4. Nisa · Ajeti 103 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:101–4:113

Shkurtimi i namazit kur njeriu nuk është i sigurt prej armikut, është vërtetuar me Kur'an. Për shkurtimin e tij në udhëtime të rëndomta është definuar me Sunnet. Shkak i zbritjes së ajetit për shkurtim ishte: Pejgamberi e falë drekën bashkë me shokët në vendin e quajtur Asfanë. Idhujtarët në kyre me Halid bin Velidin qëndruan para tyre dhe ofshanë pse nuk i sulmuan duke u falur, por thanë: tash u vjen namazi edhe më i dashur, fjala ishte për namazin e iqindisë, e do t'i sulmojmë. Para se të vijë namazi Zoti i madhëruar nëpërmjet Xhibrilit ia shpall këtë pjesë të Kur'anit Muhammedit dhe namazi i iqindisë falet sipas udhëzimit të kësaj pjese.

Porosia e Muhammedit që të gjykojë drejt sipas Kur'anit, ka të bëjë me një njeri që kishte vjedhur petkun e një fqinji dhe duke e vërejtur se do të zbulohet, petkun e vjedhur e hedh në oborrin e një jehudiu për ta fajësuar atë e për ta shpëtuar vetën. Për vjedhjen lajmërohet Pejgamberi dhe, duke e bindur familja e vjedhësit se atë e kishte vjedhur Jahudiu, Pejgamberi mendon ta fajësojë jehudiun e pafajshëm, por ndërhyn Kur'ani dhe e zbulon të vërtetën. Ajetet pas tij udhëzojnë se duhet qenë i sinqert, duhet pranuar gabimin duke kërkuar falje prej Zotit, e jo t'i shpifë tjetrit të pafajshëm. Gjithashtu nga kjo pjesë e Kur'anit kuptohet se Pejgamberi ka qenë i pagabueshëm, ngase për çdo rast ka ndërhyrë shpallja.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:103–4:104

Allahu i Lartësuar urdhëron për ta përmendur shumë Atë pas namazit të frikës, edhe pse dhikri i shpeshtë është i këshilluar edhe pas namazeve të zakonshme. Nxitja në këtë rast është edhe më e fortë, për shkak të formës së reduktuar të namazit të frikës e lejimit të lëvizjeve të cilat në namazet e zakonshme nuk janë të lejueshme. Kjo është e ngjashme me fjalën e Allahut të Madhëruar rreth muajve të shenjtë: “Tek Allahu numri i muajve (të vitit) është dymbëdhjetë, ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre, katër janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë. Pra, mos e ngarkoni veten tuaj gjatë tyre ...’ [Teube 36]. Urdhërimi i Tij për t’u ruajtur nga padrejtësitë gjatë muajve të shenjtë nuk do të thotë se në muajt e tjerë padrejtësia është e lejueshme. Padrejtësia është e ndaluar në çdo kohë dhe vend, por gjatë muajve të shenjtë padrejtësia është edhe më e dënueshme dhe më e rëndë, për shkak të madhështisë dhe rëndësisë së këtyre muajve. Allahu i Madhëruar thotë: - Pasi të falni namazin (e frikës) , përmendeni Allahun kur jeni në këmbë, ulur a të mbështetur. - Domethënë, përmendeni Atë në të gjitha gjendjet tuaja. - E, kur të jeni të qetë (nga rreziku) , atëherë, faleni namazin në mënyrë të rregullt... - Nëse siguroheni dhe largohet gjendja e rrezikut dhe frikës, atëherë faleni namazin të plotë, me të gjithë elementët e tij. - sepse namazi është detyrim i përcaktuar për besimtarët.” - Koha e namazeve është e përcaktuar nga Zoti, prandaj ata duhen kryer brenda intervalit të caktuar, njëlloj si koha e haxhit, që është përcaktuar dhe nuk mund të kryhet në kohë tjetër.200 Ibn Abasi shpjegon: “Fjala “meukûten” (i përcaktuar) në ajet ka kuptim të ngjashëm me fjalën munexhxhemen, që do të thotë: “sa ikën një yll, vjen një yll tjetër”. Domethënë, sa mbaron një namaz dhe ikën koha e tij, vjen koha e namazit tjetër.” Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: - “Mos u tregoni të dobët kur të ndiqni armikun! - Mos u dobësoni e plogështoni në ndjekjen e armikut dhe luftën kundër tij! Përkundrazi, luftojeni e ndiqeni ku të jetë dhe u qëndroni në pritë. - Nëse ju ndieni dhimbje, (dijeni se) edhe ata, sikurse ju, ndiejnë dhimbje. - Nëse

ndodh që ju të vriteni e plagoseni në luftë, dijeni se edhe armiku juaj përjeton të tilla gjëra, siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Në qoftë se ju përjetuat dh embje (në Uhud), të jeni të sigurt se edhe të tjerët (armiqtë tuaj) provuan dhembje si kjo juaja (në Bedër). Ne i këmbejmë të tilla ditë mes njerëzve, që Allahu ti nxjerrë në pah ata që besojnë dhe për t’i zgjedhur disa prej jush si dëshmorë. Allahu nuk i do të padrejtët. Kështu Allahu i pastron besimtarët dhe i shkatërron jobesimtarët.” [Al Imran 140 - 141]. - Por ju shpresoni nga Allahu atë çka ata nuk e shpresojnë. - Ju shpresoni prej Allahut shpërblimin, fitoren, ndihmën e mbështetjen. Ndërsa ata nuk shpresojnë asgjë nga këto. Për këtë arsye, ju duhet të jeni më të përkushtuar e të dhënë për xhihad se çdokush tjetër. E si të mos jeni të tillë, kur nëpërmjet xhihadit lartësohet fjala e Allahut?! - Allahu është i Ditur e i Urtë”. - Ai është më i ditur dhe më i urti për gjithçka që e ka përcaktuar të ndodhë, për çdo urdhër që ju ngarkon dhe për çdo gjë që ka gjykuar të përmbushet. Ai është i lavdëruar si për kaderin e Tij, ashtu edhe për ligjet e Sheriatit me të cilët na ka ngarkuar. Allahu është i lavdëruar për gjithçka!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:103

- “Pasi të falni namazin (e frikës) , përmendeni Allahun kur jeni në këmbë, ulur a të mbështetur. ” - Kuptimi: Pasi të përfundoni namazin e frikës apo namazet normale, përmendeni Allahun e Lartësuar në të gjitha gjendjet dhe situatat tuaja. Allahu i Lartësuar përmend namazin e frikës në mënyrë të veçantë, për arsye të veçanta: 1. Përmirësimi i zemrës dhe lumturia e saj arrihet veçse nëpërmjet kthimit tek Allahu i Lartësuar me pendesë, bindje, përulje, dashuri dhe drojë ndaj Tij, me për mendje të Tij dhe me lavdërime për Të. Sigurisht, në momente frike, nevoje apo lufte, njeriu ka më tepër nevojë për këto ndjenja, që sjellin forcë, lumturi dhe qëndrueshmëri. 2. Nuk ka dyshim se namazi është vepra më e mirë, përmes të cilit arrihen këto qëllime të larta, sepse namazi është lidhja e robit me Zotin e tij. Namazi është vepra më e rëndësishme që vërteton besimin dhe sigurinë në të, prandaj dhe Allahu i Lartësuar e ka bërë detyrim për adhuruesit e Tij që të falen gjatë natës dhe ditës. 3. Përgjatë namazit të frikës, shumë nga elementët e tij, që shkaktojnë ndjenja të fuqishme tek adhuruesi, nuk realizohen plotësisht, prandaj dhe urdhri për ta përmendur Allahun pas këtij namazi është me shumë vend. Kjo bëhet, pra, për të përmbushur edhe ndonjë boshllëk a mangësi të mbetur. 4. Frika shkakton dobësimin e zemrës dhe të trupit, dhe kështu ajo sjell dobësi në përballjen me armikun. Prandaj vjen urdhri për të përmendur sa më shpesh Allahun, sepse dhikri është një nga forcuesit dhe qetësuesit më të mëdhenj të zemrës. 5. Përmendja e Zotit, e shoqëruar me durimin dhe qëndrueshmërinë, është një nga faktorët më vendimtarë për arritjen e suksesit dhe fitores. I Lartësuari thotë: “O ju që keni besuar! Kur të ndesheni me ndonjë forcë, qëndroni fort dhe përmendeni shumë (dhe shpesh) Allahun, që ta arrini fitoren e dëshiruar! Bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij, e mos u grindni ndërmjet jush, sepse kështu do të dobësoheshit e do t’ju linte fuqia. Bëhuni durimtarë sepse Allahu është me durimtarët. ” [Enfal 45 , 46 ]. Kështu, nxitja për për mendjen e Zotit në gjendje të tilla të vështira është shumë e vlefshme dhe me vend. - “E, kur të jeni të qetë (nga rreziku) , atëherë, faleni namazin në mënyrë të rregullt,...” - Nëse mbaron gjendja e luftës ose largohet rreziku dhe ju qetësoheni, atëherë kryejeni namazin në formën më të plotë, qoftë me veprimet e tij të jashtme, qoftë me veprimet e brendshme të zemrës. - “...sepse namazi është detyrim i përcaktuar për besimtarët. ” - Namazi është bërë detyrë për besimtarët që ta kryejnë në kohët e përcaktuara nga Zoti, prandaj nuk lejohet të neglizhohet ky kusht. Këto kohë u janë qartësuar muslimanëve të vegjël dhe të mëdhenj, të diturve dhe të paditurve. Të gjithë i kanë mësuar këto kohë nga Profeti i tyre, Muhamedi (a.s.), i cili i porositi: “Faluni ashtu siç më keni parë mua të falem!” Shprehja: “...për besimtarët” tregon se falja e namazit është matës dhe tregues i besimit. Në varësi të besimit, do të jetë edhe kryerja e namazit në sasi dhe cilësi. Ajo tregon, gjithashtu, se jomuslimanët që jetojnë në shtetin islam, edhe pse janë të detyruar që të respektojnë ligjet e tij, ata nuk urdhërohen që të ushtrojnë ritet fetare islame, siç është falja e namazit. Madje, namazi i tyre është i pavlefshëm, përderisa ata vazhdojnë të jenë në kufër. Ndërsa në ahiret, ata do të ndëshkohen për lënien e adhurimeve.

← Nisa 4:103