38. Sad · Ajeti 1 · Tefsir

Hyrja e sures Sad Sherif Ahmeti

E zbritur në Meke, pas Suretul Kameri, ajete: 88

Kjo sure fillon me betimin në Kur'an, me mrekullinë që iu shpall Pejgamberit të popullit të pashkolluar arab, që përmbledh rregulla e këshilla të nivelit më të lartë dhe tregime fantastike, të cilat dokumentojnë se Kur'ani është e vërtetë e thënë prej Zotit dhe se Muhammedi është pejgamberi i dërguar. Ajo parashtron çështjen e besimit se Zoti është një dhe mohimin e habinë e idhujtarëve ndaj mësimeve të Muhammedit, sipas së cilave zhvlerësohen të gjithë zotat e tjerë që ata i adhuronin, e i thërret të besojnë vetëm Zotin një, Allahun.. Aty përshkruhen tregime rreth disa pejgamberëve, të cilat ia lehtësojnë vuajtjet dhe mundimet që Muhammedi i përjetonte prej kundërshtarëve në Mekë Përshkruhen: tregimet për Davudin dhe Sulejmanin, pejgamberë, të cilët ishin edhe mbretër, e edhe disa sprovime e telashe që i patën gjatë jetës së tyre si dhe sprovimet e pejgamberit Ejjub. Përmes tregimeve për këta dhe për pejgamberë të tjerë, jepet një vështrim i shkurtër, por i qartë, për ligjin e Zotit, i cili ka të bëjë me sprovime edhe ndaj njerëzve më të dashur e më të zgjedhur të Tij.

Përveç argumenteve të tjera që japin të kuptosh se kjo botë nuk është krijuar pa një qëllim të caktuar dhe pas kësaj pa tjetër duhet të pasojë jeta në botën tjetër, jepen edhe sqarime për detyrën themelore të të gjithë pejgamberëve të nderuar.

Quhet: "Suretu Sad", që është një prej shkronjave të alfabetit arab, për të dhënë të kuptohet se Allahu e bëri libër të mrekullueshëm Kur'anin e formësuar, po prej këtyre shkronjave.

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 38:1–38:11

Paria e kurejshitëve në krye me Ebu Xhehlin shkojnë te xhaxhai i Pejgamberit, Ebu Talibi dhe i ankohen se Muhammedi i fyen zotat e tyre, andaj do të ishte mirë ta thërrasësh dhe ta ndalosh. Çoi dhe e thirri, e ai erdhi dhe kur hyri brenda, një vend pranë xhaxhait të tij ishte i zbrazët. Duke u frikësuar se do të ulej në vend të lartë Muhammedi, u ngut Ebu Xhehli dhe shkoi e e zuri atë vend, kurse Muhammedi u ul te dera.

Ebu Talibi i tha: O djalë i vëllait tim, ç'është që ky popull po ankohet se ti i fyen zotat e tyre dhe... dhe...

Pejgamberi tha: O xhaxha, unë e dua prej tyre vetëm një fjalë, ta thonë atë, e të gjithë arabët do t'u përulen atyre, madje edhe të tjerë, joarabë, Të pranishmit thanë: një fjalë, jo një po dhjetë, e thuaje cila është ajo" Pejgamberi u tha: "La ilahe ileli-Llah"... Atëherë, të trishtuar i mblodhën plaçkat dhe u çuan, duke thënë: Të gjithë zotat don t'i bëjë një zot, gjë e çuditshme. Thuhet se si shkas i atij tubimi shpallet kjo pjesë e Kur'anit, ku Zoti betohet për famën dhe për madhështinë e Kur'anit të shpallur prej Tij, e kumtuar Muhammedit. Ata nuk gjenin të meta në Kur'an, por nuk besonin nga kryeneçësia, dhe armiqësia, e nuk mendonin se kur janë ndëshkuar popujt para tyre e lutnin Zotin t'i shpëtojë, por pas kohe. bënin vërejtje Muhammedit se si ai të jetë pejgamber, e jo ndonjë i pasur e i autoritetshëm nga mesi i tyre, madje si mund të komandojë me gjithësinë vetëm një Zot, e më në fund i thoshin popullit të vet: Mos lëshoni pe ndaj zotave tuaj se ky është plan i Muhammedit.

Kur'ani u thotë: A mos ata e kanë në dorë ta bëjnë Pejgamber atë që duan" A mos e kanë në duar sundimin e qiejve e të tokës, pra le të ngjiten lart e le të komandojnë prej atje. Mandej i thotë Pejgamberit: Mos u trondit, ata janë një grup i vogël që fundin e kanë të humbur.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 38:1–38:3

- “Sad.” - Për sa u përket germave në fillim të sureve, kjo çështje është shtjelluar në suren Bekare. - “Betohem në Kuranin plot këshilla!” - I Madhëruari betohet për Kuranin, i cili përmban këshilla e mësime, që përkujton robërit për çdo gjë që u sjell dobi në çështjet e dynjasë dhe të ahiretit. Ka mendime të ndryshme se përse është betuar i Lartësuari dhe ku është treguar kjo gjë. Disa janë të mendimit se është përmendur pikërisht në ajetin 14, ku thuhet: “Të gjithë ata i mohuan të dërguarit, prandaj e bënë hak dënimin Tim.” Sipas këtij mendimi, Allahu i Lartësuar betohet në Kuranin plot këshilla se “Të gjithë ata i mohuan të dërguarit, prandaj e bënë hak dënimin Tim.” Gjithashtu, thuhet se është përmendur në ajetin 64 të kësaj sureje, ku i Lartësuari thotë: “Kjo polemikë mes banorëve të Zjarrit është, pa dyshim, e vërtetë.” Sipas këtij mendimi, Allahu i Lartësuar betohet në Kuranin plot këshilla se “Kjo polemikë mes banorëve të zjarrit është, pa dyshim, e vërtetë.” Këto dy mendime i ka transmetuar Ibn Xheriri, i cili shton se mendimi i dytë është pak i largët dhe i dobët. Ndërsa Katade thotë se është përmendur në ajetin që vijon më pas, pra në fjalën e Allahut: “... ata, që nuk besojnë janë kryeneçë e kundërshtarë të hapur.” Kështu, Allahu i Lartësuar betohet në Kuranin plot këshilla se ata, që nuk besojnë janë kryeneçë e kundërshtarë të hapur. Ky është mendimi që mbështet Ibn Xheriri. Ndërsa të tjerë thonë se bëhet fjalë për kuptimin e përgjithshëm që përcjell kjo sure. Pra, Allahu i Lartësuar betohet për të na treguar se mesazhet e kësaj sureje janë të vërteta. Sidoqoftë, Allahu është më i ditur. - “Por ata, që nuk besojnë, janë kryeneçë e kundërshtarë të hapur.” - Në këtë Kuran ka mësime të vyera, që përkujtojnë zemrat e atyre që duan të përkujtojnë dhe ka mësime për ata që duan të nxjerrin mësime, por mohuesit e besimit nuk përfitojnë prej këtij Kurani, sepse ata janë: kryeneçë dhe i përmbahen me kokëfortësi rrugës së tyre të humbjes. - “Sa e sa breza kemi shkatërruar Ne para tyre.” - Ishin shumë popuj që mohuan profetët dhe shpalljet e Zotit, të cilët u shkatërruan nga ndëshkimi i Tij. - “Në fund, ata u lutën për (mëshirë e) shpëtim ...” - Kur u erdhi ndëshkimi, ata kërkuan ndihmë me përgjërim tek Zoti, por kjo nuk u vlejti aspak, siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Ata kur e vinin re fuqinë e dënimit Tonë, iknin me të shpejtë. Mos ikni, po kthehuni në pasuritë dhe në banesat

tuaja, se ndoshta do të mund të merreni vesh!” [Enbija 12, 13]. - “... por nuk kishte më kohë për shpë - tim.” - Ibn Abasi është pyetur për kuptimin e kësaj fraze dhe ka thënë: “Pra, tashmë nuk ishte koha për lutje e për mëshirë, as koha për arsyetime e as koha për të ikur e shpëtuar.” Kështu, ata thirrën për ndihmë e shpëtim atëherë kur nuk bënte asnjë dobi. Muhamed Ibn Keabi shpjegon: “Ata thirrën duke dëshmuar besimin në një Zot të vetëm, në kohën kur dynjaja u ktheu shpinën dhe shprehën pendim atëherë kur pendimi nuk vlen më”. Ndërsa Katade thotë: “Kur ata panë ndëshkimin, deshën të pendoheshin, por në një kohë që lutjet për pendim janë të pavlefshme.” Nga ana gjuhësore, en-neusu do të thotë vonesë. Kështu, ajeti ka kuptimin: “Kjo nuk është koha e largimit dhe e shpëtimit.” Allahu i jep sukses dhe ia prin mbarë atij që Ai dëshiron.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 38:1–38:11

Allahu i Lartësuar na jep një përshkrim të Kur'anit dhe na tregon sjelljen dhe gjendjen e idhujtarëve në lidhje me këtë libër dhe Profetin që e solli atë. Ai thotë: - Sad! Betohem në Kur'anin plot këshilla! – Kur'ani është i famshëm dhe grada e tij është shumë e lartë. Ai është këshillë dhe dituri për besimtarët. Ai u mëson atyre gjithçka që kanë nevojë dhe që është e dobishme. Ata mësojnë në Kur'an rreth emrave dhe cilësive të Allahut të Madhëruar, rreth veprave të Tij të mrekullueshme. Ata mësojnë aty rreth ligjeve të Zotit. Atje marrin dituri të sigurt rreth asaj që i pret njerëzit dhe për mënyrën se si Zoti do t'i shpërblejë e ndëshkojë robtë. Kur'ani i mëson besimtarët për çështjet e fesë së tyre dhe për dispozitat e saj, duke sjellë hollësi të shumta. Në fakt, ky është një betim për Kur'anin dhe me Kur'anin. Domethënë, edhe betimi, edhe subjekti i betimit janë të njëjtë. Allahu i Madhëruar betohet në Kur'an për të na treguar madhështinë pikërisht të Kur'anit. Duke qenë me këtë rëndësi të veçantë, atëherë kuptohet lehtësisht nevoja e domosdoshme e njerëzve për të. Nevoja për të ia kalon çdo gjëje tjetër. Për këtë arsye, është detyrë për njerëzit që ta besojnë e pranojnë këtë libër me zemrat e tyre dhe të përkushtohen totalisht për të nxjerrë mësime nga lënda e tij. Allahu i Drejtë, i Gjithëditur dhe i Urtë i udhëzon besimtarët pikërisht për besimin e tyre të sinqertë në Kur'an. Ndërsa ata të cilët e mohojnë dhe refuzojnë të marrin udhëzimin e Kur'anit, me ata ndodh diçka tjetër: - Por ata që nuk besojnë janë kryeneçë e kundërshtarë të hapur. - Ata kanë mendjemadhësi, që nuk e besojnë Kur'anin. Madje, ata tregohen armiqësorë dhe e luftojnë atë. Ata përpiqen të polemizojnë me kotësi, për ta hedhur poshtë këtë libër. Ata luftojnë me çdo mënyrë për të shpifur për Kur'anin dhe kundër atij që e solli atë nga Zoti. Por Allahu i Madhëruar i kërcënon, duke u kujtuar se i ndëshkoi brezat e mëparshëm, të cilët i mohuan dhe refuzuan të besonin dhe pasonin profetët e tyre. Ata të mjerë, kur i përfshiu dënimi, bërtisnin dhe ulërisnin, për ta larguar atë dënim, por më kot, sepse:

- Sa e sa breza kemi shkatërruar Ne para tyre. Në fund, ata u lutën për (mëshirë e) shpëtim, por nuk kishte më kohë për shpëtim. - Nuk ishte më koha kur mund të shpëtonin dhe t’u pranohej pendimi për atë që kishin bërë. Kështu, le të kenë frikë këta kryeneçë tani dhe të mos vazhdojnë me arrogancën, refuzimin e së vërtetës dhe armiqësinë ndaj saj, sepse i pret i njëjti fund. - Ata u habitën që nga gjiri i tyre u erdhi një paralajmërues. - Këta mohues të së vërtetës çuditen me një çështje, nga e cila nuk duhet kurrë të çuditesh. Atyre u duket habi që u erdhi një paralajmërues nga lloji dhe mesi i tyre. Por kjo është pikërisht zgjedhja më e mirë, në mënyrë që ata të mund të marrin këshilla dhe të mësojnë prej tij. Ai u zgjodh nga mesi i tyre, që ata ta njohin mirë dhe ta pranojnë ftesën e tij dhe, nga ana tjetër, të mos shtyhen nga përkatësia farefisnore për ta refuzuar. Kështu, duke qenë ky Profet nga mesi i popullit të tyre, do të ishte më e lehtë për ta pranuar dhe pasuar rrugën e tij. Kjo duhet që të nxiste tek ata ndjenjën e mirënjohjes për këtë profet të madh dhe përkushtimin për t'u nënshtruar dhe pasuar rrugën e tij. Por me ata ndodhi krejtësisht e kundërta, aq sa shprehën edhe çudi, që tregonte mosbesim dhe një refuzim të fortë të kësaj çështjeje. Për ta refuzuar dhe fyer, ata thanë: - Jobesimtarët thonë: “Ky është magjistar e mashtrues.”. - Po çfarë nuk u pëlqente tek ky profet, që e refuzuan kaq me forcë dhe shpifën për të se ishte magjistar dhe mashtrues? Allahu na tregon arsyet që nxjerrin këta të mjerë. Ata thanë: - A po i zëvendëson zotat me një Zot të vetëm?! - Si është e mundur të na ndalojë nga idhujt e ndërmjetësuesit tanë tek Allahu? Si na urdhëron që t’i përkushtohemi me sinqeritet veçse adhurimit të Allahut?! - Kjo është vërtet shumë e çuditshme. - Sipas tyre, besimi dhe feja që ai propozon është diçka e çuditshme, që kurrsesi nuk mund të jetë e saktë dhe e drejtë. Të mjerët, jo vetëm që refuzuan ta pasonin ftesën e Profetit, por ata më të pushtetshmit dhe paria, të cilëve u dëgjohej fjala ndër popull, filluan punën me njerëzit e thjeshtë, që t'i pengonin nga ftesa e Profetit. Allahu i Madhëruar thotë: - Paria e tyre i thanë njëri -tjetrit: "Vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj!” - Ata filluan të nxisin popullin që t'i përmbaheshin idhujtarisë dhe traditës së të parëve të tyre, duke u thënë: "Vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj...". Bëhuni të qëndrueshëm dhe të patundur në këtë rrugë, madje mbrojeni me luftë e me veten tuaj! Shpenzoni të gjitha energjitë dhe bëni durim në adhurimet që u përkushtoni idhujve tuaj dhe kurrë mos lejoni njeri që t'ju pengojë e largojë nga kjo rrugë. - Sepse kjo (largimi nga feja e të parëve tuaj) është një gjë e kurdisur (kundër jush)." - Kjo fe që po sjell Muhamedi është një plan ogurzi dhe me qëllime jo të mira. Ky lloj arsyetimi nuk mund të pranohet nga

të mençurit, që kanë sy të shohin dhe zemër që të gjykojnë drejt. Ai mund mashtrojë veçse mendjelehtët. Për të gjykuar për saktësinë e vërtetësinë e thirrjes së dikujt nuk mjafton që të nisesh nga nijeti i tij, duke thënë se ka nijet të keq. Veprimet dhe qëllimi i dikujt janë çështje të tij dhe për ta hedhur poshtë do të duhet të sjellësh argumente të forta, të drejta dhe të vërteta. Qëllimi i shpifjeve të tyre ishte që të bindnin popullin se Muhamedi (a.s.) kishte qëllim që të ishte prijës dhe jo se idhujtaria është e gabuar. Sipas tyre, Profeti (a.s.) thjesht dëshironte që populli të nënshtrohej ndaj tij. - Ne kurrë nuk kemi dëgjuar për diçka të tillë (monoteizëm) nga njerëzit këto kohët e fundit. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një trillim. - Kuptimi: Këtë lloj feje nuk e kemi dëgjuar askund dhe as nga etërit tanë. Për këtë arsye, mbahuni fort pas asaj që kanë lënë etërit tanë, sepse ajo është e vërteta. Kjo fe është thjesht një trillim i mendjes së tij, është një mashtrim dashakeqës. Por edhe ky arsyetim është shumë i dobët dhe jo i drejtë. Është tërësisht e padrejtë që të refuzosh fjalën e tjetrit vetëm e vetëm se bie ndesh me mendimin tënd, pa ofruar asnjë argument vërtetues të këtij qëndrimi. Cili është arsyetimi se ajo tezë është e papranueshme? Pastaj vjen një tjetër arsyetim i tyre për të refuzuar Profetin e Zotit. Ata thanë: - Vallë, ky është ai që u zgjodh nga mesi ynë, për t'iu dërguar Mesazhi? - Çfarë ka ai më shumë se ne, që Allahu ta dallojë mbi ne dhe t'i sjellë Shpallje, siç pretendon? Edhe ky ishte një argument i pasaktë. Ai nuk përmban asnjë arsye të logjikshme që mund të hedhë poshtë ftesën e Profetit (a.s.) për njësimin e Allahut. Të gjithë profetët kanë qenë njerëz, si gjithë njerëzit e tjerë, domethënë që kjo cilësi nuk ishte vetëm e Muhamedit (a.s.). Është Allahu Ai që e dallon kë të dëshirojë duke e bërë profet e duke i shpallur libër të ndritur, që ai të ftojë njerëzit në monoteizëm. Duke qenë se të gjitha arsyet që ata sollën për të refuzuar të vërtetën nuk mund të shërbejnë kurrsesi si argument ku mund të mbështetesh, Allahu i Madhëruar na tregon se ku e kanë burimin ato. Ai thotë: - Ata janë në dyshim për Mesazhin Tim. - Ata nuk kanë asnjë dituri dhe argument të qartë ku të mbështeten. Ata kanë vetëm dyshime dhe kënaqen me këtë gjendje. Kur u erdhi e vërteta e qartë, ata ishin të vendosur që nuk do ta pranonin, për të qëndruar në atë gjendje dyshimi. Për këtë arsye, ata bëjnë arsyetime boshe e kontradiktore, pa patur asnjë argument. Dhe dihet mirë për të tillë njerëz, që flasin të shtyrë nga inati, pasiguria dhe dyshimet e pabaza, se atyre nuk u pranohet fjala, madje fjalët e tyre nuk ndikojnë aspak në të vërtetën. Ata thjesht ngarkojnë veten e tyre me gjynahe dhe e bëjnë të meritueshëm dënimin e Zotit. Për këtë arsye, i Madhëruari i kërcënon ata, duke thënë: - Nuk e kanë shijuar ende dënimin Tim. - Ata i thonë ato fjalë dhe marrin guximin të trillojnë kundër të vërtetës, sepse ende janë në dynja dhe akoma nuk i ka kapur dënimi i Zotit. Po nëse do të shihnin këtë ndëshkim, nuk do të merrnin guximin për të tilla shpifje e trillime: - Apo mos i kanë ata vallë Thesaret e mëshirës së Zotit tënd - Ngadhënjimtarit, Dhuruesit të të gjitha mirësive? - Mos, vallë, i kanë ata në dorë depot e mëshirës së Zotit tënd, Ngadhënjimtarit, Dhuruesit (të të gjitha mirësive), dhe kështu mund t’i japin atij që duan dhe të privojnë atë që ata duan? Këta mendjelehtë, ndër fjalët boshe që guxuan të thoshin për të refuzuar Profetin, ishin dhe: "Vallë, ky është ai që u zgjodh nga mesi ynë, për t'iu dërguar Mesazhi?" Kjo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep atij që dëshiron, me mëshirën dhe bujarinë e Tij. Nuk u takon atyre të vendosin se kujt ia jep Zoti profetësinë dhe çdo mirësi tjetër. - Apo mos e kanë ata vallë pushtetin e qiejve e të tokës dhe ç'ka ndërmjet tyre? - Mos, vallë, kanë ndonjë pushtet në qiej dhe në tokë, dhe kjo u mundëson që të arrijnë gjithçka që dëshirojnë?!

- Le të përpiqen atëherë me çdo rrugë e mjet (e të sundojnë)! - Le të ngrihen në qiej dhe le ta presin e shkëpusin mëshirën që Allahu i dhuroi Profetit të Tij. Atëherë, si është e mundur që të flasin e të trillojnë fjalë të tilla, kur ata janë krijesat më të dobëta? E vërteta është se ata thonë të tilla fjalë që të grumbullojnë pas vetes sa më shumë pasues, që të mbështesin kotësinë e tyre dhe të luftojnë të vërtetën. Ky është realiteti. Por edhe ky qëllim nuk ka për t'u përmbushur dhe përpjekjet e tyre do të dështojnë. Ushtria e tyre do të poshtërohet dhe mposhtet, siç thuhet më pas: - Edhe ata janë një ushtri e mposhtur, si të gjitha ushtritë e tjera (që luftuan kundër së vërtetës).

← Sad 38:1