38. Sad · Ajeti 26 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 38:12–38:26
Përmenden qëndrimet e këqia të popujve të mëparshëm ndaj pejgamberëve që u dërgoheshin. Pejgamberit tonë i duhet të jetë i durueshëm e të përkujtojë pejgamberin Davud, i cili ishte i durueshëm, mirënjohës dhe shumë i devotshëm. Përveç mrekullive të përmendura, siç ishin shpezët, që kur ishin duke fluturuar në ajër dhe dëgjonin zërin e Davudit duk e lexuar Zeburin, ndaleshin në ajër dhe i bashkoheshin lutjes së tij. Ashtu bënin edhe kodrat, por ishte me rëndësi edhe ajo se ai kishte pushtet të fortë dhe ishte shumë i mençur e orator i mirë.
Tregimin rreth Davudit dhe të atyre dyve që ishin në konflikt, duhet kuptuar ashtu si e parashtron Kur'ani, e jo sipas trillimeve që kanë burimin prej jehudive.
Në të vërtetë, Davudi e kishte programuar kohën e veprimit të vet, ashtu që një kohë qëndronte në postin e vet dhe drejtonte punët e përgjithshme të njerëzve, kurse kohën tjetër e kalonte duke iu lutur Zotit në një kthinë të posaçme, që ishte faltore e tij. Një ditë, duke qenë kah lutet, dy njerëz i hynë brenda, jo nga dera, por prej pullazit. Davudi frikësohet se mos kanë ndonjë qëllim të keq, por ata i tregojnë se kanë punën e vet dhe kërkojnë gjykim të drejtë prej tij. Davudi këtu bën dy gabime: njërin duke mos dëgjuar edhe fjalën e ndërgjykuesit tjetër, ngutet dhe gjykon çështjen, e kjo ishte gabim për gjykatësin. Tjetrin gabim e bëri kur mendoi se mos ajo paraqitje e tillë e atyre dyve ishte ndonjë sprovë nga Zoti. Gabimet e veta i vërejti edhe menjëherë u hodh në lutje duke kërkuar falje prej Zotit, i cili e fali dhe lajmëroi se Davudi është një Pejgamber që ka vend të afërt pranë Zotit dhe shpërblim të mirë.
Tregimi, sipas të cilit njolloset jo vetëm karakteri i Davudit, por edhe i të gjithë pejgamberëve, është i kurdisur prej armiqve. Për këtë shih Tefsiri Kebir të Fahri Raziut se si nga dhjetë aspekte dokumenton se është shpifje kundër Davudit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 38:26
Kjo është porosia e Allahut Krenar dhe të Lartësuar për të gjithë udhëheqësit, të cilët Ai i ka vendosur si gjykues, që ata të gjykojnë njerëzit me të vërtetën e shpallur prej Tij dhe kurrsesi të mos devijojnë prej saj, dhe kështu të humbasin rrugën e drejtë, rrugën e të Lartësuarit. Të gjithë ata që devijojnë dhe lënë në harresë këshillat dhe mesazhet e Zotit, kërcënohen se në Ditën e Llogarisë do të kenë dënim të ashpër. Ibn Ebu Hatimi sjell rrëfimin nga Ibrahim Ebu Zura, i njohur për leximin e librave të hershëm, se, njëherë, Uelid Ibn Abdulme - liku i kishte thënë: “A do të merret në llogari kalifi? Të pyes, sepse ti ke lexuar si librat e hershëm, edhe Kuranin, dhe e ke kuptuar mirë çfarë thuhet në to.” Unë i thashë: “O Udheheqësi i besimtarëve, a të flas hapur?” Ai tha: “Fol, dhe je në sigurinë e Zotit!” Unë i thashë: “O i Udhëheqësi i besimtarëve, vallë, ti je më i nderuar dhe më
me vlerë tek Allahu, apo Daudi (a.s)? Dihet, që Allahu i Lartësuar bashkoi tek ai profetësinë dhe udhëheqësinë. Megjithatë, Ai e kërcënoi dhe paralajmëroi në librin e Tij, kur thotë: “Ata që largohen nga rruga e Allahut i pret një dënim i rëndë, për shkak se e harruan Ditën e Llogarisë .”. Në lidhje me fjalën e Allahut: “ Ata që largohen nga rruga e Allahut i pret një dënim i rëndë, për shkak se harrojnë Ditën e Llogarisë .”, Suddiu shpjegon: “Domethënë, ata do të kenë një ndëshkim të ashpër dhe të rëndë, për shkak se e braktisën punën dhe përgati - tjen për Ditën e Llogarisë.” Allahu i jep sukses për çdo të mirë atij që ai dëshiron.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 38:21–38:26
Daudi ishte i njohur për urtësinë dhe gjykimin e tij të drejtë, prandaj njerëzit e kërkonin gjykimin e tij. Në vijim, Allahu na tregon për dy palë kundërshtare, që kërkuan gjykimin e tij, një çështje kjo që u bë sprovë dhe mësim për Daudin, për shkak të një gabimi që bëri gjatë gjykimit. Por Allahu i Madhëruar ia pranoi pendimin dhe e fali atë. Sidoqoftë, Zoti e bëri që Daudi të gjykojë në këtë çështje dhe ia tregon këtë histori Profetit të Tij të dashur, Muhamedit (a.s). Ai thotë: - A të ka mbërritur Historia e dy kundërshtarëve? Ja, ata u ngjitën fshehurazi në dhomën e tij (Daudit) të lutjeve. Kur ata hynë tek Dauudi, ai u frikësua prej tyre. Por ata i thanë: “Mos ki frikë! - Ata nuk hynë nga porta dhe për këtë arsye e befasuan Daudin, madje ai u tremb prej tyre. Por ata i thanë: “Ne jemi dy palë kundërshtare,” që kërkojmë gjykimin tënd për drejtësi, ndaj mos u tremb. - Ne jemi dy palë kundërshtare. Njëri (nga ne) i ka bërë padrejtësi tjetrit. - Ne
po të parashtrojmë ty një çështje padrejtësie që të gjykosh mes nesh. - Prandaj ti gjyko mes nesh me drejtësi e mos devijo (nga e drejta) ! - Gjyko mes nesh me drejtësi dhe mos mbaj anën e askujt. - Dhe na udhëzo në rrugë të drejtë!” - Nga kjo kuptojmë se të dyja palët po kërkonin të vërtetën e qartë, pa asnjë devijim. Duke qenë se ata po të kërkonin gjykimin e drejtë, nga kjo mund të kuptohet se ata do ta tregonin versionin e tyre saktësisht, pa shtrembërime. Vëreni me kujdes, kur thonë: " gjyko mes nesh me drejtësi e mos devijo (nga e drejta)!" Në fakt, të tilla fjalë mund ta nervozojnë një gjykatës. Por Daudi (a.s) nuk u zemërua dhe as nuk i qortoi për vrazhdësinë e tyre. Njëri prej tyre tha: - Ky burrë është vëllai im. - Fillimisht tregoi se kundërshtari i tij ishte për të si vëlla, pra, vëlla në fe, besim, në gjak ose ndoshta për shoqërinë e ngushtë që kishin. Kjo nënkupton që mes tyre nuk duhet të ketë padrejtësi dhe ligësi. Nëse do të ndodhte ndonjë padrejtësi mes dy njerëzve të tillë, kjo do të ishte një ligësi më e madhe sesa në ndonjë rast tjetër. Për këtë arsye, ai filloi të shpjegonte mosmarrëveshjen: - Ai ka nëntëdhjetë e nëntë dele, ndërsa unë kam vetëm një. - Ai ka nëntëdhjetë nea'xheh,1 pra, gra. Kjo ishte mirësi e madhe, që duhet ta bënte atë të ishte i kënaqur me atë që i pati dhënë Allahu. - Ai më thotë: “Ma jep mua atë!” dhe më mundi me fjalë. - Dhe ai kërkoi të ma marrë mua atë. Ai më tha: “Ma jep mua atë!” Pra, ma lër mua atë, nën kujdesin tim! Pastaj tha: "… më mundi me fjalë." Pra, vazhdoi ta kërkonte atë me ngulm prej meje dhe gati ma mori atë. Daudi (a.s) e dëgjoi dhe duke u nisur nga fjalët e tyre të mëparshme, të cilat të jepnin të kuptoje se ata thoshin të vërtetën, gjykoi se nuk kishte nevojë të dëgjonte edhe palën tjetër. Kështu, askush nuk mund të thotë se Daudi gaboi sepse nuk dëgjoi edhe palën tjetër para se të jepte gjykimin. Atëherë, pasi dëgjoi me kujdes çështjen, tha: - Daudi tha: “Ai është treguar i padrejtë me ty duke të kërkuar delen tënde (të vetme) ta bashkojë me tufën e deleve të veta. Është e vërtetë, shumë prej ortakëve i bëjnë padrejtësi njëri -tjetrit. Por nuk veprojnë kështu ata që kanë besuar dhe bëjnë vepra të mira. Por, sa të pakët janë ata!”. - Kështu bëjnë zakonisht ortakët në çështje të ndryshme: "Shumë ortakë i bëjnë padrejtësi njëri -tjetrit...", sepse padrejtësia është pjesë e shpirtrave të njerëzve. Por pastaj tha: "Por nuk veprojnë kështu ata që kanë besuar dhe bëjnë vepra të mira.". Sepse ata kanë iman të sinqertë në shpirt, që i bën të kryejnë punë të mira dhe që i largon nga padrejtësia. Megjithatë, Allahu i Lartësuar thotë "Por, sa të pakët janë ata!” . Ata që janë të drejtë dhe bëjnë punë të mira, sipas besimit të drejtë, janë të pakët, sikurse thotë në ajet tjetër: "Pak nga robtë e Mi janë mirënjohës." [Sebe'e 13]. - Dhe Daudi e kuptoi se Ne e vumë në prove atë. Prandaj i kërkoi falje Zotit të vet, u përkul (ra në sexhde) dhe u kthye (tek Allahu i penduar) . - Daudi mendoi se Zoti e sprovoi kur e ngarkoi që të gjykonte ata të dy, që ai të mësonte dhe të ishte i kujdesshëm në gjykim. Për këtë arsye, ai i kërkoi falje Zotit të vet, për atë gjykim. Pastaj, “u përul dhe u kthye”, pra, ra në sexhde dhe iu kthye Zotit të tij me pendim dhe adhurime të shumta. - Ne ia falëm atë (gabim). - Zoti ia fali atë që bëri dhe e nderoi me shumë të mira. Ai thotë: - Dhe ai është tek Ne nga më të afruarit dhe ka një fund (e shpërblim) të mirë. - Ka një gradë të lartë dhe afërsi tek Ne. Gjithashtu, ai do të ketë një përfundim të mirë, një vend të mirë, kur të kthehet tek Ne. Për sa i përket gabimit që bëri Daudi (a.s) Allahu i Madhëruar nuk na i ka treguar, sepse është e panevojshme. Kësisoj, çdo përpjekje për të gjetur çfarë gabimi ishte, është e tepruar dhe e pavend. Dobia nga kjo histori është ajo që Allahu i
Madhëruar na tregoi, siç ishte mirësia që i dhuroi i Daudit (a.s) kur i mundësoi që të pendohej dhe që ia pranoi pendimin dhe kërkimin e faljes. Ai ia ngriti pozitën Daudit, saqë pas pendimit, ai u bë më i mirë dhe më i nderuar sesa para gabimit. - O Daud! Ne të kemi bërë sundimtar në tokë. - Që të gjykosh me drejtësi çështjet fetare dhe çështjet e zakonshme të dynjasë. - Prandaj, gjyko me drejtësi mes njerëzve - Gjyko mes tyre me drejtësi dhe barazi. Kjo është e mundur veçse nëpërmjet diturisë së domosdoshme fetare, diturisë rreth realitetit dhe duke pasur fuqi për ta nxjerrë në pah të vërtetën dhe për ta vënë në vend atë. - dhe mos u shko pas dëshirave (të padrejta) e kështu të devijosh prej rrugës së Allahut! - Kurrë mos e paso epshin, që ai të të bëjë që të anosh padrejtësisht nga i afërmi, miku apo i dashuri, ose të ndikohesh nga urrejtja për tjetrin, sepse kështu do të devijosh prej rrugës së Allahut, që është rruga e drejtë. - Ata që largohen nga rruga e Allahut i pret një dënim i rëndë, për shkak se harrojnë Ditën e Llogarisë . - Ky është shkaku që njerëzit bien në gjynah dhe i largohen të drejtës, sepse nëse do ta kujtonin vazhdimisht Ditën e llogarisë, frika do t'ua mbushte zemrën dhe kurrë nuk do të anonin nga dëshirat devijuese.