4. Nisa · Ajeti 170 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:163–4:170
Zoti i përmend me emra disa pejgamberë për arsye të famës së madhe të tyre. Menjëherë pas Muhammedit përmendet Nuhu që ishte pejgamberi i parë, në gjuhën e të cilit hartohen ligjet- sheriati, dhe ishte i pari që thërret në monoteizëm e konsiderohet baba i dytë i njerëzimit. Ibrahimi konsiderohet baba i pejgamberëve ngase prej pasardhësve të tij ka shumë pejgamberë. Isai përmendet para disa pejgamberëve që me jetë kishin qenë më heret, ngase jehuditë në mënyrë fanatike e atakonin, kurse të krishterët tepër e zmadhonin. Musai nuk përmendet në një ajet me të tjerët ngase Tevrati i tërë i zbriti përnjëherë dhe ai dëgjoi fjalët drejtpërsëdrejti nga Zoti.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:166–4:170
Në ajetet e mësipërme Allahu i Lartësuar tha: “Ne të dërguam ty (o Muhamed) me Shpallje, ashtu siç dërguam me Shpallje Nuhun dhe profetët pas tij...”. Përmes këtyre ajeteve, Ai pohoi se Muhamedi është i dërguari i Tij, duke hedhur poshtë kështu pretendimet e të gjithë atyre që e refuzuan atë, siç vepruan idhujtarët dhe ithtarët e Librit (të krishterët e jehudët). Ndërsa në këto ajete i Lartësuari thotë: - Por Allahu dëshmon se atë (shpallje) që ta zbriti ty, ta zbriti nga dija e Vet dhe melekët dëshmojnë. Por mjafton që Allahu është dëshmues.” – Edhe pse ata të mohuan dhe kundërshtuan rrugën tënde, është vetë Allahu që dëshmon për besnikërinë tënde. Ai dëshmon si ti je profeti dhe besniku i Shpalljes së Tij. Ti je profeti i zgjedhur nga Ai, për këtë libër madhështor, Kur 'anin. Ai dëshmon gjithashtu se këtë libër “...ta zbriti nga dija e Vet...” Kjo do të thotë që në këtë libër, krijesat do të zbulojnë diturinë e Allahut, që Ai dëshiroi t’ua zbulonte, për të mësuar çdo gjë që u nevojitet, si: argumentet, udhëzimin e sigurt për në rrugën e drejtë, dallimin e të vërtetës nga e kota, gjithçka që Zoti e do dhe ka urdhëruar, gjithçka që Zoti e urren dhe e ka ndaluar. Në të do të gjejnë lajmet e rrëfimet e fshehta të së shkuarës dhe të ardhmes. Në do të gjejnë një prezantim të emrave e cilësive të pastra të Zotit, të cilat nuk mund t’i dijë asnjë melek i afërt i Zotit dhe asnjë profet i dërguar, pa ia mundësuar vetë Zoti këtë dituri: “...Të tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar t'u mësojë, nga ajo që Ai di.” [Bekare 255]. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ata Ibn Saibi, i cili rrëfen: “Ebu Abdurrahman Sulemiju dëgjoi leximin tim të Kur 'anit. Kur lexonim Kur'anin para tij, ai thoshte: “Ke marrë nga dituria e Allahut. Askush nuk është më i mirë se ti sot, përveçse nëpërmjet punës me këtë Kur 'an!” Pastaj lexonte fjalën e Allahut: “Por Allahu dëshmon se atë (shpallje) që ta zbriti ty, ta zbriti nga dija e Vet dhe melekët dëshmojnë. Por mjafton që Allahu është dëshmues.”. Allahu i Lartësuar thotë: “... dhe melekët dëshmojnë.” Pra, edhe melekët dëshmojnë për besnikërinë tënde si profet dhe për atë që t’u shpall, së bashku me dëshminë e Allahut për këtë fakt. Pastaj Allahu thotë: “Por mjafton që Allahu është dëshmues.” Muhamed Ibn Is’haku sjell hadi thin nga Ibn Abasi, që tregon: 889. “Një grup jehudësh erdhën tek Profeti i Allahut, i cili u tha: “Betohem në Allahun, unë e di mirë që ju jeni të sigurt dhe e dini mirë se unë jam Profeti i Allahut.’ Ata thanë: “Jo, nuk nuk jemi të bindur dhe nuk e dimë këtë.” Atëherë,
Allahu i Lartësuar zbriti: “Por Allahu dëshmon se atë (Shpallje) që ta zbriti ty, ta zbriti nga dija e Vet; dhe melekët dëshmojnë. Por mjafton që Allahu është dëshmues.”. - Ata që kanë mohuar dhe kanë penguar njerëzit nga rruga e Allahut, ata kanë humbur shumë larg prej Udhës së Drejtë.” - Këta e mohuan Zotin dhe nuk e pasuan të vërtetën e shpallur prej Tij. Përveç kësaj, ata penguan njerëzit nga pasimi i kësaj të vërtete. Në këtë mënyrë, ata devijuan shumë larg nga udha e drejtë dhe ranë në një humbje të thellë. Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon për atë që ka vendosur të bëjë me të tillë njerëz, që shkatërruan dhe poshtëruan vetveten, duke mos iu nënshtruar udhëzimit dhe duke shkelur kufijtë e Tij. Ai na njofton se nuk ka për t’i falur të tillë njerëz, që e kanë mohuar besimin tek Ai dhe në shpalljet e Tij. Ai thotë: - Ata që nuk besojnë dhe bëjnë padrejtësi, Allahu as nuk ka për t’i falur e as nuk ka për t’i drejtuar në asnjë rrugë tjetër... - Ai nuk ka për t’ua bërë mbarë që të ndjekun udhën e mirësisë. E vetmja rrugë që shtrihet para të tillë njerëzve është: - Përveçse drejt rrugës së Xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë. Dhe kjo për Allahun është e lehtë. - Në vijim Allahu i Lartësuar thotë: - O njerëz! Juve ju ka ardhur i Dërguari me të vërtetën nga Zoti juaj. Për këtë arsye, besoni, se kjo është më mirë për ju!” - Juve ju erdhi Muhamedi, me udhëzim të qartë dhe me një fe të vërtetë e të kompletuar, të urdhëruar nga vetë Allahu i Madhëruar. Nëse e besoni atë dhe nëse ndiqni dhe zbatoni ligjin që ai solli nga Zoti, atëherë kjo është më mirë për ju. - Por, nëse ju nuk e besoni, ta dini se vetëm Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë. - Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për ju dhe për imanin tuaj. Atij nuk i sjell asnjë dëm mosbesimi dhe mosnënshtrimi juaj. Në një ajet tjetër thuhet: “Musai tha: “Nëse ju dhe të gjithë ata që janë në tokë nuk janë mirënjohës, Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Lavdëruar”.” [Ibrahim 8]. Ndërsa këtu thotë: - Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. – Allahu është i Gjithëditur, ndaj e di mirë se cili prej jush e meriton udhëzimin në rrugën e drejtë. Për këtë arsye, Allahu ia prin mbarë me urtësinë e Tij, që ta pranojë dhe ta dojë udhëzimin. Nga ana tjetër, Ai e di mirë se cili e meriton devijimin dhe poshtërimin, prandaj e lë në humbje dhe errësirë. Ai është i Urtë në fjalët, veprat, në ligjin që urdhëroi të zbatohet ndër njerëz dhe në ligjet universale, që vendosi të zbatohen në krijimin e Tij në këtë botë.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:170
- “O njerëz! Juve ju ka ardhur i Dërguari me të vërtetën nga Zoti juaj. Prandaj besoni, se kjo është më mirë për ju! ” - Allahu i Lartësuar urdhëron të gjithë njerëzit që ta besojnë Atë dhe Profetin e Tij, Muhamedin. Ai tregon edhe shkakun që duhet të na shtyjë për ta besuar Atë, dobinë e këtij besimi dhe dëmin e shpërfilljes dhe të mosbesimit tek Ai. Shkaku që duhet të na shtyjë ta besojmë Profetin është fakti se ai erdhi me të vërtetën e sigurt nga Zoti i tij. Vetë ardhja e tij ishte e drejtë, ligji që ai solli prej Zotit të tij është i drejtë. Çdo njeri i logjikshëm e di se lënia e krijesave në injorancë dhe në kufër, pa u sjellë atyre një shpallje si udhëzim për ta, bie ndesh me urtësinë dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar. Kështu, dërgimi i Profetit është shenjë e urtësisë dhe mëshirës së madhe të Allahut të Lartësuar, sepse nëpërmjet atij, krijesat arrijnë të dallojnë udhëzimin e
drejtë nga humbja, të vërtetën nga e kota. Mjafton të shohësh në përmbajtjen e Shpalljes që ai solli nga Zoti i tij, për të gjykuar se ai ishte vërtet profet nga Zoti. Kjo siguri shtohet akoma më shumë nëse meditojmë thellë rreth Sheriatit dhe porosive të mrekullueshme të Profetit për njerëzimin. Në Shpalljen që ai solli prej Zotit të tij gjenden rrëfime të panjohura të së kaluarës dhe të së ardhmes, përshkrime rreth Allahut të Lartësuar dhe Ditës së Gjykimit etj., të cilat mund të njihen veçse nëpërmjet shpalljeve hyjnore. Ky Profet ka urdhëruar për çdo të mirë, për ndjekjen e rrugës së drejtë, për mbajtjen e drejtësisë, për sinqeritet dhe vërtetësi, për ruajtjen e lidhjeve që duhen ruajtur, për moral të mirë, fisnikëri dhe bujari. Ai ka ndaluar nga çdo e keqe, nga kalimi i kufijve dhe padrejtësia, nga morali i keq, nga gënjeshtrat dhe mashtrimet, nga shpërfillja dhe nëpërkëmbja e të drejtave të krijesave etj. Të tilla porosi të mrekullueshme dhe të domosdoshme për shoqërinë njerëzore, sidomos në atë kohë, nuk të lenë asnjë dyshim, por të japin bindjen e plotë se me të vërtetë ai ishte profet i dërguar nga Zoti. Sa më shumë ta njohë njeriu këtë Shpallje, aq më shumë i shtohet besimi dhe siguria për vërtetësinë e Profetit. Këto që përmendëm janë të gjitha shkaqe që duhet të na shtyjnë ta besojmë këtë Profet. Për sa i përket dobisë dhe mirësisë që sjell besimi në profetin Muhamed, Allahu i Lartësuar ka thënë se besimi tek ai është më mirë për ne. Kështu besimi është më mirë për besimtarët, është më i mirë për trupin, për zemrat dhe shpirtrat e tyre, më i mirë për dynjanë dhe ahiretin e tyre. Besimi te ky Profet është më i mirë për besimtarët, për shkak të mirësive dhe dobive që lidhen ngushtë me këtë besim. Çdo shpërblim, qoftë ai në këtë botë apo i premtuar për në ahiret, është fryt i imanit, fitore dhe ndihmë nga Zoti. Udhëzimi në rrugën e drejtë, dija e vërtetë, e sigurt dhe e dobishme, veprat e mira sipas kësaj dijeje, çdo lumturi dhe gëzim, madje edhe Xheneti e gjithçka që ai përmban, të gjitha këto vijnë nga besimi i drejtë dhe i saktë te profeti Muhamed. Nga ana e kundërt, çdo vuajtje dhe dëshpërim i kësaj dynjaje dhe i ahiretit vjen nga mungesa e këtij imani ose nga mangësia e tij. Dëmet që sjell mosbesimi te profeti Muhamed janë pikërisht të kundërtat e mirësive që sjell ky besim. Por le ta dijë çdokush se robi dëmton veçse veten e vet dhe se Allahu i Lartësuar është jonevojtar për të. Atë nuk e dëmton aspak mosbindja dhe mosbesimi i krijesave. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: - “Por, nëse ju nuk e besoni, ta dini se vetëm Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë. Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. ” - Gjithçka është krijesë dhe pronë e Tij dhe është e nënshtruar nën pushtetin dhe mbretërimin e Tij. Allahu i Lartësuar është i Gjithëditur për çdo gjë që e ka krijuar dhe e sundon. Ai është i Urtë për çdo gjë që e ka krijuar dhe çdo urdhër që ka lëshuar. Ai është më i Dituri, si për ata që meritojnë udhëzimin, edhe për ata që meritojnë humbjen. Me urtësinë e Tij, Ai udhëzon ose lë në humbje ata që e meritojnë atë.