të Tij. Por kur Allahu ia paraqiti njeriut këtë amanet, me ato kushte të përmendura, njeriu e pranoi, edhe pse njeriu është i njohur për padrejtësinë dhe injorancën e tij. Ai pranoi ta mbante këtë barrë të rëndë. Kështu, në varësi të përmbushjes ose jo të këtij amaneti, njerëzit u ndanë në tri grupe: 1. Munafikë, që hiqen sikur e përmbushin këtë amanet nga ana e jashtme, por që në të vërtetë, në brendësi, nuk e kanë plotësuar. 2. Mohues e idhujtarë, që nuk e mbajnë këtë amanet as haptas e as fshehtas. 3. Besimtarë, që i përmbahen këtij amaneti haptas dhe fshehtas. Pastaj Allahu i Madhëruar përmend veprat dhe veçoritë e këtyre kategorive, si dhe ndëshkimin që meritojnë, duke thënë: - Allahu do t'i ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, dhe do t'i falë besimtarët dhe besimtaret. Allahu Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Të gjitha lavdërimet i qofshin Allahut të Lartësuar, që e mbylli këtë ajet me këto dy emra të bukur, të mrekullueshëm dhe shpresëdhënës të Tij. Ata tregojnë se sa e plotë dhe e madhe është falja e Allahut dhe sa e gjerë është mëshira e Tij. Bamirësia e përkujdesi i Tij është gjithëpërfshirës, edhe pse shumë krijesa janë nga ata që nuk e meritojnë faljen dhe mëshirën e Tij, për shkak ose të hipokrizisë ose për shkak të mohimit dhe idhujtarisë. Këtu përfundon tefsiri i sures Ahzab, me mirësinë e Allahut dhe me ndihmën e Tij!