37. Safat · Ajeti 82 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 37:62–37:82
Pas përshkrimit të kënaqësive të atyre në xhennet, vjen mjerimi i atyre që do të jenë në xhehenem. Përmendet "shexheretuz i i Zekumë" - pema e neveritur, dhe përmendja e kësaj peme që do të mbijë në xhehenem dhe që prej saj do të ushqehen banuesit il e tij, shkaktoi polemikë të madhe, ngase kundërshtarët u përpoqën të shërbehen me këtë pemë si të pamundshme dhe ta shpallin i Muhammedin rrenacak. Si duket arabët dinin për një pemë të tillë në krahinën Tuhame, e që ishte e idhët dhe me erë shumë të keqe, pra ishte një pemë e keqe. Ka mendime se fjala është për një pemë helmuese që copëton zorrët dhe lukthin, e ka mendime se kjo ishte pemë e panjohur. Sido që të jetë, Kur'ani përshkruan vuajtjet dhe mjerimet e atyre që duke mos menduar për fuqinë e të madhit Zot, ndoqën gjurmët e të humburve dhe humbën edhe vetë. Për përpjekjet e Nuhut, të cilat i bëri në emër të Zotit, për mundimet dhe vuajtjet që i përjetoi duke thirrë në besim për Zotin Një e edhe si babai i dytë i njerëzimit pas Ademit dhe pas vërshimit, mbeti përkujtim i lavdishëm ndër të gjitha krijesat e botës, pra edhe Zoti e përshëndeti me fjalën Selam.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 37:75–37:82
Pasi përmendi që shumica e popujve të shkuar e humbën rrugën e shpëtimit, i Lartësuari tregon ngjarjet e disa prej këtyre popujve. Kështu, Ai përmend fillimisht Nuhun (a.s) dhe vuajtjet që ai hoqi prej popullit të vet. Ai na tregon se si ata mohuan dhe këmbëngulën në refuzimin e tij, edhe pse ai qëndroi mes tyre një mijë vjet pa pesëdhjetë. Ai qëndroi me ta kaq të gjatë duke i ftuar të adhurojnë Allahun e, megjithatë, prej tyre besuan veçse një pakicë. Atëherë Nuhu i drejtoi këtë lutje Zotit të Tij: “Unë jam i mundur, prandaj më ndihmo!” [Kamer 10]. Por Allahu i Lartësuar u zemërua me atë popull sepse ata e zemëruan Profetin e Tij, prandaj dhe tha: - “Ne na thirri Nuhu. Ne jemi më të mirët që i përgjigjemi lutjes.” - Pastaj thotë: - “Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij prej katastrofës së madhe. ” - E shpëtuam nga mohimi i popullit të tij dhe mundimet e shumta, që ata i sillnin. - “Kurse pasardhësit e tij i bëmë ata që vazhduan jetën.” - Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) shpjegon: “Atëherë, patën
mbetur në botë veçse pasardhësit e Nuhut, - paqja e Zotit qoftë mbi të!” - “Ne e lamë këtë si kujtim për popujt e ardhshëm.” - Nuhu do të përmendet për mirë, i lëvduar dhe i respektuar në gjuhët dhe kujtimet e njerëzve, madje do të kujtohet si ndër më të nderuarit e të gjithë profetëve. - “Paqja qoftë me Nuhun në mbarë botën!” - Ky është një shpjegim më i hollësishëm i asaj që u tha pak më lart, pra, i famës dhe emrit të tij të mirë, që do të mbetet ndër njerëz, për lëvdatat e shumta që do të thuren për të dhe për faktin se të gjitha bashkësitë dhe popujt kanë kujtim dhe fjalë të mira për të. - “Kështu i shpërblejmë Ne vepërmirët. ” - Kështu shpërblehet çdokush që është bamirës dhe që i bindet Allahut të Lartësuar në fjalë dhe në vepra. Allahu bën që ata të përmenden për mirë dhe me lëvdata në brezat pasardhës, në varësi të gradës dhe veprave që lënë pas. - “Vërtet, ai ishte nga robërit Tanë besimtarë.” - Ai ishte nga ata që e pohojnë dhe e besojnë të vërtetën me siguri, nga ata që e besojnë dhe e adhurojnë Allahun si një të vetëm dhe pa ortak, si edhe nga ata që kanë siguri të plotë në gjithçka që besojnë dhe janë urdhëruar të besojnë. - “Të tjerët i përmbytëm. ” - Ata u shkatërruan dhe prej tyre nuk mbeti asnjë sy që pulitet, asnjë shenjë që të përmenden, asnjë njeri dhe asnjë gjurmë. Ata njihen veçse me këtë përshkrim të shëmtuar, që u ka mbetur: një popull i ndëshkuar ashpër dhe frikshëm nga Zoti.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 37:75–37:82
Allahu i Lartësuari na tregon rreth profetit të Tij të dashur dhe adhuruesit të sinqertë, Nuhut (a.s). Ai ishte i pari profet i dërguar ndër njerëz. Pasi ai e ftoi popullin e vet në adhurimin e Allahut për një kohë shumë të gjatë, por ftesa e Tij ua shtoi edhe më shumë largimin, Nuhu iu lut Zotit të Tij duke thënë: “O Zoti im! Mos lër mbi Tokë asnjë nga jobesimtarët! Nëse Ti i lë, ata do t’i largojnë adhuruesit e Tu (nga rruga e drejtë) dhe prej tyre do të lindin veçse të shfrenuar dhe jobesimtarë. O Zoti im! Më fal mua, fali prindërit e mi, ata që hynë në shtëpinë time si besimtarë dhe të gjithë besimtarët e besimtaret! Ndërsa jobesimtarëve shtoju veçse dëshpërim!” . [Nuh 26 – 28]. Dhe Allahu i Madhëruar iu përgjigj lutjes së tij. Aq mirë iu përgjigj asaj lutjeje, saqë Allahu e lëvdoi Veten e vet, duke thënë: "...Ne jemi më të mirët që i përgjigjen lutjes." Nuk ka më të mirë se Allahu, që i përgjigjet lutjeve të adhuruesve dhe që dëgjon përgjërimet e tyre. Ai iu përgjigj pikërisht ashtu sikurse ishte lutja. Allahu i Madhëruar shpëtoi Nuhun dhe
familjen e tij nga dëshpërimi i madh dhe i mbyti të gjithë mohuesit. Të vetmit që do të vazhdonin jetën më pas ishin pasardhësit e tij. Kështu, i gjithë njerëzimi sot janë pasardhës të Nuhut (a.s) dhe ai do të ketë gjithmonë kujtim dhe emër të mirë ndër njerëz, gjë që do të vazhdojë deri në fund të botës. Kështu do të ndodhë sepse ai ishte "muhsin", domethënë, në gradën e ihsanit në adhurimin e Krijuesit, por edhe në marrëdhënie me krijesat. Ky është ligji i pandryshueshëm i Zotit për robërit e Tij vepërmirë. Ai gjithmonë do të përhapë emrin e mirë të tyre, si shpërblim për ihsanin dhe sipas gradës së atij ihsani. Allahu i Lartësuar thotë: "Kështu i shpërblejmë Ne vepërmirët. Vërtet, ai ishte nga robërit Tanë besimtarë." Kjo tregon se imani është grada më e lartë që mund të arijë një rob. Ajo gradë përfshin të gjitha ligjet e fesë, si themelet e saj, ashtu edhe degëzimet e saj, sepse me këtë atribut Allahu i Madhëruar lavdëroi krijesat e Tij më të zgjedhura.