38. Sad · Ajeti 54

سورة ص
Përkthimi Sherif Ahmeti
54

إِنَّ هَٰذَا لَرِزۡقُنَا مَا لَهُۥ مِن نَّفَادٍ

Ky është furnizimi Ynë, i cili nuk ka të mbaruar.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Të gjitha ngjarjet dhe ndodhitë në këtë botë na japin të kuptojmë, se Zoti nuk e krijoi këtë gjithësi shkel e shko dhe pa ndonjë qëllim të caktuar. Natyrisht se nuk do të jenë të barabartë para Zotit, si ai që besoi, e si ai që nuk besoi: ose si ai që bëri punë të mirë dhe si ai që ishte mëkatar. E për të kuptuar të vërtetën Zoti i shpalli Kuranin Muhamedit, kuptohet për të zotët e mendjes. Sulejmani bir i Davudit, pejgamber dhe mbret, rob i mirë te Zoti në një pasdite të vonë përcjell me një kënaqësi të madhe parakalimin e ushtrisë së vet kalorësiake, por i mahnitur prej atyre kuajve të shpejtë si vetëtima u habit derisa perëndoi dielli dhe mbeti pa e kryer lutjen, që kishte për detyrë ta bëjë para mbrëmjes. I zemëruar për këtë lëshim urdhëroi t’i kthehen kuajt t’i godasë me shpatë këmbëve e qafave. Është sprovuar edhe kur një ditë kishte vendosur të kishte marrëdhënie me të gjitha gratë e tij, me qëllim që t’i lindnin fëmijë, e t’i dërgonte luftëtarë në rrugën e Allahut, mirëpo meleku i kishte thënë, që të thotë inshaAllah (nëse doAllahu), po ky e kishte harruar këtë fjalë. Për këtë Allahu e sprovoi, saqë nuk i lindi asnjëra prej grave të tij, përpos njërës, edhe ajo e lindi një gjysmë trupi jo të plotë dhe jo të gjallë, e ky është trupi, që përmendet në ajet. Kur Sulejmani e kuptoi këtë gjë u pendua tek Allahu dhe kërkoi falje prej Tij. Tregimet e tjera rreth gabimeve të Sulejmanit janë të pabaza, sikurse ato të Davudit, prandaj nuk duhet t’i besojmë atyre. Ejubi është një pejgamber i njohur dhe shembull për durueshmërinë që tregoi. U sprovua me humbjen e familjes, të pasurisë, e edhe më rëndë me një sëmundje të gjatë e të padurueshme. Ndoshta qëndroi tetëmbëdhjetë vjet i sëmurë, e kur nuk pati mundësi më për jetë iu lut Zotit për ndihmë. Zoti e urdhëroi t'i mëshojë tokës me këmbë dhe aty gufoi ujë i ftohtë dhe mjekues. Me t’u larë ai u shërua nga sëmundja e trupit, e me të pirë u shërua nga sëmundja e brendshme. Për hir të durueshmërisë së tij Zoti ia ktheu familjen edhe më të madhe, pasurinë dhe shëndetin. Të gjithë pejgamberët ishin njerëzit më të zgjedhur, më të mirët, prandaj besimtarët duhet të përcjellin me vëmendje shembëlltyrën e tyre për çdo rast të jetës së kësaj bote dhe për fitimin e të mirave në botën tjetër të përjetshme. Thuhet se Ejubi ishte betuar ta rrahë gruan me njëqind të rëna. Zoti i tha: “Mëshoji me njëqind thupra në dëng e mos thyej betimin.”