34. Sebe · Ajeti 54 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 34:46–34:54

Kundërshtarëve u thuhet: Mendoni vetë ose dy nga dy e jo të grumbulluar më shumë, pse aty ku ka shumë njerëz, vështirë mund të thellohet njeriu në mendime. Dhe, shqyrtoni çështjen e Muhammedit dhe të Kur'anit që po ju lexon, se atëherë do të bindeni se nuk është çmendur, por i zgjedhur prej Zotit, i cili zgjedh atë që do.

Pejgamberi u thot se nuk kam kurrfarë interesi material prej jush, Zoti është që do të më shpërblejë, Ai përcjell punën e çdokujt dhe sipas sinqeritetit në vepra, njerëzve u jep shpërblimin.

Idhujtarëve u tërhiqet vërejtja se si kur do të ngriten prej varrezave i kap frika dhe u grahin për në xhehenem, atëherë do të besojnë, por aty nuk është vendi i besimit: vendi i besimit ka qenë në dynja, e ata sa ishin në dynja flisnin me hamendje, thoshin nuk do të ringjallemi, nuk do të përgjigjemi, nuk ka xhennet as xhehenem, edhe pse përpiqen të jusifikohen, u ndërpritet biseda dhe vihen në vendin e merituar.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Sebe'ë" Lavdëruar qoftë i madhi Allah!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 34:51–34:54

- “Eh, sikur vetëm t’i shihje ata kur të dridhen nga tmerri!” - Veç t’i shihje, o Muhamed, ata që nuk e besojnë ditën e ringjalljes dhe llogarisë së drejtë para Zotit, kur të dridhen nga tmerri i asaj dite që e mohonin! - “Ata nuk kanë për të gjetur asnjë shpëtim ...” - Atë ditë nuk do të ketë shpëtim për ta, që nuk mund të gjejnë mbrojtje. - “... dhe do të rrëmbehen prej një vendi të afërt.” - Atë ditë ata do të rrëmbehen që në çastin e parë, në momentin kur të dalin nga varret e tyre. Ajo ditë është ngjarja e madhe, e lemerishme, e tmerrshme dhe e frikshme. - “Ata do të thonë: “Ne e besojmë atë.” - Ditën e Kijametit, ata do të thonë: “E besojmë Allahun, melekët e Tij, librat dhe profetët e Tij”, sikurse shtjellohet në një vend tjetër në Kuran: “Veç sikur të mund t’i shohësh mëkatarët kur, kokëulur para Zotit të tyre, do të thonë: “O Zoti ynë! Tani pamë dhe dëgjuam. Na kthe edhe një herë, që të bëjmë vepra të mira. Tani ne jemi tërësisht të bindur”.” [Sexhde 12]. - “Por si mund ta arrijnë ata këtu prej atij vendi të largët ...” - Tashmë nuk ka asnjë mundësi që imani i tyre të pranohet, ashtu sikurse është e pamundur që dikush të arrijë të marrë diçka e cila ndodhet shumë larg tij. - “Ata më parë e mohonin atë ...” - Pra, si është e mundur që të pranohet besimi i tyre

në ahiret, ndërkohë që ata e mohuan të vërtetën në jetën e dynjasë, i mohuan profetët dhe i morën për trillime e mashtrime mesazhet që vinin nga Zoti?! - “... dhe hamendësonin duke u endur larg.” - Pra, hamendësonin rreth Profetit të Zotit, ringjalljes dhe rreth çështjeve të besimit. Herë thoshin që ai është poet, herë të tjera se është fallxhor dhe herë të tjera se ai është magjistar. Të tilla ishin ato fjalë të kota, trillime, nëpërmjet të cilave thjesht mohonin ringjalljen, për llogarinë me drejtësi përpara Zotit. Allahu i Lartësuar na tregon fjalë e tyre: “Kur ju thuhej: “Premti - mi i Allahut është i vërtetë, Ora do të vijë dhe për të s’ka dyshim”, ju përgjigjeshit: “Ne nuk e dimë se ç’është Ora! Ne mendojmë se është vetëm një hamendje dhe nuk jemi të bindur.”” [Xhathije 32]. Pra, ne nuk kemi siguri për ringjalljen dhe as për ekzistencën e Xhenetit dhe Zjarrit. - “Ata do të privohen nga ajo që e dëshi - ronin ...” - Pra, ata do të privohen nga imani dhe pendimi i sinqertë e dobiprurës. Ata do të dëshironin shumë besimin e vërtetë dhe pendimin e sinqertë, por tashmë kjo është diçka e pamundur, sepse nuk është koha kur pranohen besimi dhe pendimi, nëse nuk e ke bërë këtë për sa kohë ishe gjallë. Ky është njëri nga kuptimet rreth ajetit. Sipas një shpjegimi tjetër, ata do të privohen nga ajo që e dëshironin, pra, nga kënaqësitë dhe përjetimet e kësaj dynjaje, si pasuria, familja, miqtë etj. Një shpjegim i tillë është sjellë nga Ibn Abasi, Ibn Umeri dhe Rabi Ibn Enesi. Këtë shpjegim kanë sjellë Buhariu dhe një grup dijetarësh. Në fakt, nuk ka ndonjë kontradiktë mes dy shpjegimeve, që nuk e përjashtojnë njëra - tjetrën. Ata do të privohen prej kënaqësive të dynjasë, por do të privohen edhe nga mirësitë e ahiret, të cilat arrihen veçse nëpërmjet imanit dhe pendimit të sinqertë në kohën e duhur. - “... ashtu sikurse ndodhi më parë me të ngjashmit e tyre. ” - Pra, ashtu sikurse u ndodhi popujve të shkuar, të cilët mohuan profetët e tyre dhe që u ndëshkuan. Ata dëshiruan në çastin e ndëshkimit që të kishin besuar, por kjo dëshirë nuk u vlejti aspak dhe ndëshkimi goditi ashpër mbi ta. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur e panë dënimin Tonë, thanë: “Ne i besojmë Allahut, që është Një dhe i mohojmë ata që i adhuronim veç Tij”. Por besimi i tyre pasi panë dënimin Tonë, nuk u bëri dobi. I tillë është ligji i Allahut që ka vepruar ndaj robërve të Tij dhe kështu u shkatërruan mohuesit e Allahut.”” [Gafir 84, 85]. - “Vërtet, ata ishin plot dyshime e pasi - guri.” - Prandaj dhe nuk u pranua besimi i tyre në kohën kur e panë ndëshkimin me sytë e tyre. Katadja thotë: “Kujdes dhe ruajuni nga çdo dyshim, sepse çdokush që vdes duke pasur dyshim, po ashtu do të ringjallet. Gjithashtu, çdokush vdes me siguri të plotë në zemrën e tij rreth besimit të vërtetë dhe premtimit të Allahut, ashtu ka për t’u ringjallur në Ditën e Gjykimit.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 34:50–34:54

Allahu i Madhëruar e qartësoi të vërtetën përmes Shpalljes, që e solli me Profetin e Tij. Ata që e refuzuan këtë të vërtetë, shpifën dhe trilluan mashtrime për Profetin, duke mëtuar se ai ishte i humbur dhe ftonte në kotësira. Megjithatë, Allahu i Lartësuar i njoftoi njerëzit për të vërtetën e sigurt dhe ua solli atë të qartë, duke u treguar se ata janë të pafuqishëm që ta pengojnë dhe luftojnë të vërtetën. Ai i njoftoi ata se shpifjet që mëtojnë se ftesa e Profetit ishte e pavërtetë, nuk kanë për t'u sjellë asnjë dobi. E vërteta do të lartësohet dhe asgjë nuk mund ta pengojë dhe dëmtojë atë. Çdokush do të mund ta nderojë ose dëmtojë vetveten, në varësi të veprave dhe pasimit ose jo të së vërtetës. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e urdhëroi Profetin t'u thotë njerëzve. - Thuaj: “Nëse unë kam humbur, atëherë kjo do të ishte vetëm në dëmin tim, por nëse e kam gjetur të vërtetën, atëherë ajo është me ndihmën e Zotit tim.” - Profeti është i ruajtur nga devijimi apo humbja, por kjo thuhej si supozim. Pra, “nëse unë devijoj nga e vërteta, atëherë kjo është një humbje dhe devijim personal. Me humbjen time, unë mund të dëmtoj veçse vetveten, sepse udhëzimi dhe humbja janë në dorën e Zotit dhe prej Atij duhet kërkuar. Dhe nëse jam në udhë të drejtë, kjo nuk është merita ime dhe as forca ime. Udhëzimi dhe forca ime vjen veçse nga një gjë: me ndihmën e Zotit tim. Shpallja e Zotit është lënda e udhëzimit tim, dhe kështu duhet të jetë edhe për të tjerët. Udhëzimi dhe humbja varen nga ndjekja e rrugës së drejtë dhe nuk duhen lidhur me personin e dikujt dhe me faktin a është ai i udhëzuar apo i humbur. Nëse ndjek rrugën e drejtë, atëherë je i udhëzuar, e nëse jo, atëherë je i humbur. - Ai dëgjon gjithçka dhe është afër. - Allahu dëgjon të gjitha fjalët dhe zërat e njerëzve. Ai është afër dhe e dëgjon atë që i lutet, që e adhuron, që i kërkon udhëzimin në rrugën e drejtë dhe synon kënaqësinë e Tij. Për këtë arsye, Allahu e di mirë se kë udhëzon në rrugën e drejtë. - Eh sikur vetëm t’i shihje ata kur të dridhen nga tmerri! Ata nuk kanë për të gjetur asnjë shpëtim dhe do të rrembehen prej një vendi të afërt. - Shumë e frikshme është pamja e atyre që mohojnë të dërguarit, kur ata të shohin me sytë e tyre dënimin e Allahut dhe atë për të cilën i njoftuan të dërguarit. Ai është momenti kur mbi ata fillon të ekzekutohet ndëshkimi dhe ata nuk gjejnë asnjë rrugë shpëtimi e largimi. Allahu thotë: "...rrëmbehen prej një vendi të afërt!" Domethënë, ai vend nga i cili do të rrëmbehen dhe do të ndëshkohen nuk është larg nga vendi i dënimit, por është afër. Kështu, ata do të rrëmbehen dhe hidhen në zjarr. - Dhe ata do të thonë: “Ne besojmë (tani) në të (Kur’anin, Muhamedin) .” Por si mund ta arrijnë ata (Besimin) prej këtij vendi (kaq) të largët, - Tani e besojmë Allahun dhe gjithçka që më parë e mohonim dhe e konsideronim si gënjeshtër. Por çfarë mundësie kanë tani ata të mjerë që të përqafojnë imanin e pastër?! Tashmë kjo është diçka e pamundur. Nëse do të kishin besuar në dynja, besimi i tyre do të ishte i

pranuar, por ata refuzuan të besonin në dynja, prandaj tani do të hidhen në Zjarr. - Kur ata më parë e mohonin (tërësisht) atë (Besimin) dhe hamendësonin (se s’ka ringjallje) duke u endur larg (së vërtetës). - Në jetën e dynjasë, ata e mohonin të vërtetën, duke u përpjekur ta shuanin dritën e saj nëpërmjet të kotës. Por kjo ishte diçka e kotë dhe nuk u solli dobi. Ata nuk mund t'ia arrinin qëllimit, ashtu sikurse ai që godet me shigjetë prej së largu që nuk e qëllon dot shënjestrën që do. Edhe në jetën e kësaj dynjaje, e kota mund të shfaqet dhe të mbizotërojë veçse në rastet kur e vërteta zbehet dhe dobësohet, por kur e vërteta shkëlqen dhe shfaqet, atëherë kotësia zhduket dhe errësira e saj largohet.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 34:54

- Dhe ata do të privohen nga ajo që e dëshironin,... - Tashmë u janë larguar kënaqësitë e kësaj dynjaje, dëshirat, pasuritë, përjetimet, fëmijët, shërbëtorët dhe ushtritë e tyre. Tashmë janë të vetmuar dhe do të dalin para Zotit veçse me veprat e tyre. Çdokush do të dalë para Zotit i vetmuar ashtu siç Zoti e krijoi, dhe do të lerë pas gjithçka që zotëron. - ashtu sikurse ndodhi më parë me të ngjashmit e tyre. - Kështu ka ndodhur me gjithë brezat që kanë kaluar, kur atyre u zbriti vdekja dhe shkatërrimi. Ata u privuan nga të gjitha kënaqësitë e kësaj dynjaje. - Vërtet, ata ishin plot dyshime e pasiguri. - Zemrat e tyre ishin të mbushura me pasiguri dhe dyshime të shumta, prandaj besimi nuk hynte në to dhe ata nuk u nënshtruan kur dëgjuan udhëzimin dhe kur u paralajmëruan nga Zoti. Këtu përfundon edhe tefsiri i sures Seb'e. Allahut i qoftë lavdërimi e mirësitë dhe vetëm prej Tij vjen ndihma! Vetëm Atij i jemi mbështetur dhe vetëm me Të e kemi lidhur zemrën me besim të plotë.

← Sebe 34:54