فَلَمَّا قَضَيۡنَا عَلَيۡهِ ٱلۡمَوۡتَ مَا دَلَّهُمۡ عَلَىٰ مَوۡتِهِۦٓ إِلَّا دَآبَّةُ ٱلۡأَرۡضِ تَأۡكُلُ مِنسَأَتَهُۥۖ فَلَمَّا خَرَّ تَبَيَّنَتِ ٱلۡجِنُّ أَن لَّوۡ كَانُواْ يَعۡلَمُونَ ٱلۡغَيۡبَ مَا لَبِثُواْ فِي ٱلۡعَذَابِ ٱلۡمُهِينِ
E kur ia caktuam atij vdekjen, askush tjetër nuk i njoftoi ata (xhinët) për vdekjen e tij, përveç krimbit që e brejti shkopin e tij, e kur u rrëzua ai, për xhinët u bë e qartë se sikur të ishin ata që e dinin të fshehtën, nuk do të vazhdonin të qëndronin në mundimin e rëndë.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Davudin e kishte graduar Allahu, duke e bërë pejgamber, duke i dhënë librin Zebur, duke i nënshtruar malet dhe shpezët, që së bashku me të i luteshin Zotit, duke e pëlqyer zërin e tij, duke zbutur hekurin dhe duke e mësuar për punimin e këmishëve të hekurta për luftë. Sulejmani kishte mrekulli erën me të cilën udhëtonte për një gjysmë dite sa për një muaj udhëtim këmbësor, Zoti i kishte mundësuar të zbulojë burimin e bakrit, mandej ia nënshtroi edhe xhinët, të cilët ishin të detyruar të vepronin sipas urdhrit të Sulejmanit, e nuk guxonin të shmangeshin, se Zoti ua kishte tërhequr vërejtjen, që do t’i dënonte ashpër. Xhinët i punonin çdo gjë Sulejmanit, por ishte karakteristike se me vdekjen e Sulejmanit vërtetohet, që xhinët nuk e dinin të fshehtën. Sulejmani vdiq në këmbë duke iu lutur Zotit, e i mbështetur në shkopin e vet; për vdekjen e tij nuk diti askush; xhinët e vazhdonin punën e tyre të mundimshme. Sikur ta dinin, që Sulejmani kishte vdekur ata nuk do të vazhdonin atë punë të mundimshme. Sulejmani i vdekur mbeti mbështetur në shkop, deri sa krimbi ia brejti shkopin; ai u thye, e Sulejmani u rrëzua. Shumë falltorë mbështeten në atë, se xhinët iu sjellin lajme të panjohura, e ky është mashtrim i madh. Këtë e mohon kategorikisht ky ajet i Kuranit.