37. Safat · Ajeti 161 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 37:149–37:182

Pas rrëfimit për pejgamberët dhe për ndëshkimet që i përjetuan popujt e padëgjueshëm, përshkruhet qëndrimi i idhujtarëve mekas, të cilët shpifnin trillime se gjoja engjëjt janë bija të Zotit, se Zoti ka fëmijë, se në mes Zotit dhe engjëjve (ose xhinëve ekziston një lloj lidhmërie farefisnore ose lidhmëri miqësore. Zoti xh. sh. përmes Kur'anit sjell argumente bindëse, të cilat edhe në mënyrë logjike mposhtin thëniet e trilluara të idhujtarëve.

E Së pari ata thonin se engjëjt janë femra, e Zoti ju thotë se ju nuk ishit prezentë kur Unë i krijova engjëjt, andaj ju nuk dini asgjë, vetëm se shpifni. Ju shpifni edhe kur thoni se Zoti i vlerësoi vajzat më shumë se djemtë, e Zoti ju thotë, a fakt për çka thoni, sillnie librin dokumentues që po u mëson ashtu.

Përpjekjet e idhujtarëve me idhujt e tyre janë të kota, pse besimtarin e sinqertë ata nuk mund ta sprovojnë me ato thënie, përveç atyre që janë të përgatitur për xhehenem.

Engjëjt janë krijesa të Zotit, që siç thonë ata vetë: secili prej nesh e dimë dhe e kemi të caktuar detyrën dhe për zbatimin e saj gjithnjë jemi të rreshtuar duke madhëruar Zotin fuqiplotë prej shpifjeve që ia mveshin idhujtarët.

Para se të kishin libër, arabët idhujtarë thoshin se sikur të kishim pasur ndonjë nga librat e shpallur më herët, ne do të ishim besimtarë të sinqertë, por gënjeshtra e tyre u zbulua kur erdhi Kur'ani, sepse po ata të njëjtit e mohuan.

Ndihma e Zotit ndaj pejgamberëve, ndaj besimtarëve është e garantuar qysh herët, andaj i thuhet pejgamberit tonë: "Hiqu tyre se edhe ti edhe ata keni për ta parë premtimin e Allahutt"

Prej Sha'biut mursel e prej Aliut merfuë, thuhet se Pejgamberi ka thënë: "Kush dëshiron shpërblimin me peshë më të madhe, le t'i thotë në fund të lutjes së tij këto tri ajete... Subhane rabike..."

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Es Safati". Falënderuar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 37:161–37:170

Allahu i Lartësuar u drejtohet idhujtarëve dhe u thotë: - “As ju dhe as ata që ju adhuroni nuk mund ta çojnë në humbje askënd, përveç atyre që do të hidhen në Xhehenem. ” - Pra, të tilla fjalëve e besimeve të kota, si edhe adhurimeve të pavlefshme, që ju u drejtoni idhujve tuaj, u nënshtrohen dhe i pasojnë veçse ata që janë edhe më të humbur se ju dhe që, sikurse ju, janë krijuar që të jenë banorë të Zjarrit. Allahu i Lartësuar i përshkruan ata dhe thotë: “Shumë janë xhindët dhe njerëzit që Ne i bëmë për Xhehenem. Ata kanë zemra, me të cilat nuk kuptojnë, kanë sy, me të cilët nuk shikojnë dhe kanë veshë, me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, madje edhe më të humbur. Këta janë ata që shpërfillin paralajmërimet (e Zotit). ” [Araf 179]. Vetëm të tillët iu nënshtrohen besimeve të kota e idhujtarive, siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Ju vërtet jeni zhytur në gjithfarë mendimesh kontradiktore. Nga ai largohen ata që shpërfillin të Vërtetën. Mallkuar qofshin gënjeshtarët, ata që janë të zhytur në humbje dhe në çoroditje!” [Dhaijat 8 - 11]. Këta janë ata të cilët devijojnë dhe zgjedhin rrugën e humbjes : çdo i mashtruar që ndjek kotësirat. Në vijim, duke treguar pastërtinë e melekëve nga të tilla besime që u atribuohen atyre, se ata na qenkëshin bijat e Allahut, i Lartësuari na tregon këto fjalë të melekëve, që thonë: - “Çdonjëri prej nesh ka një pozicion të caktuar.” - Secili prej nesh ka një vend të posaçëm në qiejt e lartë dhe secili është i përkushtuar në atë pozicion, me detyra që nuk i tejkalon. Ibn Asakiri përcjell nga El - Ala’ Ibn Seadi, njëri ndër ata që i dhanë besën Profetit ditën e çlirimit të Mekës, se Profeti i Allahut u tha një ditë shokëve me të cilët ishte ulur: 2255. “Qielli po kërcet dhe e meriton që të kërcasë, sepse nuk ka asnjë pëllëmbë vend në të, që të mos ketë një melek, i cili qëndron në ruku ose në sexhde.” Pastaj Profeti ﷺ lexoi “Çdonjëri prej nesh ka një pozicion të caktuar. Ne qëndrojmë në rreshta dhe ne e lavdërojmë Atë me tesbih”. Ibn Ebu Xhurajxhi përcjell se Uelid Ibn Ebu Abdullah Ibn Ebu Mugithi ka thënë: “Njerëzit nuk vendoseshin në rreshta gjatë namazit, derisa zbriti ajeti: “Ne qëndrojmë në rreshta”. Pra, qëndrojmë në

safe, në bindje ndaj Allahut, siç e përmendëm në shtjellimin e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Betohem në ata (melekët), që rrinë në rreshta.”. Ebu Nadrate tregon se Umer Ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) drejtohej nga njerëzit dhe thoshte: “Drejtoni safet tuaja dhe drejtohuni kur qëndroni në këmbë në namaz! Allahu i Lartësuar dëshiron të shikojë që të zbatohet nga ju udhëzimi dhe vepra e melekëve.” Pastaj këndonte (ajetin): “Ne qëndrojmë në rreshta ...” dhe udhëzonte: “Sprapsu pak, o filan! Dil pak më përpara, o filan!” Pastaj bënte tekbirin e parë të namazit.” Ibn Abasi dhe Muxhahidi, duke shpjeguar ajetin: “Çdonjëri prej nesh ...”, kanë thënë: “Ai bën fjalë për melekët.” Edhe ajeti: “ Ne qëndrojmë në rreshta”, bën fjalë për melekët. Edhe në fjalën e Tij: “Ne e lavdërojmë Atë me tesbih”, flitet për melekët. Pra, janë melekët që i bëjnë tesbih Allahut Krenar dhe të Lartësuar.” - “Dhe kishte nga ata që thoshin: "Sikur të kishim pasur ndonjë libër nga të parët, ne, me siguri do të kishim qenë robër të sinqertë të Allahut." - Përpara se t’ju vinte Profeti i Zotit me Librin e Allahut, populli i tij pretendonin se, nëse do të kishin edhe ata ndonjë libër të zbritur me urdhrin e Zotit, ata do ta ndiqnin atë dhe do të ishin adhurues të sinqertë të Allahut. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Ata u betuan me betimin më të fortë në Allah se, nëse do t'u vinte ndonjë profet, ata do të ishin më të udhëzuar se çdo popull tjetër. Por, kur atyre u erdhi Profeti, kjo u shtoi veçse largimin, për shkak të mendjemadhësisë dhe të dredhive të tyre për të keqen. Por dredhia për të keqen nuk godet askënd tjetër, veç atyre që e kurdisin. ...” [Fatir 42, 43]. Ose: “Me të vërtetë, edhe ky është një Libër, të cilin Ne e zbritëm si bekim. Përmbajuni mësimeve të tij dhe të jini të devotshëm që të mëshiroheni, që të mos thoni: “Libri iu zbrit vetëm dy popujve para nesh, kurse ne nuk dinim gjë për librat dhe mësimet e tyre.” Si dhe të mos thoni: “Sikur Libri të na kishte zbritur neve, do ta kishim ndjekur udhëzimin e tij edhe më mirë se ata.” Tani që ju erdhi nga Zoti juaj një argument i qartë dhe një udhëzim e mëshirë, kush është më keqbërës se ai që i mohon argumentet e Allahut dhe ua kthen shpinën atyre? Ne do t’i godasim me ndëshkimin më të rëndë ata, që ua kthejnë shpinën argumenteve Tona dhe që pengojnë nga rruga e drejtë.” [En’am 155 - 157]. - “Ata e mohojnë atë, por shpejt do ta mësojnë.” - Ky është një kërcënim i ashpër dhe paralajmërim i frikshëm për ndëshkimin e madh, për shkak të mohimit që ata treguan ndaj Zotit të tyre Krenar dhe të Lartësuar, për refuzimin e Profetit të Allahut dhe për mospranimin e Shpalljes së Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 37:161–37:163

Mësojeni dhe nguliteni mirë në mendje, o idhujtarë, se as ju dhe as ajo që ju adhuroni veç Allahut nuk mund që të devijoni dhe të largoni nga drita e Allahut askënd, veçse nëse Allahu e ka përcaktuar dhe e ka vendosur diçka të tillë. Vetëm ata që Zoti i ka vendosur më parë se do të jenë banorë të Zjarrit, vetëm ata janë të humbur, sepse udhëzimi dhe humbja janë tërësisht në dorë të Allahut dhe idhujtarët janë të pafuqishëm që të humbasin e të devijojnë dikë pa lejen dhe urtësinë e Allahut. Kjo tregon mangësinë e idhujve, nga njëra anë, dhe pushtetin e plotë të Allahut, nga ana tjetër. Për këtë arsye, as të mos ju shkojë ndër mend se mund të devijoni adhuruesit e Tij të sinqertë, që Ai i ka zgjedhur për Veten e vet. Ata janë "muflihin", pra, do të arrijnë çdo të mirë dhe do të shpëtojnë nga çdo e keqe, si në dynja, edhe në ahiret.

← Safat 37:161