4. Nisa · Ajeti 127 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:127–4:134
Arabët injorantë nuk u jepnin grave jetime ose të veja atë që u takonte nga trashëgimi ose nga niqahu. Donin të martoheshin me to për t'iu marrë pasurinë e tyre. Të miturve nuk u njihnin të drejtë në trashëgim. Ky ajet ka lidhje me ajetin tre në fillim të kaptinës.
Megjithatë, që drejtësia mes grave është e vështirë, burri është i obliguar ta mbajë drejtësinë I praktike, duke mos anuar ndaj njërës e as duke lënë tjetrën si të pazot. Pejgamberi ka thënë: "Kush i ka dy gra dhe praktikisht anon nga njëra, do të dalë në ditën e gjykimit gjysmak".
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:127
- Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t’i sqarosh lidhur me çështjet e grave. Thuaju se për çështjet e tyre, ju sqaron Allahu dhe këto (ajete) që po ju lexohen nga Libri, si për vajzat jetime, me të cilat lakmoni të martoheni, por nuk u jepni atë që është caktuar për to, ashtu edhe për fëmijët e mitur. - Buhariu sjell hadithin nga Aishja, e cila është pyetur rreth fjalës së Allahut të Lartësuar: “Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t’i sqarosh lidhur me çështjet e grave.” Ajo tha: “Këtu bëhet fjalë për rastin e një burri, i cili ka nën kujdestarinë e tij një vajzë jetime, por që është gjithashtu edhe prej trashëgimtarëve të saj. Ai e përzien pasurinë e saj me pasurinë e vet, madje edhe një idhk. Pastaj, duke qenë se atij i pëlqen pasuria dhe bukuria e saj, ai nuk dëshiron që pasurinë e saj, të cilën e ka përzier me pasurinë e vet, ta marrë dikush tjetër (me të cilin ajo mund të martohet), prandaj e pengon atë nga martesa me dikë tjetër. Ky është shkaku që Allahu i Lartësuar zbriti këtë ajet.” Me këto fjalë e ka sjellë edhe Muslimi. Qëllimi këtu është
për atë burrë që ka nën kujdestari një vajzë jetime, me të cilën i lejohet të martohet. Porosia kuranore është që, nëse këtij burri i pëlqen bukuria e saj dhe martesa me të, kjo i lejohet, veçse me kushtin që t'ia japë asaj mehrin në formë të rregullt, ashtu siç e meritojnë simotrat e saj. Në të kundërt, nëse nuk e përmbush këtë kusht, atëherë le të martohet me gra të tjera, që i pëlqejnë. Madje, Allahu i Madhëruar ka dhënë hapësirë më të madhe në këtë çështje (duke lejuar martesën me dy, tre ose katër gra). Ky kuptim është sjellë në ajetet e para të sures Nisa. 210 Nga ana tjetër, nëse ky burrë nuk preferon që të martohet me një vajzë të tillë, për shkaqe të ndryshme, atëherë Allahu i Lartësuar e ka ndaluar që ta pengojë këtë grua nga martesa me burra të tjerë thjesht nga frika se do të përfitojnë nga pasuria e saj, që ai e ka përzier me pasurinë e vet. Ibn Ebu Talha sjell shpjegimin nga Ibn Abasi për këtë ajet: “Në kohën e injorancës, nëse dikush kishte nën kujdestarinë e tij një jetime dhe ai hidhte mbi të rrobën e tij, atëherë, kjo shërbente si shenjë që askush të mos i afrohej asaj për martesë. Nëse ai e pëlqente për vete, atëherë martohej me të dhe përfitonte e merrte pasurinë e saj. Por nëse ajo nuk ishte e bukur apo nëse ai nuk dëshironte të martohej me të, nuk lejonte asnjë burrë tjetër që të martohej me të derisa të vdiste, dhe kështu ai mund të merrte trashëgim pasurinë e saj. Allahu i Madhëruar e ndaloi këtë praktikë.” Ndërsa në lidhje me fjalën e Allahut: “...ashtu edhe për fëmijët e mitur’, ai ka thënë: “Në kohën e injorancës nuk bënin pjesë në trashëgimi për të miturit dhe për femrat, prandaj edhe në ajet thuhet: ‘...por nuk u jepni atë që është caktuar për to”. Allahu i Madhëruar e ndaloi këtë zakon dhe caktoi për secilën kategori pjesën përkatëse të trashëgimisë: “Allahu ju urdhëron kështu për fëmijët tuaj: mashkullit i takojnë sa për dy femra.”, të vegjël apo të mëdhenj qofshin fëmijët.” - Allahu ju udhëzon që të mbani drejtësi ndaj jetimëve. - Duke shpjeguar këtë ajet, Seid Ibn Xhubejri ka thënë: “Burri duhet të martohet me një jetime edhe nëse ajo është e bukur dhe e pasur, edhe nëse nuk është e bukur.” Qëllimi është që gjithmonë të mbahet drejtësi në lidhje me trajtimin e jetimeve, qoftë në rastin kur na pëlqen bukuria e pasuria e tyre, ashtu edhe në rastin kur ato nuk janë të bukura e të pasura. Në të gjitha rastet duhet synuar mbajtja e drejtësisë, përmbushja e detyrimeve e përgjegjësive dhe dobia për jetimet. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - Çfarëdo të mire që bëni, Allahu e di shumë mirë atë. - Ky ajet është një nxitje e fortë për të bërë vepra të mira dhe për t’iu përmbajtur urdhëresave të Allahut. Nëse e bëjmë këtë, Ai është i gjithëditur për çdo vepër të mirë dhe bindjen tonë, dhe për këtë ka premtuar të na japë më të mirin dhe më të plotin shpërblim.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:127
- “Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t’i sqarosh lidhur me çështjet e grave. ” - Allahu i Lartësuar na tregon se besimtarët i kërkonin Profetit (a.s.) fetva rreth çështjeve të grave. Atëherë, Allahu i Lartësuar iu përgjigj vetë besimtarëve, duke thënë: - “…Thuaju se për çështjet e tyre, ju sqaron Allahu…” – Pra, punoni dhe vini në zbatim porositë e Allahut të Lartësuar për të gjitha çështjet që kanë lidhje me gratë, duke përmbushur të drejtat dhe detyrimet ndaj tyre dhe duke iu larguar padrejtësive ndaj tyre. Ky është një urdhër i përgjithshëm, i cili na jep një mësim të rëndësishëm: porositë e Zotit, urdhra apo ndalesa qofshin, duhet të çohen në vend, duke iu dhënë haku që u takon. Kështu duhet të trajtohen dispozitat që kanë të bëjnë me gratë apo me burrat, me të miturit apo me të rriturit. Më pas, për shkak të rëndësisë së madhe të çështjes, Allahu i Lartësuar ka dhënë një porosi të veçantë për kujdesin ndaj të dobtëve, siç janë jetimët. Ajeti tregon rëndësinë e madhe që Allahu i kushton kësaj kategorie dhe kërcënimin që i pret ata të cilët shkelin të drejtat e tyre. I Lartësuari thotë: - “...dhe këto (ajete) që po ju lexohen nga Libri,...” - Allahu i Lartësuar ju tregon në këtë libër dispozitat rreth vajzave jetime. - “...si për vajzat jetime, me të cilat lakmoni të martoheni, por nuk u jepni atë (mehrin) që është caktuar për to, ...” – Në ato kohë, kur është bërë edhe pyetja, shpesh kujdestarët ligjorë të vajzave jetime u bënin padrejtësi atyre në shumë forma, si: duke mos iu dhënë të drejtat e tyre, duke ngrënë tërë pasurinë e tyre ose një pjesë të saj, duke i penguar që të martoheshin me dikë tjetër, sepse në këtë mënyrë do t’iu hiqej pasuria e tyre, duke marrë padrejtësisht nga mehri që ato meritonin ose duke mos iu dhënë të plotë mehrin që u takonte. Të gjitha këto ishin padrejtësi, nga të cilat na ndalon ky ajet. - “…ashtu edhe për fëmijët e mitur. ...” - Allahu i Lartësuar ju sqaron rreth fëmijëve të vegjël dhe pa mbështetje. Ai ju porosit që t’u jepni të drejtat e tyre të plota, si në çështjen e trashëgimisë, ashtu edhe në çështje të tjera. Ai ju ndalon që t’i shfrytëzoni padrejtësisht pasuritë e tyre. - “Allahu ju udhëzon që të mbani drejtësi ndaj jetimëve!” - Kuptimi: Mbani drejtësi të plotë dhe përkujdesuni për ta, në të gjitha aspektet! Edukojini ata që të jenë të bindur dhe të nënshtruar ndaj Allahut të Lartësuar ! Urdhërojini që të zbatojnë detyrat dhe porositë e Zotit! Kujdesuni edhe për çështjet e tyre të dynjasë, duke ndihmuar në shtimin e pasurisë së tyre dhe duke zgjedhur mënyrat më të mira për këtë gjë ! Mos cenoni të drejtat e tyre për hir të miqësive me të tjerët! Ky është treguesi i mëshirës së Allahut të Lartësuar për robërit e Tij, të cilët Ai i këshillon vazhdimisht që të përkujdesen për njerëzit që nuk kanë mundësi të kujdesen për veten e vet, për shkak të paaftësisë apo mungesës së prindërve. Më pas, Allahu i Lartësuar na urdhëron që të jemi bamirës në çdo drejtim: - “Çfarëdo të mire që bëni, Allahu e di shumë mirë atë.” - Kuptimi: Çfarëdo të mire që të bëni, qoftë për jetimët, qoftë dhe për të tjerët, qoftë e mirë personale, qoftë e mirë e përgjithshme, Allahu i Lartësuar e di mirë atë. Allahu i Madhëruar ka përfshirë me dijen e Tij çdo punë që kryejnë krijesat, të mirë apo të keqe, të vogël apo të madhe, dhe për secilin ka përgatitur shpërblimin që meriton.