37. Safat · Ajeti 148 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 37:114–37:148
Pas rrëfimit për Ibrahimin, i cili edhe quhet babai i pejgamberëve, sepse në mes të Nuhut e Ibrahimit, që thuhet se ishte një periudhë prej dy mijë e gjashtëqind e katërdhjetë vjetësh, përmenden vetëm dy pejgamberë, Hudi dhe Salihu, e gjithashtu edhe para Nuhut, përmenden: Ademi, Idrisi, Shiti, numri më i madh i pejgamberëve duket se rrjedhin prej pasardhësve të Ibrahimit: bëhet një rrëfim i shkurtër edhe për disa pejgamberë si: Musai, Haruni, Iljasi, Luti dhe Junusi.
Populli i Iljasit adhuronte një idhull të madh dhe e quanin Ba'l, e vendi ku gjendej quhej Bekk, dhe ashtu, edhe tash ai vend quhet ""Ba'lebekkë" gjendet diku në Lindjen e Afërt, atëherë ishte territor i Shamit.
Për Junusin thuhet se i pezmatuar, përse nuk i erdhi ndëshkimi popullit që e përgënjeshtroi, u largua prej tij në një bregdet, aty hasi në një anije të mbushur përplot. Erërat dhe valët e detit e tronditën anijen, drejtuesit e anijes thanë se aty është një njeri që ka ikur prej zotëriut të Vet, ai duhet ta hedhë veten në ujë për të shpëtuar anija pa u fundosur. Në mes tyre u hodh shorti dhe i ra Junusit, e ai kërceu në det, por e kapi peshku, kuptohet e dinte veten se kishte gabuar. Mirëpo, derisa ai kishte qenë njeri shumë adhurues ndaj Zotit, Madhëria e Tij e urdhëron peshkun dhe ai e hedh në breg. Vendi ku del ai ishte viran, pa asnjë bimë, e ai ishte i molisur, për ta shpëtuar nga vapa dhe nga mizat, Zoti bën që të mbijë një bimë nga familja e kungullit, që ka hije të dendur dhe mizat nuk i afrohen dhe ashtu e shpëton.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 37:139–37:148
- “Edhe Junusi qe nga të dërguarit Tanë.” - E kemi përmendur hollësisht historinë e Junusit në suren Enbija. Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Profeti i Allahut , se ai ka thënë: 2252. “Askujt prej njerëzve nuk i takon të thotë: “Unë jam më i mirë se Junus Ibn Metta.” - “Kujto kur ai vrapoi (si një rob i arratisur) drejt anijes. që ishte e mbushur plot e përplot (me udhëtarë)!” - Anija ishte e mbushur plot e përplot me mallra dhe njerëz. - “Dhe hodhi short , por humbi .” - Ata hodhën në short dhe atij i ra shorti për t’u hedhur në det. Arsyeja ishte se anija po lëkundej fort nga dallgët e detit dhe pasagjerët e saj ishin në rrezik mbytjeje. Kështu, ata vendosën që të lehtësonin peshën e anijes, duke hedhur në det një pjesë të ngarkesës. Shorti i ra tri herë Junusit (a.s), Profetit të Allahut. Atëherë, ai u zhvesh dhe u hodh vetë në ujë. Kur ra në det, atë të e gëlltiti peshku, të cil in Allahu i Lartësuar e urdhëroi që të mos ia prekte mishin dhe të mos ia thyente kockat. - “Atë e gëlltiti peshku i madh dhe e meritoi atë dënim. ” - Junusi zuri vend në barkun e peshkut dhe mendoi në fillim se kishte vdekur. Por më pas ai lëvizi kokën, shtriu këmbët dhe gjymtyrët dhe kuptoi se ishte akoma gjallë. Atëherë u ngrit dhe fali namaz në barkun e peshkut. Mes lutjeve që bëri gjatë faljes ishte edhe: “O Zot! Unë po të falem në një vend, gjë që asnjë njeri nuk e ka bërë!” Kanë ardhur mendime të ndryshme në lidhje me kohëzgjatjen e që - ndrimit të tij në barkun e peshkut. Muxha - hidi ka thënë se peshku e gëlltiti paradite dhe e nxori jashtë në mbrëmje. Ka edhe mendime të tjera, por Allahu e di më mirë. - “E sikur të mos kishte qenë prej atyre që e madhërojnë shumë Zotin (me tesbih), ai do të mbetej në barkun e peshkut deri në Ditën e Ringjalljes. ” - Domethënë, sikur të mos ishte prej atyre që falin namaz. Ndërsa të tjerë, duke shpjeguar këtë ajet, kanë thanë se bëhet fjalë pikërisht për lutjen që bëri Junusi, të cilën na e tregon Allahu Krenar dhe i Lartësuar, kur thotë: “ Por në thellësitë e errësirës, ai tha: “Nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Teje. Qofsh i lavdëruar! Unë i bëra vërtet, padrejtësi vetes sime!” Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga trishtimi. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.” [Enbija 87, 88]. Imam Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Jezid Er -Rikashi, se ai e ka dëgjuar Enes Ibn Malikun, - dhe besoj që Enesi ia atribuon këtë hadith Profetit të Allahut, - se: 2253. “Junusi (paqja e Zotit qoftë mbi të!),
kur ishte në barkun e peshkut, bëri këtë lutje: “Lâ ilâhe il-lâ Ente! Subĥâ-neke! Inni kuntu minedh-dhâlimin!” (Nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Unë i bëra vërtet, padrejtësi vetes sime!). Kjo lutje u ngjit lart dhe vajtonte pranë Arshit të Zotit. Melekët, që dëgjuan tesbihun e tij, thanë: “O Zoti ynë, ne dëgjojmë një zë të dobët, që vjen nga një vend i çuditshëm!” Atëherë, Allahu i Lartësuar tha: “A nuk e njihni këtë?” Ata thanë: “O Zot, kush është ai?”. Allahu Krenar dhe i Lartësuar tha: “Ai është robi dhe adhuruesi im, Junusi.” Melekët thanë: “Junusi, veprat e të cilit ngjiteshin vazhdimisht tek Ti? Atij që i ngjiteshin lart lutjet e përhershme? O Zot, mëshiroje për shkak të atyre punëve të mira, që i bënte në kohë mirësie dhe shpëtoje tani, në këtë moment vështirësie!” Atëherë Zoti tha: “Po.” Dhe urdhëroi peshkun për ta hedhur në një vend të shkretë.” 219 - “Ne e nxorëm atë në një breg të zhveshur e të shkretë, ashtu të sëmurë. ” - E hodhëm në një vend, ku nuk kishte bimësi, ndërkohë që ai ishte i sëmurë, i dobët në trup, ngjashëm me foshnjën në momentin që lind. - “Dhe bëmë që të mbijë pranë tij një bimë kungulli. ” - Ibn Mesudi, Ibn Abasi dhe të tjerë shpjegojnë se ‘ Jaktin’ është kungulli. Disa kanë përmendur disa dobi të kungullit, mes të cilave edhe mbirja dhe rritja e tij e shpejtë, si edhe hija që krijojnë gjethet e tij të mëdha. Po ashtu, pranë tij nuk afrohen mizat dhe insektet e dëmshme. - “Pastaj, Ne e dërguam atë (me detyrë) te njëqind mijë e më shumë (njerëz) ...” - Ibn Xheriri sjell hadithin nga Ubej Ibn Kaabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që rrëfen se ai e ka pyetur Profetin e Allahut rreth këtij ajeti e pikërisht rreth fjalës “e më shumë” dhe ka thënë: 2254. “Njëzet mijë më shumë.” - “Dhe ata i besuan.” - I gjithë populli ku u dërgua Junusi (paqja e Allahut qoftë mbi të!) e besoi dhe e pasoi atë. - “Ne i lamë të jetonin për një kohë. ” - Domethënë, deri fundin e jetës së tyre. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Përse nuk pati ndonjë vend, banorët e të cilit të besonin dhe t’u bënte dobi besimi i tyre, përveç popullit të Junusit? Kur ata besuan, Ne ua larguam dënimin poshtërues në jetën e kësaj bote dhe i lejuam të jetojnë deri në një afat të caktuar.” [Junus 98].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 37:139–37:148
- Edhe Junusi qe nga të dërguarit Tanë. - Allahu i Madhëruar e lëvdon adhuruesin dhe Profetin e Tij të dashur, Junusin të birin e Metteas ashtu siç lëvdoi edhe vëllezërit e tij profetë. Ai e dalloi atë duke e bërë profet dhe e ngarkoi me misionin që të ftonte njerëzit në rrugën e Allahut. Allahu i Madhëruar na tregon se Junusi kaloi një sprovë, por Ai e shpëtoi për shkak të imanit të çiltër dhe për shkak të veprave të tij të mira. - Kujto kur ai vrapoi (si një rob i aratisur) drejt anijes që ishte e mbushur plot e përplot (me udhëtarë)! Dhe hodhi short (me udhëtarët se kush duhej flakur nga anija), por humbi (ndaj e hodhën në det). - Junusi u largua, duke bërë kështu një vepër që Zoti nuk e donte. Ai mendoi se Zoti nuk do ta ndëshkonte për të. Allahu i Madhëruar nuk na ka treguar se çfarë vepre bëri Junusi, që Ai nuk e pëlqeu, sepse, me sa duket, është e panevojshme; në të kundërt, do të na kishte njoftuar. E rëndësishme në gjithë këtë histori është se Junusi bëri një gabim, për të cilin Zoti i dha një mësim të mirë, edhe pse ai ishte nga profetët e Tij të nderuar. Sidoqoftë, Allahu e shpëtoi, pas këtij mësimi që i dha, dhe largoi nga ai çdo vuajtje. Allahu i Madhëruar bëri të mundur që më pas të ndodhnin shumë gjëra të mira, që do të rregullonin gjendjen e Profetit. Kur Junusi u largua, shkoi në një anije, e cila, siç thotë Zoti: "ishte e mbushur plot e përplot (me udhëtarë) ”, pra, ishte e tejmbushur me njerëz. Kur panë se anija ishte tej mase e rënduar dhe në rrezik për t’u mbytur të gjithë, njerëzit vendosën që ta lehtësonin peshën e saj duke hedhur në det disa nga udhëtarët. Duke qenë se nuk mund ta zgjidhnin se kë do të hidhnin, ata vendosën ta bënin me short. Kujt t’i binte shorti, do të hidhej në det. Kur Allahu i Lartësuar dëshiron diçka, i lehtëson rrugën e realizimit të saj. Allahu tha: "... Dhe hodhi short (me udhëtarët se kush duhej flakur nga anija), por humbi (ndaj e hodhën në det)." Pra, shorti i ra Junusit (a.s), dhe kështu ata e hodhën në det. - Atë e gëlltiti peshku i madh dhe e meritoi atë dënim. - Një peshk i madh e gëlltiti Junusin pikërisht sepse ai kishte bërë një vepër që kishte zemëruar Zotin. Por Allahu i Lavdëruar thotë: - E sikur të mos kishte qenë prej atyre që e madhërojnë shumë Zotin (me tesbih), Ai do të mbetej në barkun e peshkut deri në Ditën e Ringjalljes. - Më parë, Junusi kishte qenë adhurues i mirë dhe e lavdëronte Allahun me tesbih dhe tahmid. Madje, edhe në barkun e peshkut të madh, ai lutej me përgjërim e pendim: "(Kujto) Edhe Dhen -nunin (Junusin) kur iku i zemëruar (prej popullit të tij) dhe mendoi se nuk do ta dënonim! Por, në thellësitë e errësirës, ai tha: “Nuk ka Zot tjetër (të denjë
për adhurim) përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Unë i bëra padrejtësi vetes sime!” Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga trishtimi. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët." [Junus 87, 88]. Nëse nuk do të kishte bërë vepra të mira dhe të sinqerta më parë: "Ai do të mbetej në barkun e tij (peshkut) deri në Ditën e Ringjalljes." Ai peshk do të ishte varri i tij, por Allahu e shpëtoi pikërisht për adhurimet e tij të sinqerta dhe lavdërimet e shumta për Të. Kështu i shpëton Allahu besimtarët e sinqertë, kur ata bien në vështirësi. Gjynahet e tyre nuk e bëjnë Allahun të harrojë mirësitë, adhurimet dhe sinqeritetin e tyre. - Ne e nxorëm atë në një breg të zhveshur e të shkretë, - Peshku e hodhi në një tokë të shkretë, ku nuk banonte askush, dhe ndoshta ishte e shkretë edhe nga bimësia dhe pemët, pra, që nuk mund të gjeje asnjë hije ku të fusje kokën. - ashtu të sëmurë. - Junusi ishte në një gjendje shumë të rëndë, i sëmurë dhe i lënduar thellë në shpirt. Ai ishte i dëmtuar në trup për shkak të qëndrimit të gjatë në barkun e peshkut. Ai dukej si një zog i vogël i sapodalë nga veza. - Dhe bëmë që të mbijë pranë tij një bimë kungulli. - Kjo i mundësoi që të kishte hije të gjerë dhe që t'i mbante larg insektet dëmtuese. Kështu po dukeshin mëshira dhe përkujdesi i Zotit, pas këtij mësimi të mirë. Pasi e shëroi dhe u kujdes për të, Allahu i Madhëruar vijoi ta plotësonte mirësinë e Tij ndaj Junusit, Profetit të tij të dashur, të cilin dëshiroi ta mësonte dhe edukonte. - Pastaj, Ne e dërguam atë (me detyrë) te njëqind mijë e më shumë (njerëz) - Ai e dërgoi si profet në një popull që ishte më shumë se 100 mijë njerëz. Kjo ishte një ndër mirësitë më të mëdha që Allahu i Lartësuar i dhuroi Junusit. - dhe ata i besuan. - Të gjithë ata e besuan dhe e pasuan Junusin, dhe kështu ata do të përfshihen në peshoren e tij të mirësive. - Ne i lamë të jetonin për një kohë. - Zoti e largoi dënimin nga populli i Junusit, edhe pse ai gati sa nuk u ra. I Lartësuari thotë: "Përse nuk pati ndonjë vend, banorët e të cilit të besonin dhe t’u bënte dobi besimi i tyre, përveç popullit të Junusit? Kur ata besuan, Ne ua larguam dënimin poshtërues në jetën e kësaj bote dhe i lejuam të jetojnë deri në një afat të caktuar." [Junus 98.]