4. Nisa · Ajeti 147 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:142–4:147
Megjithqë, në këtë ajet fjala është për munafikët - hipokritë në fe, për njerëz që e publikonin besimin sa për sy e faqe e nuk janë besimtarë të vërtetë. Njeriu duhet ruajtur prej formaliteteve, sepse ato janë shenja të munafikëve, edhe pse nuk e arrijnë atë nivel të hipokrizisë. Pra nuk duhet të jemi përtacë e të falemi vetëm kur jemi në publik.
Sipas interpretuesve të Kur'anit, zjarri është shtatë shtresash e që janë: e para Xhehenem, pastaj Ledhdha, El hutametu, Es seir, Sekar, Xhehim dhe më e poshtmja El havijetu. Ruana Zot prej dënimit! Derisa shprehja "zjarr" përfshin të gjitha, ndonjëherë emërohen të gjitha me shtresën e parë - xhehenem.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:144–4:147
- O ju që keni besuar! Mos i merrni për miq jobesimtarët, në vend të besimtarëve! - Allahu i Lartësuar i ndalon robërit e Tij besimtarë që të bëjnë miq të ngushtë jobesimtarët, kundër muslimanëve. Nuk u lejohet muslimanëve që të miqësohen me jomuslimanët, duke u shfaqur dashuri e afrimitet atyre, duke u treguar atyre sekretet dhe çështjet e rëndësishme të muslimanëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Besimtarët nuk duhet të marrin për miq (e aleatë) jobesimtarët, por besimtarët. Kush e bën
këtë, ai nuk ka asgjë nga feja e Allahut, veç nëse është për qëllim ruajtja prej së keqes së tyre. Allahu ju paralajmëron që të ruheni prej Tij. Tek Allahu do të ktheheni të gjithë.” [Al Imran 28]. Allahu kërcënon me ndëshkim, që të mos shkelim kufijtë e Tij. Ai thotë: - A mos, vallë, doni t’i sillni Allahut dëshmi të qartë kundër vetvetes?!” – Një vepër e tillë është argument i mjaftueshëm për të bërë të meritueshëm ndëshkimin tuaj. Ibn Abasi ka thënë se fjala “ sultân” në Kur'an ka kuptimin “dëshmi e qartë, argument i prerë”. Kjo fjalë është sjellë me isnad të saktë nga Ibn Abasi. Po kështu kanë thënë edhe një grup tabiinësh. - Hipokritët do të jenë në shtresën më të ulët të Zjarrit dhe për ta kurrë nuk do të gjesh mbrojtës.” - Ky do të jetë dënimi i tyre në Ditën e Kijametit, për shkak të mohimit dhe padrejtësisë së tyre të madhe. Nga Ibn Abasi përcillet të ketë thënë: “Ata janë në shtresën më të ulët të Zjarrit.” Ibn Ebu Hatimi përcjell se Ibn Mesudi, kur u pyet për munafikët, tha: “Ata do të vendosen në tabut prej zjarri dhe do të mbyllen në ta në shtresën më të ulët të Xhehenemit”. Allahu thotë: “... dhe për ta kurrë nuk do të gjesh mbrojtës.” Domethënë, nuk do të gjesh mbrojtës, që t’i shpëtojë ata nga dënimi i dhembshëm. - Përveç atyre që u penduan, u përmirësuan, iu mbështetën Allahut dhe fenë e tyre e zbatuan sinqerisht vetëm për Allahun. - Përveç atyre që u penduan për syfaqësinë dhe u përkushtuan me sinqeritet për zbatimin e fesë së Allahut. Atyre u bën dobi vepra e mirë, edhe nëse është e pakët. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Muadh Ibn Xhebeli se Profeti i Allahut ka thënë: 868. “Ji i sinqertë në zbatimin e fesë së Allahut, që të të mjaftojnë edhe pak vepra të mira!” - Këta do të jenë bashkë me besimtarët. Allahu ka për t’iu dhënë besimtarëve shpërblim të madh.” - Edhe këta do të jenë së bashku me grupin e madh të besimtarëve, të cilët Allahu i Madhëruar do t’i gëzojë me shpërblime të shumta e të mëdha. - Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju jeni mirënjohës dhe besoni (në Të) ?! - Nëse ju i përmirësoni punët tuaja (me sinqeritet e korrektësi në pasimin e Profetit e të Shpalljes) dhe besoni Allahun e Profetin e Tij, me një besim korrekt e të saktë, atëherë dijeni se Allahu është i Pasuri, i cili nuk ka asnjë nevojë për robërit e Tij e për asnjë gjë që lidhet me krijesat. Ai ju ndëshkon veçse për shkak të gjynaheve tuaja. - Allahu është Mirënjohës dhe i Gjithëditur. - Ai e shpërblen shumë robin për veprat e sinqerta dhe e di mirë çfarë fshihet në zemrën e tij, prandaj shpërblimi i Allahut është më i ploti.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:145–4:147
- “Hipokritët do të jenë në shtresën më të ulët të Zjarrit dhe për ta kurrë nuk do të gjesh mbrojtës. ” - Allahu i Madhërishëm na tregon se si munafikët do të jenë në nivelin më të thellë të Zjarrit, ku do të përjetojnë ndëshkimin dhe dhimbjet më poshtëruese. Munafikët do të jenë edhe më thellë se qafirët, sepse ata jo vetëm që kanë mohuar Zotin dhe janë bërë armiq me Profetin dhe me besimtarët, por ata shtiren si muslimanë dhe fusin konflikte në radhët e besimtarëve. Ata janë më të rrezikshëm për besimtarët edhe se vetë qafirët, sepse qëndrojnë mes radhëve të tyre dhe i kanë më të shumta mundësitë për t’i dëmtuar ata, pa u dalluar dhe kuptuar. Madje, ata trajtohen si muslimanë në mesin e muslimanëve dhe përfitojnë gjithçka që përfitojnë muslimanët, pa e merituar. Për këto arsye dhe të tjera, ata meritojnë ndëshkimin më të rreptë dhe poshtërues. Askush nuk mund t’i shpëtojë ata nga ky përfundim i tmerrshëm dhe i përjetshëm. Ky është një paralajmërim për çdo munafik, përveç atyre që Allahu Bujar dhe i Gjithëmëshirshëm u mundëson, me mëshirën e Tij, që të pendohen dhe të kthehen në rrugën e drejtë. Ai thotë: - “Përveç atyre që u penduan, u përmirësuan, iu mbështetën Allahut dhe fenë e tyre e zbatuan sinqerisht vetëm për Allahun...” - Pra, përveç atyre të cilët pendohen sinqerisht dhe angazhohen seriozisht për të bërë disa gjëra të rëndësishme. Kështu, së pari, ata duhet të përpiqen sinqerisht për t’u korrigjuar në të gjitha drejtimet. Ata duhet të rregullojnë sjelljen e tyre të jashtme, por edhe besimin e brendshëm, duke treguar sinqeritet në marrëdhëniet me Zotin dhe me besimtarët. Së dyti, ata duhet të tregohen të vendosur për t’iu përmbajtur porosive të Allahut dhe Profetit. Ata duhet të kapen fort pas litarit të Allahut, duke kërkuar të mirat dhe shpëtimin nga e keqja vetëm prej Tij. Së treti, ata duhet t’ia përkushtojnë të gjitha adhurimet e tyre vetëm Allahut të Lartësuar, duke u përpjekur të kompletojnë veten me të gjitha nivelet e besimit: islamin, imanin dhe ihsanin. 30 Me fjalë të tjera, ata duhet të japin maksimumin e tyre që çdo vepër të mirë të jashtme dhe të brendshme t’ia përkushtojnë vetëm Allahut të Madhërishëm, duke u pastruar nga syfaqësia dhe hipokrizia. Kështu, ata që vishen me këto cilësi: - “Këta do të jenë bashkë me besimtarët. Allahu ka për t’iu dhënë besimtarëve shpërblim të madh. ” - Pra, këta do të trajtohen njëlloj si besimtarët, në dynja, në jetën e varrit dhe në Ditën e Gjykimit. Allahu i Gjithëmëshirshëm do t’u dhurojë atyre shpërblim shumë të madh, të cilin askush tjetër nuk mund ta përkufizojë dhe dijë, veçse Atij që ua jep. Atje do të kenë gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka
dëgjuar dhe mendja nuk ka arritur t’i mendojë. Vini re! Allahu i Madhërishëm ka vënë si kushte për faljen e munafikëve vendosmërinë për t’iu përmbajtur mësimeve të Tij, mbështetjen tërësisht tek Ai për çdo çështje dhe kryerjen e të gjitha adhurimeve vetëm për Allahun e Madhëruar, edhe pse këto bëjnë pjesë në pikën e parë, pra, në urdhrin për t’u rregulluar dhe përmirësuar në të gjitha drejtimet. Kështu kuptojmë se sa të nevojshme janë këto porosi, kur duam të pastrohemi nga nifak-u ose hipokrizia. Ato zemra ku ka depërtuar dhe ka zënë rrënjë hipokrizia kërkojnë doza të mëdha nga ky “ilaç”: përkushtim i madh ndaj Allahut dhe mbështetje e plotë tek Ai, zbatim rigoroz i udhëzimeve të Tij, vazhdimësi dhe këmbëngulje në adhurimin e Tij, duke treguar përunjësi dhe nevojë për mëshirën e Tij, për të shpëtuar nga kjo sëmundje shkatërruese. Sinqeriteti dhe përkushtimi ndaj porosive të Zotit, pastrojnë zemrën nga nifak-u nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, i bëjnë punët e kryera të pranueshme te Zoti. Kjo është arsyeja që këto dy porosi janë theksuar më tepër. Shihni edhe diçka! Nëse ata i kryejnë këto porosi, atëherë nuk thuhet që: “Allahu ka për t’iu dhënë shpërblim të madh atyre që u penduan nga nifaku , por thuhet: “Allahu ka për t’iu dhënë shpërblim të madh besimtarëve.”. Këtu kemi të bëjmë me një stil mahnitës, të cilin Allahu i Urtë e përsërit disa herë në Kur’ân. Nëse Allahu i Lartësuar premton që do të japë shpërblim ose ndëshkim për një kategori të veçantë, që është pjesë e një kategorie më të përgjithshme, atëherë Ai e lidh ngushtë shpërblimin ose ndëshkimin me cilësinë e përbashkët të kategorisë së përgjithshme, në të cilën bën pjesë edhe kategoria e veçantë e përmendur. Kjo bëhet që askush të mos mendojë që gjykimi në fjalë është specifik vetëm për pjesën e veçuar nga tërësia. Kjo është madhështia e Kur’ânit. Kësisoj, i penduari nga hipokrizia do të jetë së bashku me besimtarët, si të gjithë të penduarit e tjerë. Ai nuk trajtohet veçmas nga të penduarit e tjerë. Ata i bashkon pendimi i sinqertë dhe plotësimi i porosive të mësipërme. Të gjithë të penduarit do të jenë së bashku me besimtarët dhe do të shpërblehen ashtu siç i shpërblen Zoti besimtarët. Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është i Pasur dhe asnjëherë nevojtar, është i Gjerë në butësinë dhe faljen e Tij, është Gjithëpërfshirës në mëshirën dhe bamirësinë e Tij. Ai thotë: - “Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju jeni mirënjohës dhe besoni (në Të) ?! Allahu është Mirënjohës dhe i Gjithëditur.” - Pra, si t’ju ndëshkojë Allahu, kur dihet se Ai është i Gjithëdi tur dhe Mirënjohës, qoftë edhe për veprat tuaja më të vogla? Me bujarinë e Tij, Ai shpërblen shumë edhe për punët më të pakëta. Atyre që tregohen dur imtarë në adhurim, Ai u premton begati e mirësi. Atyre që tregohen durimtarë në lënien e të këqijave, Ai u premton se do t’ua zëvendësojë me gjëra më të mira se ato që kanë lënë për hir të Tij. Mos harroni për asnjë çast që Ai është i Gjithëditur për
gjithçka që ju bëni, vepra të dukshme e të fshehta, të sinqerta dhe jo të tilla. Ai dëshiron prej jush që gjithmonë të pendoheni dhe të ktheheni tek Ai të përulur dhe të bindur. Nëse ju veproni kështu, atëherë pse mendoni se Zoti do t’ju ndëshkojë? Ai nuk ka nevojë dhe as qëllim që t’ju ndëshkojë. Ai as nuk përfiton gjë nga kjo. Të pabindurit dëmtojnë veç vetveten, ashtu sikurse edhe të binduri t punojnë veç për veten e vet. Mirënjohja është: përulësia e zemrës kur kujton mirësitë e Zotit, lavdërimi i Tij me fjalë, veprimi në bindje ndaj Tij dhe mosshfrytëzimi i mirësive për gjynahe.