38. Sad · Ajeti 55 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 38:55–38:88
Mëkatarët, të ndrydhur në zjarrin e xhehenemit, do të bëjnë polemikë mes vete, duke u përpjekur që fajin t'ia hedhin njëri-tjetrit.
Fjala "Merhaba", ka kuptimin e shlirimit, rehatimit, komoditetit, mirëseardhjes etj.
Paria idhujtare në xhehenem do të thonë: Ku jan ata që ne nuk i kemi llogaritur fare si njerëz sa ishim në dynja: këtu kanë për qëllim: Bilalin, Suhajbin, Ammarin, shokë të Pejgamberit. Këtë pyetje e bëjnë ngase nuk besonin se myslimanët do të jenë në xhennete, por atëherë e kuptojnë. Ebu Xhehli do ta kuptojë se u bë mysliman i biri i tij Ikreme, bija e tij Xhuvejrije, nëna e tij, vëllai i tij, e ai vetë kishte mbetur në kufër.
Muhammedi urdhërohet t'u tregojë njerëzve pse është i dërguar, se nuk ka Zot pos Allahut, se Ai komandon me çdo gjë, se ka fuqi të pakufishme, se është mëkatfalës dhe se Ai përmes Kur'anit e mësoi për bisedën që e bënë engjëjt kur u krijua Ademi, për kryeneçësinë që e tregoi dreqi, për analogjinë që e parashtroi si arsyetim.
Shejtani u dëbua prej xhennetit, por iu lut Zotit t'i japë të jetojë deri kur të bëhet ringjallja. Zoti i dha, por jo deri në ringjallje, pse pas ringjalljes nuk ka vdekje, e ashtu ai do të shpëtonte, i dha jetë deri kur Ai vetë e di.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Sad. Falënderoj Allahun e madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 38:55–38:64
Pasi na tregoi për përfundimin e mirë të fatlumëve, besimtarëve të sinqertë, Allahu i Lartësuar na tregon në vijim për gjendjen e të dëshpëruarve dhe fundin e tyre të tmerrshëm në vendin e premtuar për ta: - “Kështu do të jetë! Por keqbërësit do të kenë fundin më të keq ...” - Et-tagin janë ata të cilët nuk i binden Allahut Krenar dhe të Lartësuar, të cilët i kundërvihen profetëve të Tij, refuzojnë të besojnë dhe të ndjekin udhëzimin që ata sollën nga Zoti. Për këta, i Lartësuari thotë: “do të kenë fundin më të keq.” Atyre u takon fundi i tmerrshëm. Më pas i Lartësuari shpjegon hollësisht tmerrin që ata do të përjetojnë: - “Xhehenemin, ku do të hidhen. Ai është vendi më i shëmtuar.” - Ata do të hynë në Xhehenem, i cili do t’i përfshijë nga të gjitha drejtimet. - “Kështu do të jetë! Pastaj ata do të shijojnë ujë të valë dhe të ndyrë.” - El hamim është uji që ka arritur gradën më të lartë të nxehtësisë dhe vlimit. Ndërsa el gassâk quhet e ftohta e papërballueshme, e ftohtë e acartë, torturuese dhe e dhimbshme. - “Ata do të kenë edhe dënime të tjera të ngjashme.” - Ka ndëshkime të tjera të ngjashme, që do të vijnë zinxhir dhe pafundë - sisht. Të tilla ndëshkime janë: i ftohti i acartë dhe i tmerrrshëm, tymi mbytës dhe përvëlues, pijet djegëse, ngrënia e zekumit, këtij ushqimi të tmerrshëm, vuajtja duke u ngjitur lart (në një mal në Xhehenem) duke u kacavjerrë dhe hedhja nga sipër, për t’u përplasur dhimbshëm poshtë. Të tilla do të jenë ndëshkimet në Xhehenem: të ndryshme dhe të kundërta me njëra tjetrën, por torturuese, me të dyja ekstremet. Të gjitha këto ndëshkime janë përgatitur, që banorët e Zjarrit të vuajnë dhe të ndiejnë poshtërimin e skajshëm. - “Ky është një grup që do të bashkohet me ju . Mos qofshin të mirëpritur!” Ata do të digjen në zjarr. - Këtu, Allahu i Lartësuar na tregon disa dialogë që banorët
e Zjarrit do të kenë me njëri -tjetrin, siç thuhet në një ajet tjetër: “... Sa herë që një popull hyn aty, mallkon atë të mëparshmin. ...” [Araf 38, 39]. Pra, në vend të përshë - ndetjes me selam, ata mallkojnë njëri - tjetrin, përgënjeshtrojnë pretendimet e njëritjetrit dhe mohojnë miqësinë e tyre. Kështu, grupi i cili hyn më përpara thotë për ata që vijnë më pas: “Mos qofshin të mirëpritur! Ata do të digjen në zjarr.” Ndërsa ata që sapo hynë në zjarr dhe i gjejnë të tjerët brenda, ua kthejnë: - “Ju mos qofshi të mirëpritur! Jeni ju ata që na e bëtë këtë!” – Pra, ishit ju që na ftuat në këtë rrugë, që na solli në këtë ndëshkim të dhimbshëm. - “Sa vendqëndrim i keq që është! ” - Sa i keq është ky përfundim, në të cilin na sollët! - “O Zoti ynë, - do të thonë pasuesit - atyre që na e bënë këtë, shtoja dyfish dënimin në Zjarr!” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar në një ajet tjetër: “... Dhe, kur të gjithë të tubohen në të, grupi i fundit thotë për grupin e parë: “Zoti ynë, janë këta që na çuan ne në humbje, prandaj shumëfishoja atyre dënimin me zjarr!” Ai do të thotë: “Për secilin nga ju dënimi është i shumëfishuar, por ju nuk e dini.”. ...” [Araf 38]. Edhe juve ju takon një ndëshkim, në varësi të asaj që keni bërë. - Gjithashtu, do të thonë: “Ç’ka ndodhur me ne, që nuk po i shohim disa burra, që ne i numëronim prej të këqijve?” - Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na tregon për habinë e mohuesve, të cilët nuk i shohin në zjarr ata besimtarë, me të cilët talleshin në jetën e dynjasë: “Përse nuk i shohim ata së bashku me ne në zjarr?” Këto janë fjalët e njerëzve si Ebu Xhehli, të cilët nuk do të shohin në zjarr Bilalin, Suhejbin e të tjerë besimtarë, që në jetën e dynjasë i nënçmonin dhe i tallnin. - “Ngaqë ne talleshim me ta. Apo, vallë, na kanë humbur nga sytë?” - Kështu, ata fillojnë të ngushëllojnë veten e tyre me diçka të pamundur: “Pra, mbase edhe ata janë këtu, së bashku me ne, por ne nuk arrijmë t’i shohim ata.” Por pikërisht atje mësojnë se ata për të cilët pyesin dhe nuk po i shohin në zjarr, janë në grada të larta të Xhenetit. Madje, ata fatlumë kanë për t’iu përgjigjur fjalëve të banorëve të Zjarrit, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar në ajetin tjetër: “Banorët e Xhenetit do t'u thërrasin banorëve të Zjarrit e do t'u thonë: “Ne e gjetëm të vërtetë atë që na kishte premtuar Zoti ynë. Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju kishte premtuar Zoti juaj?” Ata do të thonë: “Po”. Atëherë, një thirrës do të shpallë mes tyre: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët!" Të cilët i penguan njerëzit nga rruga e Allahut, që kërkuan shtrembërimin e saj dhe mohuan botën tjetër.” Mes tyre (dy grupeve) do të jetë një mur ndarës, mbi të cilin do të qëndrojnë burra që e njohin secilin grup sipas shenjave të tyre. Ata do t'u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Selami qoftë mbi ju!”. Ata nuk do të kenë hyrë në të, por do të shpresojnë. Kur shikimi i tyre do të shkojë nga ata të Xhehenemit, do të thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me keqbërësit!” Këta të murit do t'u thërrasin pastaj disa burrave të tjerë, që do
t'i njohin nga shenjat e tyre, dhe t'u thonë: “Sa ju vlejti ajo që grumbullonit dhe mendjemadhësia që tregonit? Ja. A nuk janë këta njerëzit për të cilët ju betoheshit se mëshira e Allahut nuk kishte për t’i përfshirë kurrë?”. Hyni në Xhenet, se për ju nuk do të ketë as frikë e as brenga!”” [Araf 44 - 49]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Kjo polemikë mes banorëve të Zjarrit është, pa dyshim, e vërtetë. ” – Kjo që të kemi treguar, o Muhamed, për polemikat e banorëve të Zjarrit dhe mallkimeve që ata i bëjnë njëri -tjetrit, është një e vërtetë e padiskutueshme.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 38:55–38:64
- Ja, kështu do të jetë. - Ky është shpërblimi për të devotshmit, siç jua përshkruam. - Por keqbërësit (që kaluan çdo kufi) do të kenë fundin më të keq... - Për ata që i kanë kaluar kufijtë me mohimin e Zotit dhe poshtërsitë, është përgatitur një kthim i tmerrshëm dhe i dhembshëm. - ... Xhehenemin, ku do të hidhen (për dënim). - Në Xhehenem janë grumbulluar të gjitha ndëshkimet. Nxehtësia e tij është e pashembullt. Ata do të ndëshkohen atje me një dënim përvëlues, që do t'i përfshijë nga çdo anë: "Për ata është përgatitur Xhehenemi, si shtrat nga poshtë dhe si mbulesë nga lart." [El ea'raf 41]. "Ata do të kenë shtresa zjarri nga sipër dhe nga poshtë. Me këtë i frikëson Allahu robtë e Vet: “O robtë e Mi, kini frikë (dënimin)!” [Zumer 16]. - Ai është vendi më i shëmtuar. - Sa vend i keq është ai! Ai është vendi më i tmerrshëm, ku janë mbledhur të gjitha llojet e dënimit, poshtërimit e dëshpërimit. - Ja, kështu do të jetë. Pastaj, ata do të shijojnë ujë të valë dhe të ndyrë. - Shijojeni ndëshkimin me ujin përvëlues! Sa herë që ta pini, do t’ju këputen zorrët e barkut. Pini " gasakun", pra, pijet më të këqija që mund të ekzistojnë. Ajo është një përzierje prej qelbi dhe gjaku e lëngut të kockave të shkrira të xhehenemlinjve. Ajo është e hidhur, me erë të pështirë. - Ata do të kenë edhe dënime të tjera të ngjashme me to. - Atje do të vuajnë edhe tortura të tjera të ngjashme me këto që u përmendën. - Ky - (i thuhet parisë së jobesimtarëve) - është një grup që do të bashkohet me ju (në zjarr) . Mos qofshin të mirëpritur - (thotë paria e jobesimtarëve) - ata do të digjen në zjarr. - Këto fjalë fyese dhe mallkime do të dëgjojnë nga njëri tjetri kur hyjnë në zjarr. Gjatë futjes në zjarr, ata shajnë dhe mallkojnënjëri tjetrin, duke thënë: "Mos qofshin të mirëpritur - (thotë paria e jobesimtarëve) - ata do të digjen në zjarr." Ndërsa grupi tjetër iu përgjigjet dhe thotë: - Ata (pasuesit) do të thonë: “Ju mos qofshi të mirëpritur! Jeni ju ata që na e bëtë këtë!”” - Ju na ftuat në rrugën tuaj dhe u bëtë sprovë për ne. Ju na sollët në këtë shkatërrim! - Sa vendqëndrim i keq që është! - Ky është vendqëndrimi i të gjithë neve! Ky është më i keqi vendqëndrim! Pastaj ata luten dhe mallkojnë krerët e tyre, që i udhëhoqën dhe ftuan në humbje.
- O Zoti ynë! – do të thonë pasuesit - “Atyre që na e bënë këtë, shtoja dyfish dënimin në Zjarr!” - Në një ajet tjetër thuhet: "Melekët do t’u thonë: “Hyni në Zjarr, mes popujve që shkuan para jush - xhinde dhe njerëz.” Sa herë që një popull hyn aty, mallkon atë të mëparshmin. Dhe, kur të gjithë të tubohen në të, grupi i fundit thotë për grupin e parë: “Zoti ynë, janë këta që na çuan ne në humbje, prandaj shumëfishoja atyre dënimin me zjarr!” Ai do të thotë: “Për secilin nga ju dënimi është i shumëfishuar, por ju nuk e dini.”.[El ea'raf 38.] Pastaj, gjatë kohës kur hyjnë në Zjarr, ata të mjerë thonë: - Dhe do të thonë: “Ç’ka ndodhur me ne që nuk po i shohim disa burra, që ne i numëronim prej të këqijve? A talleshim ne me ta, apo mos vallë na kanë humbur sysh?” - Ne mendonim se ata ishin prej atyre që meritojnë zjarrin? Allahu i shëmtoftë ata, që do të dëshironin që edhe besimtarët të jenë atje në zjarr me ata: “Ç’është me ne që nuk po i shohim disa burra, që ne i konsideronim prej të këqijve? A talleshim ne me ta?" Duke qenë se ata nuk janë në zjarr, atëherë janë dy mundësi: E para: ata i patën konsideruar gabimisht si të këqij dhe talleshin me ata në jetën e kësaj bote. Në fakt, tallja ishte një vepër që vazhdimisht e bënin dhe nuk hiqnin dorë prej saj. Duke na treguar për banorët e Zjarrit dhe talljen e tyre me besimtarët, Allahu i Madhëruar thotë: "Disa prej robve të Mi thanë: “O Zoti ynë, ne besojmë. Prandaj na fal dhe na mëshiro, sepse Ti je më i miri i mëshiruesve!” Por ju i tallët ata, saqë ajo tallje ju bëri të harronit Mesazhin Tim. Ju qeshnit me ta. Unë do t'i shpërblej ata sot, sepse u treguan durimtarë. Ata janë, vërtet fitimtarët.” [Mu'minun 109 – 111]. Ndërsa mundësia e dytë është se ata janë në Xhehenem, por ata nuk po i shohim. Ka mundësi që kështu mendojnë ata në zemrat e tyre, si rezultat i besimit të tyre të gabuar në këtë botë. Në dynja ata i gjykojnë besimtarët si të këqij dhe të devijuar, që do të dënohen në zjarr. Ky gjykim u është ngulitur në shpirt dhe nuk u ndahet. Për këtë arsye, edhe kur hyjnë në Xhehenem, ata vazhdojnë të jenë me ato mendime në zemër dhe thonë të tilla fjalë. Gjithashtu, ka mundësi që këto fjalë të jenë thjesht trillime të tyre për besimtarët, ashtu siç bëjnë në këtë jetë. Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk janë këta njerëzit për të cilët ju betoheshit se mëshira e Allahut nuk kishte për t’i përfshirë kurrë?”. Kështu besojnë këta të mjerë për besimtarët, por atë ditë besimtarëve do t'u thuhet: "Hyni në Xhenet, se për ju nuk do të ketë as frikë e as brenga!” [El ea'raf 49]. Në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon se gjithë kjo që Ai na tregoi rreth banorëve të Zjarrit është e vërtetë e padiskutueshme, dhe Ai është më i vërteti në çdo fjalë që thotë: - Kjo polemikë mes banorëve të Zjarrit është pa dyshim e vërtetë. - Kjo që ju treguam rreth polemikave mes banorëve të Zjarrit është e vërteta dhe askush nuk duhet të dyshojë për to.