36. Ja Sin · Ajeti 59 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 36:48–36:68

Idhujtarët, përveç që nuk besonin bënin tallje e thoshin kur do të vijë kijameti. Zoti u tha se do t'ju vijë papritmas dhe shpejt sa nuk do të kenë kohë as t'i lënë dikujt ndonjë amanet, e as ta shohin familjen e tyre. Pastaj do t'i fryhet Surit, e ju shpejt do të paraqiteni te Unë, por do ta mjeroni veten pse nuk mbetët në varreza. E ky është ai premtimi që talleshit. Xhennetlinjtë janë në vendet e tyre të këndshme, kënaqen me të mirat e tij, por kënaqësinë më të madhe do ta përjetojnë kur Zoti Mëshirues u prezentohet dhe u jep selam. Pejgamberi ka thënë: "Duke qenë xhennetlinjtë të preokupuar më kënaqësitë e xhennetit, u paraqitet një dritë, ngrisin kokat, kur qe, Zoti i madhërishëm u thotë: Es Selamu alejkum, o xhennetlinj, Ai i shikon ata dhe ata e shikojnë Atë, nuk u shkojnë sytë tjetërkah derisa të largohet prej tyre, por mbetet drita e Tij, gëzimi ndaj Tij në vendin e tyre.

Atë ditë mëkatarëve u thuhet veçohuni prej besimtarëve, pse ju e dëgjuat shejtanin, edhe pse u pata porositur dhe treguar se ai është armik i juaj, se ka humbur shumë të tjerë më parë, u thashë se e vetmja rrugë e shpëtimit është njohja dhe adhurimi ndaj Meje. Tash pra, shijoni dënimin. Gjymtyrët tuaja nuk janë tash nën sundimin tuaj, Ne komandojmë me to, na flasin duart, na dëshmojnë këmbët, e ju vetëm do të heshtni. Ne u dhamë të gjitha gjymtyrët e shëndosha, por ju i keqpërdorët. Ne kemi pasur mundësi t'ju bëjmë të gjymtë, të verbër, t'ju japim të jetoni shumë, por ju kthejmë në atë krijimin e parë, ju bëjmë sërish fëmijë. Kjo është fuqia Jonë të cilën është dashur ta kuptoni!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 36:59–36:62

- “Dhe ju, o keqbërës, veçohuni sot! ” - Allahu i Lartësuar na tregon përfundimin e mohuesve në Ditën e Kijametit. Kështu, Allahu i Lartësuar i urdhëron ata atë ditë që të veçohen dhe të ndahen nga besimtarët në vendqëndrimin e tyre. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar kur thotë: “Atë ditë, Ne do t’i tubojmë të gjithë, ndërsa idhujtarëve do t’u themi: “Rrini në vendin tuaj, ju dhe idhujt tuaj!”. Ne do t’i ndajmë ata nga njëri - tjetri dhe idhujt e tyre do t’u thonë: “Ju nuk na adhuruat ne."” [Junus 28]. “ Dita kur të vijë Ora është Dita e Ndarjes (së njerëzve). Sa u përket atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, ata do të jenë të gëzuar nëpër kopshte (të Xhenetit). E sa u përket atyre që nuk besuan dhe i mohuan argumentet Tona dhe takimin në botën Tjetër, ata do të jenë në një ndëshkim të pandërprerë.” [Rum 14 - 16]. “Prandaj, përqendrohu në fenë e drejtë, para se të vijë dita e caktuar nga Allahu, të cilën askush nuk mund ta pengojë. Atë ditë njerëzit do të ndahen: Çdokush që nuk besoi, do të përgjigjet për mosbesimin e vet, e çdokush që bëri punë të mira, ai u përgatit për veten e vet. Ai ka për t’i shpërblyer me mirësinë e Tij ata që besuan dhe bënë vepra të mira. Me të vërtetë, Ai nuk i do jobesimtarët.” [Rum 43 - 45]. Pra, ndahen në dy grupe. Ose ajeti: “Dhe do të thonë: “Ah! Të mjerët ne! Kjo është Dita e Gjykimit.” (Atyre do t'u thuhet) Kjo është Dita e Ndarjes, që ju e konsideronit gënjeshtër! Mblidhini bashkë - do t'u thuhet - të gjithë keqbërësit, bashkëshortet e tyre (që ishin si ata) dhe gjërat që ata adhuronin përveç Allahut, dhe çojini drejt rrugës së Zjarrit (të ndezur fort)!” [Safat 20 - 23]. - “A nuk ju pata paralajmëruar ju, o bijtë e Ademit, që të mos adhuronit shejtanin, sepse ai ishte armiku juaj i hapur ...” - Këto fjalë i poshtërojnë dhe ua shtojnë dhimbjen mohuesve prej bijve të Ademit, të cilët iu bindën shejtanit të mallkuar, ndërkohë që ai ishte armiku i tyre i përbetuar, dhe nuk iu bindën të Gjithëmë - shirshmit, i Cili ishte Krijuesi i tyre dhe Ai që i furnizonte dhe kujdesej për ta. - “... dhe që të më adhuronit vetëm Mua, sepse kjo ishte rruga e drejtë?! ” - Unë ju pata urdhëruar në jetën e dynjasë që të mos i bindeshit shejtanit të mallkuar dhe që të më adhuronit Mua si një të vetëm dhe pa ortak, dhe pikërisht kjo ishte rruga e drejtë. Por ju e kundërshtuat urdhrin Tim dhe ju bindët shejtanit të mallkuar. Ju ndoqët rrugët e tij të humbjes. - “Por ai çoi në humbje shumë prej jush.” - Breza të tërë i çoi në humbje. - “A nuk e kuptonit atëherë? ” - A nuk kishit mendje dhe logjikë kur që iu kundër - vutë Zotit tuaj dhe adhuronit idhuj e kotë - sira?! Ju iu bindët shejtanit të mallkuar, kur ai ishte armiku juaj i qartë, i dukshëm dhe jua shfaqte haptazi armiqësinë e tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 36:59–36:67

- Dhe ju o keqbërës (mohues të besimit) ! Veçohuni sot (nga besimtarët) ! - Ndahuni nga besimtarët, që Allahu t'ju poshtërojë

para gjithë krijesave, përpara se të hyni në Zjarr. - A nuk ju pata paralajmëruar ju, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuronit shejtanin, sepse ai ishte armiku juaj i hapët? - A nuk ju kam këshilluar ju përmes profetëve? A nuk ju kam thënë: "... që të mos e adhuronit shejtanin, sepse ai ishte armiku juaj i hapët? Gjithmonë ju kam paralajmëruar që të mos i bindeni shejtanit dhe t'i shkoni pas atij!” Ky është një qortim për të gjitha llojet e mohimit dhe poshtërsive ndaj Zotit, sepse çdo mohim dhe poshtërsi ndaj Zotit konsiderohet si bindje ndaj shejtanit dhe si një lloj adhurimi i tij. Allahu e përshkruan të mallkuarin si "armiku juaj i hapur". Allahu gjithmonë ka paralajmëruar për rrezikun e bindjes ndaj shejtanit dhe mashtrimit të tij. Allahu tregon se çfarë synon ai i mallkuar dhe si është përfundimi i atyre që i shkojnë pas, duke u mashtruar nga ai. Nga ana tjetër, Allahu i ka urdhëruar që ta adhurojnë Atë si një të vetëm. Ai thotë: - dhe që të më adhuroni vetëm Mua... - Unë ju urdhërova që të më adhuroni vetëm Mua, duke përmbushur urdhëresat e Mia dhe duke u larguar nga ndalesat e Mia. - ...sepse kjo ishte rruga e drejtë? - Pikërisht adhurimi Im si Një i Vetëm, bindja ndaj Meje dhe refuzimi i bindjes ndaj shejtanit është rruga e drejtë. Të gjitha dituritë rreth rrugës së drejtë lidhen ngushtë me këto dy çështje: bindje ndaj Zotit dhe refuzim i shejtanit të mallkuar. Por ju, o njerëz, nuk iu përmbajtët premtimit ndaj Meje dhe as nuk punuat sipas porosive të Mia, por u miqësuat me armikun tuaj dhe i latë në duart e tij frerët e çështjeve tuaja. - Dhe ai çoi në humbje shumë prej jush. - Të shumta janë brezat që ai i mallkuar i ka humbur dhe devijuar. - A nuk e kuptonit atëherë? - A nuk keni logjikë, që të kuptoni se duhet t'i bindeni Zotit tuaj, i Cili është mbrojtësi dhe i dashuri juaj i vërtetë? Ai ju mëson dhe porosit që të ruheni e të mos bëni mik armikun tuaj më të urryer dhe të përbetuar. Nëse vërtet do të kishit logjikë, ju nuk do ta bënit atë. Nëse i bindeni shejtanit, ju do të armiqësoheni dhe i kundërviheni Rahmanit dhe do të mohoni takimin me Të. Por ta dini se do të vijë dita kur ju të ktheheni në vendin e shpërblimit dhe ndëshkimit dhe mbi ju do të bëhet i pashmangshëm vendimi i dënimit. Atë ditë do t'ju thuhet: - Ky është xhehenemi për të cilin ju jeni paralajmëruar. - Ky është Zjarri, që ju nuk e besuat. Tashmë, ju po e shihni haptas, me sytë tuaj. Sot do të mbushen me frikë e tmerr shpirtrat tuaj dhe sytë do t’ju mbeten hapur. Kjo është dita e tmerrit më të madh. Kështu do të vazhdojë frika t'jua mbushë zemrat, derisa të finalizohet gjithçka me urdhrin për t'ju flakur në Xhehenem. Atëherë do t’u thuhet: - Hyni sot në të, për shkak të mohimit tuaj! - Do të zhyteni në Zjarr, në mënyrë që flakët e tij t'ju rrethojnë dhe përpijnë trupin tuaj nga çdo anë. Kështu do të përvëloheni, për shkak se ju mohoni besimin e vërtetë dhe shenjat e Allahut. Ju nuk besoni profetët e Allahut dhe nuk pasoni rrugën e

tyre. Në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon për gjendjen e tyre në vendin e dëshpërimit: - Sot Ne do t'ua vulosim gojët. Por do të na flasin duart e tyre; ndërsa këmbët e tyre do të dëshmojnë për gjithçka që bënë. - Ata janë bërë memecë dhe nuk do të mundin të flasin asnjë fjalë. Ata nuk do të mund të mohojnë veprat e tyre, mosbesimin e gjynahet që kanë bërë. Diçka tjetër do të ndodhë atë ditë: "...do të na flasin duart e tyre; ndërsa këmbët e tyre do të dëshmojnë për gjithçka që bënë." Do të jenë gjymtyrët e tyre që do të dëshmojnë për gjithçka që kanë bërë. Allahu do t'i bëjë që të flasin dhe të dëshmojnë. - Sikur të kishim d ashur Ne mund t’ua kishim verbuar sytë. Atëherë ata do ta kërkonin rrugën, por si vallë do të mund ta shihnin? - Po të donim Ne, do t'ua fshinim fare sytë nga fytyra, ashtu siç ua hoqëm mundësinë për të folur. Në këtë gjendje, edhe nëse nxitojnë për të ecur në rrugën e vendosur nga Zoti për në Xhenet, nuk do të munden. Allahu i Madhëruar thotë: “Por si do të mund të shihnin? Si mund të hyjnë në rrugën e Xhenetit, nëse ua zhdukim sytë?!” - Sikur të kishim dashur Ne do t’i kishim shndërruar ata (në krijesa të tjera) në vendet e tyre dhe ata nuk do të mund të shkonin e as nuk do të mund të ktheheshin. - Do t'i bënim të paaftë për të lëvizur, domethënë, do t'i paralizonim, që të mos lëviznin e të arratiseshin nga Zjarri. Kuptimi është që këta mohues dhe keqbërës do të dënohen pashmangshmërisht dhe asgjë nuk do të mund t'u bëjë dobi. Vendimi i dënimit për ta ka marrë fund. Ata nuk mund të shpresojnë Xhenetin dhe as nuk mund të shpëtojnë nga Zjarri. Tashmë pranë këtyre është Zjarri, i cili është shfaqur, ndërsa rruga e vetme për në Xhenet është kalimi mbi Sirat, që mund ta kalojnë veçse besimtarët që kanë iman në zemrat e tyre. Besimtarët do të ecin me dritën e imanit të tyre. Ndërsa këta të mjerë nuk kanë premtim nga Allahu për shpëtim, prandaj nëse Ai dëshiron, ua fshin shikimet dhe i paralizon nga lëvizjet e tyre, e atëherë, edhe nëse dëshirojnë që të nxitojnë për të kaluar në Sirat, nuk do të munden ta bëjnë, sepse nuk mund të shohin. Nëse Allahu dëshiron, Ai ua largon edhe forcën për të lëvizur, dhe kështu ata nuk mund të bëjnë as para dhe as pas. Përfudimisht, kuptimi është që ata nuk do të mund të kalojnë në Sirat dhe të mund të shpëtojnë nga Zjarri.

← Ja Sin 36:59