4. Nisa · Ajeti 115 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:114–4:126

Asnjë bisedë nuk mund t'i fshihet Zotit, as ajo e familjes së hajnit, me të cilën planifikuan ta fajësojnë të pafajshmin. Fjalë të vlefshme janë vetëm ato që këshillojnë për punë të mira e na ruajnë nga të këqiat, ato me të cilat përkujtohet e përmendet Zoti dhe ato me të cilat largon dëmin nga njerëzit, duke i pajtuar mes vete. Pejgamberit iu kundërvu ai vjedhësi, i cili, pasi që nuk arriti t'i ikë të vërtetës, u arratis për i në Mekë dhe kaloi në besimin politeist. Një pjesë e dijetarëve islamë në bazë të ajetit: "Ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve" argumenton mbi ligjshmërinë e institucionit "ixhmai" - kompaktësisë. Ixhmai i dijetarëve nuk është kusht të jetë nga radhët e sahabëve, as të jetë nga medinasit e as nga pasardhësit e Pejgamberit, I por nga radhët e myslimanëve të çfarëdo kohe.

Shëmtimi i krijesave të Allahut bëhej, duke vënë shenja në veshët e bagëtive e pastaj duke i konsideruar ato të shenjta, duke i konsideruar krijesat e Zotit si zotra dhe duke i adhuruar ato si: engjëjt, diellin, hënën etj, dhe duke shëmtuar vetë njerëzit, duke i nxjerrë nga natyrshmëria e tyre për ta njohur e adhuruar Krijuesin e vërtetë, të adhurojnë sende të kota.

Pretendimet e cilësdo palë, kinse janë të privilegjuar te Zoti, vetëm pse i takojnë atij ose këtij populli, janë të kota. Vlerësimi do të jetë në bazë të besimit të drejtë dhe veprave.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:114–4:115

- Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë të mire, përveç atyre që këshillojnë për sadaka, për ndonjë të mirë ose për pajtim mes njerëzve.” – Në fjalët e njerëzve nuk ka hajër, përveç atyre që përmenden në këtë ajet. Kjo shtjellohet në hadithin që e sjell Ibn Merde uejhi nga Ummu Habibe, e cila rrëfen se Profeti i Allahut ka thënë: 845. “Çdo fjalë që flet i biri i Ademit është në dëm të tij, e jo në dobi të tij, përveç përmendjes së Allahut, ose urdhërimit për të mira dhe ndalimit nga e keqja.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ummu Kulthumi, e bija e Ukbes, se ajo e ka dëgjuar Profetin të thotë: 846. “Nuk është mashtrues ai që paqëton njerëzit, ndihmon në përhapjen e mirësisë dhe flet mirë.” Ajo shton: “Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë që Profeti të tolerojë fjalët dhe bisedat e njerëzve, përveçse në këto tri raste: në luftë, në pajtimin e njerëzve, në komunikimin e burrit me gruan e vet dhe të gruas me burrin e vet.” Ummu Kulthumi ishte nga gratë muhaxhire, që i dhanë besën (drejtpërdrejt) Profetit të Allahut. Këtë hadith e kanë sjellë të gjithë autorët e Sunen-eve, përveç Ibn Maxhes. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Dardai, se Profeti i A llahut ka thënë: 847. “A t’ju tregoj për një gradë më të lartë sesa grada e (e arritur përmes) agjërimit, namazit dhe sadakasë?” Ne i thamë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” - “Pajtimi i dy miqve (që janë grindur) dhe futja e përçarjes tek armiqtë, në rast lufte.” Hadithin e sjellin Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, i cili thotë se ky është një hadith hasen sahih.

- E kush i bën këto duke pasur për qëllim vetëm kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim shpërblim të madh.” - Domethënë, shpërblim, begati e mirësi shumë të mëdha. - Kush i kundërvihet të Dërguarit, edhe pasi i është bërë e qartë e vërteta... - Të tillë janë ata që nuk ndjekin rrugën e Sheriatit, që Profeti e solli nga Zoti, por i kundërvihen e ndjekin rrugë tjetër, dhe këtë e bëjnë me vetëdije, edhe pasi u është bërë e qartë e vërteta. Allahu i përshkruan këta, duke thënë: - dhe ndjek tjetër rrugë nga ajo e besimtarëve ... - Ky është rrjedhim i pashmangshëm i cilësisë që u përmend më sipër. Pra, ai që kundërshton Shpalljen dhe Ligjin e Zotit të sjellë përmes Profetit, në mënyrë të pashmangshme do të jetë në kundërshtim me rrugën e besimtarëve, dhe anasjelltas. Ndonjëherë, kundërshtimi i të devijuarve ka të bëjë me tekstet e Shpalljes së Zotit (Kur 'an e Sunet), e herë të tjera ka të bëjë me kundërshtimin e unanimitetit të umetit të Muhamedit në ato çështje që njihen si çështje unanimisht të pranuara mes tyre. Allahu i Lartësuar e ka garantuar këtë umet të bekuar që të jetë i pagabueshëm në çështjet e pranuara unanimisht mes tyre. Me fjalë të tjera, kurrë nuk mund të ndodhë që ky umet të bjerë dakord unanimisht për diçka që është e gabuar. Kjo garanci për pagabueshmëri i është dhënë këtij umeti në formë nderimi për ta dhe për figurën e Profetit të tyre. Për vërtetësinë e kësaj çështjeje kanë ardhur hadithe të shumta, madje disa janë shprehur se ato kanë arritur gradën e muteuatirul ma’neuij .205 Imam Shafiu është mbështetur pikërisht në këtë ajet për të mbështetur gjykimin e tij se ixhmai i umetit është argument i pagabueshëm dhe se nuk lejohet kundërshtimi i tij. Mund të themi se përnxjerrja e kësaj dobie nga ky ajet është nga më të bukurat e më të fortat, që vjen vetëm pas një meditimi të kujdesshëm e të thellë në të. Megjithatë, disa dijetarë të tjerë e kanë kontestuar mbështetjen në këtë ajet për këtë çështje, duke mëtuar se ajeti nuk shprehet qartësisht e në mënyrë të prerë për diçka të tillë. Sidoqoftë, Allahu i Lartësuar i ka kërcënuar e paralajmëruar ashpër ata që bëjnë të tilla përzgjedhje, duke thënë: - Ne e lëmë në zgjedhjen e tij dhe e fusim në Xhehenem. Ky është përfundimi më i keq.” - Çdokush që zgjedh rrugë tjetër nga rruga e besimtarëve, shpërblimi dhe rrjedhoja e hidhur e kësaj përzgjedhjeje është hijeshimi i rrugës së humbjes dhe devijimit në zemrën e tij. Ky njeri gradualisht e pa e kuptuar do të zhytet thellë e më thellë në rrugën e humbjes, e cila do t’i duket e bukur dhe e mirë, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Pra, m'i lër Mua ata që e mohojnë këtë Kur 'an! Ne do t’iafrojmë ata gradualisht (drejt ndëshkimit), prej nga nuk e presin. Unë u jap afat atyre, sepse ndëshkimi Im është shumë i fortë.” [Kalem 44, 45]. Përfundimi i të tillëve në ahiret është zjarri. Askush të mos dyshojë se, përveç të vërtetës, që është një e vetme, çdo rrugë tjetër është devijim e humbje.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:115–4:116

- “Kush i kundërvihet të Dërguarit, edhe pasi i është bërë e qartë e vërteta, ...” - Këtu bëhet fjalë për këdo që kundërshton Profetin (s.a.u.s.) me arrogancë, pasi i është bërë e qartë e vërteta. Profeti (a.s.) e qartësoi të vërtetën e Zotit të Lartësuar nëpërmjet Kur’ânit dhe Traditës së tij. Është detyrë për çdo njeri që të pasojë rigorozisht udhëzimin e tij (a.s.), të përcjellë deri tek ne me saktësi nga besimtarët e parë të këtij umeti, që ishin sahabët, më pas tabiinët dhe nxënësit e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “...dhe ndjek tjetër rrugë nga ajo e besimtarëve,...” - Ata që kundërshtojnë këtë udhëzim dhe rrugën e besimtarëve të sinqertë, në mënyrën si besojnë, kuptojnë dhe zbatojnë Kur’ânin dhe Sunetin, ata do të kenë dënimin, të cilin Zoti i Lartësuar e ka përmendur më pas: - “Ne e lëmë në zgjedhjen e tij dhe e fusim në Xhehenem. Ky është përfundimi më i keq. ” - Allahu i Lartësuar do t’i lërë në zgjedhjen e tyre, duke mos i dhënë sukses që të pasojnë të vërtetën. Ky është një ndëshkim tërësisht i merituar, sepse këta lloj njerëzish e kanë mësuar qartë të vërtetën, por e kanë braktisur duke e shpërfillur atë. Drejtësia e Allahut të Lartësuar i shpërblen ata duke i lënë të enden në humbjen e tyre dhe të zhyten thellë e më thellë në të. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Por kur ata devijuan, edhe Allahu ua devijoi zemrat. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull që kalon kufijtë.” [Saf, 5]. Ai thotë gjithashtu: “Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre. Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën).” [En’am 110, 111]. Po ta shohim ajetin anasjelltas, do të kuptojmë se çdokush që nuk kundërshton udhëzimin e Profetit dhe nuk ndahet nga rruga e besimtarëve të sinqertë, Zoti i Lartësuar nuk do ta ndëshkojë me dënimin e përmendur më sipër. Me fjalë të tjera, çdokush që përpiqet të bëjë vepra të mira, duke pasur si qëllim vetëm kënaqësinë e Allahut, pasimin e rrugës dhe traditës së Profetit të Tij, duke qëndruar gjithmonë pranë xhematit të muslimanëve, edhe nëse mund të bëjë gjynahe apo të anojë drejt tyre, karakteristikë kjo e shpirtit njerëzor, Allahu i Lartësuar nuk ka për ta braktisur kurrë atë dhe nuk do ta lërë të nënshtrohet përfundimisht përballë nefsit dhe shejtanit. Allahu i Lartësuar, me butësinë, bujarinë dhe mëshirën e Tij, do të kujdeset për të, duke e ruajtur dhe mbrojtur nga e keqja dhe duke i mundësuar të vazhdojë rrugën drejt Tij, sikurse Ai thotë për Jusufin (a.s.): “Kështu, Ne vendosëm që të largonim prej tij të keqen dhe poshtërsinë. Vërtet, ai ishte nga robërit Tanë të sinqertë. ”. [Jusuf 24]. Kuptimi është shumë i qartë: Për shkak të sinqeritetit të tij, Ne larguam prej tij çdo të keqe. Kështu vepron Allahu i Lartësuar me

të sinqertët. Duke treguar ndëshkimin e atyre që kundërshtojnë profetët dhe rrugën e besimtarëve të drejtë dhe të sinqertë, Allahu i Lartësuar thotë: “... e fusim në Xhehenem. Ky është përfundimi më i keq...”. Pra, Ai ka përgatitur për të tillët një ndëshkim të rëndë në Xhehenem, dhe nuk ka ndëshkim më të keq sesa ky. Ndëshkimi që Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar për ata që kundërshtojnë profetët dhe rrugën e besimtarëve të sinqertë, është i gradave të ndryshme, të cilat i di vetëm Ai. Ato janë përcaktuar në varësi të gradës së gjynahut, të madhësisë apo vogëlsisë së tij. Disa prej tyre do të dënohen përjetësisht në Zjarrin e Xhehenemit, duke merituar të gjithë poshtërimin. Por do të ketë edhe të tjerë, që nuk do të jenë në këtë gradë. Ndoshta ajeti vijues është pikërisht një shpjegim më i hollësishëm për këtë çështje. I Lartësuari thotë: - “Allahu nuk fal t’i shoqërohet Atij shok; ndërsa të tjerat, përveç këtij (gjynahu), ia fal atij që Ai dëshiron. Ai që i përshkruan Allahut shok, ka humbur shumë larg (nga rruga e drejtë) .” - Allahu i Lartësuar nuk e fal idhujtarinë, sepse ajo cenon drejtpërdrejt autoritetin dhe madhështinë e Tij, të Zotit të botërave, si dhe njëshmërinë e Tij në meritën e adhurimit që krijesat duhet t’i përkushtojnë. Idhujtari do të thotë të barazosh krijesën, e cila nuk ka asnjë lloj pushteti dhe që nuk mund t’i bëjë as vetes mirë apo keq, me Mbretëruesin, Sundimtarin dhe Zotëruesin e të mirës dhe të keqes, në dorën e të Cilit është, pra, çdo mirësi dhe i Cili është i vetmi që mund të largojë brengat dhe fatkeqësitë. Ai është absolut në çdo aspekt. Ai është i Pasur dhe kurrë nevojtar. Për këto arsye, është padrejtësia më e madhe dhe humbja më e qartë që të mos e njësosh Allahun në adhurim me sinqeritet të plotë. Është paturpësi që t’i kushtosh adhurimin më të vogël një krijese, që nuk ka asnjë cilësi të përsosmërisë dhe madhështisë. Krijesat janë nevojtare. Ato nuk kanë ekzistuar dikur, u mungon përsosmëria dhe janë nevojtare në të gjitha drejtimet. Për sa u përket gjynaheve poshtë shirk-ut, ato varen nga dëshira e Allahut të Lartësuar. Nëse do, Ai i fal, me mëshirën dhe urtësinë e Tij, e nëse dëshiron t’i ndëshkojë, Ai i ndëshkon, me drejtësinë dhe urtësinë e Tij. Ky ajet është provë që tregon se mendimi konsensual i këtij umeti konsiderohet si dëshmi e qëndrimit të drejtë. Ai tregon gjithashtu se ky umet, në tërësinë e tij, është i ruajtur nga gabimi. Allahu i Lartësuar kërcënon me humbje dhe me përfundim në Zjarr këdo që kundërshton rrugën e besimtarëve të sinqertë. “Rruga e besimtarëve” është besimi, fjalët, veprat dhe sjellja e tyre. Nëse ky umet bie dakord në tërësi që diçka është e detyrueshme, apo e pëlqyeshme, apo e ndaluar, apo e papëlqyeshme, apo e lejuar, atëherë themi se kjo është “rruga e tyre”. Çdokush që e kundërshton këtë konsensus quhet se ka zgjedhur rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve. Të njëjtin mesazh përcjell edhe ajeti: “ Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve. Ju urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun. ” [Al Imran 110]. Allahu i Lartësuar na tregon se besimtarët e këtij umeti urdhërojnë veçse për të mirë. Nëse ata në tërësi janë dakord për detyrueshmërinë apo pëlqyeshmërinë e diçkaje, ajo është pikërisht ashtu si e kanë gjykuar ata, dhe është e pamundur që të jetë ndryshe. Gjithashtu, nëse ata janë dakord për diçka se është e ndaluar, ajo është pikërisht ashtu, dhe kurrsesi nuk mund të jetë e mirë. Një tregues tjetër është edhe ajeti i Allahut të Lartësuar, që thotë: “ Dhe kështu, Ne ju bëmë ju një popull të ekuilibruar, për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt.” [Bekare 143]. Allahu i Lartësuar na tregon se e bëri këtë umet një popull të drejtë e të ekuilibruar, që ata të jenë dëshmitarë ndaj njerëzve për gjithçka. Nëse ata gjykojnë dhe dëshmojnë për një çështje të caktuar se Allahu i Lartësuar e ka urdhëruar atë, apo e ka ndaluar, apo e ka bërë të lejueshme, dëshmia e tyre është e pagabueshme dhe e pakontenstueshme.

Është e tillë, sepse ata janë të dijshëm për atë që dëshmojnë dhe janë të drejtë dhe të vërtetë në dëshminë e tyre. Nëse nuk do të ishin të tillë, nuk do të ishte e drejtë që ata të konsideroheshin të drejtë dhe të pranueshëm në dëshminë dhe gjykimin e tyre. E njëjta gjë kuptohet edhe nga thënia tjetër e Allahut të Lartësuar: “ O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe udhëheqësve tuaj! Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë tek Allahu dhe tek i Dërguari, nëse vërtet e besoni Allahun dhe Ditën e Fundit! Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë. ” [Nisa 59]. Domethënë, për çështjet që ata nuk kanë mospajtime, por janë të një mendimi, ata nuk janë të urdhëruar që, për të dhënë gjykimin e tyre, të kthehen në Kur’ân apo në Sunet, sepse vetvetiu gjykimi i tyre konsensual është sipas Kur’ânit dhe Sunetit. Këto dhe fakte të tjera dëshmojnë qartë se mendimi konsensual i umetit musliman konsiderohet qëndrim i padiskutueshëm dhe mbi të mund të ngrihen gjykime dhe dispozita ligjore. Më pas, për të treguar se sa e shëmtuar është humbja në të cilën janë zhytur idhujtarët, Allahu i Lartësuar thotë:

← Nisa 4:115