39. Zumer · Ajeti 7 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 39:1–39:20

Kur'ani është libër i shpallur prej Zotit Një, e derisa pos Tij nuk ka Zot tjetër, atëherë adhurimi dhe çdo vepër tjetër duhet të kryhet thjesht për hir të Tij, pse adhurimi ose veprat që kryhen edhe për hir të dikujt tjetër, janë të papranueshme. Është gabim i madh në besim, të mendohet se dikush tjetër do të ketë ndikim të afrojë te Zoti, pse Zotit, të vetmit krijues dhe komandues me gjithçka ekziston, nuk i nevojitet ortak, as nuk i nevojitet ndonjë fëmijë, andaj t'i shoqërohet Zotit ndonjë send a qenie, në adhurime ose në vepra, do të thotë t'i asgjësojë ato, pse si të tilla Zoti nuk i pranon.

Në argumentet që duket fuqia e pakufishme e Zotit Krijues, përmenden qiejt, toka, dielli, hëna, e përmenden edhe nata e dita se si e mbështjellin, e mbulojnë njëra-tjetrën. Vetë fjala "kevr" do të thotë: të vihet një palë mbi palën tjetër të petkave, e këtu e kuptojmë se atë vend të globit të tokës të cilin e ka mbuluar nata, më vonë e mbulon dita dhe anasjelltas, pra e tërë sipërfaqja e tokës është e mbështjellë me natë ose me ditë, për arsye se toka është e rrumbullakët.

Përmenden etapat e krijimit të njeriut dhe tri errësirat në barkun e nënës: errësira e cipës së mbështjellë, errësira e mitrës dhe errësira e barkut. Për këto tri errësira të fetusit, dituria vetëm tash arriti t'i dijë Allahu është i kënaqur me ata që kanë besim të drejtë e vepra të mira, e nuk është i kënaqur me ata me besim të kotë e me punë të këqia, por megjithatë, Zoti nuk ka nevojë për asnjërin, I porse njerëzit kanë nevojë për Zotin.

Është karakter i dobët i atij që kur është në vështirësi e lut Zotin, e kur Ai ia largon vështirësitë, e harron Atë e i mbështetet tjetërkujt.

Nuk është i njëjtë si besimtari si jobesimtari, si ai që bën vepra të mira dhe si ai që bën të këqia, pra nuk është i barabartë i padijshmi me të dijshmin.

Toka e Zotit është e gjerë. Ky ajet thuhet se shpallet si përforcim i binjdes së Xhafer ibni Ebi Talibit dhe të shokëve të tij, të cilët mendonin të shpërngulen për në Abesini dhe atje ta adhurojnë lirisht Zotin.

Pejgamberi ynë është njeri i parë që nuk ndoqi traditat e të parëve në fe, që i përbuzi dhe i rrënoi idhujt, iu dorëzua Zotit, i besoi Atij dhe thirri për në rrugën e Tij, e urdhërat që i drejtohen atij në disa ajete, kanë të bëjnë me të gjithë myslimanët. Të dëgjueshmin Zoti e ndihmon ta gjejë rrugën e drejtë, kurse të padëgjueshmin, e lë pa ndihmë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 39:7–39:8

- “Nëse ju mohoni, Allahu nuk ka aspak nevojë për ju.” - Allahu i Lartësuar na tregon për madhështinë e Tij dhe faktin se Ai është El Ganiju, pra, i Pasuri, që nuk ka nevojë për asgjë. Po kështu tha Musai (a.s): “Dhe Musai tha: “Nëse ju dhe të gjithë ata që janë në tokë nuk janë mirënjohës, Allahu është i Panevojë dhe i Lavdëruar”.” [Ibrahim 8]. Në Sahih-un e Muslimit vjen hadithi nga Ebu Dherri, se Profeti i Allahut tregon se Allahu i Lartësuar ka thënë: 2267. “O robërit e Mi! Nëse të parët dhe të fundit, njerëzit dhe xhindët, do të ishin me zemrën më të devotshme të dikujt prej jush, kjo nuk do të shtonte në mbretërimin dhe pasurinë Time asgjë. O robërit e Mi! Nëse të parët dhe të fundit, njerëzit dhe xhindët, do të ishin me zemrën më të prishur (e gjynahqare) të dikujt prej jush, kjo nuk do të pakësonte në mbretërimin dhe pasurinë Time asgjë. O robërit e Mi! Nëse të parët dhe të fundit, njerëzit dhe xhindët, tubohen të gjithë në një vend dhe më luten e kërkojnë dhe nëse Unë i jap secilit prej tyre gjithçka që kërkojnë, kjo nuk ka për të pakësuar në mbretërimin dhe pasurinë Time

asgjë, ashtu sikurse nuk pakëson gjë një majë gjilpëre prej ujit të detit, nëse futet në të ...”. - “Ai nuk është i kënaqur që robërit e Tij të mohojnë .” - Ai nuk e dëshiron dhe kurrëssi nuk urdhëron për diçka të tillë. Përkundrazi: - “Nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, kjo është ajo që Ai e pëlqen për ju. ” - Këtë e dëshiron për ju dhe, nëse e bëni diçka të tillë, jua shton mirësitë e begatitë, prej bamirësisë dhe bujarisë së Tij. - “Askush nuk do të bartë barrën e tjetrit.” - Askush nuk ka për të mbajtur barrën e tjetrit, përkundrazi, secili do të merret në llogari për veten e vet. - “Në fund, vetëm te Zoti juaj do të ktheheni të gjithë dhe Ai do t’ju tregojë për atë që keni bërë. Ai e di mirë gjithçka që fshihet në zemra. ” - Allahut nuk i fshihet asgjë, asnjë thërrmijë në gjithësi. - “Kur e godet njeriun ndonjë e keqe , ai i lutet Zotit të vet, duke iu kthyer Atij me pendesë.” - Në çaste vështirësie, në çaste nevoje, njeriu i përgjërohet Zotit, duke iu lutur vetëm Atij, pa i bërë ortak, siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Kur gjendeni në rrezik në mes të detit, harrohen ata të cilëve ju u luteni zakonisht, përveç Atij (Allahut). Por pasi Ai ju shpëton e ju nxjerr në tokë, ju sërish i ktheni shpinën. Njeriu është mohues i madh.” [Isra 67]. Edhe në këtë ajet, i Madhëruari thotë: - “Por, kur Ai i jep ndonjë të mirë, njeriu harron se më parë i është lutur Atij ...” – Domethënë, kur është i kënaqur dhe në mirësi, ai i harron lutjet dhe përgjërimet që i ka drejtuar Zotit në kohën e vështirësisë. Kjo i ngjan ajetit tjetër, kur Allahu i Lartësuar thotë: “Kur njeriut i bie një e keqe, ai na lutet, qoftë shtrirë, ulur ose në këmbë e, kur Ne ia largojmë të keqen atij, ai vazhdon sikur të mos na ishte lutur fare për të keqen që e kishte goditur. Kështu keqbërësve u duket e mirë ajo që veprojnë.” [Junus 12]. - “... dhe i përshkruan shokë Allahut, e kështu, i largon të tjerët nga rruga e Allahut.” - Kur njeriu është mirë, në shëndet të plotë, në begati dhe bollëk, ai i shoqëron Zotit idhuj dhe u përkushtohet atyre, në vend që të adhurojë vetëm Zotin. - “Thuaj: “Kënaqu për pak kohë me mohimin tënd, se ti pa dyshim je nga banorët e Zjarrit!” - Thuaj, o Muhamed, të gjithë atyre që janë në këtë gjendje dhe pasojnë këtë rrugë të humbur: Kënaquni dhe dëfreni me refuzimin e besimit dhe shfre - nimin tuaj në këtë botë, për një kohë të shkurtër. Sigurisht, ky është një kërcënim i ashpër dhe një paralajmërim i frikshëm dhe i pakthyeshëm. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, kur thotë: “Ata kanë ngritur idhuj, si të barabartë me Allahun, për t’i larguar njerëzit nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaquni, por jeni drejtuar për në Zjarr!”” [Ibrahim 30]. Ose “ Ne do t'i lëmë ata të kënaqen për pak, dhe pastaj do t'i ndëshkojmë ata me një dënim të tmerrshëm.” [Lukman 24].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 39:5–39:7

Allahu i Madhëruar na njofton se Ai: - Ai krijoi qiejt dhe Tokën me urtësi. - I krijoi me urtësi dhe për një qëllim të madh e mirësi të madhe. Ai i krijoi ato që t'i urdhërojë robtë dhe t'i shpërblejë e ndëshkojë, për përmbushje ose jo të ligjeve të Tij. - Ai bën që nata ta mbulojë (mbështjellë) ditën dhe që dita ta mbulojë (mbështjellë) natën; - Allahu e ndërfut njërën në tjetrën dhe e bën që ato të zëvendësojnë njëra tjetrën. Ato nuk bashkohen të dyja bashkë. Kur vjen njëra, largohet tjetra dhe ia lë vendin asaj. - Ai i ka nënshtruar Diellin e Hënën (sipas ligjit të Tij), - Allahu i nënshtroi që të lëvizin me rregull dhe sistem. - që lëvizin sipas një afati të caktuar. - Secili nga këta trupa lëviz me urdhrin dhe rregullin e Zotit, deri në afatin e caktuar nga Ai, kur kjo botë të përfundojë dhe të shkatërrohet. Atë ditë, Allahu do ta shkatërrojë çdo rregull të saj, do të shkatërrojë Diellin e Hënën dhe do t'i ringjallë krijesat me krijimin e ri, që të përfundojnë në vendin e përjetshëm, ose në Xhenet ose në Zjarr. - Ai është Ngadhënjimtari - Allahu është El Aziz , domethënë, Krenari, Ngadhënjimtari, i Plotfuqishmi, që kurrë nuk mposhtet. Ai është Mëshiruesi i gjithçkaje. Për atë asgjë nuk është e pamundur. Me fuqinë e Tij, Allahu krijoi gjithë këto krijesa madhështore dhe i nënshtroi të lëvizin dhe funksionojnë ashtu siç Ai dëshiron. Allahu është Falësi i madh. Ai fal dhe fal pandërprerë gjynahet e robve të Tij besimtarë, që gjithmonë pendohen dhe kthehen tek Ai. - Falësi i Madh. - Ai është Falës edhe për ata që i bëjnë shirk, që, pasi i shikojnë argumentet e Tij, pendohen dhe kthehen tek Ai të nënshtruar. - Ai ju krijoi ju të gjithëve prej një njeriu të vetëm (Ademit); - Tregues i krenarisë dhe fuqisë së Zotit është edhe fakti që: "Ai ju krijoi ju të gjithëve prej një njeriu të vetëm (Ademit);...", edhe pse tashmë jeni aq të shumtë dhe të shpërndarë në të gjitha anët e tokës. - pastaj prej tij krijoi bashkëshorten e tij (Havanë) - Ai bëri që njeriu të ketë shoqen e tij, që të gjejë strehim, qetësi e prehje. Kështu plotësohet mirësia e Zotit mbi njeriun. - Dhe Ai krijoi për ju katër lloje kafshësh në çift. - Allahu i krijoi me caktimin që zbriti nga Ai. Ai i krijoi katër lloje kafshësh në çift, që janë përmendur në suren Enam: "Janë tetë krerë bagëtish: dy krerë dhensh

(femër e mashkull) dhe dy krerë dhish (femër e mashkull) . Thuaj: “A janë ndaluar meshkujt apo femrat e këtyre, apo ajo që mbajnë në bark femrat?” Më tregoni, pra, me dije të saktë, nëse ato që thoni janë të vërteta! Edhe nga devetë janë dy krerë (femër e mashkull) dhe nga lopët dy krerë (femër e mashkull) . Thuaj: “A janë ndaluar meshkujt apo femrat, apo ajo që mbajnë në bark femrat?” Mos vallë, ishit dëshmitarë kur Allahu vendosi këto rregulla?” E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra ndaj Allahut për t’i devijuar njerëzit nga padija e tyre? Pa dyshim, Allahu nuk i udhëzon keqbërësit. " [Enam 143 – 144]. Edhe pse Allahu i Lartësuar ka krijuar edhe kafshë të tjera në shërbim të njeriut, i veçoi këto për vetë dobinë e tyre të madhe ndër njerëz. Ai i dalloi me cilësi që nuk i kanë të tjerat. Kështu, ato vlejnë dhe janë zgjedhur t’i përdorim për kurban dhe akika. Për ato nxirret zekat dhe ato përdoren edhe për të përmbushur e paguar dëmshpërblimet për gjakun dhe vrasjen, ndërkohë që të tjerat nuk përdoren për të tilla rregulla dhe ligje. Pasi përmendi fillimin e krijimit të prindërve tanë të parë, Allahu i Lartësuar vijon të na tregojë edhe krijimin tonë në barkun e nënave. Ai thotë: - Ai ju krijon ju në barkun e nënave tuaja, etapë pas etape, në tri errësira. - Ai ju krijon fazë pas faze, atje ku nuk ju prek asnjë dëm dhe as një sy nuk ju sheh. Është Allahu Ai që kujdeset për ju në atë vend të ngushtë. Ai thotë se na krijon: "...në tri errësira...", që janë errësira e barkut, errësira e mitrës dhe errësira e placentës. - Ky është Allahu, Zoti juaj. Në dorën e Tij është i gjithë pushteti. Nuk ka zot tjetër (që e meriton adhurimin) përveç Atij. - Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, vendosi dhe nënshtroi Diellin dhe Hënën, ju krijoi ju, që krijoi për ju kafshët dhe çdo mirësi tjetër, është Allahu, Zoti i juaj. Ai është i Adhuruari, që duhet ta doni me gjithë shpirt dhe ta madhëroni. Është Ai që kujdeset dhe rregullon çështjet tuaja. Ashtu siç është i vetëm dhe i pashoq në faktin që ju ka krijuar dhe kujdeset për çështjet tuaja, ashtu duhet të jetë i vetëm në meritën e adhurimit tuaj. - Atëherë, si i shmangeni (adhurimit të Tij)? - Si devijoni dhe largoheni nga kjo, pas gjithë atyre argumenteve që tregojnë se vetëm Ai e meriton sinqeritetin tuaj, dhe zhyteni në errësirën e idhujtarisë?! Si adhuroni ata që nuk kanë asgjë në dorë, që të kujdesen për ndonjë çështje?! - Nëse ju mohoni (besimin e vërtetë), Allahu nuk ka asnjë nevojë për ju. - Atë nuk e dëmton aspak mohimi juaj, ashtu siç nuk i sjell ndonjë dobi bindja dhe adhurimet tuaja. Urdhëresat dhe ndalesat që ka ligjëruar për ju janë thjesht mirësi dhe bujari e Tij, që jua ka dhuruar për të mirën dhe dobinë tuaj. - Atij nuk i pëlqen që robtë e Tij të mohojnë (besimin). - Sepse mirësia e Tij mbi ju është e madhe dhe e plotë. Ai nuk kënaqet që ju ta mohoni, sepse e di mirë se çfarë fatkeqësie e madhe është diçka e tillë. Nëse ju zgjidhni mohimin, kjo do të sjellë dëshpërimin dhe vuajtjen tuaj të përhershme, pas së cilës nuk keni për të gjetur lumturi e kënaqësi. Ai nuk kënaqet që ju të mohoni, sepse ju krijoi që ju ta adhuroni Atë. Ky është qëllimi pse i krijoi krijesat dhe Ai nuk kënaqet që ata ta braktisin qëllimin për hir të të cilit i krijoi. - Nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, kjo është ajo që Ai e pëlqen për ju. - Kjo është ajo që Ai e dëshiron prej jush. Ai e dëshiron që t'i shprehni mirënjohjen duke e njësuar me teuhid dhe duke iu përkushtuar me sinqeritet, për të zbatuar Ligjin e Tij dhe për ta adhuruar Atë sipas fesë që dëshiron për ne. Ai dëshiron këtë për ju, sepse Ai ju mëshiron dhe ju do. Nga mëshira, dashuria dhe bamirësia e Tij, Ai dëshiron që ju ta falënderoni dhe të tregoheni mirënjohës ndaj Tij. Kjo është ajo për të cilën edhe ju krijoi. Mos harroni edhe një fakt të rëndësishëm: Çdokush do të merret në llogari veçse për punët e veta, të mira apo të këqija:

- Dhe askush nuk do të bartë barrën e tjetrit. - Ajo që ju sjell dobi është besimi juaj dhe punët e mira. - Në fund, vetëm te Zoti juaj do të ktheheni të gjithë dhe Ai do t’jua tregojë të vërtetën e gjithçkaje që keni bërë (në këtë jetë) . - Kjo do të ndodhë në Ditën e Gjykimit dhe ky është një lajm i vërtetë, i sigurt, i sjellë nga Zoti, me diturinë e Tij që ka përfshirë gjithçka, dituri të cilën e shkroi lapsi i Tij. Ato punë janë ruajtur në Librin e Tij, ku i kanë shënuar melekët e Tij të nderuar, por do të dëshmohen edhe nga gjymtyrët tuaja. Kështu, secili nga ju do të marrë atë që e meriton. - Ai e di mirë gjithçka që fshihet në zemrat e robve. - Ai di gjithçka që fshihet brenda gjokseve, e mirë ose e ligë, dhe do t'ju shpërblejë të gjithëve me drejtësinë e Tij të plotë, pa i bërë padrejtësi askujt.

← Zumer 39:7