4. Nisa · Ajeti 1 · Tefsir
Hyrja e sures En-Nisa Sherif Ahmeti
E zbritur në Medine pas sures Mumtehine, ajete: 176
Kjo kaptinë është e mbushur plot me ligje e dispozita të sheriatit, të cilat rregullojnë çështjet e brendshme e të jashtme të jetës së myslimanëve Si çështje më me rëndësi parashtron ato që kanë të bëjnë me gruan, me shtëpinë, me familjen, me shoqërinë e gjerë, por pjesën më të madhe ia kushton dispozitave rreth pozitës së gruas, andaj edhe e merr emrin "Suretun Nisai" - Kaptina e grave.
Parashtron rregulla mbi të drejtat e grave, e posaçërisht të atyre jetimeve që janë në strehimin e kujdestarëve, mbi dispozitat e trashëgimit, mbi femrat me të cilat nuk mund të lidhet kurorë për shkak të afërsisë së gjakut, gjirit e të miqësisë mbi marrëdhëniet bashkëshortore, mbi obligimet e burrit ndaj gruas dhe të gruas ndaj burrit.
Flet për drejtësinë, mirësinë, besnikërinë dhe për mëshirën si themele të marrëdhënieve në shoqërinë e gjerë, për bashkëpunim të myslimanëve me të tjerët, për luftë kundër dyfytyrësve, për syçeltësi ndaj rrezikut prej jehudive, e përfundon me vërejtje ndaj besimit të gabuar të krishterëve përkitazi me Isain a.s.
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:1–4:6
Zoti fuqiplotë i krijoi njerëzit prej një baze, prej Ademit dhe prej të njëjtës bazë e krijoi palën e tij shoqen, Havën. Thëniet e tjera rreth krijimit të Havës nuk kanë bazë në Kur'an.
Që Zoti është i vetmi krijues, vërtetohet edhe nga vetë përbetimi i njerëzve ndaj njëri-tjetrit, pse kur e lut tjetrin për diçka i thua: për Zotin, pash Zotin etj. Madje askush nga njerëzit nuk thotë se unë vetë e krijova veten.
Krijimi i Havës nuk ishte prej Ademit ashtu që të kuptohet raporti prind fëmijë, ose vëlla motër.
Disa njerëz martoheshin me jetimet që i kishin nën kujdesin e tyre për t'u ikur shpenzimeve të niqahit dhe për të mos nxjerrë mallin e tyre prej shtëpisë së vet. Kur'ani urdhëroi ose të ndjekin drejtësinë ndaj jetimeve, ose të martohen me gra të tjera, madje deri me katra, por në raste të tilla të kontrollojnë veten se sa do të jenë të drejtë, përndryshe të martohen vetëm me një grua.
Martesa është synet për atë që frenon veten nga imoraliteti, e për atë që nuk mund ta frenojë, është farz (detyrë e domosdoshme).
Pasurinë e jetimëve duhet ruajtur dhe mos t'u dorëzohet atyre derisa të mos arrijnë pjekuri. Nuk lejohet shpenzimi i pasurisë së tyre pa nevojë, e sidomos gjatë kohës derisa ata janë të mitur. Kur të arrijnë pjekuri duhet dorëzuar pasurinë e tyre, por dorëzimin duhet bërë me dëshmitarë ashtu që të mos mbetet kurrfarë dyshimi
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:1
- O njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, ndërsa prej tij krijoi bashkëshorten, e prej atyre të dyve përhapi shumë burra e gra. - Allahu i Lartësuar i urdhëron krijesat e Tij për të qenë të devotshëm, dhe rruga e devotshmërisë është adhurimi i Tij si një i
vetëm dhe i pashoq. Gjithashtu, Ai e njeh njerëzimin me pushtetin e Tij absolut, përmes të cilit, Ai i krijoi të gjithë ata nga një njeri i vetëm, nga Ademi (a.s). Pastaj, prej Ademit, krijoi bashkëshorten”, që ishte Havaja (a.s), e cila u krijua nga një brinjë e majtë e shpinës së Ademit, në kohën që ai ishte në gjumë. Kur Ademi u zgjua dhe e pa atë, e pëlqeu dhe gjeti prehje tek ajo, ashtu si edhe ajo gjeti prehje dhe qetësi tek ai. Në një hadith të saktë thuhet se: 633. “Gruaja është krijuar nga brinja, dhe pjesa më e shtrembër e brinjës është pjesa e sipërme e saj. Nëse përpiqesh ta drejtosh atë, ke për ta thyer. Nëse dëshiron të gjesh lumturinë me të, duhet ta gjesh ashtu siç ajo është, e shtrembër.” Allahu i Lartësuar në këtë ajet thotë: “...e prej atyre të dyve, përhapi shumë burra e gra.” Domethënë, Ai krijoi prej Ademit dhe Havasë, shumë meshkuj dhe femra dhe i shpërndau anekënd botës, të larmishëm në cilësitë, ngjyrat dhe gjuhët e tyre. Pastaj, në fund, të gjithë do të kthehen tek Ai në Ditën e Premtuar, ditën e tubimit para Tij. - Kijeni frikë Allahun, me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajini lidhjet farefisnore! - Frikësojuni Allahut, duke iu bindur Atij. Dahaku shpjegon: “Frikësojuni Allahut, përmes të Cilit ju lidhni marrëveshjet tuaja dhe përmbushni premtimet ndaj njëri -tjetrit. Druajuni Zotit, në lidhje me farefisninë, duke mos shkëputur lidhjet e saj, dhe bëjini mirë njëri tjetrit. - Vërtet, Allahu është Mbikëqyrësi juaj i përhershëm. - Ai është Mbikëqyrësi dhe Dëshmues, për të gjitha gjendjet dhe veprimet tuaja. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Ditën, kur Allahu t’i ringjallë të gjithë, do t’i njoftojë se çfarë kanë punuar. Allahu i ka shënuar të gjitha, edhe pse ata i kanë harruar. Allahu është Mbikëqyrësi i gjithçkaje.” [Muxhadile 6]. Kurse një hadith i saktë thotë: 634. “Adhuroje Zotin sikur ta shihje haptazi, pasi, edhe nëse nuk e sheh haptazi, pa dyshim që Ai të sheh ty.” Ky është një urdhër për të ndier mbikëqyrjen e Mbikëqyrësit absolut, që dëshmon dhe sheh gjithçka. Gjithashtu, duhet theksuar përmendja nga Allahu i Madhëruar i faktit se prejardhja e të gjithë njerëzve është nga një baba dhe një nënë. Ai e ka përmendur këtë fakt, që ne të tregojmë butësi dhe përkujdesje për njëri -tjetrin dhe për të na nxitur që të kujdesemi dhe të ndihmojmë të dobëtit dhe ata që janë në vështirësi. Në një hadith të saktë tek Muslimi thuhet se: 635 “Te Profeti i Allahut shkoi një grup njerëzish nga Mudari, të cilët ishin tejet të varfër. Profeti u ngrit dhe u mbajti njerëzve një fjalim, pas namazit të drekës. Në fjalën e tij ai tha : "O njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm,... ”, derisa e përfundoi ajetin. Pastaj tha: "O ju që keni besuar! Jini të devotshëm ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çfarë ka përgatitur për nesër! " Më pas, filloi ti nxisë për të dhënë sadaka. Atëherë, dikush dha sadaka nga dinarët e tij, dikush nga dirhemët e tij, dikush jepte një sa' (masë) nga drithi i tij, ose nga hurmat e tij. ,,," dhe e përmendi hadithin të plotë. Kështu e kanë transmetuar Ahmedi dhe autorët e suneneve, nga Ibnu Mes'udi, në hadithin që flet për atë që quhet Hutbetul haxhe Hytbeja e nevojave. 162
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:1–4:2
- “O njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, ndërsa prej tij krijoi bashkëshorten, e prej atyre të dyve përhapi shumë burra e gra. ” - Allahu i Lartësuar e ka filluar këtë sure me një urdhër për devotshmëri dhe bindje ndaj Tij, si dhe ka nxitur për të ruajtur lidhjet farefisnore. Ai e qartëson arsyen pse duhen zbatuar këto urdhra dhe pse duhet të pajisemi me devotshmëri: Allahu është Krijuesi juaj, që ju furnizon dhe përkujdeset për ju, duke ju dhënë çdo gjë të nevojshme. Një nga mirësitë e mëdha të Allahut ndaj nesh është fakti që Ai na krijoi prej një njeriu të vetëm, Ademit (a.s.), prej të cilit krijoi palën tjetër, gruan, që të jetë prehje dhe qetësim për burrin. Kështu Allahu i Lartësuar e ka plotësuar mirësinë e Tij nda j robve, duke u falur atyre gëzim, kënaqësi dhe lumturi, prandaj devotshmëria e tyre ndaj Tij është vërtet e meritueshme. Më pas, Allahu i Lartësuar sjell edhe një arsye tjetër për të qenë të devotshëm ndaj Tij: - “Kijeni frikë Allahun, me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajini lidhjet farefisnore!” - Është pikërisht Allahu, me emrin e të Cilit betohemi për të arritur qëllimet tona, Ai ndaj të Cilit urdhërohemi të jemi të devotshëm dhe të bindur. Kur duam të arrijmë qëllimet tona, ne betohemi në emër të Allahut, sepse kështu realizimi është më i sigurt. Dihet shumë mirë se kur i lutesh dikujt për diçka, duke i thënë: “Të kërkoj ta bësh këtë gjë për hir të Allahut!”, ai nuk të refuzon, sepse madhërimi i Allahut në zemër nuk e lejon një gjë të tillë. Kështu, ne urdhërohemi për devotshmëri dhe bindje ndaj Zotit, dhe kjo nuk është diçka e panatyrshme për ne. Arsyeja për të qenë të devotshëm e të bindur ndaj Allahut bëhet edhe më e fortë kur kujtojmë se Ai është Mbikëqyrësi ynë, që dëshmon gjithçka që ne veprojmë: - “Vërtet, Allahu është Mbikëqyrësi juaj i përhershëm.” - Ai është mbikëqyrës i robve. Ai i vështron ata në çdo gjendje, gjatë lëvizjes dhe qetësisë, kur janë mes njerëzve dhe larg syve të tyre. Nëse jemi të vetëdijshëm për këtë mbikëqyrje, ajo do të kultivojë në shpirtin tonë frikërrespektin ndaj Allahun, turpin, devotshmërinë dhe bindjen e vazhdueshme ndaj Tij. Allahu i Lartësuar na nxit që të meditojmë mbi faktet e krijimit të Tij. Ai na ka shpërndarë nëpër tokë, edhe pse origjina jonë është e
njëjtë dhe e përbashkët. Pikërisht për shkak të kësaj origjine të njëjtë, njerëzit duhet të jenë të butë dhe të mëshirshëm me njëri - tjetrin. Për të përforcuar këtë ndjenjë në zemrat e tyre, Allahu i Lartësuar, menjëherë pasi i urdhëron ata që të jenë njësues në adhurimin e Tij, i urdhëron për bamirësi dhe mëshirë ndaj njëri -tjetrit dhe i ndalon nga ndarja, largimi dhe armiqësia mes tyre. Ashtu sikurse është detyrë përmbushja e detyrimeve ndaj Zotit, duke e adhuruar Atë si Një të Vetëm, ashtu duhen plotësuar edhe detyrimet ndaj krijesave, sidomos ndaj të afërmve, madje respektimi i të drejtave të tyre është pjesë përbërëse dhe e pandashme e respektimit të të drejtave të Zotit mbi krijesat e Tij, për të cilat Ai ka urdhëruar të plotësohen dhe për to do t’i marrë në përgjegjësi Ditën e Llogarisë. Shihni se si Allahu e fillon këtë sure me urdhrin për devotshmëri ndaj Tij dhe për bamirësi ndaj prindërve, grave, jetimëve dhe njerëzve në përgjithësi, për të vazhduar pastaj me një shpjegim të hollësishëm të këtyre të drejtave gjatë gjithë sures. Kështu, fillimisht, Allahu përshkruan të drejtat që njeriu duhet të plotësojë, dhe pastaj, në vijim të sures, i shpjegon ato me imtësi e mjaft bukur. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “…ndërsa prej tij (burrit) krijoi bashkëshorten”. Kjo kuptohet edhe si një këshillë për t’u përpjekur maksimalisht për plotësimin e të drejtave të grave, sepse Allahu i Lartësuar i ka krijuar ato nga një pjesë e burrit (nga brinja e Ademit a.s.). Kjo është arsyeja përse mes burrit dhe gruas ekziston një lidhje dhe afrimitet shumë i fortë. Pra, ajeti sikur thotë: “Kujtojeni këtë fakt dhe ndërtojeni jetën tuaj mbi dashurinë dhe mëshirën e ndërsjelltë. Ju jeni bërë për të qenë shumë të afërt me njëri -tjetrin.” Allahu i Lartësuar thotë: - “Jepuani pasurinë e tyre jetimëve ...” - Kur shtjellon imtësisht të drejtat njerëzore që ne duhet të përmbushim, Allahu i Lartësuar e fillon me të drejtat e jetimëve. ‘Jetimë’ quhen fëmijët që janë nën moshën e pjekurisë e të pafuqishëm për të përballuar jetën, të cilët kanë humbur të dy prindërit ose vetëm babanë dhe kështu nuk ka kush kujdeset për ta. Kështu, i Gjithëmëshirshmi dhe i Dashuri i urdhëron robërit e Tij që të jenë bamirës me këtë kategori njerëzish. Allahu i Lartësuar e ka ndaluar që t’i afrohemi pasurisë së jetimëve, përveçse po ta bëjmë këtë në mënyrën më të mirë dhe më dobiprurëse për ta. Ai ka urdhëruar që, kur ata të arrijnë moshën e pjekurisë dhe kur të shihet qartë tek ata aftësia për të administruar drejt pasurinë, atëherë t’u dorëzohet pasuria e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: - “...dhe mos e përzieni pasurinë e pastër me të papastrën. ” - Ky është një urdhër për ta trajtuar pasurinë e jetimëve veçse në mënyrë të lejuar. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që pasurinë tonë të pastër të mos e përziejmë me pasuri të papastër, haram, që është marrë padrejtësisht nga pasuria e jetimëve ose me rrugë jo të lejuara. Nga ana tjetër, nëse e shfrytëzojmë pasurinë e tyre në mënyrë të drejtë dhe brenda kufijve të caktuar nga Allahu, atëherë ajo është hallall. - “Mos e hani pasurinë e tyre duke e përzier me pasurinë tuaj, sepse ky është një gjynah i madh. ” – Kuptimi: Mos e përzieni pasurinë e tyre me tuajën, për të përfituar prej saj. Mjaftohuni me pasurinë tuaj, të cilën Allahu jua ka dhuruar dhe mos shpenzoni prej pasurisë së jetimëve për veten tuaj. Ai që merr guximin të bëjë një vepër të tillë të ulët, le ta dijë se ky është një gjynah shumë i madh. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe para Zotit tuaj. Përzierja e pasurisë së pastër me të papastër bëhet me forma të ndryshme, për shembull, kur kujdestari ligjor i jetimit merr prej pasurisë së jetimit mallin e mirë dhe e zëvendëson atë me mall të keq. Nga ky ajet kuptohet edhe ligjshmëria e kujdestarisë mbi jetimin, e pikërisht kur flitet për detyrimin që pasuria t’i kthehet jetimit, sepse ai që detyrohet nga ligji për t’i kthyer pasurinë jetimit është vetëm ai që ligji i ka dhënë të drejtën e kujdestarisë ligjore mbi
të. Ajeti udhëzon për bamirësi dhe mirëadministrim të pasurisë së jetimit. Pasuria e jetimit duhet të ruhet, të kultivohet dhe të përmirësohet.