39. Zumer · Ajeti 75 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 39:32–39:75
Allahu i merr shpirtrat, i merr nëpërmjet engjëllit dhe nëpërmjet engjëjve të caktuar për këtë detyrë, por vetëm me urdhërin e Tij. Pjesa lëndore e njeriut, të cilës i është bashkuar edhe shpirti quhet: "nefsun", e kur I thuhet Zoti e mer nefsin kur atij i vjen vdekja, është për qëllim, ndërprerja e bashkëpunimit të pjesës lëndore me atë shpirtërore dhe me atë rast pjesa lëndore është e vdekur, e shpirti nuk vdes. Edhe ai që është në gjumë I i përngjan te vdekurit, ngase shqisat e trupit nuk funksionojnë. Çdo gjë është në kompetencën e Zotit dhe shefat nuk mund të bëjë askush pa lejen e Tij: e, megjithatë, idhujtarët nuk donin të pranojnë se është vetëm një Zot, Allahu, por do ta kuptojnë gabimin dhe do ta jepnin i krejt botën sikur të ishte e tyre, e ta shpëtojnë veten prej atij gabimi kur u del e vërteta në shesh.
Shumë njerëz nuk janë mirënjohës ndaj të mirave të Zotit, e shpeshherë e harrojnë Zotin dhe krenohen me aftësinë e vet, e nuk e dinë se begatitë janë në duar të Tij.
Ajeti 53 në këtë sure, ndoshta është ajeti më shpresëdhënës në tërë Kur'anin, pse të gjithë njerëzit i thërret me emër përkëdhelës, duke u thënë: O robërit e Mi, e me këtë u hapën dyert që të pendohen dhe t'i kthehen besimit të drejtë, veprave të mira, të largohen prej besimit të kotë e punëve të këqia, të ndjekin mësimet e Kur'anit e të fitojnë mëshirën e Allahut. Pra, dera e pendimit nuk është e mbyllur.
E nëse edhe pas kësaj kumtese kaq të mëshirshme nga ana e të madhit Zot, nuk marrin rrugën e drejtë, le ta dinë se do të pendohen pse nuk qenë respektues të urdhërave të Zotit, do ta mjerojnë veten, do të kërkojnë të kthehen edhe njëherë në dynja e të besojnë dhe të bëjnë vepra të mira, por pas kohe dhe pa dobi.
A është mençuri të adhurohet ose të besohet diçka tjetër, pos Allahut që tërë tokën e ka në dorën e vet, tërë qiejt i ka në dorën e vet, pse Ai e urdhëron Israfilin t'i fryej Surit dhe çdo gjallesë bie e vdekur në vend, e kur e urdhëron t'i fryjë herën e dytë, të gjithë ringjallen, ngriten në këmbë dhe presin çka po urdhëron Zoti. Ajo tokë pas ringjalljes do të jetë e ndriçuar me drejtësinë e Zotit, aty sillen të gjithë pejgamberët dhe engjëjt që kanë shënuar veprat e njerëzve për t'i dëshmuar ato dhe çdokujt i jepet sipas veprave të bëra në dynja.
Atyre që nuk besuan u grahin për në xhehenem, dhe kur afrohen aty, zebanijet - roja e xhehenemit, ua përkujtojnë edhe njëherë gabimin, ashtu që ta kuptojnë se me fajin e vet po futen në zjarr.
Ndërsa ata që besuan dhe bënë vepra të mira, përcillen në grupe deri te xhenneti, por kur afrohen, shohin dyert e tij të hapura e hazenetul xhenneti - roja e xhennetit, u shpreh mirëseardhje, lumturi e shpëtim. Xhennetlinjtë i shprehin falënderim Zotit për atë shpërblim aq të madh.
Ajo ditë është ditë e madhe, ngase çdokush do të shpërblehet sipas besimit dhe veprimit. Gjykatës është Zoti, që nuk i bën padrejtë askujt, por vetëm mëshiron. Atë ditë engjëjt më të lartë janë të rreshtuar rreth e rreth Arshit, me vëmendje përcjellin gjykimin, e madhërojnë dhe e falënderojnë Fuqiplotin dhe kur merr fund gjykimi, njerëzit e edhe engjëjt i shprehin edhe njëherë Zotit të madhëruar falënderim!
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures "Ez Zumeru". Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 39:75
Pasi na tregoi gjykimin dhe vendimin e Tij në lidhje me banorët e Xhenetit dhe banorët e Zjarrit, dhe na bëri me dije se gjithësecilit prej tyre i dha atë që meritoi, me drejtësinë e Tij absolute, Allahu i Madhëruar na tregon rreth melekëve dhe qëndrimit të tyre rreth Arshit të Tij. - “Dhe do të shohësh atë ditë melekët të rreshtuar përreth Arshit, duke madhë - ruar me lavdërime Zotin e vet. ” - Ata qëndrojnë me përunëjsi përreth Arshit të Tij, duke lavdëruar e dëlirësuar Atë nga çdo e metë e duke dëshmuar drejtësinë e Tij absolute me krijesat. - “Ata do të gjykohen me drejtësi dhe do të thuhet: “Te gjitha lavdërimet qofshin vetëm për Allahun, Zotin e botëve!” - E tërë gjithësia, si ata që flasin, edhe ata që nuk flasin, do të dëshmojnë duke lavdëruar e përlëvduar Allahun për gjykimin e Tij të drejtë të krijesave. Çdo gjë do të dëshmojë për këtë, prandaj i Lartësuari nuk ia atribuoi këto fjalë askujt në mënyrë të veçantë. Katadja ka thënë për këtë ajet: “Allahu i Lartësuar e nisi krijimin duke lavdëruar Veten e Tij, duke thënë: “Të gjitha lavdë -
rimet i qofshin vetëm Allahut, që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirat dhe dritën.” [En’am 1], dhe e mbyll po me hamd gjykimin e Tij përfundimtar mes krijesave, duke thënë: “Të gjitha lavdërimet qofshin vetëm për Allahun, Zotin e botëve!” Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Zumer. Vetëm Allahut i qoftë mirënjohja e lavdërimi i plotë!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 39:71–39:75
Allahu është Ai që i krijoi të gjitha krijesat dhe kujdeset për furnizimin dhe administrimin e punëve të tyre. Kjo është e përbashkët për të gjitha krijesat. Ata janë të njëjtë në këtë dynja në aspektin e krijimit, furnizimit dhe administrimit. Edhe në Ditën e Gjykimit, të gjitha krijesat do të ringjallen dhe do të dalin para Zotit, por Zoti do të bëjë dallimin mes tyre në shpërblimet që do t'u japë. Ai gjykon me drejtësi mes tyre, prandaj ashtu siç janë të ndryshëm në dynja, në lidhje me besimin ose mohimin e Tij, ashtu do të shpërblehen ndryshe në Ditën e Gjykimit. Nuk janë njëlloj atë ditë besimtari e jobesimtari, i devotshmi e keqbërësi e gjynahqari. - Jobesimtarët do të sillen në Xhehenem turma-turma. - Ata do të shtyhen me forcë për në Xhehenem duke u goditur me shkopinj që shkaktojnë dhimbje nga zebanitë e ashpër të Xhehenemit. Ata shtyhen dhe goditen për t'u futur në burgun më të tmerrshëm. Ai është Xhehenemi, vendi ku janë bashkuar më të dhimbshmet dënime të çdo lloji dhe vendi ku është mbledhur çdo dëshpërim dhe dhimbje shpirtërore. Atje largohet nga shpirti çdo lloj gëzimi Allahu thotë: "Ajo ditë është mjerim i madh për mohuesit, të cilët, të zhytur në gënjeshtra, argëtohen. Ditë, kur me rrëmbim, do tërhiqen për në zjarrin e
Xhehenemit." [Tur 11 – 13.] Edhe pse ata përpiqen të mos hyjnë, do të shtyhen me forcë në të. Allahu i Madhëruar na njofton se " Jobesimtarët do të sillen në Xhehenem turma-turma." Pra, grupe -grupe, të ndarë nga njëri tjetri. Çdo grup përbëhet nga njerëz që i kanë pasur punët të ngjashme me njëri tjetrin. Çdo grup mallkon tjetrin dhe distancohen nga njëri tjetri. - Kur mbërrijnë atje, dyert e tij hapen dhe roja e tij do të thotë: “A nuk ju erdhën të dërguar nga mesi juaj, që t'jua përcillnin shpalljet e Zotit tuaj dhe t'ju paralajmëronin për takimin tuaj në këtë ditë?!” - Kur të mbërrijnë para dyerve të Xhehenemit, "...dyert e tij hapen...", për t'i pritur dhe përgatitur hyrjen në të. Në atë kohë, "...roja e tij do t’u thotë..” Ai do t’u drejtohet me fjalë torturuese, për t’i "uruar mirëseardhjen" në dëshpërimin e përjetshëm dhe dënimin e pafund, duke i qortuar e poshtëruar për ato vepra të këqija, që janë bërë shkak të hyjnë në Xhehenem. Ata u thonë: “A nuk ju erdhën të dërguar nga mesi juaj, që t'jua përcillnin shpalljet e Zotit tuaj." Pra, a nuk ju erdhën profetë nga mesi juaj, nga lloji juaj, që t'ua njihnit besnikërinë dhe sinqeritetin? A nuk ju dha mundësia që të merrnit mësime dhe të kuptonit mesazhin prej tyre?! A nuk jua lexuan mesazhin e Zotit, që sqaronte të vërtetën e sigurt me argumentet më të qarta dhe të sigurta?! A nuk ju erdhën paralajmërues, që "...t'ju paralajmëronin për takimin tuaj në këtë ditë?" Kjo duhet t'ju bënte ju që të nënshtroheshit dhe të pasonit rrugën e tyre dhe të ruheshit nga dënimi i Allahut dhe tmerri i kësaj dite! Ju duhet të përpiqeshit për t'u pajisur me takua, për të qenë nga të shpëtuarit dhe të ruajturit. Por gjendja juaj ishte e kundërt. - Ata do të thonë: “Po, (patën ardhur)”. - Në këto momente, kur janë para hyrjes, ata do t'i pranojnë gjynahet dhe mohimin e tyre dhe do të pranojnë se nuk kanë asnjë justifikim para Zotit. Ata do të thonë: “Po. Profetët e Zotit na erdhën me shpallje dhe argumente të qarta, duke na e sqaruar dhe kumtuar plotësisht të vërtetën. Ata na paralajmëruan dhe kërcënuan për këtë ditë.” - Por vendimi për dënimin e jobesimtarëve tashmë është bërë realitet. - Për shkak se ata refuzuan besimin e vërtetë, dënimi u bë i meritueshëm dhe i pashmangshëm. Kështu do të përfundojë çdokush që mohon shpalljet e Allahut dhe i refuzon ato me forcë. Kështu do t'i pranojnë gjynahet e tyre, duke mos patur asnjë arsyetim para Zotit. - Atyre do t’u thuhet: “Hyni në dyert e Xhehenemit! - Këto fjalë u thuhen për t'i poshtëruar më shumë dhe për ta përjetuar nënçmimin. Çdo grup do të hyjë në Xhehenem nga ajo portë që i shkon për shtat, sipas veprave të tyre. - Aty do të jeni përgjithmonë! - Nuk kanë për t'u larguar ndonjëherë nga ai vend dhe as do t'u lehtësohet ndonjë çast dënimi. - Eh, sa vend i keq është ai për kryeneçët!” - Sa i keq është vendi i tyre! Kështu do të shpërblehen, sepse janë treguar kryeneçë e arrogantë ndaj së vërtetës. Allahu i shpërblen sipas punës së tyre, duke i poshtëruar, nënçmuar dhe turpëruar para njerëzve. Më pas, Allahu i Madhëruar na tregon për banorët e Xhenetit dhe pritjen e tyre. Ai thotë: - Kurse ata që kanë qenë të devotshëm ndaj Zotit të tyre, do sillen në Xhenet grupe-grupe. - Këta janë ata të cilët i ruhen dënimit dhe zemërimit të Zotit të tyre, duke e plotësuar dhe ruajtur të pacenuar teuhidin e Tij dhe duke bërë vepra të mira, në bindje ndaj Tij. Këta mirëpriten e nderohen në portat e Xhenetit. Ata mirëpriten si një delegacion i nderuar dhe respektuar. Këta fatlumë " ...do të sillen në Xhenet grupe - grupe." Ashtu, grupe -grupe, do të ecin plot lumturi. Ata do të tubohen së bashku, sipas veprave në këtë dynja. - Kur të arrijnë aty, dhe dyert e tij të hapen, rojat e tij do të thonë: “Selamun alejkum (Paqja qoftë mbi ju) ! - Do të ecin derisa të mbërrijnë në atë vend të mahnitshëm, me ndërtesa të hijshme. Atëherë, një fllad ere i përkëdhel fytyrat e
tyre dhe një aromë e këndëshme ua shton edhe më shumë lumturinë. Tashmë e ndiejnë se ka ardhur koha e përjetësisë dhe lumturisë së pafundme. Mendoni pak për momentin kur dyert e Xhenetit të hapen para tyre! Kjo do të bëhet plot respekt e nderim për ta. E si të ndodhë ndryshe, kur ata janë krijesat më të mira, të cilët do të jenë të lëvduar dhe nderuar përgjithmonë! Roja i Xhenetit i përshëndet dhe iu uron gjithë të mirat. Ai u thotë: “Selamun alejkum! Ju do të jeni gjithmonë në paqe dhe të sigurt nga çdo mangësi e pakënaqësi në Xhenet!” - Të mira ishin veprat tuaja. Hyni në të! Aty do të banoni përgjithmonë.” . - Të pastra dhe të mira ishin zemrat tuaja, sepse u pastruan përmes diturisë për Zotin, dashurisë dhe frikërespektit për Të. Të mira ishin edhe fjalët tuaja, sepse gjuha juaj nuk reshti së përmenduri Allahun. Të mira ishin edhe veprat që i kryet me gjymtyrët tuaja, sepse ato u nënshtruan në bindje ndaj Allahut. Atëherë, për shkak të kësaj mirësie e pastërtie, hyni në Xhenet! Aty do të jeni përgjithmonë. Ai është vendi i mirësive, i të mirëve dhe të pastërve. Në të mund të hyjnë veçse të pastërtit. Kur foli për banorët e Zjarrit, Allahu na tregoi se sapo ata mbërrijnë para portave të Xhehenemit, ato hapen menjëherë, që të përjetojnë më fort dhimbjen dhe frikën e hyrjes në zjarr. Ndërsa kur flet për banorët e Xhenetit, na tregon se hapja do të vonohet pak, duke shtuar gërmën (arabe) " uau". Domethënë, Xheneti është vendi i mirësive dhe ka një çmim shumë të shtrenjtë, të cilin jo çdokush mund ta arrijë, që të hyjë në të. Atje do të hyjnë veçse ata që kryejnë ato punë që Zoti i bëri si mënyrë për t'u futur në Xhenet. Megjithatë, kur të jenë përpara portave të mrekullueshme dhe madhështore të Xhenetit, njerëzit do të qëndrojnë pak, që të ndërmjetësojë Muhamedi (a.s) tek Zoti. Është ai i pari që do të hapë portat e Xhenetit. Ai është më i nderuari ndërmjetësues, që Zoti do ta nderojë atë ditë. Domethënë, portat e Xhenetit nuk hapen me të mbërritur njerëzit në to. Njëherë, ata do t’i luten Allahut që të pranojë ndërmjetësimin e Muhamedit (a.s) për të filluar hyrja në Xhenet. Kur Muhamedi (a.s.) të ndërmjetësojë tek Zoti, Ai do ta nderojë duke ia pranuar ndërmjetësimin dhe duke urdhëruar të hapen portat. Gjithashtu, në këto ajete ka dëshmi se Xhehenemi dhe Xheneti kanë porta, të cilat hapen dhe mbyllen dhe në secilën prej tyre ka roje. Ato janë vende ku do të hyjnë ata që i kanë merituar, ndryshe nga vendet e tjera në këtë botë, ku mund të hyjnë fshehurazi edhe të tjerë, që nuk e meritojnë. - Ata (të Xhenetit) do të thonë: “Lavdëruar qoftë Allahu që e përmbushi premtimin e Vet për ne... - Duke e lavdëruar Allahun për udhëzimin në rrugën e drejtë dhe për mirësinë që u dhuroi duke i ftuar në Xhenet, ata thonë gjatë hyrjes në të: “Lavdëruar qoftë Allahu, i Cili premtimin e Vet e bëri realitet! Ai na e premtoi Xhenetin nëpërmjet profetëve. Ai na premtoi se do të na fuste në Xhenet nëse besonim sinqerisht dhe bënim punë të mira. Dhe tani, Zoti ynë e plotësoi atë që na premtoi dhe e përkreu mirësinë që na dhuroi!” - dhe na bëri trashëgimtarë të xhenetit! Ne mund të banojmë në Xhenet ku të duam. - Ai na e la në trashëgim tokën e Xhenetit, që të vendosemi aty ku të duam. Ne mund të shkojmë në çdo vend që të dëshirojmë në Xhenet dhe do të shijojmë në të çdo mirësi që e kërkojmë dhe e dëshirojmë. Në Xhenet nuk ka asgjë të ndaluar. - Sa i mrekullueshëm është shpërblimi për ata që bëjnë punë të mira!”. - Ata janë pëpjekur shumë në bindje ndaj Zotit të tyre përgjatë kohës së dynjasë, që ishte e shkurtër dhe përfundoi shpejt, por me këtë fituan shumë mirësi dhe shpërblime të përjetshme e të pandërprera. Ky është vendi që meriton çdo admirim. Ky është vendi kur Allahu do të nderojë të dashurit dhe të zgjedhurit e Tij dhe që e pëlqen që të jetë vendqëndrimi dhe shpërblimi i tyre. Ai Vetë
e ndërtoi pjesën më të lartë të Xhenetit dhe e mbolli me duart e Veta, e rrethoi me mëshirën dhe bujarinë e Tij. Vetëm një pjesë e vogël e këtij vendi largon çdo trishtim të dynjasë dhe të bën të harrrosh çdo dhimbje e vuajtje. - Dhe ti do t’i shohësh melekët të rreshtuar përreth Arshit,... - Atë ditë të madhe, do t'i shohësh melekët të rreshtuar përreth Fronit. Që të gjithë janë në këmbë për t'i shërbyer Zotit të tyre, të grumbulluar dhe rreshtuar rreth Fronit të Tij, të përulur para madhështisë së Tij, të bindur përpara Atij që është Absolut në të gjitha aspektet. Ata do të jenë të mahnitur përpara bukurisë së Tij. - ... duke madhëruar me lavdërime Zotin e vet. - Ata e përlëvdojnë Allahun, duke dëshmuar pastërtinë e dëlirësinë e Tij nga ato që shpifin dhe trillojnë idhujtarët dhe nga çdo mangësi tjetër. - Mes tyre (robve) do të gjykohet me drejtësi të plotë - Allahu do të gjykojë përfundimisht të parët dhe të fundit dhe ky gjykim do të jetë me drejtësi, që nuk lë asnjë dyshim apo refuzim nga të gjithë ata që kërkojnë hakun e tyre. Çdo e drejtë do të shkojë në vend dhe... - dhe do të thuhet: “Të gjitha Lavdërimet qofshin vetëm për Allahun, Zotin e botëve!” - Ajeti nuk e përmend se kush e thotë këtë fjalë, për të treguar se të gjitha krijesat do ta lavdërojnë Allahun për urtësinë dhe drejtësinë me të cilën i ka gykuar, për atë që u jep banorëve të Xhenetit dhe për atë që u jep banorëve të Zjarrit. Kështu, ata e lavdërojnë Allahun për mirësitë dhe mëshirën eTij, si edhe për drejtësinë dhe urtësinë e Tij. Këtu përfundon edhe surja Zumer, me mirësinë dhe ndihmën e Allahut!