4. Nisa · Ajeti 15 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:13–4:21

Pasi që pasuan porositë për mirësjellje ndaj gruas, për të drejtën e tyre në niqah dhe në trashëgim me meshkuj, përmendet edhe masa ndëshkuese, nëse ato nuk janë të vetëdijshme për ruajtjen e nderit. Kjo masë ndëshkuese në këtë ajet, ka funksionuar deri sa është shpallur ajeti tjetër në kaptinën: "En Nurë" sipas së cilit përcaktohet masa e dënimit.

Pendim i pranueshëm është ai që bëhet menjëherë pas punës së keqe të kryer me padije, por nëse vazhdohet puna e keqe me qëllim, që pendimi të bëhet pak para vdekjes, ai pendim nuk pranohet, ngase personi i tillë nuk ka mundësi më në atë kohë të bëjë mëkat, e as të largohet prej tij, madje ai pendim nuk shpreh ndonjë përmirësim në zemër apo në jetë derisa është në prag të vdekjes.

Para islamizmit gruaja trashëgohej sikurse pasuria e të vdekurit, mund të martohej vetë me të, ta martojë për tjetrin ose ta pengojë nga martesa në tërësi. Madje i shtrëngonin për t'ua marrë atë që u kishin dhënë. Kur'ani ndalon atë traditë në tërësi, e edhe gruas së lëshuar nuk lejon t'i i ndërhyhet në atë niqah që i është dhënë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:15–4:16

Në fillim të Islamit, kur një grua kryente marrëdhënie seksuale jashtëmartesore (zina), atëherë nëse kishte dëshmi të vlefshme dhe dëshmia pranohej dhe gjykohej si e vërtetë, gruaja imorale izolohej në shtëpi deri në vdekje, pa u lejuar të dilte jashtë. Izolimi është një lloj dënimi. Për këtë arsye, i Madhëruari thotë në këtë ajet: - Nëse ndonjëra nga gratë tuaja bën imoralitet, kërkoni që kjo (vepër) të dëshmohet nga katër veta (burra) prej jush. Nëse këta dëshmojnë, atëherë i mbyllni ato (gratë) në shtëpi, derisa t’u vijë vdekja ose derisa Allahu të përcaktojë ndonjë zgjidhje tjetër për to.” - “Zgjidhja tjetër” që Allahu i Madhëruar solli për këtë çështje është pikërisht gjykimi i sjellë në ajetin tjetër abrogues. Ibn Abasi ka thënë: “Kështu veprohej në fillimet e Islamit, derisa Allahu i Madhëruar zbriti suren Nur, kur hyri në fuqi ligji i gurëzimit për të martuarit dhe i goditjes me kamxhik për të pamartuarit.” Po kështu është cituar edhe një grup tabiinësh, domethënë që ky ajet është abroguar. Madje, kjo është një çështje e pranuar gjërësisht dhe unanimisht. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ubade Ibn Samiti, që thotë: 652 “Profeti i Allahut rëndohej e ndikohej shumë kur atij i zbriste Shpallja, aq sa i ndryshonte pamja e fytyrës. Një ditë, atij i zbriti diçka. Kur përfundoi dhe ai u çlirua (nga pesha e Shpalljes), tha: “Merreni prej meje! Tashmë Allahu e solli zgjidhjen për to (gratë që bëjnë zina). Të

martuarit (që bëjnë zina) kanë dënim më vete dhe të pamartuarit (që bëjnë zina) kanë gjykim më vete. Të martuarit që bëjnë zina rrihen me njëqind kamzhikë dhe vriten me gurë. Të pamartuarit që bëjnë zina rrihen me 100 kamzhikë dhe internohen për një vit.” Këtë hadith e kanë sjellë Muslimi dhe autorët e Sunen-eve me shumë rrugë transmetimi. Imam Ahmedi, duke u mbështetur këtë hadith, ka gjykuar se dënimi për të martuarit që bëjnë zina është që të rrihen me njëqind kamzhikë dhe të vriten me gurë. Pra, atyre u jepen të dyja masat ndëshkimore. Ndërsa shumica e dijetarëve janë të mendimit se për të martuarit që bëjnë zina jepet vetëm masa e vrasjes me gurë, pa rrahjen me kamzhik. Ata mbështeten në faktin se Profeti i Allahut e ndëshkoi Maizin, Gamidijen dhe dy jehudët vetëm me gurë, pa masën e rrahjes me kamzhik përpara. Kjo tregon që ndëshkimi me gurë nuk është një masë e detyrueshme në një rast të tillë. Madje, - sipas mendimit të shumicës, - masa e rrahjes me kamzhik përpara ndëshkimit me gurë është një dispozitë e anuluar. Megjithatë, Allahu është më i ditur. Taberaniu sjell hadithin nga Ibn Abasi, se: 653 “Kur zbriti surja Nisa, Profeti i Allahut tha: “Nuk ka më izolim (për ata që bëjnë zina) pas sures Nisa.” Allahu i Madhëruar thotë: - Nëse një burrë e një grua kryejnë zina, ju ndëshkojini që të dy. - Ibn Abasi ka thënë: “Domethënë, duke i poshtëruar e përçmuar me sharje e duke i gjuajtur me shapka e sende përçmuese. Kështu ishte gjykimi për ta, derisa Allahu e anuloi dhe ligjëroi ndëshkimin me gurë ose rrahjen me kamzhik, sipas rastit.” Ikrime e të tjerë janë të mendimit se këtu bëhet fjalë për rastin kur një burë e një grua bënin zina. Siddiu ka thënë: “Këtu bëhet fjalë për rastin kur dy të rinj bënin zina para se të martoheshin.” Ndërsa Muxhahidi ka thënë: “Këtu bëhet fjalë për dy burra që bëjnë atë që nuk thuhet.” Me sa duket e ka patur fjalën për veprën e shëmtuar që bënte populli i Lutit, por Allahu është më i ditur. Autorët e Sunen-eve sjellin nga Ibn Abasi hadithin merfu, se Profeti i Allahut ka thënë: 654 “Nëse shihni dikë që bën atë poshtërsi që bënte populli i Lutit, vritini të dy, si aktivin, edhe pasivin!” Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: - Por nëse ata pendohen dhe përmirësohen, atëherë hiqjani dënimin... - Nëse ata pendohen dhe përmirësohen, atëherë mos i mundoni e as mos i përçmoni, sepse ai që pendohet sinqerisht është njëlloj sikur të mos ketë gabuar kurrë. - se Allahu e pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë. - Në dy Sahih-ët vjen hadithi: 655 “Nëse robëresha e dikujt nga ju bën zina, zbatoni mbi të dënimin e rrahjes me kamzhik (që është sa gjysma e dënimit të gruas së lirë, pra, me 50 kamzhikë) dhe mos e poshtëroni e përçmoni atë!” Domethënë, pas zbatimit të dënimit, askush të mos e përçmojë dhe ofendojë atë para njerëzve, sepse ekzekutimi i dënimit është pastrim nga gjynahu.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:15–4:16

- “Nëse ndonjëra nga gratë tuaja bën imoralitet, kërkoni që kjo (vepër) të dëshmohet nga katër veta (burra) prej jush.” - Këtu është fjala për marrëdhëniet seksuale të jashtëligjshme. Allahu i Lartësuar e ka cilësuar imoralitetin më

poshtë si “vepër e poshtër” ( fâĥisheh), për të treguar se sa i shëmtuar është ai. Por që të pranohet kjo akuzë, duhet të dëshmojnë katër burra “nga mesi juaj”, domethënë besimtarë të drejtë dhe të besueshëm, se e kanë parë qartësisht. - “Nëse këta dëshmojnë, atëherë i mbyllni ato (gratë) në shtëpi, derisa t’u vijë vdekja ose derisa Allahu të përcaktojë ndonjë zgjidhje tjetër për to. ” - Nëse dëshmia e tyre pranohej dhe gjykohej si e vërtetë, atëherë gruaja imorale mbyllej në shtëpi. Izolimi është një lloj dënimi. Gruaja imorale izolohej në shtëpi deri në vdekje, ose derisa Zoti të sillte një zgjidhje apo mënyrë tjetër dënimi për të. Ky gjykim nuk është i shfuqizuar, por është i afatizuar deri në kohën e një gjykimi tjetër. Pra, në fillimet e Islamit, ky ishte gjykimi për marrëdhëniet seksuale të jashtëligjshme, deri në kohën kur hyri në fuqi ligji i gurëzimit për të martuarit dhe i goditjes me kamxhik për të pamartuarit, i vendosur nga ajetet e tjera për këtë çështje. - “Nëse një burrë e një grua kryejnë imoralitet, ju ndëshkojini që të dy. ” – Kuptimi: Nëse një çift, një burrë dhe një grua, kryejnë marrëdhënie seksuale të jashtëligjshme, atëherë ndëshkojini që të dy me fyerje e me rrahje, të cilat të shërbejnë si mësim edhe për të tjerët, për t’u larguar nga kjo poshtërsi. Kështu, në fillim kishte dy lloje ndëshkimesh: për burrat ishte ndëshkimi me fyerje dhe me rrahje, ndërsa për gratë ishte ndëshkimi me fyerje, rrahje dhe izolim. Kjo mënyrë zgjati deri në hyrjen në fuqi të ligjit për imoralitetin. Por nëse izolimi vazhdonte deri në vdekje, mundimi me fjalë dhe rrahje vazhdonte derisa palët të pendoheshin dhe të vërehej qartë rregullimi i gjendjes së tyre, siç thotë Allahu i Lartësuar: - “Por nëse ata pendohen dhe përmirësohen, atëherë hiqjani dënimin, se Allahu e pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë.” – Pra, nëse ata pendohen dhe këtë e vërtetojnë duke kryer vepra të mira, atëherë u rrëzohet dënimi me fjalë dhe rrahje, sepse Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirues i madh. Prej mëshirës së Tij të madhe është edhe suksesi që Ai u dhuron njerëzve për t’u penduar, edhe pranimi i këtij pendimi, duke ua falur gabimet. Nga ky ajet kuptojmë që akuza se dikush ka bërë imoralitet duhet të mbështetet dhe të faktohet me dëshminë e katër burrave besimtarë, të drejtë dhe të besueshëm, që nuk janë të akuzuar asnjëherë për mashtrim. Allahu i Lartësuar e ka shtrënguar shumë trajtimin e këtij krimi. Vërtet, Ai ka caktuar një ndëshkim të fortë për të, por edhe dëshmia për faktimin e tij duhet të jetë shumë e bazuar, me qëllim që njerëzit të mos akuzohen asnjëherë kot për një vepër kaq të rëndë, e cila është shkatërruese e familjes dhe e shoqërisë. Për këtë rast nuk pranohet dëshmia e grave, qofshin ato të vetme, qofshin së bashku me burrat. Gjithashtu, nuk pranohet dëshmia e më pak se katër burrave. Kusht tjetër është që dëshmia të shprehet shkoqur e kuptueshëm. Dëshmitari duhet të dëshmojë se e ka parë qartësisht dhe pa asnjë dyshim se të akuzuarit kanë bërë imoralitet me kuptimin e plotë të marrëdhënieve seksuale. Allahu i Lartësuar e ka përsëritur çështjen e të dëshmuarit, duke përforcuar atë, kur thotë: “...kërkoni që kjo (vepër) të dëshmohet nga katër vetë (burra) prej jush. Nëse këta dëshmojnë, atëherë ato (gratë) mbyllini në shtëpi...”. Qëllimi është që çdo gjë të jetë e sigurt. Në këtë ajet kuptohet që izolimi apo dënimi me fjalë dhe veprime kundër gjynahqarëve janë mënyra të lejueshme, nëse nëpërmjet tyre mund të arrihet riedukimi.

← Nisa 4:15