39. Zumer · Ajeti 45 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 39:32–39:75

Allahu i merr shpirtrat, i merr nëpërmjet engjëllit dhe nëpërmjet engjëjve të caktuar për këtë detyrë, por vetëm me urdhërin e Tij. Pjesa lëndore e njeriut, të cilës i është bashkuar edhe shpirti quhet: "nefsun", e kur I thuhet Zoti e mer nefsin kur atij i vjen vdekja, është për qëllim, ndërprerja e bashkëpunimit të pjesës lëndore me atë shpirtërore dhe me atë rast pjesa lëndore është e vdekur, e shpirti nuk vdes. Edhe ai që është në gjumë I i përngjan te vdekurit, ngase shqisat e trupit nuk funksionojnë. Çdo gjë është në kompetencën e Zotit dhe shefat nuk mund të bëjë askush pa lejen e Tij: e, megjithatë, idhujtarët nuk donin të pranojnë se është vetëm një Zot, Allahu, por do ta kuptojnë gabimin dhe do ta jepnin i krejt botën sikur të ishte e tyre, e ta shpëtojnë veten prej atij gabimi kur u del e vërteta në shesh.

Shumë njerëz nuk janë mirënjohës ndaj të mirave të Zotit, e shpeshherë e harrojnë Zotin dhe krenohen me aftësinë e vet, e nuk e dinë se begatitë janë në duar të Tij.

Ajeti 53 në këtë sure, ndoshta është ajeti më shpresëdhënës në tërë Kur'anin, pse të gjithë njerëzit i thërret me emër përkëdhelës, duke u thënë: O robërit e Mi, e me këtë u hapën dyert që të pendohen dhe t'i kthehen besimit të drejtë, veprave të mira, të largohen prej besimit të kotë e punëve të këqia, të ndjekin mësimet e Kur'anit e të fitojnë mëshirën e Allahut. Pra, dera e pendimit nuk është e mbyllur.

E nëse edhe pas kësaj kumtese kaq të mëshirshme nga ana e të madhit Zot, nuk marrin rrugën e drejtë, le ta dinë se do të pendohen pse nuk qenë respektues të urdhërave të Zotit, do ta mjerojnë veten, do të kërkojnë të kthehen edhe njëherë në dynja e të besojnë dhe të bëjnë vepra të mira, por pas kohe dhe pa dobi.

A është mençuri të adhurohet ose të besohet diçka tjetër, pos Allahut që tërë tokën e ka në dorën e vet, tërë qiejt i ka në dorën e vet, pse Ai e urdhëron Israfilin t'i fryej Surit dhe çdo gjallesë bie e vdekur në vend, e kur e urdhëron t'i fryjë herën e dytë, të gjithë ringjallen, ngriten në këmbë dhe presin çka po urdhëron Zoti. Ajo tokë pas ringjalljes do të jetë e ndriçuar me drejtësinë e Zotit, aty sillen të gjithë pejgamberët dhe engjëjt që kanë shënuar veprat e njerëzve për t'i dëshmuar ato dhe çdokujt i jepet sipas veprave të bëra në dynja.

Atyre që nuk besuan u grahin për në xhehenem, dhe kur afrohen aty, zebanijet - roja e xhehenemit, ua përkujtojnë edhe njëherë gabimin, ashtu që ta kuptojnë se me fajin e vet po futen në zjarr.

Ndërsa ata që besuan dhe bënë vepra të mira, përcillen në grupe deri te xhenneti, por kur afrohen, shohin dyert e tij të hapura e hazenetul xhenneti - roja e xhennetit, u shpreh mirëseardhje, lumturi e shpëtim. Xhennetlinjtë i shprehin falënderim Zotit për atë shpërblim aq të madh.

Ajo ditë është ditë e madhe, ngase çdokush do të shpërblehet sipas besimit dhe veprimit. Gjykatës është Zoti, që nuk i bën padrejtë askujt, por vetëm mëshiron. Atë ditë engjëjt më të lartë janë të rreshtuar rreth e rreth Arshit, me vëmendje përcjellin gjykimin, e madhërojnë dhe e falënderojnë Fuqiplotin dhe kur merr fund gjykimi, njerëzit e edhe engjëjt i shprehin edhe njëherë Zotit të madhëruar falënderim!

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures "Ez Zumeru". Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 39:43–39:45

- “Mos vallë, kanë gjetur ndonjë ndërmjetësues për tek Allahu?” - Allahu i Lartësuar i qorton idhujtarët, në lidhje me disa, që ata i quajnë “ndërmjetësues dhe afrues tek Allahu”. Kështu, ata i adhuronin këto krijesa së bashku me Zotin, por ato skulptura e shtatore, ata i përzgjodhën vetë si idhuj, pa pasur asnjë argument dhe fakt nga Zoti. Në lidhje me këtë, i Lartësuari thotë: - “Thuaj: “Edhe pse ata nuk zotërojnë asgjë e as nuk kuptojnë?!”.” - Thuaju, o Muhamed: Si veproni diçka të tillë, edhe pse ata të cilët ju i adhuroni veç Allahut nuk kanë në dorë as të sjellin ndonjë dobi, as të të shpëtojnë nga ndonjë dëm, e as të logjikojnë? A nuk po mendoni pak për idhujt tuaj? Ata nuk kanë asnjë forcë për të vepruar, nuk kanë as dëgjim, as shikim dhe as logjikë, sikurse thotë i Madhëruari në ajetin tjetër: “A kanë ata këmbë për të ecur? A kanë duar për të kapur? A kanë sy për të parë? A kanë veshë për të dëgjuar? Thuaj: “I thërrisni idhujt tuaj, thurni plane kundër meje dhe mos pritni aspak!”. Nuk ka

dyshim se ata që ju po i adhuroni veç Allahut, janë të krijuar, sikurse edhe ju. Lutjuni atëherë atyre dhe le t’ju përgjigjen, nëse e thoni të vërtetën!” [Araf 194, 195]. - “Thuaj: “I tërë ndërmjetësimi është në Dorë të Allahut. ” - Ndërmjetësimi nuk vlen tek Allahu, veçse për ata që Allahu pëlqen dhe jep lejen që të ndërmjetësohet. Kështu, gjithçka që ka lidhje me ndërmjetësimin kthehet tek Allahu dhe është tërësisht në dorën e Tij dhe vetëm të Tij, sikurse thotë: “Askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Ai, përveçse me lejen e Tij. ...” [Bekare 255]. - “Në dorë të Tij është pushteti i qiejve dhe i Tokës ...” - Është Ai që administron dhe rregullon të gjitha çështjet e gjithësisë, të qiellit dhe të Tokës. - “... dhe vetëm te Ai do të ktheheni të gjithë.” - Ai do të gjykojë mes jush në Ditën e Kijametit me drejtësinë e Tij dhe do të shpërblejë gjithkënd, në lidhje me punët që ka bërë në dynja. - “Kur përmendet vetëm Allahu, zemrat e atyre që nuk besojnë jetën tjetër ndiejnë neveri.” - Kur thuhet dëshmia: “La ilâhe il -l-Allahu uaĥdehu Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut që është Një i Vetëm ”, zemrat e atyre që nuk besojnë në jetën tjetër ndiejnë neveri. Pra, ato shtrëngohen nga pakënaqësia, mohimi, inati dhe refuzimi për të ndjekur të vërtetën dhe për t’u nënshtruar sipas saj. Kështu, zemrat e tyre nuk e pranojnë mirësinë dhe, pa dyshim, është e pashmangshme se ai i cili nuk e pranon mirësinë, ka për të pranuar ligësinë, prandaj i Lartësuari thotë: - “Ndërsa kur përmenden të tjerët, e jo Ai, ata gëzohen.” - Pra, kur përmenden idhujt e tyre, ata gëzohen dhe ndiejnë kënaqësi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 39:45–39:46

Allahu i Lartësuar na tregon gjendjen e idhujtarëve dhe atë çka idhujtaria kishte ndryshuar në shpirtrat e tyre. Ai thotë : - Kur përmendet Allahu, Ai që është Një dhe i Vetëm, zemrat e atyre që nuk besojnë në Jetën Tjetër mbushen me neveri (e pakënaqësi) . - Kur përmendej Zoti dhe urdhërohej që Ai të njësohej në adhurim dhe kur urdhërohej që të largoheshin nga adhurimi i gjithçkaje tjetër veç Tij, ata ndiheshin shumë keq, e prisnin me urrrejtje, e madje shprehnin neveri për të gjithë këto urdhëresa . - Por, kur përmenden të tjerë, përveç Tij, ja, ata mbushen me gëzim. - Por kur përmendeshin idhujt ose kur dikush i ftonte për të adhuruar idhujt, ata gëzoheshin, sepse idhujtaria u shkonte pas dëshirave të tyre.

Kjo është gjendja më e shëmtuar, në të cilën mund të gjendet një njeri. Por le ta dinë se premtimi për ta është Dita e Gjykimit, kur do të shpërblehen me drejtësi për të gjithë veprat që kanë bërë. Atëherë do të shohin a do t'u sjellin ndonjë dobi idhujt e tyre apo jo. Atëherë le t'u luten dhe të shohin se do t'u përgjigjen apo jo. - Thuaj: “O Allah! Ti je Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, i Gjithëdituri për të fshehtat dhe të dukshmet. Ti je Krijuesi i tyre dhe Ai që rregullon çështjet e gjithësisë. Ti je i Gjithëdituri rreth të fshehtës, që ne as nuk e shohim dhe as nuk e dimë, dhe rreth të dukshmes, që ne e shohim . - Je Ti Ai që do të gjykosh mes robve të Tu për gjithçka që ata kundërshtoheshin (mes tyre) .”. Kundërshtimi më i ashpër është ai mes njësuesve të Zotit dhe idhujtarëve. Besimtarët e sinqertë përballen në dynja me idhujtarët dhe u tregojnë se rruga e drejtë është rruga e adhurimit të Zotit si Një i Vetëm, përmes fesë së Tij, pra, përmes mënyrës që Ai e zgjodhi për robtë. Ata u tregojnë se mirësia dhe shpërblimi në ahiret do t'u jepet veçse besimtarëve të sinqertë e jo idhujtarëve. Ndërsa idhujtarët i kundërshtojnë besimtarët. Ata adhurojnë idhuj dhe puta, që i barazojnë me Zotin e botëve, edhe pse ata nuk vlejnë asgjë, duke trilluar kështu një shpifje shumë të ulët për Zotin. Ata kënaqen dhe gjejnë qetësi e kënaqësi veçse kur përmenden idhujt e tyre dhe shprehin pakënaqësi e neveri kur përmendet vetëm Allahu. Me gjithë këtë padrejtësi të madhe, ata mbrojnë të vërtetën, duke u thënë se çdo gjë tjetër veç rrugës së tyre është e gabuar dhe se ata do të jenë të vetmit që do të fitojnë shpërblimin tek Zoti. Zoti do të gjykojë me drejtësinë dhe diturinë e Tij për të që kundërshtohen. I Lartësuari thotë: "Ditën e Kijametit, Allahu do të bëjë dallimin midis atyre që besuan (në Kur'an) dhe atyre që ishin jehudinj, sabejë, të krishterë, mexhusë dhe idhujtarë. Allahu di dhe sheh gjithçka." [Haxh 17]. Më pas na njofton se do të bëjë ndarjen dhe gjykimin e drejtë mes tyre duke thënë: "Këta janë dy kundërshtarë (besimtarë dhe jobesimtarë) që polemizojnë rreth Zotit të tyre. Por, atyre që nuk besuan, do t'u qepen rroba prej zjarri dhe mbi kokat e tyre u hidhet ujë i valë. Me atë do t'u digjet (e shkrihet) krejt ç’ka brenda trupit të tyre dhe lëkurat. Për ata janë edhe topuzët e hekurt. Sa herë që përpiqen të dalin prej tij nga vuajtjet e padurueshme, do të kthehen me dhunë në të dhe (do t'u thuhet) : “Vuajeni Dënimin Përvëlues!” Allahu i vendos në Xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ata që besuan dhe bënë vepra të mira. Aty do të stolisen me byzylykë të artë e me margaritarë dhe veshjet e tyre do të jenë të mëndafshta. Ata u udhëzuan për (të folur) fjalët më të mira dhe u udhëzuan në rrugën e Atij që i meriton (të gjitha) lavdërimet. [Haxh 19 – 24]. "Atyre që besojnë dhe besimin e tyre nuk e ngatërrojnë me padrejtësi, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë." [En'am 82]. "Bëjnë kufër ata që thonë: “Allah është Mesihu, biri i Merjemes”. Por Mesihu ka thënë: “O bijtë e Israilit! Adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj! Kushdo që adhuron zota të tjerë përveç Allahut, Allahu do t'ia ndalojë Xhenetin dhe Zjarri do të jetë vendbanimi i tij. Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar. " [Maide 72]. Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar na qartëson se Ai është Krijuesi i gjithçkaje, Ai që di gjithçka dhe se urtësia e Tij është gjithëpërfshirëse. Ai do të gjykojë me drejtësi mes robve të Tij. Në fakt, fuqia e Tij, me të cilën solli në ekzistencë krijesat dhe dituria e Tij gjithpërfshirëse janë tregues se gjykimi i Tij do të jetë i drejtë dhe ringjallja është e sigurt dhe e domosdoshme. Ai di hollësisht çdo punë të robve, të mirat dhe të këqijat e tyre, ashtu siç di mirë masën e shpërblimit të secilit prej tyre. Krijimi tregon për diturinë e Allahut, sikurse thotë Ai në Kuran: "Qoftë sikur t’i fshihni, qoftë sikur t’i thoni fjalët tuaja haptas, nuk ka dyshim se Ai e di çfarë fshihni në zemrat tuaja. A nuk e di Ai që ka

krijuar, kur Ai di në imtësi çdo sekret." [Mulk 14].

← Zumer 39:45