39. Zumer · Ajeti 22 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 39:21–39:31

Zoti i madhëruar na sjell argumente për fuqinë e Vet, se si e lëshon shiun prej së larti, si i ringjall bimët, të cilat gjatë zhvillimit dhe rritjes së tyre kanë pamje të bukur, e kur fillojnë të thahen e të zverdhen, ato copëtohen e shkatërrohen. Ashtu është e tërë jeta e kësaj bote, por është me rëndësi se edhe jeta e njeriut është e tillë, pse, ai njëherë është i ri, i bukur, i fuqishëm, e më vonë, duke u plakur, dobësohet, e humb edhe bukurinë, edhe fuqinë, e më në fund edhe vdes, pra, fatbardhë është ai, që do ta ketë një gjendje edhe më të mirë pas vdekjes.

Kur'ani është fjala më e mirë, nuk ka në të kundërthënie, çdo këshillë a dispozitë e tij shqyrton dy anët e çështjeve, pozitiven dhe negativen, p.sh. hallall - haram, mirë - keq, dritë - terr, besim - mosbesim, tokë - qiell, xhennet - xhehenem, engjëj - dreqër, frikë - shpresë etj. (Methanije).

Mbrojtja me fytyrë nga zjarri, është gjendje e kriminelëve, sepse ata duart i kanë të lidhura.

Për çdo nevojë të njerëzve, Kur'ani solli shembuj ashtu që njerëzit ta gjejnë rrugën e drejtë, e megjithatë, disa njerëz nuk duan ta rehatojnë veten e të jenë sherbëtorë të një Zoti, e jo shërbëtorë të shumë zotave të trilluar. Shembulli i robit të një zotëriu që ka mëshirë e karakter të mirë, dhe i robit të disa zotërinjve të këqij, të cilët duke e sunduar secili sipas qejfit të vet, e vëjnë në një gjendje të mjeruar.

Idhujtarët e pritnin vdekjen e Pejgamberit, e nuk mendonin se edhe ata do të vdesin dhe në ditën e kijametit do të dalin para Zotit dhe secili do ta kërkojë të drejtën e vet, duke e paditur njëri-tjetrin si armiq. Atë ditë gjykon Zoti me drejtësinë e Vet të përsosur. Pejgamberi ka thënë: "Merrni hallallin (pajtohuni) njëri-tjetrit para asaj dite e nëse dikujt i ke bërë padrejtë, ai t'i merr thevabet, e nëse nuk ke thevabe, do t'ia marrësh mëkatet e tij që i ke bërë zullum, atë ditë nuk ka pajtim me mall..:"

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 39:21–39:22

- “A nuk e sheh se si e lëshon Allahu ujin nga qielli dhe e shpërndan atë në tokë nëpër burime? ” - Allahu i Lartësuar na tregon se origjina e ujit që ndodhet në Tokë vjen prej qiellit, sikurse thotë edhe në ajetin tjetër: “ Është Ai, që i lëshon erërat si lajmëtare për gëzim, përpara se të vijë mëshira e Tij (shiu). Ne lëshojmë ujë të pastër prej qiellit, me të cilin Ne i japim jetë një toke të vdekur dhe ua shuajmë etjen atyre që kemi krijuar: shumë kafshë e njerëz. Ne e shpërndajmë atë (shiun) që ata të mendojnë, por shumica e njerëzve nuk deshën gjë tjetër veç refuzimit. ” [Furkan 48 - 50]. Pasi e zbret ujin nga qielli në tokë, e ruan dhe fsheh në tokë, i Lartësuari e shpërndan në pjesë të ndryshme të tokës, ashtu si Ai dëshiron, në formë përrenjsh e lumenjsh, të vegjël e të mëdhenj, në varësi të nevojës për ujë, siç thotë: “e shpërndan atë në tokë nëpër burime”. Ibn Abasi ka thënë: “Çdo ujë që gjendet në tokë ka zbritur veçse prej qiellit, por damarët që gjenden nëpër tokë e fshehin dhe e ruajnë në brendësi të saj, prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk e sheh se si e lëshon Allahu ujin nga qielli dhe e shpërndan atë në tokë nëpër burime?” Seid Ibn Xhubejri

thotë se origjina e këtij uji vjen prej akullit. Pra, akulli formohet dhe shtresohet në male dhe qëndron atje, derisa rrëzë maleve formohen burime dhe përrenj. - “Më pas, prej tij mbijnë bimë të llojeve dhe të ngjyrave të ndryshme ...” - Ato janë të larmishme në format, shijet, aromat e tyre dhe dobitë që ato sjellin për krijesat dhe gjallesat. - “... derisa ato thahen ...” - I sheh të vyshkura e të thata. - “... dhe ti i sheh të zverdhura dhe të copëtuara.” - Ato kthehen në kashtë të thatë, e cila shkelet dhe bëhet byk e pluhur. - “S’ka dyshim se këtu ka prova për njerëzit e ditur. ” - Të diturit janë ata të cilët meditojnë në pamjet e faktet, që Zoti u ofron, dhe nxjerrin mësim prej tyre, duke kuptuar qartë natyrën e vërtetë të kësaj bote, e cila fillimisht është e bukur, e hijshme, tërë gjelbërim, që ngjall gëzim e shpresë, pastaj shndërrohet në pamje të shëmtuar. Po kështu, njeriu kalon në fazën e rinisë, pastaj kthehet në një plak të dobët dhe më pas, në mënyrë të pashmangshme shkon drejt vdekjes. Kështu, i lumtur është ai që, pas jetës në këtë botë, shkon drejt mirësisë dhe shpreson mirësinë, duke ndjekur atë që e bën të mundur diçka të tillë. Janë të shumta rastet kur Allahu i Lartësuar na jep të tilla shëmbëllime për jetën e dynjasë, sikurse thotë në një ajet tjetër: “Tregoju atyre shembullin e jetës së kësaj bote! Ajo është si uji, që Ne e lëshojmë nga qielli dhe bima e tokës e thith atë. Por më pas ajo bëhet si bar i thatë që e shpërndajnë erërat. Allahu ka fuqi për gjithçka.” [Kehf 45]. - “Ai të cilit Allahu ia ka zgjeruar gjoksin për besimin islam është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. ” - A mund të jenë një lloj ky njeri me atë i cili ka një zemër të vrazhdë, të ashpër, që është shumë larg të vërtetës dhe e mbushur me errësirë? Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, kur thotë: “Vallë, a është njëlloj ai që ishte i vdekur, por që Ne e ngjallëm e i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve me atë që ka mbetur në thellësitë e errësirave, nga të cilat nuk mund të dalë asnjëherë? Kështu, mohuesve u duken të këndshme veprimet e tyre.” [En’am 122]. - “Mjerë ata që, nga zemërngurtësia e tyre, nuk e përmendin Allahun! Ata janë në një humbje të qartë. ” - Mjerë ata të cilëve nuk u zbuten zemrat kur përmendet Zoti, nuk mbushen me frikërespekt për Allahun, nuk ndikohen, nuk logjikojnë dhe nuk janë të afta të kuptojnë mesazhet e Zotit dhe të reflektojnë ashtu siç duhet. Pikërisht për këta, i Lartësuari thotë: “Ata janë në një humbje të qartë.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 39:22

- Ai të cilit Allahu ia ka zgjeruar gjoksin për besimin islam është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. - Si mund të jenë të njëjtë këto dy lloje njerëzish? I pari është ai që Zoti ia zgjeroi gjoksin për të pranuar Islamin, për të nxënë porositë e ligjet e Zotit dhe për të punuar dhe jetuar sipas tyre. Ai i bën këto duke qenë shumë i qartë dhe i mbuluar nga prehja. Ai e adhuron Allahun duke qenë i qartë dhe i sigurt në çdo gjë që bën. Për këtë tregon fjala e Tij: "...është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet." Ai është i ndriçuar nga Zoti i tij në çdo hap që hedh dhe çdo çast në këtë jetë. Ndërsa ai tjetri nuk i ka këto mirësi dhe nuk e njeh prehjen dhe qetësinë e zemrës, prandaj Zoti thotë: - Mjerë ata që, nga zemërngurtësia e tyre, nuk e përmendin Allahun! - Ato zemra nuk zbuten dhe as preken kur dëgjojnë Librin e Allahut. Ato nuk marrin mësim kur kujtohen dhe paralajmërohen nga ajetet e Tij. Ato zemra nuk qetësohen kur kujtohet Zoti, madje largohen dhe e refuzojnë me forcë e urrejtje mesazhin që u vjen nga Zoti i tyre. Ata gjejnë prehje vetëm kur merren me diçka tjetër veç Zotit. Këta të mjerë janë të kërcënuar ashpër. - Ata janë në një humbje të qartë. - Ku ka humbje dhe dëshpërim më të madh sesa i atij që është larguar nga i vetmi Mbrojtës e Ndihmëtar, që kujdeset për gjithçka? Çdo lumturi është e lidhur ngushtë me kthimin dhe afërsinë pranë Zotit dhe përkushtimit ndaj Tij. Këtyre të mjerëve u është ngurtësuar zemra dhe nuk e kujtojnë e përmendin aspak Zotin. Ata i janë dedikuar me gjithë qënien e tyre diçkaje që u sjell veçse dëshpërim e ligësi, që të largon nga Zoti dhe kënaqësia e Tij.

← Zumer 39:22