4. Nisa · Ajeti 141 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:135–4:141

Dëshmitari pa tjetër është i obliguar ta thotë të vërtetën. Nuk guxon të anojë në favor të pasanikut pse është i pasur, e as ta mëshirojë varfnjakun, pse kujdesin ndaj tyre e mban Zoti. Dëshmitari nuk guxon të frymëzohet nga ndonjë motiv miqësie, frike apo mëshire e të dëshmojë rrejshëm.

Munafikët paraqiteshin ndonjëherë si besimtarë, e pastaj ktheheshin në idhujtari dhe si të tillë mbetën në errësirë të përjetshëm. Është frikë se edhe mëkatari, që pas pendimit kthehet shumë herë në të njëjtin mëkat, nuk do të mund të shpëtojë nga ai.

Sipas ajetit 68 të kaptinës "En'am", besimtarëve në Mekë u ndalohej të rrinin me idhujtarë, të cilët talleshin me Kur'anin që i njihej Muhammedit, e me këtë ajet u ndalohet edhe myslimanëve në Medinë të rrinin me jehudi e me munafikë, të cilët bënin të njëjtën gjë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:141

- Ata (hipokritët) presin se çfarë do të bëhet me ju. - Allahu i Lartësuar na lajmëron se munafikët shpresojnë dhe presin me dëshirë të madhe shkatërrimin e besimtarëve. Ata dëshirojnë që jobesimtarët të fitojnë mbi muslimanët dhe ta zhdukin fenë islame, por ata, nga ana e jashtme, shfaqin një lloj mbështetjeje për besimtarët, sidomos në rast fitoreje të këtyre të fundit. Allahu i Madhëruar thotë: - Nëse, me ndihmën e Allahut, ju ngadhënjeni, ata thonë: “A nuk ishim edhe ne me ju?” - Nëse ju fitoni kundra jobesimtarëve e fitoni edhe plaçkë lufte, ata thonë: “A nuk ishim edhe ne me ju?”. Me këto fjalë, ata u shprehin dashuri e afrimitet besimtarëve. Por nëse ndodh e kundërta, këta dyfytyrësha sillen ndryshe. Allahu i Lartësuar thotë: - E, nëse jobesimtarët arrijnë ndonjë fitore, hipokritët u thonë atyre: “A nuk ju ndihmuam në fitoren tuaj dhe a nuk ju mbrojtëm prej besimtarëve?” - Mund të ndodhë që besimtarët të sprovohen, siç ndodhi ditën e Uhudit, - sepse edhe profetët sprovohen, por përfundimi i mirë u takon atyre - këta munafikë u thonë jobesimtarëve: “A nuk ju ndihmuam në fitoren tuaj dhe a nuk ju mbrojtëm prej besimtarëve?” Kuptimi: Ne me zemër ishim me ju. Kështu shtiren këta të mjerë, duke u munduar të kënaqin sa njërën palë, palën tjetër, duke dashur të shpëtojnë lëkurën e pasurinë e tyre. Sigurisht, kjo vinte nga dobësia (ose mungesa) e imanit të tyre. - Por Allahu do t’ju gjykojë në Ditën e Gjykimit. - Ky është një mesazh dhe paralajmërim i frikshëm për munafikët. Kuptimi: “Dijeni, o ju munafikë, se Allahu i Madhëruar i di mirë çdo fshehtësi që mbani në kraharor, prandaj mos u mashtroni nga afatizimi që ju bën Ai! Mos u mashtroni nga fakti se në jetën e kësaj dynjaje ju gjykoheni veçse për gjërat që shfaqni haptazi e jo për ato që fshihni në zemër! Dijeni mirë se në

Ditën e Kijametit nuk do t’ju vlejnë ato që shfaqni, fjalë e vepra qofshin. - Allahu nuk do t’u japë kurrë jobesimtarëve epërsi të plotë mbi besimtarët.” Ibn Abasi ka thënë: “Këtu bëhet fjalë për në Ditën e Kijametit, kur Allahu do të gjykojë mes tyre me drejtësinë e Tij dhe mohuesit (e munafikët) nuk do të gjejnë rrugë për të dalë mbi besimtarët (ndryshe nga ç’ndodhte ndonjëherë në dynja).”. Por ka mundësi që të bëhet fjalë për këtë jetë dhe që kuptimi të jetë: “Allahu nuk ka për t’u dhënë mohuesve epërsi të plotë e shfarosëse në jetën e kësaj dynjaje mbi muslimanët, edhe pse ndonjëherë ata mund të kenë ndonjë epërsi të përkohshme e të pjesshme. Por në fund, fitorja është për të devotshmit, si në dynja ashtu edhe në ahiret.214 Shumë dijetarë janë argumentuar me këtë ajet për të thënë se është haram shitja e një skllavi musliman qafirit. Nëse ia shet një skllav musliman qafirit, atëherë i ke dhënë atij epërsi mbi muslimanin, dhe kjo bie ndesh me atë që mëton ajeti. Për këtë arsye, kjo është e ndaluar.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:140–4:141

Nëpërmjet Shpalljes, Allahu i Lartësuar tregon gjykimin e Tij për mënyrën e sjelljes së një besimtari kur ndodhet mes qafirëve dhe gjynahqarëve. Ai thotë: - “Juve ju është shpallur në Libër (Kur'an) që, kur të dëgjoni se mohohen shenjat e Allahut dhe po bëhet tallje me to, mos rrini me ata, derisa të hyjnë në një bisedë tjetër.” - Është detyrë për çdo të përgjegjshëm ligjërisht që t’i besojë, respektojë, madhërojë dhe shenjtërojë simbolet e Allahut dhe të fesë së Tij.

Shenjat e Allahut dhe të fesë së Tij janë vendosur në tokë pikërisht që të respektohen, madhërohen dhe shenjtërohen. Ai i krijoi njerëzit dhe xhindet që ta adhurojnë Atë nëpërmjet respektimit dhe zbatimit të ligjit të Tij, prandaj mohimi dhe shpërfillja e këtyre porosive bie ndesh me besimin. Tallja me shenjat e Allahut dhe fjalët e Tij bie ndesh me madhërimin dhe respektin e tyre. Tallje konsiderohet edhe polemika që mohuesit ose munafikët bëjnë për të hedhur poshtë argumentet e Allahut të Madhërishëm dhe për të arsyetuar kufrin e tyre. Po kështu, edhe çdo arsyetim dhe polemikë që bidatçinjtë bëjnë për të mbrojtur kotësitë e tyre konsiderohet si tallje dhe nënvlerësim i ajeteve të Allahut, që tregojnë veçse të vërtetën dhe të drejtën. Gjithashtu, tallje konsiderohet edhe pjesëmarrja në vendet ku kryhen gjynahe, fliten poshtërsira dhe shkelen urdhrat e Allahut. Ne jemi të ndaluar që të marrim pjesë në të tilla vende, derisa njerëzit aty të ndalen dhe të kalojnë në tjetër bisedë. - “Përndryshe, ju do të ishit si ata. ” – Kuptimi: Nëse ju uleni dhe rrini së bashku me ta në të tilla gjendje, atëherë ju do të konsideroheni si ata, sepse tregoni pëlqim të kufrit dhe talljes së tyre. Bashkëjetesa me gjynahet është njëlloj si kryerja e tyre. Për këtë arsye, kush merr pjesë në të tilla vende, e ka detyrë që ta ndryshojë të keqen nëse ka mundësi, dhe nëse jo, atëherë të largohet prej andej. - “Allahu do t’i tubojë në Xhehenem të gjithë munafikët dhe mohuesit.” - Ashtu sikurse munafikët bashkohen me qafirët në dynja, ashtu do t’i bashkojë Zoti në ndëshkim në ahiret. Munafikëve nuk do t’u bëjë dobi fakti që në dynja shtiren si besimtarë, sikurse thotë i Lartësuari: “ Atë Ditë do t'i shihni besimtarët dhe besimtaret tek u ndriçon drita përpara dhe në të djathtë të tyre. (Atyre do t'u thuhet:) “Përgëzim për ju sot janë kopshtet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jeni përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.” Atë Ditë munafikët dhe munafiket do t'u thonë besimtarëve: “Na prisni pak, që edhe të ndriçohemi prej dritës suaj!” Atyre do t'u thuhet: “Kthehuni pas (në dynja) dhe kërkoni atje ndonjë dritë!” Atëherë, ndërmjet tyre vendoset një mur, që ka një derë. Nga brenda tij është mëshira, ndërsa nga jashtë tij është dënimi. Ata (munafikët) u thërrasin (besimtarëve): “A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!?” - “Po, por ju e shkatërruat veten, sepse ju prisnit kob të zi për besimtarët, dyshonit në çështjet e fesë dhe ju mashtroi jeta e dynjasë, derisa ju erdhi kaderi i Zotit. Gënjeshtari ju mashtroi rreth Allahut. Sot prej jush (o munafikë) nuk pranohet asnjë lloj kompensimi dhe as prej jobesimtarëve. Zjarri është vendi juaj, sepse atë meritoni. Sa përfundim i keq është ai!” ” [El hadid 12 - 15]. Më pas, Allahu i Lartësuar përshkruan më hollësisht armiqësinë dhe pabesinë e munafikëve ndaj besimtarëve: - “Ata (hipokritët) presin se çfarë do të bëhet me ju. ” - Munafikët shohin me vëmendje ecurinë e ngjarjeve dhe perspektivën që i pret besimtarët, për të

përgatitur përgjigjen, si munafikë që janë, për çdo rast, për mirë apo për keq. - “Nëse, me ndihmën e Allahut, ju ngadhënjeni, ata thonë: “A nuk ishim edhe ne me ju?” ” - Kur ndihma vjen për besimtarët, atëherë munafikët shfaqen sikur janë me ta, që të ruhen nga qortimet dhe marrja në përgjegjësi, si edhe për të marrë pjesë në plaçkën e luftës. Gjithashtu, ata shtiren si miq, që të përfitojnë nga aleanca me muslimanët nëse kanë nevojë. - “E nëse jobesimtarët arrijnë ndonjë fitore...” – Këtu Allahu i Lartësuar nuk thotë siç tha për besimtarët “ndihmë nga Allahu”, por thotë: “ndonjë fitore”, domethënë fitore të përkohshme. Kjo sepse, edhe nëse Zoti, me urtësinë e Tij, u mundëson qafirëve ndonjë fitore, kjo nuk mund të jetë e vazhdueshme për ta, sikurse ndodh me besimtarët, por e përkohshme dhe e paqëndrueshme. Kur ndodh kjo, munafikët u thonë qafirëve: - “...hipokritët u thonë atyre: “A nuk ju ndihmuam në fitoren tuaj dhe a nuk ju mbrojtëm prej besimtarëve?” ” - Pra, a nuk ju kemi mbështetur dhe ndihmuar me të gjitha mënyrat e mundshme kundër besimtarëve, duke ndërmjetësuar tek ata për ju, madje edhe duke i penguar ata që t’ju luftojnë. - “Por Allahu do t’ju gjykojë në Ditën e Gjykimit.” - Ai do t’i shpërblejë besimtarët me Xhenet, ndërsa munafikët, qafirët dhe idhujtarët do t’i ndëshkojë me Xhehenem. - “Allahu nuk do t’u japë kurrë jobesimtarëve epërsi të plotë mbi besimtarët.” - Ata kurrë nuk mund t’i nënshtrojnë besimtarët tërësisht dhe përfundimisht. Gjithmonë do të jetë një grup besimtarësh që do të shfaqin të vërtetën dhe të cilët do të jenë të ndihmuar nga Allahu i Lartësuar. Ata nuk mund të dëmtohen as nga munafikët e pabesë dhe as nga ata që e kundërshtojnë rrugën e tyre. Allahu i Madhërishëm gjithmonë hap mundësi të reja për të ndihmuar besimtarët dhe për të poshtëruar qafirët. Madje, ka shumë besimtarë në shtete qafirësh, që jetojnë me krenari dhe aspak të poshtëruar. Kjo është një mirësi dhe përkujdesje e madhe nga i Gjithmëshirshmi për robërit e Tij të bindur. Falënderimi i qoftë Allahut të Lartësuar për të gjitha mirësitë e Tij!

← Nisa 4:141