38. Sad · Ajeti 54 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 38:27–38:54
Të gjitha ngjarjet dhe ndodhitë në këtë botë, japin të kuptojmë se Zoti nuk e krijoi këtë gjithësi shkel e shko I dhe pa ndonjë qëllim të caktuar. Natyrisht se nuk do të jenë të barabartë para Zotit si ai që besoi, e si ai që nuk besoi: ose si ai që bëri punë të mirë dhe si ai që ishte mëkatar. E për të kuptuar të vërtetën, Zoti ia shpall Kur'anin Muhammedit, kuptohet për të zotët e mendjes.
Sylejmani bir i Davudit, pejgamber dhe mbret, rob i mirë te Zoti, në një pasdite të vonë, përcjell me një kënaqësi të madhe parakalimin e ushtrisë së vet kalorësiake, por i mahnitur prej atyre kuajve të shpejtë si vetëtima, u habit derisa perëndoi dielli dhe mbeti pa e kryer lutjen që e kishte për detyrë ta bëjë para mbrëmjes. I zemëruar për këtë lëshim, urdhëroi t'i kthehen kuajt t'i rrahë me shpatë këmbëve e qafave. Është sprovuar edhe me dobësimin e shëndetit sa që rrinte në postin e vet si një figurë derisa Zoti ia ktheu shëndetin dhe ai atëherë iu lut t'ia falë gabimin dhe t'ia forcojë edhe më sundimin si pejgamber. Tregimet e tjera rreth gabimeve të Sulejmanit, janë të pabaza sikurse ato të Davudit, andaj nuk duhet besuar atyre.
Ejjubi është një pejgamber i njohur dhe shembull për durueshmërinë që e tregoi. U sprovua me humbje të familjes, të pasurisë, e edhe më rëndë, me sëmundje të gjatë e të padurueshme. Ndoshta qëndroi tetëmbëdhjetë vjet i sëmurë, e kur nuk pati mundësi më për jetë, iu lut Zotit për ndihmë. Zoti e urdhëroi t'i mëshojë tokës me këmbë dhe aty gufoi ujë i ftohtë dhe mjekues. Me të larë u shërua nga sëmundja e trupit, e me të pirë u shërua nga sëmundja e brendshme. Për hir të durueshmërisë së tij, Zoti ia ktheu familjen edhe më të madhe, pasurinë dhe shëndetin.
Të gjithë pejgamberët ishin njerëzit më të zgjedhur, më të mirët, andaj besimtarët duhet me vëmendje të përcjellin shembëlltyrën e tyre për çdo rast të jetës së kësaj bote dhe për fitimin e të mirave në botën tjetër të përjetshme. Thuhet se Ejjubi ishte betuar ta rrahë gruan me njëqind të rëna. Zoti i tha: "Mëshoj me njëqind thupra në dëng e mos the betimin.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 38:49–38:54
- “Ky është mesazh paralajmërues . - Ky është një kapitull me përkujtime të shumta dhe të mrekullueshme për ata që dinë të përkujtojnë, të përfitojnë dhe të gjejnë dritën dhe udhëzimin. - “Është e sigurt se të devotshmit kanë një përfundim të mirë. ” - Allahu i Lartësuar njofton adhuruesit e Tij besimtarë dhe fatbardhë, se në ahiret do t’u sigurohet përfundimi i mirë e i mrekullueshëm, më i miri vend, ku ata do të kthehen dhe do të jetojnë në amëshim. - “... kopshtet e Adnit, me dyer të hapura për ta. ” - Në kopshtet e qëndrimit të përjetshëm, dyert e të cilëve do të jenë të hapura. Kur ata të vijnë pranë dyerve, ato do të hapen, për t’u sjellë një gëzim dhe lumturi të papërshkrueshme. - “Aty do të jenë të mbështetur në kolltukë ...” - Ata do të jenë të mbështetur, të rehatuar mbi shtretër, të cilët do të jenë me mbulesa dhe të stolisur. - “... dhe do kërkojnë fruta e pije të ndryshme.” - Çfarëdo që të kërkojnë, ata do ta gjejnë dhe do t’u sillet pikërisht ashtu siç e dëshirojnë dhe ashtu si u shijon. Atyre do t’u shërbehen nga të gjitha llojet e frutave dhe pijeve që të dëshirojnë, prej shërbëtorëve të shumtë në të. I Lartësuari thotë në ajete të tjera: “Ata janë në shtretër të stolisur me ar e gurë të çmuar. Të mbështetur qëndrojnë në ta, përballë njëri - tjetrit. Atyre u shërbejnë djelmosha të përjetshëm (në rininë e tyre) , me kupa, ibrikë dhe me gota plot me pije të kulluar, prej një burimi që rrjedh, pije prej së cilës as nuk u dhemb koka, as nuk dehen; dhe me fruta sipas përzgjedhjes së tyre; gjithashtu, me mish shpendësh, si ua ka ënda. Atje do të kenë edhe hyri symëdha. Ato duken si diamante të ruajtura. Ky është shpërblimi për veprat e tyre.” [Uakia 15 - 24]. - “Ata do të kenë pranë vetes (hyri) sypërulura të një moshe.” - Ato janë aq të dashuruara dhe të mahnitura pas burrave të tyre, saqë shikimet i kanë të përqëndruara vetëm tek ata. Allahu i Lartësuar thotë, gjithashtu, se ato janë “ etrab”, pra, janë të njëjta në moshën, hijeshinë dhe freskinë e tyre. - “Këto janë ato mirësi që u premtohen për Ditën e Llogarisë. ” - Kjo është ajo që ka premtuar Allahu i Madhëruar për adhuruesit e Tij të devotshëm. Pastaj i Lartësuari na tregon rreth Xhenetit dhe faktit se mirësitë e kënaqësitë e tij nuk kanë për të përfunduar kurrë: - “Ky është rizku Ynë, - ai nuk ka të mbaruar.” - Ose siç thotë në ajetin tjetër: “Ajo që e keni pranë vetes, është e
përkohshme, kurse ajo që është tek Allahu është e përjetshme. Ne do t’u japim durimtarëve shpërblimin më të mirë për atë që bënë. Kujtdo që bën një vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim një jetë të mirë (në këtë botë), po ashtu (në botën tjetër) do t’i japim shpërblimin më të mirë për veprat e mira.” [Nahl 96]. Ose: “Ndërsa të lumturit janë në Xhenet. Aty do të jenë të përjetshëm, sa të jenë qiejt dhe toka, përveç çfarë do Zoti yt. Ata do të kenë një shpërblim të pandërprerë.” [Hud 108]. Ose: “Nuk ka dyshim se ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira kanë shpërblim të pandër - prerë.” [Fusilet 8]. “Xheneti që u është premtuar të devotshmëve është si një kopsht i bukur, nëpër të cilin rrjedhin lumenj, ku ushqimi dhe hija janë të përhershme. Ky do të jetë fundi i lumtur i atyre që janë të devotshëm, ndërsa fundi i jobesimtarëve do të jetë Zjarri.” [Rad 35]. Ajete të ngjashme janë të shumta në Kuran.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 38:48–38:54
- Kujto Ismailin, Eljesan dhe Dhulkiflin! Që të gjithë ishin prej të zgjedhurve. - Kujtoji këta profetë me lëvdatat më të larta, sepse të gjithë ata ishin nga më të zgjedhurit, që Allahu i dalloi. Për këtë arsye, Ai i bëri me cilësitë më të larta në diturinë, veprat dhe moralin e tyre. - Ky është Mesazh paralajmërimi. - Sjellja e historive të këtyre profetëve në Kur'an është një mësim i vyer për të gjithë ata që duan të përfitojnë nga Kur'ani plot mësime e dobi. Të mençurit përfitojnë duke kujtuar dhe studiuar këta të përzgjedhur dhe marrin mësime të vyera nga cilësitë dhe sjellja e tyre. Ata mund të shohin mirësitë e shumta, me të cilat Zoti i begatoi ata. Ai bëri që ata të jenë gjithmonë të lavdëruar e të nderuar ndër breza. Të gjitha këto janë prej cilësisë së Kur'anit si " dhikër", domethënë, kujtim dhe mësim për gjërat e dobishme dhe të vyera. Përmendja e historive dhe cilësive të të mirëve është nga
mënyrat më të dobishme të nxënies aë mësimeve të Zotit, që janë të pafundme. Lum ai që përfiton nga këto mirësi dhe mësime! - Dhe është e sigurt se të devotshmit kanë një përfundim të mire… - Të gjithë ata që plotësojnë devotshmërinë ndaj Zotit, duke plotësuar urdhrat dhe duke lënë ndalesat, burra apo gra qofshin, kanë këtë premtim të mrekullueshëm nga Zoti i tyre. Ai na siguron se "…të devotshmit kanë një përfundim të mirë." Ata do të kenë një përfundim të mirë dhe një pritje të bukur tek Zoti: - Xhenetet e Adnit me dyer të hapura për ata. - Ato janë kopshtet e qëndrimit të përjetshëm, nga të cilat askush nuk kërkon të largohet apo që t'i zëvendësohen me diçka tjetër, sepse ato janë të përkryera në çdo mirësi brenda tyre. Bukuritë e tyre janë të plota dhe ata kurrë nuk kanë për të dalë prej andej. Ato janë “me dyer të hapura për ata." Portat e kështjellave dhe dhomave të tyre nuk janë të mbyllura, që ata të kenë nevojë që t'i hapin. Atyre do t’u shërbehet me shumë kujdes. Kjo tregon, gjithashtu, se ata do të jenë në qetësi të plotë, të patrazuar nga asnjë lloj frike dhe shqetësimi. Në Xhenetet e Adnit nuk është e nevojshme që ata t'i mbyllin dyert. Çdo gjë është e qetë dhe u përket atyre. Askush nuk i shqetëson apo prish kënaqësitë e banorëve të Xhenetit. - Aty do të jenë të mbështetur në kolltukë dhe do të kërkojnë fruta e pije të ndryshme. - Do të ulen dhe mbështeten në shtretër e kolltukë të zbukuruar, në vende të hijshme. Ndërkohë, ata do të kërkojnë fruta e pije të ndryshme. Ata do të urdhërojnë shërbëtorët, që janë djem të rinj, që të sjellin atyre fruta dhe pije të këndshme, nga të gjitha llojet që ua do shpirti. Kjo tregon për mirësitë e shumta, rehatinë e madhe dhe kënaqësitë që ata përjetojnë. - Ata do të kenë pranë vetes (hyri) sypërulura të një moshe. - Pranë tyre qëndrojnë hijshëm hyritë sybukura, të cilat janë të mahnitura pas burrave të tyre dhe burrat e tyre janë të mahnitur pas hyrive, aq sa nuk mund ta largojnë shikimin nga njëri tjetri. Ata janë të dashuruar me njëri tjetrin dhe nuk shikojnë diçka tjetër, që mund t'ua heqë vëmendjen nga ata. Allahu i përshkruan ato si " etrab", pra, janë të një moshe, në moshën më të përkryer, plot afsh dhe dëshirë për kënaqësi. - Këto janë ato mirësi që ju premtohen për ditën e llogarisë. - Këto ju premtohen për Ditën e Gjykimit, o ju të devotshëm! Kjo do t'ju jepet për punët tuaja të mrekullueshme, të nxitura nga imani i pastër dhe i sinqertë. - Ky është rizku Ynë, - ai nuk ka të mbaruar. - Këto mirësi që u japim banorëve të Xhenetit janë dhuratë nga ana Jonë. Për mirësitë që Allahu u dhuron, thotë që ato nuk mbarojnë kurrë. Ato janë të përjetshme dhe të pandërprera, madje në rritje të vazhdueshme në çdo kohë. Kjo nuk është ndonjë gjë e madhe për Zotin Bujar, të Dashur dhe Mëshirëplotë, Bamirës dhe të Gjerë në dhuratat e Tij. Ai është i Pasuri, i Lavdëruari, i Gjithëmëshirshmi, që kujdeset edhe për detajet më të vogla me mëshirën e
Tij. Ai është Mbreti, Sunduesi, që gjykon me drejtësinë e Tij. Ai është i Madhërishmi dhe i Bukuri në çdo cilësi të Tij. Bujaria e Tij është e pashtershme. Mirësitë e dhuratat e Tij nuk mund të numërohen. Njeriu nuk ka mundësi të konceptojë qoftë edhe një pjesë të vogël të bamirësisë së Zotit.