33. Ahzab · Ajeti 73

سورة الأحزاب
Përkthimi Sherif Ahmeti
73

لِّيُعَذِّبَ ٱللَّهُ ٱلۡمُنَٰفِقِينَ وَٱلۡمُنَٰفِقَٰتِ وَٱلۡمُشۡرِكِينَ وَٱلۡمُشۡرِكَٰتِ وَيَتُوبَ ٱللَّهُ عَلَى ٱلۡمُؤۡمِنِينَ وَٱلۡمُؤۡمِنَٰتِۗ وَكَانَ ٱللَّهُ غَفُورٗا رَّحِيمَۢا

(Njeriu e mori përsipër) Ashtu që All-llahu të ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, e t'u falë besimtarëve dhe besimtareve. All-llahu është Ai që falë shumë dhe është mëshirues.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Gratë e Pejgamberit dhe të besimtarëve urdhërohen të mbulohen, në mënyrë që të dihen se janë gra të ndershme, e të mos sulmohen prej rrugaçëve, pse në atë kohë kishte edhe gra që ishin robëresha, nuk ishin të strehuara te ndonjë burrë dhe si të tilla, njerëzit e pamoralshëm iu vërsuleshin me fjalë e sjellje të këqija. Mbulimi i bukurive të trupit të gruas nuk është ndonjë xhest fanatizmi, por ishte mjet me të cilin ngrihej vlera e gruas. Të gjithë ata që përpiqeshin në ndonjë mënyrë ta njollosnin pastërtinë dhe autoritetin e Fesë Islame ishin hipokritë, idhujtarë ose intrigantë, që nuk i linin të qetë, as besimtarët, as besimtaret. Pejgamberi a.s. urdhërohet t’ju tërheqë vërejtjen për të pushuar prej atyre intrigave të tyre. Përndryshe ata do të dëbohen prej Medines dhe do të ndiqen e do të vriten kudo që të gjenden, sepse ky është ligj i Zotit kundër fesatxhinjve. Në formë talljeje disa njerëz e pyetnin Pejgamberin a.s., se kur do të jetë Kijameti...? Kurani iu përgjigjet se ai mund të jetë shumë afër, po si doqë të jetë, duhet ta dijnë ata që nuk besuan, se ata janë të mallkuar, se do të hudhen në zjarr, në mënyrë që fytyrat e tyre do t'i ekspozohen zjarrit sa në një anë e sa në anën tjetë, dhe atëherë do të dëshpërohen pse nuk besuan. Do të përpiqen t’ua hedhin fajin parisë, që i udhëhoqi në rrugë të gabuar. Musai ka qenë njeri shumë i turpshëm, prandaj nuk ka mundur askush t’ia shohë trupin. Hipokritët shpifën trillime, se ai ka të meta të lloj-llojshme trupore. Një ditë mënjanohet në një skutë për t’u larë, e teshat i lë mbi një gur. Kur doli nga uji dhe shkoi te rrobat, ato nuk i gjeti ku i kishte lënë, por në një vend tjetër më larg ku me to ishte rrokullisur guri. Duke vajtur lakuriq te petkat e veta hasi në një grup njerëzish, që ia shikuan trupin e tij të shëndoshë dhe ashtu u demantuan të gjitha trillimet. Përgjegjësia e njeriut si halif në tokë, është shumë e madhe, prandaj një përgjegjësi të tillë nuk do ta pranonin, as trupat më të mëdhenj siç janë qiejt, toka e malet. Mirëpo pranimi i një përgjegjësie të tillë prej dikujt ishte nevojë e domosdoshme, sepse përmes tij do të arrihej shfrytëzimi i begative të Zotit të krijuara për njeriun. Njeriu e pranoi emanetin dhe është përgjegjës për zbatimin e programit të Zotit, sipas të cilit i është garantuar secilit njeri jetë e lumtur edhe në këtë botë, e shpërblim i madh në jetën tjetër, e cila është qëllimi përfundimtar. Me këtë emanet njerëzit janë vënë në sprovë. Fatlum është ai, që zbaton mësimet e Allahut, sepse është besnik i emanetit të besuar, e fatzi është ai që nuk llogarit për përgjegjësinë që ka marrë përsipër, dhe e mundon veten e vet dhe tregohet xhahil. Me ndihmën e Zotit, mori fund përkthimi dhe komentimi i kaptinës “Ahzabë”. Lavdëruar qoftë Allahu i Madhërishëm!