39. Zumer · Ajeti 43 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 39:32–39:75
Allahu i merr shpirtrat, i merr nëpërmjet engjëllit dhe nëpërmjet engjëjve të caktuar për këtë detyrë, por vetëm me urdhërin e Tij. Pjesa lëndore e njeriut, të cilës i është bashkuar edhe shpirti quhet: "nefsun", e kur I thuhet Zoti e mer nefsin kur atij i vjen vdekja, është për qëllim, ndërprerja e bashkëpunimit të pjesës lëndore me atë shpirtërore dhe me atë rast pjesa lëndore është e vdekur, e shpirti nuk vdes. Edhe ai që është në gjumë I i përngjan te vdekurit, ngase shqisat e trupit nuk funksionojnë. Çdo gjë është në kompetencën e Zotit dhe shefat nuk mund të bëjë askush pa lejen e Tij: e, megjithatë, idhujtarët nuk donin të pranojnë se është vetëm një Zot, Allahu, por do ta kuptojnë gabimin dhe do ta jepnin i krejt botën sikur të ishte e tyre, e ta shpëtojnë veten prej atij gabimi kur u del e vërteta në shesh.
Shumë njerëz nuk janë mirënjohës ndaj të mirave të Zotit, e shpeshherë e harrojnë Zotin dhe krenohen me aftësinë e vet, e nuk e dinë se begatitë janë në duar të Tij.
Ajeti 53 në këtë sure, ndoshta është ajeti më shpresëdhënës në tërë Kur'anin, pse të gjithë njerëzit i thërret me emër përkëdhelës, duke u thënë: O robërit e Mi, e me këtë u hapën dyert që të pendohen dhe t'i kthehen besimit të drejtë, veprave të mira, të largohen prej besimit të kotë e punëve të këqia, të ndjekin mësimet e Kur'anit e të fitojnë mëshirën e Allahut. Pra, dera e pendimit nuk është e mbyllur.
E nëse edhe pas kësaj kumtese kaq të mëshirshme nga ana e të madhit Zot, nuk marrin rrugën e drejtë, le ta dinë se do të pendohen pse nuk qenë respektues të urdhërave të Zotit, do ta mjerojnë veten, do të kërkojnë të kthehen edhe njëherë në dynja e të besojnë dhe të bëjnë vepra të mira, por pas kohe dhe pa dobi.
A është mençuri të adhurohet ose të besohet diçka tjetër, pos Allahut që tërë tokën e ka në dorën e vet, tërë qiejt i ka në dorën e vet, pse Ai e urdhëron Israfilin t'i fryej Surit dhe çdo gjallesë bie e vdekur në vend, e kur e urdhëron t'i fryjë herën e dytë, të gjithë ringjallen, ngriten në këmbë dhe presin çka po urdhëron Zoti. Ajo tokë pas ringjalljes do të jetë e ndriçuar me drejtësinë e Zotit, aty sillen të gjithë pejgamberët dhe engjëjt që kanë shënuar veprat e njerëzve për t'i dëshmuar ato dhe çdokujt i jepet sipas veprave të bëra në dynja.
Atyre që nuk besuan u grahin për në xhehenem, dhe kur afrohen aty, zebanijet - roja e xhehenemit, ua përkujtojnë edhe njëherë gabimin, ashtu që ta kuptojnë se me fajin e vet po futen në zjarr.
Ndërsa ata që besuan dhe bënë vepra të mira, përcillen në grupe deri te xhenneti, por kur afrohen, shohin dyert e tij të hapura e hazenetul xhenneti - roja e xhennetit, u shpreh mirëseardhje, lumturi e shpëtim. Xhennetlinjtë i shprehin falënderim Zotit për atë shpërblim aq të madh.
Ajo ditë është ditë e madhe, ngase çdokush do të shpërblehet sipas besimit dhe veprimit. Gjykatës është Zoti, që nuk i bën padrejtë askujt, por vetëm mëshiron. Atë ditë engjëjt më të lartë janë të rreshtuar rreth e rreth Arshit, me vëmendje përcjellin gjykimin, e madhërojnë dhe e falënderojnë Fuqiplotin dhe kur merr fund gjykimi, njerëzit e edhe engjëjt i shprehin edhe njëherë Zotit të madhëruar falënderim!
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures "Ez Zumeru". Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 39:43–39:45
- “Mos vallë, kanë gjetur ndonjë ndërmjetësues për tek Allahu?” - Allahu i Lartësuar i qorton idhujtarët, në lidhje me disa, që ata i quajnë “ndërmjetësues dhe afrues tek Allahu”. Kështu, ata i adhuronin këto krijesa së bashku me Zotin, por ato skulptura e shtatore, ata i përzgjodhën vetë si idhuj, pa pasur asnjë argument dhe fakt nga Zoti. Në lidhje me këtë, i Lartësuari thotë: - “Thuaj: “Edhe pse ata nuk zotërojnë asgjë e as nuk kuptojnë?!”.” - Thuaju, o Muhamed: Si veproni diçka të tillë, edhe pse ata të cilët ju i adhuroni veç Allahut nuk kanë në dorë as të sjellin ndonjë dobi, as të të shpëtojnë nga ndonjë dëm, e as të logjikojnë? A nuk po mendoni pak për idhujt tuaj? Ata nuk kanë asnjë forcë për të vepruar, nuk kanë as dëgjim, as shikim dhe as logjikë, sikurse thotë i Madhëruari në ajetin tjetër: “A kanë ata këmbë për të ecur? A kanë duar për të kapur? A kanë sy për të parë? A kanë veshë për të dëgjuar? Thuaj: “I thërrisni idhujt tuaj, thurni plane kundër meje dhe mos pritni aspak!”. Nuk ka
dyshim se ata që ju po i adhuroni veç Allahut, janë të krijuar, sikurse edhe ju. Lutjuni atëherë atyre dhe le t’ju përgjigjen, nëse e thoni të vërtetën!” [Araf 194, 195]. - “Thuaj: “I tërë ndërmjetësimi është në Dorë të Allahut. ” - Ndërmjetësimi nuk vlen tek Allahu, veçse për ata që Allahu pëlqen dhe jep lejen që të ndërmjetësohet. Kështu, gjithçka që ka lidhje me ndërmjetësimin kthehet tek Allahu dhe është tërësisht në dorën e Tij dhe vetëm të Tij, sikurse thotë: “Askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Ai, përveçse me lejen e Tij. ...” [Bekare 255]. - “Në dorë të Tij është pushteti i qiejve dhe i Tokës ...” - Është Ai që administron dhe rregullon të gjitha çështjet e gjithësisë, të qiellit dhe të Tokës. - “... dhe vetëm te Ai do të ktheheni të gjithë.” - Ai do të gjykojë mes jush në Ditën e Kijametit me drejtësinë e Tij dhe do të shpërblejë gjithkënd, në lidhje me punët që ka bërë në dynja. - “Kur përmendet vetëm Allahu, zemrat e atyre që nuk besojnë jetën tjetër ndiejnë neveri.” - Kur thuhet dëshmia: “La ilâhe il -l-Allahu uaĥdehu Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut që është Një i Vetëm ”, zemrat e atyre që nuk besojnë në jetën tjetër ndiejnë neveri. Pra, ato shtrëngohen nga pakënaqësia, mohimi, inati dhe refuzimi për të ndjekur të vërtetën dhe për t’u nënshtruar sipas saj. Kështu, zemrat e tyre nuk e pranojnë mirësinë dhe, pa dyshim, është e pashmangshme se ai i cili nuk e pranon mirësinë, ka për të pranuar ligësinë, prandaj i Lartësuari thotë: - “Ndërsa kur përmenden të tjerët, e jo Ai, ata gëzohen.” - Pra, kur përmenden idhujt e tyre, ata gëzohen dhe ndiejnë kënaqësi.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 39:43–39:44
Allahu i Lartësuar qorton dhe paralajmëron ata të cilët marrin ndërmjetësues për tek Ai dhe u përkushtohen, u luten, i adhurojnë dhe e lidhin zemrën me to. Thuaju atyre, duke ua bërë të qartë injorancën ku ndodhen dhe faktin se ata nuk meritojnë asgjë prej adhurimeve . - Mos vallë kanë gjetur ndonjë ndërmjetësues për (t'i afruar) tek Allahu? Thuaj: “Edhe pse ata nuk kanë asgjë në dorë e as nuk kuptojnë?!”. - Ata të cilët i merrni për ndërmjetësues nuk zotërojnë asnjë thërrmijë pushteti në qiej dhe në tokë. Madje, ata nuk kanë as logjikë, që të kuptojnë ato që u thuhen. Atëherë, për çfarë mund të lëvdohen këto sende të ngurta, pemë, figura, e të vdekur?! A mund të thuhet se ai që shpreson ndërmjetësimin e tyre ka logjikë?! Sigurisht, këta janë njerëzit më injorantë dhe më të padrejtë . - Thuaj: “Vetëm Allahut i takon i tërë ndërmjetësimi. - Çdo çështje është në dorë të Allahut dhe Atij i frikësohet dhe i druhet çdo ndërmjetësues. Askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Allahu pa lejen e Tij. Nëse Ai dëshiron që të mëshirojë dikë prej robve të Tij, Ai i jep leje për ndërmjetësim dhe ia pranon ndërmjetësimin. Kështu, Ai i mëshiron të dy, edhe ndërmjetësuesin, edhe atë për të cilin ndërmjetësohet. Pastaj Allahu i Madhëruar e përforcon këtë fakt, duke thënë: - Në Dorë të Tij është Sundimi i qiejve dhe i tokës - Gjithçka që ndodhet në qiej dhe në tokë, qoftë trupat, shpirtrat, cilësitë e veprat e tyre, janë pronë e Zotit dhe nën sundimin e Tij. Kështu, është mëse e logjikshme që ndërmjetësimin ta kërkojmë nga Ai i Cili e ka gjithçka nën sundimin e pushtetin e Vet dhe vetëm Atij t'i përkushtohesh me adhurim e me sinqeritet të plotë në realizimin e fesë së Tij . - dhe vetëm tek Ai do të ktheheni të gjithë. - Atë ditë, Ai do të shpërblejë të sinqertët me shpërblime e nderime të shumta. Ndërsa atyre që i bëjnë shok do t'u japë një dënim që të këput çdo shpresë .