36. Ja Sin · Ajeti 20 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 36:13–36:32

Kur'ani nuk e cek se cili fshat ishte dhe kush ishin ata të dërguar te ai popull, sepse shembulli: ka për qëllim të parashtrojë çështjen ashtu që t'u shërbejë si përvojë njerëzve, e nuk ka rëndësi për detaje të mëtejme. Megjithatë, disa mufesirinë folën se fshati ishte Entakije, të dërguarit ishin Sadku, Maduku dhe Shemuni, ndërsa ai njeri i mirë që erdhi prej skajit të qytetit, ishte njëfarë i Habib Nexhari.

Në këtë ngjarje, në të cilën dy të dërguar shkojnë në një vendbanim dhe e thërrasin atë popull në rrugë të drejtë, duket kokëfortësia e atij populli se si nuk i dëgjon, madje përpiqen që të gjitha fatkeqësitë t'ia veshin ardhjes së tyre, se si u kërcënohen se do t'i mbysin me gurë etj. Të dërguarit gjithnjë kanë pasur ndonjë përkrahje të denjë, siç ishte ai që erdhi prej skajit të qytetit dhe e dha jetën për hir të së vërtetës, por e fitoi xhennetin dhe si besimtar i mirë e i sinqertë, e ankoi qëndrimin e popullit të vet, i dhimbsej pse nuk e kuptoi të mirën që ua dhuroi Zoti, por mbeti jashtë rrugës.

Për shkak se ai popull e mbyti atë njeriun e mirë, Zoti e urdhëroi Xhebrailin që me një britmë të fuqishme t'i bëjë të gjithë të vdekur, e këtë do të duhej ta kuptonin edhe idhujtarët mekas, të cilët nuk e dëgjonin Pejgamberin, se edhe atyre mund t'u ngjajë ashtu, e në fund kanë për t'u përgjigjur para Zotit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 36:20–36:25

- “Prej skajit më të largët të qytetit, erdhi një burrë duke vrapuar dhe tha: “O populli im! Bindjuni të dërguarve!” - Ibn Is’haku thotë se na ka ardhur prej Ibn Abasit ky shpjegim: “Banorët e atij vendi tentuan të vrisnin të dërguarit e Zotit. Por një burrë nga mesi i tyre, zbriti nga zona më e largët e qytetit duke nxituar, që të ndihmonte dhe mbronte profetët e Zotit, në përballjen me popullin. Ai tha: “O populli im! Bindjuni të dërguarve!” Kështu, ai fillimisht i nxiti për të pasuar profetët e tyre. - “Bindjuni atyre që nuk kërkojnë asnjë shpërblim prej jush ...” - Ata nuk të kërkojnë asnjë shpërblim, në lidhje me kumtimin e qartë të Shpalljes së Zotit. - “Dhe që janë të udhëzuar!” - Ata janë të udhëzuar drejt për gjithçka që ju ftojnë. Ata po ju ftojnë në të vetmin besim të pastër e të vërtetë: për të adhuruar Allahun si një të vetëm dhe pa ortak. - “E si të mos e adhuroj Atë që më krijoi mua ...” - Çfarë me pengon mua që të ndjek këtë besim të pastër e të vërtetë, ku të adhuroj me përkushtim e sinqeritet vetëm Allahun, Krijuesin tim e të gjithçkaje që

ekziston, pa i shoqëruar asgjë e akënd në adhurim?! - “... dhe tek i Cili ju do të ktheheni të gjithë.” - Tek Ai dhe vetëm tek Ai është kthimi i të gjitha krijesave në Ditën e Premtuar, kur Allahu i Madhëruar do të shpërblejë gjithësecilin sipas punëve që ka bërë. - “A të pranoj zota të tjerë, përveç Tij?” - Kjo është një pyetje me kuptim qortues e paralajmërues, nëse bie në idhujtari dhe bën këtë krim të shëmtuar. - “Nëse i Gjithëmëshirshmi do të më sprovonte me ndonjë të keqe, ndërmje - tësimi i tyre nuk do të më vlente asgjë dhe as nuk do të mund të më shpëtonin. ” - Idhujt tuaj nuk kanë asgjë në dorë nga çështjet e dynjasë dhe të ahiretit. Nëse Allahu i Lartësuar dëshiron të më sprovojë me ndonjë të keqe, këta idhuj nuk kanë asnjë mundësi që të ndërhyjnë e të më shpëtojnë. - “Po të veproja kështu, do të isha vërtet në humbje të qartë. ” - Nëse do të zgjidhja për të adhuruar zota të tjerë përveç Allahut të Lartësuar, do të isha në humbje të qartë dhe të sigurt. - “Unë i kam besuar Zotit tuaj. ” - Këto fjalë, ai ua drejton të dërguarve: “Unë besoj Zotin tuaj, i Cili ju dërgoi ju ndër njerëz.” - “Prandaj më dëgjoni! ” - Dëgjoni atë që po ju them, në mënyrë që të dëshmoni para Zotit për besimin tim se Ai është një i vetëm dhe i pashoq dhe për faktin se unë e pasova rrugën tuaj drejt shpëtimit dhe iu përgjigja ftesës tuaj për tek e vërteta. Kur ai u tha këto fjalë të dërguarve (paqja e Zotit qoftë me ta!), populli i tij u vërsulën mbi të dhe e vranë. Askush prej njerëzve të tij nuk ndërhyri që ta ndihmonte. Katadja thotë: “Ata e gjuanin me gurë pandërprerë, ndërsa ai thoshte: “O Zoti im, udhëzoje popullin tim, se ata nuk dinë!” Ai vazhdoi t’i thoshte këto fjalë, derisa në frymën e fundit, - Allahu qoftë i kënaqur me të dhe e kënaqtë me mirësitë e Tij!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 36:13–36:30

- Përmendju atyre si shembull banorët e fshatit, kur atyre u patën ardhur të dërguarit! - Këtyre që të mohojnë dhe nuk besojnë Shpalljen e Zotit, jepu një shembull, nga i cili mund të mësojnë shumë, nëse u jepet sukses nga Zoti për të gjetur të mirën. Ky shembull është historia e banorëve të një fshati, të cilët refuzuan profetët e dërguar ndër ta dhe çfarë dënimi i përfshiu. Allahu i Madhëruar nuk na e ka treguar konkretisht se për cilin vend dhe profet bëhet fjalë. Nëse do të kishte ndonjë dobi tregimi i vendit, Ai do të na tregonte atë. Kështu, të mundohesh të gjesh se ku ishte ai vend është diçka jo e mirë dhe konsiderohet si të flasësh pa pasur dituri. Për këtë arsye, ata që flasin për të tilla çështje ngatërrohen dhe nuk kanë siguri në fjalët e tyre. Kjo të jep bindjen e plotë se rruga e diturisë së sigurt kërkon që t'i qëndrosh besnik veçse informacionit të saktë dhe burimor dhe t’i largohesh sa më shumë asaj që nuk ka ndonjë dobi. Kështu pastrohen dhe lartësohen shpirtrat dhe shtohet dituria. Kjo është rruga e saktë e shtimit të diturisë dhe jo rruga e atyre të paditurve që mendojnë se sjellja e sa më shumë fjalëve rreth një ajeti, pa u bazuar askund, është dituri. Në fakt, ato sjellin veçse pasiguri e ngatërresa, duke e ngarkuarr veten me fjalë e mendime të kota dhe të padobishme. Ato i hapin portën e marrjes me çështje të dyshimta. E rëndësishme është që, ky ishte një vendbanim, i sjellë si shembull, nga i cili mund të marrin mësim ata që Zoti do t'u japë sukses që të shohin të drejtën. - Kur Ne dërguam tek ata (në fillim) dy të dërguar ata i përgënjeshtruan që të dy. - Në këtë popull, u dërguan profetë që të urdhëronin për të adhuruar Allahun si një e të vetëm, duke ia përkushtuar me sinqeritet të gjitha adhurimet dhe që t'i ndalonin nga idhujtaria, padrejtësitë e mosbindja ndaj Zotit. - Atëherë Ne i fuqizuam ata me një të tretë dhe këta u thanë: “Ne jemi dërguar (si Profetë) te ju.”. - Allahu i Lartësuar dërgoi edhe një profet të tretë, pasi dy të parët u refuzuan. Kjo tregon se Allahu u kujdes shumë që atyre t'u afrohej mundësia të pranonin udhëzimin dhe të mos kishin më argument e arsyetim para Zotit. - Njerëzit thanë: “Ju jeni veçse njerëz si ne dhe Allahu nuk dërgon asnjë lloj shpalljeje. Ju jeni veçse gënjeshtarë. - Populli iu përgjigj njëlloj si mohuesit e besimit në Zotin dhe profetët e Tij. Ata thanë: “Ju jeni thjesht njerëz, sikurse ne. Çfarë epërsie keni ju mbi ne, që ne t'ju pasojmë dhe bindemi?” Atëherë, profetët u thanë: “Ne jemi veçse njerëz, sikurse edhe ju, por Allahu ia dhuron mirësinë kujt të dojë nga robërit e Vet. Nuk na takon neve t’ju sjellim ndonjë argument, përveçse me dëshirën e Allahut. Vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.”. E përse të mos i mbështetemi Allahut, kur Ai na ka udhëzuar në rrugën tonë? Ne kemi për t’i duruar mundimet që na bëni. Vetëm Allahut le t’i mbështeten vazhdimisht ata që kërkojnë mbështetje!” [Ibrahim 11, 12]. Ata thanë gjithashtu: "... Allahu nuk dërgon asnjë lloj shpalljeje.". Kështu, ata deklaruan se nuk besonin se ekzistonte diçka që quhej Shpallje. Ata nuk besonin se Zoti ka shpallur ndonjë gjë ndër njerëz. Pastaj filluan të trillonin edhe për vetë profetët, duke thënë se ishin gënjeshtarë dhe njerëz që trillonin nga vetja e tyre. Ata thanë: "Ju jeni veçse gënjeshtarë." Por cila ishte përgjigjja e profetëve përballë këtij qëndrimi nga populli i tyre? Ata thanë: - Ata thanë: “Zoti ynë e di se ne jemi dërguar (si Profetë) te ju. - Nëse do të ishim mashtrues dhe trillues, Allahu do ta nxirte në pah mashtrimin tonë dhe do të na dënonte pa vonuar, sepse Allahu është i Urtë dhe i Plotpushtetshëm. - Dhe detyra jonë është vetëm ta kumtojmë qartë Mesazhin (e Tij). ”. -

Kumtimi i qartë është detyra jonë dhe kjo kërkon që ne të bëjmë të qartë gjithçka që duhet sqaruar nga mesazhi i Zotit. Ne nuk kemi për të lënë asgjë pa sqaruar nga mesazhi që Zoti do të dërgojë ndër ju. Ndërsa për sa i përket shenjave dhe mrekullive që ju propozoni, ose zbritjes dhe përshpejtimit të dënimit, kjo nuk është në dorën tonë. Atë që është detyra e jonë, pra, kumtimi i qartë i mesazhit të Zotit, ne e kryem me besnikëri. Nëse ju gjeni rrugën e udhëzimit, kjo është mirësia dhe fati juaj, por nëse ju refuzoni, atëherë ne nuk kemi asgjë në dorë që t'ju bëjmë të besoni dhe të ndriçojmë zemrat tuaja, apo t'ju shpërblejmë ose ndëshkojmë. - Ata (mohuesit) thanë: “Ne parandiejmë ogur të keq me ju dhe nëse nuk tërhiqeni, ne do t’ju gjuajmë me gurë dhe do të përjetoni ndëshkim të dhimbshëm nga ne”. - Këto ishin fjalët që banorët e fshatit u thanë të dërguarve të Allahut: “Ne parandiejmë ogur të keq me ju...". Sikur thoshin: "Që kur ju keni ardhur tek ne, kemi parë veçse sherr dhe ligësi.” Subhanallah! Kjo është nga gjërat më të çuditshme! T'i konsiderosh si shkak të ligësive dhe sherrit ata profetë të zgjedhur, të cilët u sollën njerëzve mirësinë më të madhe dhe dhuratën më të çmuar, që mund t'u jepet krijesave? Ata u sollën atë që qëndron mbi çdo domosdoshmëri tjetër. Profetët e Zotit erdhën në këtë popull dhe e gjetën në një gjendje shumë të keqe, nga e cila vetëm besimi i drejtë mund t'i shpëtonte. Por në vend që të pranonin besimin dhe të shpëtonin, ata u zhytën edhe më keq në ligësitë e tyre dhe e konsideruan besimin si diçka të urryer dhe tersndjellës. Ja, çfarë bën shpirtligësia e mendjemadhësia. Ajo është më e keqe për njeriun se çdo armik tjetër. Pastaj këta njerëz fatzinj kërcënuan profetët e tyre, duke u thënë: "...dhe nëse nuk tërhiqeni, ne do t’ju gjuajmë me gurë dhe do të përjetoni ndëshkim të dhimbshëm nga ne." Ne do t'ju vrasim me formën më të tmerrshme, me gurë. Atëherë, profetët iu drejtuan atyre me këto fjalë: - Ata (të dërguarit) thanë: “Ogurin e keq e keni nga vetja juaj (te padrejtësitë tuaja). Mos vallë (jemi ogur i keq) për shkak se ju këshilluam?!” - E keqja vjen vetëm prej ligësive dhe paudhësive tuaja. Janë pikërisht veprat tuaja, si idhujtaria e gjynahet, shkak për çdo bela që ju godet. Ato gjithmonë bëhen shkak që mbi ju të bien zemërimi dhe ndëshkimet e Zotit, dhe t'ju largohet çdo gjë e dashur prej mirësive të shumta të Tij. Atëherë, si është e mundur që na drejtoheni me ato fjalë? Mos, vallë, për shkak se ne ju këshilluam për atë që sjell mirësi dhe mbarësi?! Jo, por: - Jo. Por ju jeni një popull që e kaloni çdo kufi.” - Ju kaloni çdo kufi në ligësitë që bëni dhe në fjalët e poshtra që thoni. Domethënë, ftesa e këtyre profetëve ua shtoi edhe më shumë largimin nga rruga e drejtë dhe mendjemadhësinë. - Prej skajit më të largët të qytetit erdhi një burrë duke vrapuar dhe tha: “O populli im! Bindjuni të dërguarve!” - Ai dëshiroi që populli i tij të përfitonin nga ftesa e profetëve dhe të besonin ashtu siç besoi ai vetë. Pasi e pa dhe e dëgjoi mirë se sa keq ju përgjigjën ftesës, ai u tha atyre: “O populli im! Bindjuni të dërguarve!” Kështu, i këshilloi që të pasonin profetët, duke u treguar mirësitë e kësaj vepre dhe u dëshmoi me dituri se ata ishin vërtet profetë të Allahut dhe se pasimi i tyre ishte gjëja më e mirë. Pastaj vijoi t'i ftonte ata duke u sjellë arsyetime të logjikshme, që e përforconin dëshminë e tij se ata ishin profetë të Zotit dhe se ishte në të mirë të tyre që t'i pasonin. Ai tha: - Bindjuni atyre që nuk kërkojnë asnjë shpërblim prej jush dhe janë të udhëzuar (nga Zoti) ! - Pasojini këta të dërguar besnikë, të cilët ju ftojnë dhe këshillojnë për diçka që është në të mirën tuaj dhe nuk duan prej jush asgjë dhe asnjë shpërblim. Mirësia e ftesës së tyre kthehet veçse tek ju, se ata nuk kërkojnë ndonjë pasuri për atë që ju këshillojnë dhe mësojnë prej dritës dhe udhëzimit. A nuk mjafton kjo për ju, që t'i pasoni ata? Mbase dikush mund të thoshte:

"Ata ndoshta vërtet nuk ftojnë që të marrin ndonjë shpërblim, por ata nuk janë në rrugë të drejtë dhe po ju ftojnë për gjëra të pavërteta." Por edhe këtë pretendim ai besimtar i mençur e hodhi poshtë, duke shtuar dhe thënë: "...janë të udhëzuar (nga Zoti)." Kështu, ata ftojnë në çdo gjë që është e mirë dhe që vetë logjika e drejtë dëshmon për mirësinë e saj. Edhe ndalesat e tyre janë mëse të arsyeshme dhe logjika e saktë dëshmon për saktësinë e këtyre porosive. Me sa duket, populli i tij jo vetëm që nuk i pranuan këshillat e tij, por iu kthyen për ta marrë në përgjegjësi për pasimin e profetëve dhe dëshminë e tij se do ta adhuronte me sinqeritet veçse Allahun e Madhëruar si një dhe të vetëm. Për këtë arsye, Ai tha: - E si të mos e adhuroj Atë që më krijoi mua dhe tek i Cili ju do të ktheheni të gjithë? - Çfarë mund të më pengojë mua që ta adhuroj Zotin si një të vetëm, kur unë jam i bindur se është Ai që më ka krijuar, më furnizon dhe ushqen? Tek Ai do të kthehen të gjitha krijesat dhe Ai ka për t'i shpërblyer për të gjitha veprat e tyre. - A të pranoj zota të tjerë përveç Tij? - Ai në dorën e të Cilit është krijimi, furnizimi e gjykimi i krijesave në dynja dhe në ahiret, pikërisht dhe vetëm Ai meriton të adhurosh, ta përlëvdosh, lavdërosh dhe madhërosh. Ndërsa ata që nuk kanë në dorë as dëm e as dobi, as kanë mundësi të japin ose të privojnë, as të japin jetën e as vdekje dhe as kanë në dorë ringjalljen, ata nuk meritojnë që t'i adhurosh e t'u nënshtrohesh. - Nëse i Gjithëmëshirshmi do të më sprovonte me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i tyre nuk do të më vlente asgjë dhe as nuk do të mund të më shpëtonin. - Askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Allahu pa lejen e Tij. Edhe ndërmjetësimi i tyre nuk mund të më sjellë mua asnjë dobi, nëse Allahu dëshiron të më ndëshkojë. - Po të veproja kështu do të isha, vërtet në një humbje të hapët. - Nëse unë adhuroj, i shpresoj dhe u lutem të tillëve idhuj me këto cilësi, atëherë do të jem në një humbje të qartë. Në këto fjalë, ai jo vetëm që këshilloi popullin e tij nga njëra anë, por edhe dëshmoi se këta ishin profetë besnikë të dërguar nga Zoti, nga ana tjetër. Ai e udhëzoi popullin e vet dhe i njoftoi detyrimin që ta adhuronin Allahun si një dhe të vetëm dhe për këtë solli edhe argumente të qarta e të kuptueshme. Gjithashtu, solli argumente edhe për kotësinë e adhurimin e çdo gjëje tjetër përveç Allahut. Ai u tregoi për gjendjen fatkeqe të atyre që adhurojnë idhujt dhe deklaroi me forcë dhe me krenari se ai ishte besimtar në Allahun dhe në profetët e Tij, edhe pse kërcënohej seriozisht me vdekje nga ai popull i padrejtë. Kështu, ai u tha: - Unë i kam besuar Zotit. Prandaj më dëgjoni!” - Populli i tij e vrau atë besimtar të sinqertë, pasi i ftoi dhe i këshilloi për besimin në Zotin dhe në profetët e Tij. Atëherë, menjëherë pas vdekjes atij iu tha: - Atij iu tha: “Ti hyr në xhenet! Ai tha: “Ah, sikur ta dinte populli im, Përse më fali Zoti im dhe më bëri prej të

nderuarve!” - Kur ai pa atë nderim të madh dhe shpërblim të pashembullt, që Zoti i dhuroi për besimin e tij të pastër në teuhid dhe këshillimin e popullit, vijoi përsëri të tregonte se sa shumë e donte popullin e tij dhe sa shumë e dëshironte të mirën për ta duke thënë: “Ah, sikur ta dinte populli im, përse më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve!" Ah, sikur ta dinte populli im se për çfarë arsye më fali Zoti mua, duke më shpëtuar nga çdo lloj ndëshkimi dhe duke më bërë prej të nderuarve. Ai më shpërbleu me gjithë ato mirësi lumturuese. Nëse do ta dinin, ata nuk do të vazhdonin me idhujtarinë dhe kotësinë e tyre. Duke na treguar ndëshkimin e tyre, Allahu i Madhëruar thotë: - Pas tij, Ne nuk zbritëm kundër popullit të tij ndonjë ushtri nga qielli. - Nuk ishte e nevojshme që Ne të zbrisnim ndonjë ushtri nga qielli për të ndëshkuar atë popull. - Ne nuk zbritëm asgjë tjetër, - Nuk e bëmë diçka të tillë se ishte e panevojshme. Pushteti dhe madhështia e Allahut është shumë e madhe dhe bijtë e Ademit janë shumë të dobët, ndaj mjafton diçka shumë më e vogël për t'i ndëshkuar ata. Një pjesë e vogël e dënimit të Zotit do t'i mjaftonte për t'i shkatërruar ata. - ... përveç një britme të tmerrshme. Dhe ja ata mbetën të heshtur e të ftohtë (pa jetë). - Kështu ishte ndëshkimi i tyre. Mjaftoi një zë i nxjerrë nga njëri prej melekëve të Zotit dhe ata mbetën të ftohur (të vdekur). Tmerri ua këputi zemrat brenda gjoksit dhe mbetën si kufoma të ngrira, pa lëshuar asnjë zë dhe pa lëvizur. Nuk pati më jetë pas asaj mendjemadhësie dhe asaj përgjigje të shëmtuar, që i dhanë më të nderuarve krijesa të Zotit dhe tiranisë që treguan kundrejt tyre. Duke dashur që njerëzit të ndiejnë thellë se sa fatkeqësi e madhe është mosbesimi, Allahu i Madhëruar thotë: - Ah! Mjerë robërit (e Mi)! Sa herë që u vjen ndonjë i dërguar, ata veçse tallen me të. - Sa e madhe është kjo fatkeqësi! E madhe ishte injoranca e tyre dhe po kështu do të jenë edhe vuajtjet e tyre, për shkak të atyre cilësive të shëmtuara. Ata kanë qenë dhe do të jenë shkak i çdo fatkeqësie e ndëshkimi nga Zoti.

← Ja Sin 36:20