34. Sebe · Ajeti 10 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 34:10–34:14
Davudin e kishte graduar Allahu, duke e bërë pejgamber, duke i dhënë librin Zebur, duke i nënshtruar malet dhe shpezët që së bashku me të i luteshin Zotit duke e pëlqyer zërin e tij, duke I zbutur hekurin dhe duke mësuar për punimin e këmishëve të hekurta për luftë. Sulejmani kishte mrekulli erën me të cilën udhëtonte për një gjysmë dite sapër një muaj udhëtim këmbësor, Zoti kishte mundësuar të zbulojë burimin e bakrit, mandej ia nënshtroi edhe xhinët, të cilët ishin të detyruar të vepronin sipas urdhërit të Sulejmanit, e nuk guxonin të shmangeshin, se Zoti u kishte tërhequr vërejtjen se do t'i dënonte ashpër. Xhinët i punonin çdo gjë Sulejmanit, por ishte karakteristike se me vdekjen e Sulejmanit vërtetohet se xhinët nuk e dinin të fshehtën. Sulejmani vdiq në këmbë duke iu lutur Zotit, e i mbështetur në shkopin e vet për vdekjen e tij nuk diti askush: xhinët e vazhdonin punën e tyre të mundimshme, Sikur ta dinin se Sulejmani kishte vdekur, ata nuk do të vazhdonin atë punë të mundimshme. Sulejmani i vdekur mbeti mbështetur në shkop, deri kur krimbi ia brejti shkopin: ai u thye, e Sulejmani u rrëzua. Shumë falltorë mbështeten në atë se xhinët u sjellin lajme të panjohura, e ky është mashtrim i madh. Këtë e mohon kategorikisht ky ajet i Kur'anit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 34:10–34:11
- “Ne i dhamë Daudit një dhunti të ma - dhe nga ana Jonë: “O male dhe shpendë! Thurni lavde (për Allahun) së bashku me të (me Daudin)!” - Allahu i Lartësuar na tregon për mirësitë, me të cilat begatoi robin adhurues dhe profetin e Tij të dashur Daudin, - paqja e Zotit qoftë mbi të! Ai i dhuroi mirësi madhështore dhe bekime të dukshme. Ai bashkoi tek Daudi profetësinë dhe mbretërimin në Tokë, duke i dhuruar ushtri të shumta dhe të mirëarmatosura. Gjithashtu, Allahu i dhuroi atij një zë jashtëzakonisht të bukur, të tillë që, sa herë që ai bënte tesbih, së bashku me të bënin tesbih edhe malet, ndërsa zogjtë qëndronin në ajër krahëhapur dhe e shoqëronin në tesbih me zërat dhe gjuhët e tyre të ndryshme. Në hadith të saktë thuhet se: 2195. “Profeti i Allahut dëgjoi njëherë zërin e Ebu Musa el Eshariut (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili ishte duke kënduar Kuran gjatë namazit të natës. Profeti qëndroi për të dëgjuar këndimin e tij, pastaj tha: “Këtij i është dhënë vërtet ‘ mizmar’, një prej thesareve të familjes së Daudit (pra, zëri i bukur)”. Allahu i Lartësuar thotë: “O male dhe shpendë! Thurni lavde (për Allahun) së bashku me të (me Daudin)!” Pra, bëni tesbih për Zotin, së bashku me Daudin. Kështu, malet dhe zogjtë u urdhë - ruan që ta shoqëronin tesbihun e Daudit me zërat e tyre. - “Ne e zbutëm hekurin për të. ” - Hasen Basriu dhe të tjerë kanë thënë: “Domethënë, ai nuk e kishte të nevojshme aspak që ta zbuste hekurin duke e shkrirë në zjarr dhe as ta godiste me çekiç, por e përpunonte atë thjesht dhe vetëm me dorën e tij, si të ishte fije peri”. - "Puno parzmore (hekuri) të gjera dhe thuri me saktësi ato!” - Daudi ishte i pari prej krijesave që bëri parzmore ose këmisha të thurura prej hekuri, sepse në të shkuarën ato bëheshin thjesht si pllaka të njëtrajtshme metalike. Pastaj: “...thuri me saktësi ato!” Pra, as mos i bëj hallka shumë të holla, por as mos i bëj shumë të trasha, por bëji mesatare, të përshtatshme për të bërë parzmore të përkryera. Daudi (alejhi selam) mjaftohej me fitimin që nxirrte duke bërë të tilla veshje dhe nuk merrte asgjë prej depos së shtetit të muslimanëve. Thuhet se ai i shiste mburojat që punonte me 4 mijë dirhemë, 1/3 e të cilës e jepte sadaka. Me 1/3 tjetër blinte gjithçka që kishte nevojë për vete dhe familjen e vet dhe 1/3 e mbante që ta jepte sadaka një ditë tjetër, derisa të bënte mburoja të tjera dhe të fitonte mjaftueshëm. Allahu i Madhëruar i dhuroi Daudit diçka që nuk ia kishte dhënë askujt tjetër, siç ishte zëri jashtëzakonisht i bukur. Kur ai hapte Zeburin, këndonte sikur t’i ishin dhuruar 70 korda zanore në grykën e tij, me të cilat ai nxirrte dhe përpunonte zërin. Allahu i Lartësuar thotë më pas: - “Dhe bëni vepra të mira ...” - Bëni punë të mira nëpërmjet gjithë atyre mirësive e mundësive, që ju ka dhuruar Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar. - “... se Unë e shikoj atë që bëni ju. ” - Unë jam mbikëqyrës i juaj. Unë i shikoj hollësisht punët tuaja, i dëgjoj fjalët tuaja. Mua nuk më fshihet asgjë prej veprave dhe fjalëve tuaja dhe as mendimet e ndjenjat që fshihni në gjoks.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 34:10–34:11
- Ne i dhamë Davudit një dhunti të madhe nga ana Jonë: “O male dhe shpendë! Thurni lavde (për Allahun) së bashku me të (me Dauudin) !” - Ne i dhamë robit dhe adhuruesit Tonë të dashur Daud (a.s) mirësi të shumta. Ne i dhuruam atij dituri të dobishme dhe vepra të mira. I dhuruam mirësi të shumta si fetare, ashtu edhe të kësaj dynjaje. Ndër mirësitë e shumta ishte që Zoti i urdhëroi malet, kafshët dhe shpendët, që të lavdëronin Atë së bashku me Daudin dhe të përsërisnin tesbihun që ai këndonte me zërin e tij të bukur. Kjo ishte një mirësi, me të cilën Zoti e dalloi Daudin (a.s), sepse nuk ia kishte dhënë askujt, as para dhe as pas tij. Kjo ishte një shenjë e jashtëzakonshme, që i nxiste njerëzit që t'i bënin tesbih Zotit, kur shihnin dhe dëgjonin ato sende, kafshë e gjallesa që përsërisnin tesbihun dhe lavdërimet për Zotin e tyre. Kjo ishte një nxitje shumë e madhe që njerëzit të kujtonin Zotin dhe ta përlëvdonin Atë. Shumë dijetarë thonë se zëri i atyre krijesave ishte si një jehonë e melodi, që shoqëronte zërin e Daudit kur ai këndonte përlëvdimet. Allahu i kishte dhënë Daudit një zë jashtëzakonisht të bukur, që asnjë nuk e kishte pasur. Kur ai këndonte ritmikisht ato lavdërime për Zotin me atë zë të pashembullt, çdo gjë rreth Tij i përgjigjej, njerëz, xhindë, madje edhe zogjtë, edhe malet bënin tesbih së bashku me të. Gjithashtu, prej mirësive të mëdha që Zoti i kishte dhënë Daudit ishte edhe shpërblimi i madh për këto tesbihe. Ai merrte shpërblim edhe për lavdërimet e këtyre krijesave, sepse ishte ai që i nxiste të kryenin këto adhurime. Një tjetër mirësi ishte edhe kjo që Zoti e përmend në këtë ajet: - Ne e zbutëm hekurin për të (për ta punuar). (Ne i thamë) "Puno parzmore (hekuri) të gjëra dhe thuri me saktësi ato! - Zoti ia zbuti hekurin, që ai të prodhonte parzmore, madje edhe i mësoi si t'i punonte ato në formën më të bukur, të fortë dhe të përshtatshme. Daudi i punonte ato hallkë pas hallke dhe i thurte me njëra tjetrën. I Lartësuari thotë:
- Dhe bëni vepra të mira se Unë e shikoj atë që bëni ju. - Pasi përmendi të mirat që i dhuroi Daudit e familjes së tij, Zoti e urdhëroi që të ishte mirënjohës dhe të bënte vepra të mira. Ai e urdhëroi që të ndiente mbikëqyrjen e Allahut, duke rregulluar vetveten, sepse Allahu i shikon të gjitha veprimet dhe është mbikëqyrës i gjithçkaje. Allahut nuk i fshihet asgjë nga veprat e robve.