36. Ja Sin · Ajeti 83 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 36:69–36:83
Pasi i panë dhe i përjetuan të gjitha argumentet mbi fuqinë e Zotit, jobesimtarët nuk deshën ta pranojnë të vërtetën, u përpoqën ta quajnë Muhammedin poet, e Kur'anin poezi, e nuk e dinin se ajo nuk i nevojitet Muhammedit. Ne ia shpallëm Kur'anin që me të të thërrasë ata që janë të gjallë, që kanë mendje e zemër të shëndoshë, e jo ata që të gjallë janë, por ndjenjat i kanë të vdekura.
Nuk i shikuan të mirat që ua dhuroi Zoti e ta falënderojnë, por adhuruan idhuj, të cilët vetë i gdhendën dhe vetë i ruajtën si ushtri, pse idhujt nuk mund ta ruajnë as veten, e lëre më të tjerët. Ubej ibni Halef vjen te Pejgamberi me një asht të mykur të njeriut dhe duke u tallur ia afron drejt Pejgamberit e i thotë: A mendon ti Muhammed se Allahu do të na ngjallë pasi të bëhemi si ky" Pejgamberi i tha: "Po, të ringjall ty dhe të fut në zjarri" është për t'u habitur prej njeriut që nuk e studion zanafillën e vet dhe u bën polemikë thënieve të Zotit. Për Zotin që krijoi gjithçka ekziston, nuk është vështirë t'i ringjallë njerëzit e vdekur. Ai nuk ka nevojë për ndonjë mund a përpjekje, pse sendin që e dëshiron, mjafton vetëm t'i thotë "Bëhu", ai bëhet, bëhet edhe pa i thënë fare "Bëhu". Njerëzit duke e krahasuar fuqinë dhe mundësinë e vet, gabojnë ndaj Zotit dhe u dukën të pamundshme çështjet për të cilat Ai ka thënë: Po.
Larg të metave që ia përshkruajnë kundërshtarët, është Allahu, sundimi i të cilit mbretëron mbi çdo send në gjithësi.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Jasinë. Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 36:81–36:83
Allahu i Lartësuar na nxit që të meditojmë rreth pushtetit të Tij të plotë dhe absolut, që duket qartë në krijimin e shtatë qiejve dhe shtatë tokave dhe të çdo krijese që ekziston në to dhe mes tyre. Allahu i Lartësuar na udhëzon që, nëpërmjet këtyre shenjave, që tregojnë për pushtetin e Tij të plotë dhe të pacenueshëm, të argumentojmë rreth vërte - tësisë së rikthimit të të vdekurve në jetë. Kështu, Ai i Cili krijoi këto krijesa madhë - shtore është i Plotpushtetshëm që t’i rikthejë në jetë, pas vdekjes së tyre. Allahu të Lartë - suar thotë: “S’ka dyshim se krijimi i qiejve dhe i Tokës është çështje më e madhe se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” [Gafir 57]. Ndërsa në këto ajete, i Lartësuari thotë: - “A nuk mundet Ai, që krijoi qiejt e Tokën, t'i rikrijojë ata?” - Pra, t’i rikrijojë njerëzit dhe t’i rikthejë ata në jetë, ashtu sikurse i solli në jetë nga hiçi. Kjo i ngjan ajetit tjetër: “A nuk e dinë ata se Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën dhe nuk u lodh me krijimin e tyre, është i Plotfuqishëm që t’i ngjallë të vdekurit?! Po, Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.” [Ahkaf 33]. - “Po, Ai është Krijuesi, i Gjithëdituri. Kur Ai dëshiron diçka, mjafton vetëm të thotë: “Bëhu!”, - dhe ajo menjëherë bëhet.” - Pra, Ai thjesht urdhëron për diçka vetëm një herë, urdhër që nuk ka nevojë të përsëritet apo të përforcohet, dhe ajo menjëherë realizohet dhe përmbushet, ashtu siç e dëshiron Ai. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Dheri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti i Allahut përcjell se Allahu i Lartësuar ka thënë: 2241. “O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni gabimtarë, përveç atyre që unë i kam mbrojtur dhe ruajtur, prandaj më kërkoni falje, që t’jua fal dhe mbuloj gabi - met! Të gjithë ju jeni të varfër, përveç atij që Unë e kam pasuruar. Unë jam Bamirësi i Madh dhe veproj gjithçka që dëshiroj. Dhënia Ime është thjesht e vetëm një fjalë! Edhe ndëshkimi Im është thjesht e vetëm një fjalë! Nëse unë dëshiroj diçka, mjafton t’i them asaj “bëhu”, dhe ajo menjëherë bë - het.” 212 Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë:
- “I madhëruar qoftë Ai, në dorën e të Cilit është pushteti mbi gjithçka! Vetëm tek Ai do të ktheheni. ” - Allahu qoftë i lartësuar dhe i madhëruar! Çdo gjë dëshmon pastërtinë dhe lartësinë e Tij nga çdo mangësi dhe e metë, nga çdo e keqe dhe ligësi. Ai është i Gjallë dhe i Përjetshëm. Në dorën e Tij është pushteti i qiejve dhe i Tokës. Tek Ai kthehen të gjitha çështjet dhe Atij i takon krijimi, gjykimi dhe sundimi mbi gjithçka. Tek Allahu do të kthehen robërit në Ditën e Premtuar dhe Ai do të shpërblejë çdo njeri sipas punës së vet. Ai është i Drejti, Bamirësi, Bujari, i Cili dhuron shumë me mirësinë e Tij. Vëreni me kujdes në ajet fjalën “ melekût”, që është e ngjashme me fjalën mulk. E njëjta fjalë është përdorur edhe në ajetin tjetër: “Thuaj: “Në dorën e kujt është pushteti ( melekût) për gjithçka?” [Muminun 88]. Ndërsa në suren Mulk është përdorur fjala ‘ mulk’: “I Madhëruar është Ai, në dorën e të Cilit është i tërë sundimi (el mulk)! Ai i Cili është i Plotpushtetshëm për gjithçka.” [Mulk 1]. Fjalët El Mulk dhe El-Melekut janë sinonimike, ashtu Raĥmeh ue Raĥamût (mëshirë) dhe Rahbeh ue Rahabût (frikë) dhe Xhebr ue Xheberût, pra, janë fjalë që përcjellin të njëjtin kuptim. Disa prete - ndojnë se el mulk ka të bëjë me botën e trupave, ndërsa el melekut ka të bëjë me botën e shpirtrave. Sidoqoftë, mendimi i parë është më i saktë, domethënë, janë fjalë me të njëjtin kuptim. Ky është mendimi që kanë përzgjedhur shumica e mufesirëve dhe shumë dijetarë të tjerë. Ebu Daudi sjell hadithin nga Auf Ibn Malik el Eshxhei (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili rrëfen: 2242. “U fala një natë me të Dërguarin e Allahut. Ai lexoi suren Bekare. Sa herë që kalonte një ajet ku përmendej mëshira e Zotit, ai ndalonte dhe lutej (për mëshirën e Tij) dhe sa herë që kalonte në një ajet ku përmendej ndëshkimi, ai ndalonte dhe kërkonte mbrojtje nga Allahu i Lartësuar. Pastaj, - vijon të tregojë Aufi - ai ra në ruku dhe qëndroi pothuajse aq gjatë, sa qëndrimi në këmbë. Në ruku tha: “ Subhane dhil xheberuti uel melekuti uel Kibrijai uel Adhameh!” (I dëlirë e larg çdo të mete është Ngadhënjimtari, Gjithësunduesi, Krenari, i Madhërishmi!). Pastaj ra në sexhde dhe qëndroi ashtu pothuajse aq sa qëndroi në këmbë. Në sexhde tha të njëjtën lutje. Pastaj u ngrit dhe lexoi suren Al Imran. Pastaj lexoi sure të tjera njëra pas tjetrës.” Kështu e sjell Tirmidhiu në ‘ Shemail’, ndërsa Nesaiu e sjell të ngjashëm me këtë version nga Muavije Ibn Salihut. Ky është fundi i shkurtimit të tefsirit të sures Jasin. Vetëm Allahut i takon lavdërimi, mirënjohja dhe falënderimi për çdo mirësi, që na ka dhuruar!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 36:77–36:83
Në këto ajete jepet një nga dyshimet që hedhin ata që e mohojnë vërtetësinë e ringjalljes, por edhe përgjigjja ndaj tyre me formën më të mirë, më të bukur, më të qartë e më të kuptueshme. Allahu i Lartësuar thotë: - A nuk e sheh njeriu se Ne e krijuam atë prej një pike (fare)? Por, ja! Ai bëhet një kundërshtar i hapur. A nuk e sheh ai që e mohon vërtetësinë e ringjalljes dhe është në dyshim rreth saj se si Allahu e filloi krijimin? Kjo është një çështje që, nëse mendon rreth saj, do të arrije siguri të plotë rreth ringjalljes dhe vërtetësisë së saj. Le të mendojë njeriu se si e krijon Allahu njeriun, duke e nisur krijimin nga një pikë lëngu, të cilën Ai e kalon nga një gjendje në tjetrën, derisa njeriu forcohet dhe plotësohet fuqia e tij trupore dhe mendore. Por kur atij i kërkohet që të pendohet dhe të ndjekë rrugën e Zotit, "ai bëhet një kundërshtar i hapur." Ai tregohet kryeneç dhe arrogant, edhe pse fillesa e tij është nga një pikë lëngu. Le të shohë njeriu ndryshimin mes këtyre dy rasteve dhe të bindet se Ai që e krijoi dhe e bëri të jetë kur nuk ishte fare, është i plotfuqishëm që ta rikthejë në jetë edhe pasi të jetë tretur dhe shpërndarë nëpër tokë, dhe kjo është edhe më e thjeshtë dhe më e pranueshme logjikisht. - Dhe Ai (njeriu) bën krahasime për Ne dhe e harron se si është krijuar. Ai thotë: “Kush i ngjall eshtrat pasi të jenë kalbur? “ Ai na solli një shembull, gjë që askush nuk duhet ta bëjë, sepse është gabim i madh që të gjykosh duke krahasuar fuqinë e Krijuesit me atë të krijesës. Sipas kësaj logjike, ajo që është e pamundur për forcën e krijesës është e pamundur edhe për fuqinë dhe pushtetin e Zotit! Kjo është e gabuar dhe e papranueshme. Ai njeri solli këtë shembull: “Kush i ngjall eshtrat pasi të jenë kalbur? A ka ndonjë që mund t'i ringjallë? Kjo është një pyetje mohuese, që e mohon këtë mundësi kategorikisht. Domethënë, sipas saj, askush nuk mund t'i risjellë në jetë kockat, pasi janë tretur ose bërë pluhur. Meqenëse kjo është e pamundur për krijesat, atëherë duhet të jetë e pamundur edhe për Allahun. Por këto fjalë tregojnë se njeriu është fare i pavëmendshëm rreth fillesave të krijimit të tij. Nëse do të mendonte për faktin që Zoti e krijoi kur njeriu nuk ekzistonte fare, nuk do të sillte një shembull të tillë. Megjithatë, Allahu i Madhëruar jep për këtë dyshim një përgjigje të plotë e shteruese. Ai thotë: - Thuaj: “Do t'i ngjallë Ai që i krijoi për herë të parë."! - Mjafton të mendosh për këtë përgjigje, për të krijuar siguri të plotë, që nuk të le asnjë dyshim se, Ai që e krijoi njeriun herën e parë është i plotfuqishëm për ta rikthyer edhe njëherë në jetë. Madje, nëse logjikon, kjo është më e thjeshtë. - Ai, për çdo krijim, është i Gjithëditur. - Edhe kjo është një cilësi tjetër e Allahut, që tregon se Ai ka fuqi të rikthejë në jetë të vdekurit. Ai është i Gjithëditur për të gjitha krijesat e Tij, në të gjitha gjendjet e tyre, në të gjitha kohët. Ai e di mirë se çfarë ha toka
nga trupat e të vdekurve dhe çfarë lë pa tretur. Ai e di mirë atë që fshihet dhe atë që shfaqet. Nëse robi e pranon se Allahu ka këtë dituri të gjerë, atëherë e kupton se Ai është shumë madhështor dhe i plotpushtetshëm për të ringjallur të vdekurit nga varret e tyre. Dituria e Tij është shumë më e madhe sesa thjesht ringjallja nga varri i të vdekurve. Pastaj Allahu i Madhëruar përmend edhe një argument të tretë: - Ai nxjerr për ju zjarrin prej drurit të gjelëbr dhe ja, ju prej tij (drurit) ndizni (zjarre)”. Ai që e bën të dalë zjarr i nxehtë nga druri i njomë, edhe pse këto janë dy gjëra të kundërta dhe përjashtojnë njëra tjetrën, edhe për ringjalljen e të vdekurve ka fuqi dhe pushtet të plotë. Pastaj përmendi një argument të katërt: - A nuk mundet Ai, që krijoi qiejt e tokën t'i rikrijojë ata (njerëzit)? - A nuk është i Plotfuqishëm Ai që i krijoi qiejt e tokën me gjithë gjerësinë dhe madhështinë e tyre, që t’i rikrijojë ata (njerëzit) ashtu siç ishin? Po, pa dyshim, Ai është i Plotfuqishëm dhe ka pushtetin për këtë, sepse krijimi i qiejve dhe i Tokës është më i madh se krijimi i njerëzve. - Po, Ai është Krijuesi, i Gjithëdituri. Edhe ky është një argument, madje, i pesti i sjellë në këtë ajet. Ai është Krijuesi madhështor dhe çdo krijesë, nga i pari, deri tek i fundit, të gjitha janë gjurmë të krijimit, pushtetit dhe fuqisë së Tij. Nuk ka ndonjë gjë që të jetë e vështirë të krijohet nga Zoti. Çdo gjë që e dëshiron ta krijojë, Ai e krijon pa më të voglën vështirësi. Rikthimi i krijesave është thjesht një prej gjurmëve të krijimit dhe pushtetit të Tij. - Kur Ai dëshiron diçka, mjafton vetëm të thotë: “Bëhu!” Dhe ajo menjëherë bëhet. -Fjala ‘diçka’ këtu përfshin çdo gjë pa përjashtim, sipas rregullave të gjuhës arabe. Kuptimi është: Çdo gjë pa përjashtim, nëse Ai dëshiron që të jetë, ajo do të jetë. Mjafton që t’i thotë: “Bëhu!”, e ajo menjëherë bëhet, pa asnjë pengesë dhe vështirësi. - I madhëruar qoftë Ai në dorën e të Cilit është pushteti mbi gjithçka! - Ky është argumenti i gjashtë. Allahu është Pronari dhe Mbretëruesi i gjithçkaje. Çdo krijesë në botën e sipërme dhe atë të poshtme është pronë dhe nën sundimin e Tij. Të gjithë janë rob e të nënshtruar nën pushtetin e Allahut dhe Ai vepron dhe administron veprat e tyre, me caktimin dhe urtësinë e Tij të krijimit, me ligjet e Tij të Sheriatit. Mbi ta zbatohen edhe ligjet e Tij të shpërblimit dhe ndëshkimit. Ringjallja e tyre për t'u zbatuar mbi ta rregullat e Tij të shpërblimit dhe ndëshkimit është domosdoshmëri e sundimit dhe mbretërimit të Tij absolut, me të cilin është përshkruar. - Dhe vetëm tek Ai do të ktheheni ju (për tu gjykuar dhe shpërblyer me drejtësi). - Për këtë nuk duhet të ketë asnjë dyshim, sepse argumentet janë të plota dhe të qarta. I lavdëruar dhe i Lartësuar qoftë Allahu, që e bëri fjalën e Tij qartësuese të gjithçkaje, shërim dhe dritë! Këtu përfundon tefsiri i sures Ja Sin. Allahut i qoftë lavdërimi, ashtu siç e meriton madhështia e Tij! Ai qoftë i përlëvduar, ashtu siç e meriton Lartësia e Tij! Ai qoftë i Madhëruar, siç e meriton Madhëria e Tij!