4. Nisa · Ajeti 144 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:142–4:147

Megjithqë, në këtë ajet fjala është për munafikët - hipokritë në fe, për njerëz që e publikonin besimin sa për sy e faqe e nuk janë besimtarë të vërtetë. Njeriu duhet ruajtur prej formaliteteve, sepse ato janë shenja të munafikëve, edhe pse nuk e arrijnë atë nivel të hipokrizisë. Pra nuk duhet të jemi përtacë e të falemi vetëm kur jemi në publik.

Sipas interpretuesve të Kur'anit, zjarri është shtatë shtresash e që janë: e para Xhehenem, pastaj Ledhdha, El hutametu, Es seir, Sekar, Xhehim dhe më e poshtmja El havijetu. Ruana Zot prej dënimit! Derisa shprehja "zjarr" përfshin të gjitha, ndonjëherë emërohen të gjitha me shtresën e parë - xhehenem.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:144–4:147

- O ju që keni besuar! Mos i merrni për miq jobesimtarët, në vend të besimtarëve! - Allahu i Lartësuar i ndalon robërit e Tij besimtarë që të bëjnë miq të ngushtë jobesimtarët, kundër muslimanëve. Nuk u lejohet muslimanëve që të miqësohen me jomuslimanët, duke u shfaqur dashuri e afrimitet atyre, duke u treguar atyre sekretet dhe çështjet e rëndësishme të muslimanëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Besimtarët nuk duhet të marrin për miq (e aleatë) jobesimtarët, por besimtarët. Kush e bën

këtë, ai nuk ka asgjë nga feja e Allahut, veç nëse është për qëllim ruajtja prej së keqes së tyre. Allahu ju paralajmëron që të ruheni prej Tij. Tek Allahu do të ktheheni të gjithë.” [Al Imran 28]. Allahu kërcënon me ndëshkim, që të mos shkelim kufijtë e Tij. Ai thotë: - A mos, vallë, doni t’i sillni Allahut dëshmi të qartë kundër vetvetes?!” – Një vepër e tillë është argument i mjaftueshëm për të bërë të meritueshëm ndëshkimin tuaj. Ibn Abasi ka thënë se fjala “ sultân” në Kur'an ka kuptimin “dëshmi e qartë, argument i prerë”. Kjo fjalë është sjellë me isnad të saktë nga Ibn Abasi. Po kështu kanë thënë edhe një grup tabiinësh. - Hipokritët do të jenë në shtresën më të ulët të Zjarrit dhe për ta kurrë nuk do të gjesh mbrojtës.” - Ky do të jetë dënimi i tyre në Ditën e Kijametit, për shkak të mohimit dhe padrejtësisë së tyre të madhe. Nga Ibn Abasi përcillet të ketë thënë: “Ata janë në shtresën më të ulët të Zjarrit.” Ibn Ebu Hatimi përcjell se Ibn Mesudi, kur u pyet për munafikët, tha: “Ata do të vendosen në tabut prej zjarri dhe do të mbyllen në ta në shtresën më të ulët të Xhehenemit”. Allahu thotë: “... dhe për ta kurrë nuk do të gjesh mbrojtës.” Domethënë, nuk do të gjesh mbrojtës, që t’i shpëtojë ata nga dënimi i dhembshëm. - Përveç atyre që u penduan, u përmirësuan, iu mbështetën Allahut dhe fenë e tyre e zbatuan sinqerisht vetëm për Allahun. - Përveç atyre që u penduan për syfaqësinë dhe u përkushtuan me sinqeritet për zbatimin e fesë së Allahut. Atyre u bën dobi vepra e mirë, edhe nëse është e pakët. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Muadh Ibn Xhebeli se Profeti i Allahut ka thënë: 868. “Ji i sinqertë në zbatimin e fesë së Allahut, që të të mjaftojnë edhe pak vepra të mira!” - Këta do të jenë bashkë me besimtarët. Allahu ka për t’iu dhënë besimtarëve shpërblim të madh.” - Edhe këta do të jenë së bashku me grupin e madh të besimtarëve, të cilët Allahu i Madhëruar do t’i gëzojë me shpërblime të shumta e të mëdha. - Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju jeni mirënjohës dhe besoni (në Të) ?! - Nëse ju i përmirësoni punët tuaja (me sinqeritet e korrektësi në pasimin e Profetit e të Shpalljes) dhe besoni Allahun e Profetin e Tij, me një besim korrekt e të saktë, atëherë dijeni se Allahu është i Pasuri, i cili nuk ka asnjë nevojë për robërit e Tij e për asnjë gjë që lidhet me krijesat. Ai ju ndëshkon veçse për shkak të gjynaheve tuaja. - Allahu është Mirënjohës dhe i Gjithëditur. - Ai e shpërblen shumë robin për veprat e sinqerta dhe e di mirë çfarë fshihet në zemrën e tij, prandaj shpërblimi i Allahut është më i ploti.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:144

- “O ju që keni besuar! Mos i merrni për miq jobesimtarët, në vend të besimtarëve!” - Allahu i Lartësuar pasi tregoi që munafikët miqësojnë qafirët dhe lënë anash besimtarët, tani i urdhëron adhuruesit e Tij besimtarë që të largohen nga ky veprim i shëmtuar. Ai i ndalon besimtarët që t’u përngjajnë munafikëve në veprat dhe fjalët e tyre:

- “A mos, vallë, doni t’i sillni Allahut dëshmi të qartë kundër vetvetes?! ” - Kjo vepër e shëmtuar është provë e qartë dhe mëse e mjaftueshme që Allahu i Madhërishëm t’ ju ndëshkojë. Ai na paralajmëron dhe na tregon pasojat e këtij veprimi, prandaj, nëse ne përsëri e bëjmë këtë gabim, kjo është provë e qartë dhe e mjaftueshme për t’u ndëshkuar. Ky ajet është tregues i drejtësisë së plotë të Alahut të Madhërishëm. Ai nuk ndëshkon asnjë para se t’ia sqarojë argumentet. Ky ajet është, gjithashtu, një paralajmërim për t’u larguar nga haramet. Kush i vepron ato, e ka bërë hak ndëshkimin e Allahut të Lartësuar.

← Nisa 4:144