37. Safat · Ajeti 182 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 37:149–37:182

Pas rrëfimit për pejgamberët dhe për ndëshkimet që i përjetuan popujt e padëgjueshëm, përshkruhet qëndrimi i idhujtarëve mekas, të cilët shpifnin trillime se gjoja engjëjt janë bija të Zotit, se Zoti ka fëmijë, se në mes Zotit dhe engjëjve (ose xhinëve ekziston një lloj lidhmërie farefisnore ose lidhmëri miqësore. Zoti xh. sh. përmes Kur'anit sjell argumente bindëse, të cilat edhe në mënyrë logjike mposhtin thëniet e trilluara të idhujtarëve.

E Së pari ata thonin se engjëjt janë femra, e Zoti ju thotë se ju nuk ishit prezentë kur Unë i krijova engjëjt, andaj ju nuk dini asgjë, vetëm se shpifni. Ju shpifni edhe kur thoni se Zoti i vlerësoi vajzat më shumë se djemtë, e Zoti ju thotë, a fakt për çka thoni, sillnie librin dokumentues që po u mëson ashtu.

Përpjekjet e idhujtarëve me idhujt e tyre janë të kota, pse besimtarin e sinqertë ata nuk mund ta sprovojnë me ato thënie, përveç atyre që janë të përgatitur për xhehenem.

Engjëjt janë krijesa të Zotit, që siç thonë ata vetë: secili prej nesh e dimë dhe e kemi të caktuar detyrën dhe për zbatimin e saj gjithnjë jemi të rreshtuar duke madhëruar Zotin fuqiplotë prej shpifjeve që ia mveshin idhujtarët.

Para se të kishin libër, arabët idhujtarë thoshin se sikur të kishim pasur ndonjë nga librat e shpallur më herët, ne do të ishim besimtarë të sinqertë, por gënjeshtra e tyre u zbulua kur erdhi Kur'ani, sepse po ata të njëjtit e mohuan.

Ndihma e Zotit ndaj pejgamberëve, ndaj besimtarëve është e garantuar qysh herët, andaj i thuhet pejgamberit tonë: "Hiqu tyre se edhe ti edhe ata keni për ta parë premtimin e Allahutt"

Prej Sha'biut mursel e prej Aliut merfuë, thuhet se Pejgamberi ka thënë: "Kush dëshiron shpërblimin me peshë më të madhe, le t'i thotë në fund të lutjes së tij këto tri ajete... Subhane rabike..."

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Es Safati". Falënderuar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 37:180–37:182

Allahu i Lartësuar dëshmon dëlirësinë dhe pastërtinë e Tij, madhështinë dhe lartësinë e Tij përkundër trillimeve të mohuesve të së vërtetës, të padrejtëve dhe të zhyturve në kufër dhe idhujtari. I lartësuar dhe i dëlirë qoftë Allahu i Madhëruar nga fjalët dhe trillimet e mohuesve dhe të padrejtëve! - “I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Gjithëfuqishëm!” - Ai është Zoti i krenarisë, Ngadhënjimtari, mposhtësi i gjithçkaje, i Pamposhturi, i Plotpushtetshmi. - “Ai është i pastër nga ajo çfarë i përshkruajnë ata.” - Ai është i pastër nga fjalët e trilluesve dhe armiqve të së vërtetës. - “Paqja qoftë mbi të Dërguarit ...” - Paqja e Zotit qoftë mbi ta në dynja dhe në ahiret, sepse të paqta ishin mesazhet e tyre, të vërteta dhe larg cdo kotësie dhe mangësie ishte ajo që ata thanë në lidhje me Zotin e tyre. Ata thanë për Zotin veçse të vërtetën, të saktën, me përshkrimin më të mirë. - “... dhe të gjitha lavdërimet qofshin për Allahut, Zotin e gjithësisë! ” - Atij i takon lavdërimi, mirënjohja dhe përlëvdimi në dynja dhe në ahiret, në çdo gjendje e kohë. Tesbih-u përmban dëlirësimin dhe dëshminë e pastërtisë dhe lartësisë së Zotit nga çdo mangësi dhe dikton gjithashtu që të pohohet se Ai është i plotë e absolut në çdo aspekt. Po kështu, hamd-i tregon se për Të duhen pohuar dhe dëshmuar cilësitë më të plota dhe, nga ana tjetër, dikton që të dëshmohet se Alahu është i pastër e i dëlirë nga çdo mangësi e dobësi. Që të dyja këto

përlëvdime, pra, tesbihu edhe hamdi janë përmendur së bashku jo vetëm në këtë ajet, por edhe në ajete të tjera të Kuranit. Taberaniu sjell hadithin nga Zejd Ibn Erkami se Profeti i Allahut ka thënë: 2257. “Çdokush që thotë tri herë, në fund të çdo namazi: “I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Gjithëfuqishëm! Ai është i pastër nga ajo çfarë i përshkruajnë ata. Paqja qoftë mbi të Dërguarit dhe të gjitha lavdërimet qofshin për Allahut, Zotin e gjithësisë!”, me të vërtetë e ka mbushur peshoren me shpërblimin më të madh.” 221 Ky ishte fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Safat. Vetëm Allahut i takon lavdërimi, pandërprerë dhe përjetësisht!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 37:167–37:182

- Dhe kishte nga ata (idhujtarët mekas) që thoshin: Sikur të kishim pasur ndonjë libër nga të parët Ne, me siguri do të kishim qenë rob të sinqertë të Allahut ". Ata e mohojnë atë (Kur’anin). - Allahu i Lartësuar na njofton se idhujtarët shtireshin sikur donin që të ishin të udhëzuar, prandaj thoshin: "Po të kishim ndonjë libër nga të parët, do të ishim rob të sinqertë të Allahut. Po të na vinte edhe ne ndonjë shpallje e kujtim nga Zoti, ashtu siç u erdhën popujve të shkuar, ne do të ishim të sinqertë në adhurimin e Allahut si një i vetëm.” Por Allahu i Lartësuar thotë: "Ata e mohojnë atë (Kur’anin)." Domethënë, ata gënjenin, sepse atyre u erdhi Libri më i mirë, por refuzuan ta pasonin. Kështu u kuptua se ata e refuzonin me forcë dhe urrejtje të vërtetën, madje e luftonin atë. Por: - Por, shpejt do ta mësojnë (çfarë i pret). - Ata do ta shohin ndëshkimin, kur t'i godasë. Gjithashtu, të mos mendojnë se në këtë botë kanë për të fituar mbi të vërtetën dhe pasuesit e saj. Allahu i Lavdëruar thotë: - Tashmë, Fjala Jonë u është dhënë më parë robve tanë të dërguar se ata, pa dyshim do të ndihmohen (nga Ne) dhe se Forcat Tona ato me siguri do të jenë ngadhënjimtare. - Ky është premtimi i Allahut, që kurrë nuk mund të thyhet. Të dërguarit dhe adhuruesit e Tij të sinqertë kanë për të triumfuar gjithmonë! Ata do të arrijnë çdo mirësi e do të shpëtojnë nga çdo ligësi. Ata do të dalin fitimtarë mbi të gjithë të tjerët, sepse është Allahu Ai që u jep fitoren dhe i mbështet me ndihmën e Tij të fuqishme. Kështu, atyre u mundësohet që ta përkryejnë dhe shfaqin haptas fenë e tyre. Ky është një përgëzim i mrekullueshëm për të gjithë ata që përshkruhen si “ xhunduAllah” - ushtri e Allahut. Nëse i përmbahen dhe zbatojnë fenë e Allahut në veten e tyre dhe luftojnë kundër atyre që Allahu ka urdhëruar që të luftohen, atëherë ta dinë se fitorja është e tyre dhe Allahu është me ta. - Prandaj, largohu prej tyre për njëfarë kohe, - Ky është një urdhër drejtuar Profetit të Tij, që të distancohej nga ata që tregoheshin kokëfortë e nuk e pranonin të vërtetën, sepse tashmë nuk kishte mbetur gjë tjetër për ta, veçse t'u zbriste dënimi i Zotit. - Dhe vështro (kur t'i përfshijë ndëshkimi) se edhe ata do ta shohin (ndihmën tonë për besimtarët). - Le të presin dhe të shohin se si do t'i godasë dënimi i Allahut. Pa dyshim që ai do të bjerë i ashpër mbi ta. - Mos vallë, ata duan ta shpejtojnë ndëshkimin tonë (për ta )? Kur, ai (dënimi) të zbresë, i keq do të jetë mëngjesi i atyre që qenë paralajmëruar. - Kur ai dënim të zbresë në vendin e tyre ose pranë tyre, ai do të jetë një agim i tmerrshëm, sepse është agimi i ligësisë, dënimit dhe shfarosjes. Më pas, Allahu i Lartësuar e porosit për t'u larguar prej tyre, duke paralajmëruar se koha e ndëshkimit po afron dhe shpejt do të përmbushet. - Prandaj, largohu prej tyre për njëfarë kohe! Dhe vështro (kur t'i përfshijë ndëshkimi) se edhe ata do ta shohin (ndihmën tonë për besimtarët). - Për këtë arsye, ju mbetet veçse të shihni, sepse edhe ata të mjerë do të shohin atë që do t'i godasë. Në këtë sure u përmendën shumë nga fjalët e shëmtuara dhe trillimet e idhujtarëve për përshkrimin e Allahut. Për këtë arsye, në fund të kësaj sureje, Allahu i Madhëruar e dëlirëson Veten e vet nga ato shpifje e trillime dhe thotë:

- I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i gjithfuqishëm! Ai është i pastër nga ajo çfarë i përshkruajnë ata. - Pra, u dëlirësoftë dhe lartësoftë Zoti i krenarisë, Ngadhënjimtari, i Cili ka nënshtruar gjithçka nën pushtetin dhe fuqinë e Tij. Allahu i Madhëruar qëndron lart dhe larg çdo përshkrimi të padenjë dhe të pavërtetë që idhujarët bëjnë për Të. - Paqja (e çdo mirësi) qoftë mbi të Dërguarit (e Allahut). - Paqja qoftë mbi të dërguarit, sepse ata janë të pastër dhe të ruajtur nga gjynahet dhe padrejtësitë. Ata janë të ruajtur në gjithçka me të cilën e përshkruajnë Krijuesin e qiejve dhe të Tokës. - Dhe të gjitha lavdërimet qofshin për Allahut, Zotin e gjithësisë! - Të gjitha lavdërimet pa përjashtim, me të gjitha shkaqet dhe me të gjitha rrugët e tregimit të tyre, i përkasin Allahut! Ai është i lavdëruar për të gjitha cilësitë e Tij të plota dhe madhështore, për të gjitha veprat e Tij të mrekullueshme, me të cilat Ai kujdeset për të gjithë botën dhe rregullon çështjet e saj. Ai është i lavdëruar për të gjitha mirësitë që dhuron dhe për të gjitha fatkeqësitë dhe ligësitë që largon e nga të cilat na ruan. Allahu kujdeset për krijimin e Tij dhe për të gjitha çështjet e tyre, sa herë që ato lëvizin ose qëndrojnë në prehje dhe në çdo gjendje e kohë. Allahu është Ai që i bën të gjitha dhe kujdeset për gjithçka. Ai është i pastër, i dëlirë dhe i lartësuar nga çdo mangësi e cenim. Ai është i Lavdëruari, sepse është i Plotë dhe Absolut në çdo aspekt. Atë e duan dhe e madhërojnë krijesat e zgjedhura. Profetët e Tij janë të dorëzuar ndaj Tij dhe Ai i ka siguruar nga çdo e keqe. Edhe ata që pasojnë profetët e Tij dhe shpalljet e Tij do të jenë të sigurt në këtë jetë dhe në ahiret, kurse armiqtë e tyre do të jenë të shkatërruar dhe të kërcënuar në të dyja jetët. Këtu përfundon tefsiri i sures Safat, që u shkrua nga dora e Abdurahman ibn Nasir el Sadi, në 6 Sheual të vitit 1343.Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut qofshin mbi profetin tonë Muhamed! Të gjitha lavdërimet qofshin për Allahun, me bujarinë e të Cilit përkryhen veprat e mira!

← Safat 37:182