4. Nisa · Ajeti 117 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:114–4:126
Asnjë bisedë nuk mund t'i fshihet Zotit, as ajo e familjes së hajnit, me të cilën planifikuan ta fajësojnë të pafajshmin. Fjalë të vlefshme janë vetëm ato që këshillojnë për punë të mira e na ruajnë nga të këqiat, ato me të cilat përkujtohet e përmendet Zoti dhe ato me të cilat largon dëmin nga njerëzit, duke i pajtuar mes vete. Pejgamberit iu kundërvu ai vjedhësi, i cili, pasi që nuk arriti t'i ikë të vërtetës, u arratis për i në Mekë dhe kaloi në besimin politeist. Një pjesë e dijetarëve islamë në bazë të ajetit: "Ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve" argumenton mbi ligjshmërinë e institucionit "ixhmai" - kompaktësisë. Ixhmai i dijetarëve nuk është kusht të jetë nga radhët e sahabëve, as të jetë nga medinasit e as nga pasardhësit e Pejgamberit, I por nga radhët e myslimanëve të çfarëdo kohe.
Shëmtimi i krijesave të Allahut bëhej, duke vënë shenja në veshët e bagëtive e pastaj duke i konsideruar ato të shenjta, duke i konsideruar krijesat e Zotit si zotra dhe duke i adhuruar ato si: engjëjt, diellin, hënën etj, dhe duke shëmtuar vetë njerëzit, duke i nxjerrë nga natyrshmëria e tyre për ta njohur e adhuruar Krijuesin e vërtetë, të adhurojnë sende të kota.
Pretendimet e cilësdo palë, kinse janë të privilegjuar te Zoti, vetëm pse i takojnë atij ose këtij populli, janë të kota. Vlerësimi do të jetë në bazë të besimit të drejtë dhe veprave.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:116–4:122
- Allahu nuk fal t’i shoqërohet Atij shok; ndërsa të tjerat, përveç këtij (gjynahu), ia fal atij që Ai dëshiron. - Në fillim të kësaj sureje folëm gjerësisht rreth shpjegimit të një ajeti të ngjashëm, ku përmend ëm edhe hadithet që kanë lidhje me këtë çështje.206 - Ai që i përshkruan Allahut shok, ka humbur shumë larg (nga rruga e drejtë). - Të tillë njerëz kanë zgjedhur rrugë tjetër nga e vërteta. Këta e kanë humbur udhën e drejtë dhe janë larguar shumë nga besimi i saktë. Kështu, ata e kanë shkatërruar veten dhe e kanë humbur mundësinë për të qenë të lumtur në dynja dhe në ahiret. - “Ata (idhujtarët) lusin vetëm idhuj femërorë, dhe i drejtohen vetëm Shejtanit plot sherr.” - Ibn Xheriri sjell shpjegimin këtij ajeti nga Dahhâku: “Ata thoshin: ‘Melaiqet janë bijat e Allahut dhe ne i adhurojmë ato veçse që të na afrojnë më shumë tek Ai’. Kështu, ata i morën ato për zota, që u mbështeteshin, u kërkonin ndihmë dhe u luteshin. Pastaj u dhanë forma si vajza dhe thanë: ‘Këto janë shëmbëlltyra dhe u ngjajnë bijave të Allahut, që ne i adhurojmë’, duke nënkuptuar melekët.” Ky shpjegim i ngjan fjalës së Allahut të Madhëruar: “A i shihni Latin dhe Uzzanë? Dhe atë të tretin e të fundit, Menatin? A mendoni se meshkujt janë tuajt e të Atij femrat? Atëherë kjo është një ndarje vërtetë e padrejtë. Ata (idhujt) nuk janë gjë tjetër, vetëm se emra, që ju dhe prindërit tuaj i caktuat. Allahu nuk zbriti për ta ndonjë fakt. Por ata ndjekin vetëm hamendësimet dhe dëshirat e veta, megjithëse prej Zotit të tyre u ka ardhur udhëzimi i qartë.” [Nexhm 19 - 23]. Dhe: “Ata (jobesimtarët) i konsiderojnë disa krijesa (melaiket) si pjesë (vajza) të Tij. Me të vërtetë, njeriu është mohues i hapur. Mos vallë, nga ato që krijoi, Ai zgjodhi për vete vajza, kurse juve ju fali djem?! Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet për lindjen e asaj (vajzës) që ia përshkruanin të Gjithëmëshirshmit (si pjesën e Tij) , fytyra i nxihet dhe fryma i zihet. E si mund të jetë vallë (pjesa e Zotit) ajo që rritet me stoli e që kur polemizon ka argumentim të dobët? Edhe melekët, të cilët janë adhuruesit e të Gjithëmëshirshmit, ata (jobesimtarët) pretenduan se janë femra. A ishin të pranishëm ata në krijimin e tyre?! Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje.” [Zuhruf 15 -19]. Ndërsa këtu Allahu i Lartësuar thotë: “...dhe i drejtohen vetëm Shejtanit plot sherr.” Pra, ishte Shejtani i mallkuar, ai i cili ua zbukuroi këtë rrugë në zemrat e tyre, ndërkohë që realisht ata ishin duke adhuruar vetë Iblisin e mallkuar, sikurse ka thënë Allahu i Madhëruar: “A nuk ju pata paralajmëruar ju, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuronit shejtanin, sepse ai ishte armiku juaj i hapët? dhe që të më adhuronit vetëm Mua, sepse
kjo ishte rruga e drejtë? Dhe ai çoi në humbje shumë prej jush. A nuk e kuptonit atëherë?” [Ja sin 60 -62]. Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: - Allahu e mallkoi atë (shejtanin) - Allahu i Madhëruar e dëboi nga mëshira e Tij. Allahu i Madhëruar na njofton për reagimin e Iblisit pas mallkimit: - por ai tha: “Unë do t'i marr një pjesë të caktuar të robërve të Tu.” - Unë do të marr një pjesë të njohur, të përcaktuar dhe të ditur prej robërve të Tu. - Unë do t’i devijoj ata - Pra, do t’i devijoj nga e vërteta. - dhe do t’i bëj të shpresojnë në gjëra të kota. - Do t’i bëj që të mos pendohen dhe do t’ua zbukuroj këtë vendim në zemrat e tyre. Gjithashtu, do t’i mbush me shpresa e ëndrra boshe, që ta lënë për më vonë pendimin e të mbeten të hutuar në vetëmashtrim. - Unë do t’i urdhëroj të shqyejnë veshët e bagëtive - Do t’i b ëj t ë shqyejnë veshët e shenjojnë disa bagëti, të cilat i quajnë si të shenjta e i emërtojnë me emra të tillë si: Behira, Sâiba dhe Uesila.207 - dhe të ndryshojnë krijesat e Allahut”. - Si p.sh., duke tredhur kafshët, duke b ërë vetë tatuazhe etj. Në Sahih vjen thënia nga Ibn Mesudi: 848. “Allahu e ka mallkuar atë që bën tatuazhe p ër të tjerët dhe atë që bën për vete; e ka mallkuar atë grua që u heq vetullat t ë tjerave dhe atë që kërkon t’i hiqen vetullat e veta; edhe ato që i ndryshojnë dhëmbët e përparmë, duke i ndarë në mes për t’u zbukuruar, duke ndryshuar kështu krijimin e Allahut Krenar dhe të Lartësuar!” Pastaj tha: “E si të mos e mallkoj atë që e ka mallkuar Profeti i Allahut, aq më tepër që në Librin e Allahut thuhet: “Çfarë t’ju japë Profeti, merreni, e çfarë t’ju ndalojë, largojuni prej saj...”. Nga Ibn Abasi dhe një grup tabiinësh është dhënë një shpjegim tjetër për fjalën e Allahut: “... dhe të ndryshojnë krijesat e Allahut”. Ata kanë thënë që: do të ndryshojnë fenë e (e krijesave të) Allahut. Sipas këtij kuptimi, kjo është e ngjashme me fjalën e Allahut të Madhëruar: “Përkushtohu me gjithë qënien tënde në fenë e drejtë monoteiste, - natyrën e pastër fillestare, në të cilën Allahu i krijoi njerëzit. Askush nuk mund ta tjetërsojë atë që ka krijuar Allahu. Ajo është feja e drejtë, por shumë nga njerëzit nuk e kuptojnë. ” [Rum 30]. Pra, mos e tjetërsoni e ndryshoni natyrshmërinë e pastër që e ka krijuar Allahu. Lërini njerëzit në natyrshmërinë e tyre të pastër, siç i krijoi Zoti i tyre. Në dy Sahih-ët transmetohet nga Ebu Hurejra, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 849. “Çdo foshnjë lind në fitra, por prindërit e tij ia ndërrojnë natyrshmërinë dhe e bëjnë çifut, të krishterë ose mexhus, ashtu siç lind bagëtia, e plotë pa cene. A keni parë ndonjë të tillë që të jetë me cene?” - E, kush e bën mik shejtanin, e jo Allahun, me të vërtetë ka dështuar me një dështim të qartë. - Ai ka shkatërruar dhe humbur dynjanë dhe ahiretin e tij. - Shejtani u premton atyre dhe i bën të shpresojnë (kotësira). Por shejtani premton veçse mashtrim. - Kjo i ngjan fjalës së Allahut kur thotë: “Kur gjithçka të jetë vendosur, Shejtani do të thotë: “Qe Allahu që ju kishte bërë premtimin e vërtetë. Edhe unë ju premtova, por unë nuk e mbajta premtimin. Unë nuk pata fuqi imponuese ndaj jush, përveçse t'ju bëja thirrje, por ju më dëgjonit. Për këtë arsye, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk mund të jem shpëtimtari juaj e as ju nuk mund të jeni shpëtimtarët e mi. Unë distancohem nga shirku juaj në të shkuarën.” Nuk ka dyshim, jobesimtarët kanë një dënim të dhembshëm.” [Ibrahim 22]. - Ata (që ndjekin shejtanin) e kanë vendin në Xhehenem, prej të cilit nuk kanë shpëtim. - Atyre që iu duken t ë bukura dhe të mira premtimet dhe ëndrra boshte t ë shejtanit, ata kanë vendin në Xhehenem. Ky do të jetë përfundimi i tyre në Ditën e Kijametit. Allahu thotë: “ ... prej të cilit nuk kanë shpëtim.” Pra, askush nuk mund t’i shpëtojë ata prej këtij përfundimi. Në vijim,
Allahu i Madhëruar përmend gjendjen e të lumturve e të devotshmëve: - Ndërsa ata të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira - Këta janë ata, zemrat e të cilëve besuan bindshëm atë që u urdhëruan ta besojnë dhe gjymtyrët e tyre u nënshtruan që të përmbushin me korrektësi urdhëresat e që t’u largohen ndalesave. Këta të lumtur: - Ne do t’i vendosim në kopshte, ku rrjedhin lumenj e ku do jenë përgjithmonë. - Ajo mirësi nuk do të përfundojë kurrë dhe ata nuk do të largohen asnjëherë prej andej. - Ky është premtimi i Allahut. - Kjo do të ndodhë patjetër dhe për këtë nuk duhet të ketë asnjë dyshim. - E kush mund të jetë më i vërtetë në fjalë sesa Allahu? - Fjalët dhe rrëfimet e Allahut janë të vërteta dhe askush nuk është më i vërtetë në fjalë, sesa Allahu. Nuk ka të adhuruar me meritë veç Allahut dhe nuk ka Zot e Kujdestar më të mirë se A llahu. Profeti shpesh thoshte: 850. “Fjala më e vërtetë është fjala e Allahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi që solli Muhamedi ﷺ . Punët më të këqija janë shpikjet në fe. Çdo shpikje është devijim, çdo devijim të çon në humbje dhe çdo humbje të çon në Zjarr.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:117–4:121
- “Ata (idhujtarët) lusin vetëm idhuj femërorë, dhe i drejtohen vetëm Shejtanit plot sherr. ” - Idhujtarët u luteshin idhujve të sajuar dhe të emërtuar nga të parët e tyre me emra femrash, si Uzaja apo Menata. Duke qenë se emrat e tyre ishin të gjinisë femërore, kjo tregonte edhe mangësinë e vetë të emërtuarave me to. Ato ishin idhuj të kotë, pa asnjë cilësi përsosmërie, sikurse i përshkruan Allahu i Lartësuar në shumë ajete kur’ânore. Ai na tregon se ato nuk mund të krijonin, nuk mund të furnizonin dhe nuk mund t’i mbrojnë adhuruesit e tyre, madje as veten e tyre. Ato nuk kishin në dorë as të bënin mirë e as keq dhe nuk mund të ndihmonin as vetveten për të shpëtuar nga ndonjë e keqe. Allahu i Lartësuar na tregon se idhujt as nuk dëgjojnë, as nuk shikojnë dhe as nuk mendojnë a ndiejnë. Atëherë, si mund të adhurohet diçka që ka cilësi të tilla dhe të lihet mënjanë përkushtimi me sinqeritet ndaj Allahut, të Cilit i takojnë emrat më të bukur, cilësitë më të larta, lavdia e plotë,
madhështia, lartësia, fuqia, bukuria, mëshira, mirësia dhe bujaria e plotë?! Ai është i Vetmi, që nuk ka të dytë, në dorën e të Cilit është pushteti për të krijuar dhe për t’u kujdesur e administruar çështjet e krijesave të Tij. Vetëm Ai ka të drejtën që, me urtësinë e Tij të madhe, të sundojë dhe të përcaktojë çdo çështje dhe ligj. Domethënë, një këmbim i tillë është vepra më e shëmtuar, që tregon për mangësinë e atyre që e kryejnë, për nivelin e ulët ku kanë rënë, nivel që nuk mund të përshkruhet dhe përfytyrohet. Në fakt, adhurimi i idhujve është thjesht në dukje, sepse në të vërtetë ata adhurojnë veçse Shejtanin e mallkuar, armikun e tyre, i cili synon t’i shkatërrojë me çdo mënyrë të mundshme. Shejtani është krijesa më e largët nga mëshira e Allahut, sepse është Ai që e ka dëbuar dhe larguar nga mëshira e Vet. - “Allahu e mallkoi atë (shejtanin), por ai tha: “Unë do t'i marr një pjesë të caktuar të robve të Tu. ” - Duke qenë se Allahu i Lartësuar e mallkoi dhe largoi nga mëshira e Vet, Shejtani lufton gjithnjë për t’i larguar edhe njerëzit nga mëshira e Allahut të Lartësuar, siç thuhet në një ajet tjetër: “Shejtani është armiku juaji, prandaj edhe ju konsiderojeni si armik. Ai i thërret pasuesit e vet vetëm për t’i bërë banues të Zjarrit.”. [Fatir, 6]. Allahu i Lartësuar na tregon për përpjekjet e këtij armiku në devijimin e njerëzve, duke ua zbukuruar atyre të keqen. Shejtani është përbetuar e i ka thënë Zotit: “Unë do t'i marr një pjesë të caktuar të robve të Tu.” I Mallkuari e di mirë se ai nuk mund të devijojë të gjithë robërit e Zotit. Ai e di shumë mirë se nuk ka asnjë lloj fuqie mbi adhuruesit e sinqertë të Allahut dhe se pushteti i tij është i kufizuar vetëm mbi ata që i ofrojnë miqësi dhe i japin përparësi bindjes ndaj tij kundrejt bindjes ndaj Allahut të Lartësuar. Në një ajet tjetër kur’ânor, ai është betuar se do t’i mashtrojë robërit e Zotit, duke thënë: “(iblisi) Tha: “O Zoti im! Për shkak se më çove në humbje, unë do t’ua zbukuroj ligësinë atyre sa të jenë në tokë dhe do t’i largoj të gjithë nga rruga e drejtë. Përveç robve të Tu të sinqertë. ” [Hixhr 39, 40]. Allahu i Lartësuar na tregon se ky synim i këtij të mallkuari të poshtëruar do të plotësohet: “Në të vërtetë, Shejtani e realizoi synimin e vet ndaj atyre të cilët e dëgjuan atë, përveç një grupi besimtarësh.” [Sebe 20]. Më poshtë, Allahu i Lartësuar na qartëson se në ç’mënyrë do ta devijojë i Mallkuari prenë e tij: “Unë do t’i devijoj ata dhe do t’i bëj të shpresojnë në gjëra të kota. Unë do t’i urdhëroj të shqyejnë veshët e bagëtive dhe t'i shëmtojnë krijesat e Allahut” . – Fillimisht, ai thotë: “... do t’i devijoj ”, pra, do t’i devijoj nga rruga e drejtë. Shejtani devijon në dy drejtime: nga dija e vërtetë e sjellë prej Zotit të Lartësuar dhe nëpërmjet profetëve të Tij, dhe nga puna me këtë dije. Së dyti, ai thotë: “do t’i bëj të shpresojnë në gjëra të kota...”. Pra, edhe pse të zhytur në humbje, ai do t’i bëjë që të besojnë se kanë për të fituar atë që, në fakt, u premtohet vetëm të udhëzuarve. Ky është një mashtrim i qartë. I Mallkuari, nuk mjaftohet thjesht me devijimin dhe humbjen e tyre, por ua zbukuron këtë rrugë, për t’ua bërë të dashur në zemrat e tyre. Kjo është një e keqe e papërshkrueshme. Ata të mjerë bëjnë veprat e banorëve të Zjarrit, ndërkohë që shpresojnë se, nëpërmjet tyre, do të fitojnë Xhenetin. Shiko çifutët dhe të krishterët apo të tjerët si ata, sikurse na i tregon Allahu i Lartësuar: “ Ata (ithtarët e Librit) thonë: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet nëqoftë se nuk është çifut ose i krishterë!” Këto janë trille të tyre! Thuaju: “Sillni provat tuaja, nëse keni të drejtë!” Përkundrazi, ai që i është dorëzuar Allahut dhe është bamirës, e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij. Për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të brengosen. ” [Bekare 111, 112]. Ose: “ Kështu ia kemi zbukuruar Ne çdo populli veprimet e veta. Në fund kthimin e kanë te Zoti i tyre dhe atëherë do t’i shpërblejë për çdo gjë që kanë bërë.” [En’âm 108]. Ose: “ Thuaj: “A t’ju tregoj për më të dëshpëruarit me veprat e tyre ?”Janë ata, veprat e të cilëve
asgjësohen që në jetën e kësaj bote, por ata mendojnë se janë duke bërë mirë .” [Kehf 103, 104]. Po kështu, Allahu i Lartësuar na tregon për munafikët se, Ditën e Gjykimit, ata do t’u thonë besimtarëve: “ Atë Ditë do t'i shihni besimtarët dhe besimtaret tek u ndriçon drita përpara dhe në të djathtë të tyre. (Atyre do t'u thuhet:) “Përgëzim për ju sot janë kopshtet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jeni përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.” Atë Ditë munafikët dhe munafiket do t'u thonë besimtarëve: “Na prisni pak, që edhe të ndriçohemi prej dritës suaj!” Atyre do t'u thuhet: “Kthehuni pas (në dynja) dhe kërkoni atje ndonjë dritë!” Atëherë, ndërmjet tyre vendoset një mur, që ka një derë. Nga brenda tij është mëshira, ndërsa nga jashtë tij është dënimi. Ata (munafikët) u thërrasin (besimtarëve): “A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!?” - “Po, por ju e shkatërruat veten, sepse ju prisnit kob të zi për besimtarët, dyshonit në çështjet e fesë dhe ju mashtroi jeta e dynjasë, derisa ju erdhi kaderi i Zotit. Gënjeshtari ju mashtroi rreth Allahut. Sot prej jush (o munafikë) nuk pranohet asnjë lloj kompensimi dhe as prej jobesimtarëve. Zjarri është vendi juaj, sepse atë meritoni. Sa përfundim i keq është ai!” ” [Hadid 12 – 15]. Së treti, ai thotë: “ Unë do t’i urdhëroj të shqyejnë veshët e bagëtive. ”. Allahu i Lartësuar sjell një shembull në suren En’am për këtë vepër. Ai na tregon se idhujtarët i shqyenin veshët e bagëtive dhe më pas i veçonin ato, duke i përcaktuar si të shenjta e të paprekshme. I Lartësuari thotë: “ Allahu nuk i veçoi (si bagëti të shenjta) as Behirën, as Saibën, as Vesilën dhe as Hamën 29, por ata që nuk besojnë trillojnë gënjeshtra për Allahun, dhe shumica e tyre nuk e kuptojnë.”. [El maide 103]. Ky lloj devijimi synon që njerëzit të bëjnë të ndaluara ato që Zoti i ka lejuar, apo që të bëjnë të lejuara ato që Zoti i ka ndaluar. Si devijim konsiderohet çdo besim i keq dhe çdo gjykim i padrejtë, që i Mallkuari nxit te njerëzit. Edhe ky lloj devijimi është shumë i madh dhe i frikshëm. Së katërti, i Lartësuari thotë: “... dhe t'i shëmtojnë krijesat e Allahut”...”. Fjala është për ndryshimet që njerëzit bëjnë në pamjet e tyre të jashtme, si tatuazhet, ndarja e dhëmbëve për zbukurim, heqja e vetullave etj. Nëpërmjet këtij mashtrimi, i Mallkuari i josh njerëzit për të tjetërsuar krijimin e Allahut. Këto veprime tregojnë në vetvete pakënaqësi me krijimin e Allahut dhe cenim të urtësisë së Tij. Kështu ata pretendojnë se ajo që ata bëjnë me duart e tyre është më e mirë se ajo që Zoti ka krijuar. Ajeti bën fjalë edhe për tjetërsimet e brendshme. Allahu i Lartësuar i ka krijuar robërit e Tij që të jenë adhurues të një Zoti të vetëm. Ai u ka dhënë atyre një natyrë që e pranon të vërtetën dhe që i ka mundësitë ta pasojë atë, por pas ndërhyrjes dhe ndikimit të shejtanëve në këtë natyrë të pastër, ata i largohen adhurimit të Tij. Nuk ka dyshim se çdo fëmijë lind me natyrë të pastër islame, por prindërit e tij e kthejnë atë në çifut, të krishterë, adhurues zjarri etj. Nëse njeriu do të lihej i lirë, me siguri ai do ta besonte Allahun si Një të vetëm, do ta donte Atë dhe do të dëshironte ta njihte realisht. Por Shejtani i mallkuar vërsulet i tërbuar për ta devijuar njeriun, ashtu sikurse vërsulet ujku mbi delet e vetmuara. Sikur të mos ishte butësia, mëshira dhe bujaria e Allahut të Lartësuar me adhuruesit e Tij të sinqertë, edhe me ta do të ndodhte ajo që ndodh me këta të sprovuar. Në fakt, shkak për sprovimin e tyre janë vetë veprat e tyre. Ata i kthejnë shpinën Zotit dhe Krijuesit të tyre dhe miqësohen me armikun e tyre, i cili synon veçse të keqen për ta. Për këtë arsye, ata humbin dynjanë dhe ahiretin. Allahu i Lartësuar thotë: - “E, kush e bën mik shejtanin, e jo Allahun, me të vërtetë ka dështuar me një dështim të qartë. ” - E ku ka humbës më të madh sesa ai që humbet fenë dhe dynjanë e tij dhe i mbetet vetëm mohimi i Zotit, gjynahet dhe gabimet. Ky i mjerë do të ndëshkohet përjetësisht dhe nuk do të shijojë kurrë kënaqësinë e amshuar të Xhenetit. E kundërta ndodh me atë që i afrohet Allahut të Lartësuar dhe i jep
përparësi kënaqësisë së Tij. Ky ka fituar çdo mirësi, ka shpëtuar nga çdo fatkeqësi dhe do të jetë i lumtur në të dyja jetët. Ai do të jetë vazhdimisht i qetë, sepse askush nuk mund ta pengojë atë nga mirësia që i jep Zoti dhe askush nuk mund t’i japë atë që Zoti ia ndalon. O Zoti ynë! Kujdesu për ne, ashtu siç kujdesesh për të dashurit e Tu dhe na shpëto nga çdo e keqe, ashtu siç ke shpëtuar të dashurit e Tu! Pastaj i Lartësuari thotë: - “Shejtani u premton atyre dhe i bën të shpresojnë (kotësira).” - Shejtani i mallkuar i përdor të dyja mënyrat me ata që kërkon të devijojë: edhe premtimin, edhe frikësimin. Ai i bën të shpresojnë te premtimet e tij mashtruese, por edhe i tremb me varfëri, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Shejtani ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija, ndërsa Allahu ju garanton falje e begati. Allahu është Bujar i madh e i Gjithëditur.”. [Bekare 268]. Për t’i penguar ata nga shpenzimi në rrugën e Zotit, i tremb me varfëri, për t’i penguar nga xhihadi në rrugën e Zotit, i tremb me tortura, vuajtje dhe vrasje, sikurse thuhet në ajet: “Ishte Shejtani që deshte t’ju frikësonte me miqtë e vet. Por ju mos u frikësoni prej tyre, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë!” [Al Imran 175]. Kur njerëzit kërkojnë t’i japin përparësi kënaqësisë së Allahut, Shejtani i mallkuar i tremb me çdo mënyrë, për t’i penguar. Me kurthet dhe intrigat e tij, ai i frikëson ata, i dembelos dhe ua pret krahët, që të mos kryejnë vepra të mira. Nga ana tjetër, ai iu ushqen ëndrra boshe, të cilat, nëse njerëzit i peshojnë me kujdes e qetësi, do të kuptojnë se janë thjesht iluzione. Më pas, Allahu i Lartësuar e përforcon këtë fakt, duke thënë: - “Por shejtani premton veçse mashtrim.” - Premtim i vërtetë është vetëm ai i Allahut të Lartësuar dhe vetëm kërcënimeve të Tij duhet t’u frikësohesh. Më poshtë, Allahu i Lartësuar tregon shpagimin për këdo që miqësohet me Shejtanin dhe që i nënshtrohet atij: - “Ata (që ndjekin shejtanin) e kanë vendin në Xhehenem, prej të cilit nuk kanë shpëtim.” - Të gjithë ata që, duke i kthyer shpinën Zotit, i nënshtrohen Shejtanit e bëhen pasues të tij, do të kenë si vendqëndrim të tyre zjarrin e Xhehenemit. Askush nuk do të mund t’i shpëtojë prej andej dhe në atë vend do të jenë përgjithmonë.