4. Nisa · Ajeti 2 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:1–4:6
Zoti fuqiplotë i krijoi njerëzit prej një baze, prej Ademit dhe prej të njëjtës bazë e krijoi palën e tij shoqen, Havën. Thëniet e tjera rreth krijimit të Havës nuk kanë bazë në Kur'an.
Që Zoti është i vetmi krijues, vërtetohet edhe nga vetë përbetimi i njerëzve ndaj njëri-tjetrit, pse kur e lut tjetrin për diçka i thua: për Zotin, pash Zotin etj. Madje askush nga njerëzit nuk thotë se unë vetë e krijova veten.
Krijimi i Havës nuk ishte prej Ademit ashtu që të kuptohet raporti prind fëmijë, ose vëlla motër.
Disa njerëz martoheshin me jetimet që i kishin nën kujdesin e tyre për t'u ikur shpenzimeve të niqahit dhe për të mos nxjerrë mallin e tyre prej shtëpisë së vet. Kur'ani urdhëroi ose të ndjekin drejtësinë ndaj jetimeve, ose të martohen me gra të tjera, madje deri me katra, por në raste të tilla të kontrollojnë veten se sa do të jenë të drejtë, përndryshe të martohen vetëm me një grua.
Martesa është synet për atë që frenon veten nga imoraliteti, e për atë që nuk mund ta frenojë, është farz (detyrë e domosdoshme).
Pasurinë e jetimëve duhet ruajtur dhe mos t'u dorëzohet atyre derisa të mos arrijnë pjekuri. Nuk lejohet shpenzimi i pasurisë së tyre pa nevojë, e sidomos gjatë kohës derisa ata janë të mitur. Kur të arrijnë pjekuri duhet dorëzuar pasurinë e tyre, por dorëzimin duhet bërë me dëshmitarë ashtu që të mos mbetet kurrfarë dyshimi
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:2–4:4
Allahu i Lartësuar urdhëron që jetimëve t’u jepet pasuria e tyre kur ata të arrijnë moshën e pjekurisë, madje t’u jepet e plotë dhe e paprekur. Ai e ndalon ngrënien, përvetësimin dhe përzierjen e kësaj pasurie të jetimit, me qëllim përfitimi prej saj. Allahu i Lartësuar thotë: - Jepuani pasurinë e tyre jetimëve dhe mos e përzieni pasurinë e pastër me të papastrën. - Seid Ibn Xhubejri, duke shpjeguar ajetin, thotë: Mos i përzieni pasuritë e tjera, që i keni haram, me pasurinë tuaj hallall. Kështu ka thënë edhe Sediju. Arsyeja është se, ndodhte që dikush merrte një dele të shëndoshë e të mirë nga pasuria e jetimit, dhe në vend të saj vendoste një dele të dobët, dhe pastaj thoshte: “Ja, mora një dele dhe lashë një dele...”. Ose merrte një monedhë të mirë (më të vlefshme) nga pasuria e jetimit dhe në vend të saj vendoste një monedhë të vjetëruar (më pak të vlefshme) dhe thoshte: “Mora një monedhë dhe lashë një monedhë...” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Mos e hani pasurinë e tyre duke e përzier me pasurinë tuaj, sepse ky është një gjynah i madh. - Mos i përzieni pasuritë tuaja me të tyret, dhe pastaj t’i hani të gjitha bashkë. Allahu i Lartësuar thotë: “...sepse ky është një gjynah i madh.” Pra, është një (hûben kebirâ) gjynah shumë i rëndë. Kështu ka thënë Ibn Abasi dhe një grup tabiinësh. Një hadith në Sunen-in e Ebu Daudit thotë: 636. “Na fal (hûbenâ ue ħatâjânâ) gjynahet (e rënda) dhe gabimet tona!” Kështu, ajeti na mëson se ngrënia dhe përzierja e pasurisë së jetimit me pasurinë tënde është gjynah tepër i rëndë, prandaj duhet të largohemi prej tij. - Në qoftë se druheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj jetimëve, atëherë martohuni me gra të mira që ju pëlqejnë: me dy, tri a me katër. - Nëse dikush ka në kujdestari një jetime dhe ai druhet se do të tregohet i padrejtë e nuk do t’i japë asaj mehrin që i takon, në rast martese me të, atëherë le t’i largohet kësaj martese dhe të gjejë grua tjetër. Gra ka shumë, ndaj nuk ka përse të shtrëngohesh duke u martuar me një jetime, me synimin për të mos i dhënë asaj mehrin që i takon. Buhariu sjell hadithin nga Urvetu Ibn Zubejri, se ai e ka pyetur Aishen rreth fjalës së Allahut të Lartësuar: “Në qoftë se druheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj jetimëve, atëherë martohuni me gra të mira që ju pëlqejnë: me dy, tri a me katër.” Ajo tha: “O biri i motrës sime, këtu bëhet fjalë për një vajzë jetime që është nën kujdestarinë e dikujt, i cili e përzien pasurinë e saj me pasurinë e vet. Pastaj, duke qenë se atij i pëlqen pasuria dhe bukuria e saj, ai dëshiron që të martohet me të, duke synuar, gjithashtu, që të mos i japë asaj dhuratën martesore (mehrin), siç do t’ia jepte një gruaje tjetër, me të cilën mund të martohej. Kështu, në këtë ajet, burrat janë ndaluar që të martohen me vajza jetime, vetëm nëse plotësojnë kushtin që t'u japin mehrin në formë të rregullt, ashtu siç e meritojnë. Madje, duhet t’u japin atyre mehrin më të lartë që meritojnë si motrat e tyre. Në të kundërt, nëse frikësohen se nuk do ta përmbushin këtë kusht, atëherë le të martohen me gra të tjera, që u pëlqejnë.” Uruetu citon Aishen të ketë thënë: “Pas këtij ajeti, njerëzit pyetën Profetin e Allahut (a.s). Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin tjetër të kësaj sureje: “Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t’i sqarosh lidhur me çështjet e grave. Thuaju se për çështjet e tyre, ju sqaron Allahu dhe këto (ajete) që po ju lexohen nga Libri, si për vajzat jetime, me të cilat lakmoni të martoheni, por nuk u jepni atë (mehrin) që është caktuar për to, ashtu edhe për fëmijët e mitur. Allahu ju udhëzon që të mbani drejtësi ndaj jetimëve. Çfarëdo të mire që bëni, Allahu e di shumë mirë atë.” [Nisa 127]. Aishja shtoi: “...Në këtë ajet flitet edhe për ata të cilët i shmangen martesës me jetimet kur ato nuk kanë pasuri dhe nuk janë të bukura. Kështu, Allahu i ka ndaluar burrat që të martohen
me ato jetime të cilat ata i preferojnë për shkak të bukurisë dhe pasurisë që kanë, veçse me kushtin që të jenë të drejtë dhe të përmbushin detyrimin e dhënies së mehrit (dhuratës martesore). Ky urdhër për t’u martuar dhe për të qenë të drejtë në dhënien e mehrit atyre grave jetime të cilat i preferojnë për shkak të bukurisë dhe pasurisë së tyre, erdhi për shkak të shmangies nga martesa me jetimet e varfra dhe jo shumë të bukura.” Qëllimi i gjithë kësaj është që gjithmonë të mbahet drejtësi në trajtimin e jetimeve, qoftë në rastin kur na pëlqen bukuria e pasuria e tyre, ashtu edhe kur ato nuk janë të bukura e të pasura. Në të gjitha rastet duhet synuar mbajtja e drejtësisë, përmbushja e detyrimeve dhe çfarë është e favorshme për jetimet. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “...me dy, tri a me katër. - Domethënë, martohuni me gra të tjera sa të doni. Nëse dëshironi dy, martohuni me dy; nëse dëshironi tre, martohuni me tre ose edhe me katër. Tradita profetike tregon qartë se askujt, përveç Profetit të Allahut, nuk i lejohet që të mbajë bashkë në të njëjtën kohë më shumë se katër gra. Martesa me më shumë se katër gra ishte një nga veçoritë e Profetit ﷺ .Imam Ahmedi sjell hadithin nga Salimi, dhe ky nga i ati, se: 637. “Gilan Ibn Selemete E l thekafiju, kur pranoi Islamin, kishte 10 gra. Atëherë, Profeti i Allahut i tha: “Zgjidh e mbaj vetëm katër prej tyre!” Në kohën e Umerit, ai i ndau të gjitha gratë e tij, kurse pasurinë e ndau vetëm mes djemve të tij. Kur i shkoi Umerit ky lajm, ai tha: “Unë mendoj se shejtani, mes atyre lajmeve që vjedh dhe dëgjon fshehurazi në qiell, ka dëgjuar edhe lajmin për vdekjen tënde, ndaj erdhi dhe ta hodhi në mendje që të bësh këtë që bëre. Dhe ndoshta nuk ke për të jetuar më gjatë pas kësaj... Betohem në Allahun se, ose do t’i marësh prapë gratë që i ndave (për t’i privuar nga trashëgimia) dhe do ta kthesh pas pasurinë që e ndave mes djemve, ose kam për t’ua dhënë gjithë trashëgiminë tënde atyre grave, dhe pastaj do të urdhëroj që ta gjuajnë varrin tënd me gurë, ashtu siç gjuajtën varrin e Ebu Ragalit!” Kështu e kanë sjellë ngjarjen edhe Shafiu e të tjerë veç tij, deri tek fjala e Umerit: “Zgjidh e mbaj vetëm katër prej tyre!”. Ndërsa pjesa tjetër e hadithit është një pjesëz nga historia e Umerit, që është sjellë vetëm nga Imam Ahmedi dhe, sipas tij, ajo është një shtesë e bazuar. Sidoqoftë, nga Buhariu, ajo është konsideruar si e dobët, për shkak mangësive që ai ka treguar se ndodhen në të. Tirmidhiu na tregon se Buhariu, duke mohuar shtesën në fund të këtij hadithi, ka thënë: “Ky hadith nuk është fiksuar dhe memorizuar në këtë formë (me këtë shtesë).”. Por ky lloj refuzimi vlen të rishikohet mirë. Megji thatë, Allahu është më i ditur. Të gjithë transmetuesit e isnad-it të këtij hadithi të sjellë në këtë version në Musned-in e Imam Ahmedit, janë thikâtë (të besueshëm), sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit. Në fakt, ka edhe hadithe të tjera të sjella nga Ebu Daudi, Ibn Maxhe, Shafiiu, që dëshmojnë për saktësinë e hadithit të Gajlanit, sikurse e ka konfirmuar një gjë të tillë Bejhakiu. - Por nëse druheni se nuk do t’i përmbaheni drejtësisë ndaj tyre (grave), atëherë (martohuni) vetëm me një grua, ose me ato që keni në pronësinë tuaj (robëreshat). - Domethënë, nëse frikësoheni se nuk i trajtoni me drejtësi disa gra, atëherë martohuni vetëm me një grua. Allahu i Lartësuar thotë: “Ju nuk do mund të mbani drejtësi të plotë mes grave, edhe nëse përpiqeni. Por mos anoni tërësisht nga njëra, e ta lini tjetrën pezull. Nëse ju i përmirësoni marrëdhëniet dhe ruheni nga padrejtësitë, pa dyshim, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” [Nisa 129] . Kështu, ai që ka frikë nga një gjë e tillë, le të rrijë vetëm me një grua, ose të mjaftohet me robëreshat, nëse ka, sepse për to nuk është e detyrueshme që të ndahen ditët apo të trajtohen me barazi. Sidoqoftë, edhe në këto raste, barazia është e pëlqyeshme, prandaj ai që e bën, ka bërë vepër të mirë. Gjithsesi, ai që nuk e bën, nuk merr gjynah. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë:
- Kjo do ta bëjë më të lehtë, që të mos bini në padrejtësi. - Kjo është më e drejtë e më e mirë, që ju të mos i kaloni kufijtë dhe të mos u bëni atyre padrejtësi. Në një hadith, - që sipas mendimit më të saktë është hadith meukûf, pra, që senedi i tij shkon deri tek Aishja, e nuk i atribuohet Profetit ﷺ ,- përmendet se Aishja (r.a) e ka shpjeguar ajetin duke thënë: “Pra, të kaloni kufijtë e vendosur nga Zoti.” Kështu ka thënë Ibn Ebi Hatimi. - Jepuni grave mehrin e tyre në shenjë bindjeje ndaj Zotit! - Nga Ibn Abasi përcillet se, “ niĥle” që përmendet në ajet është mehri, pra, dhurata martesore. Kështu, jepeni mehrin, si përmbushje e detyrimit ndaj gruas. Fjala “niĥletu” në gjuhën arabe tregon “diçka të detyrueshme”. Ata, në të tilla raste, thonë: “Martohu me të, por duke i dhënë “ niĥle-n”, pra, masën e detyrueshme të pasurisë, e cila përcaktohet gjatë aktit të martesor.” Gjithashtu, nuk lejohet gënjeshtra në lidhje me masën e përcaktuar të mehrit. Burri e ka detyrë që ta japë mehrin duke qenë i kënaqur, i qartë dhe me dëshirë. Nëse pas kësaj (pas përcaktimit dhe dhënies), gruaja i kthen atij diçka prej mehrit të saj, që tashmë është pasuri e saj, atëherë lejohet që burri të marrë, pasi tashmë është pasuri hallall, e pastër dhe e mirë për burrin. Allahu i Lartësuar thotë: - Në qoftë se ato, me dëshirën e tyre, ju falin diçka nga ai (mehri), atëherë përdoreni atë, sepse tashmë, ai është hallall dhe i mirë për ju. - Hushejni, që përcjell nga Jesari, dhe ky nga Ebu Salihi, ka thënë: “Në të shkuarën, kur babai martonte të bijën, e mbante mehrin e saj për veten e vet. Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar i ndaloi ata nga ky veprim, duke thënë: “Jepuni grave mehrin e tyre, në shenjë bindjeje ndaj Zotit!” Kështu e sjellin rrëfimin Ibn Ebu Hatimi dhe Ibn Xheriri.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:1–4:2
- “O njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, ndërsa prej tij krijoi bashkëshorten, e prej atyre të dyve përhapi shumë burra e gra. ” - Allahu i Lartësuar e ka filluar këtë sure me një urdhër për devotshmëri dhe bindje ndaj Tij, si dhe ka nxitur për të ruajtur lidhjet farefisnore. Ai e qartëson arsyen pse duhen zbatuar këto urdhra dhe pse duhet të pajisemi me devotshmëri: Allahu është Krijuesi juaj, që ju furnizon dhe përkujdeset për ju, duke ju dhënë çdo gjë të nevojshme. Një nga mirësitë e mëdha të Allahut ndaj nesh është fakti që Ai na krijoi prej një njeriu të vetëm, Ademit (a.s.), prej të cilit krijoi palën tjetër, gruan, që të jetë prehje dhe qetësim për burrin. Kështu Allahu i Lartësuar e ka plotësuar mirësinë e Tij nda j robve, duke u falur atyre gëzim, kënaqësi dhe lumturi, prandaj devotshmëria e tyre ndaj Tij është vërtet e meritueshme. Më pas, Allahu i Lartësuar sjell edhe një arsye tjetër për të qenë të devotshëm ndaj Tij: - “Kijeni frikë Allahun, me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajini lidhjet farefisnore!” - Është pikërisht Allahu, me emrin e të Cilit betohemi për të arritur qëllimet tona, Ai ndaj të Cilit urdhërohemi të jemi të devotshëm dhe të bindur. Kur duam të arrijmë qëllimet tona, ne betohemi në emër të Allahut, sepse kështu realizimi është më i sigurt. Dihet shumë mirë se kur i lutesh dikujt për diçka, duke i thënë: “Të kërkoj ta bësh këtë gjë për hir të Allahut!”, ai nuk të refuzon, sepse madhërimi i Allahut në zemër nuk e lejon një gjë të tillë. Kështu, ne urdhërohemi për devotshmëri dhe bindje ndaj Zotit, dhe kjo nuk është diçka e panatyrshme për ne. Arsyeja për të qenë të devotshëm e të bindur ndaj Allahut bëhet edhe më e fortë kur kujtojmë se Ai është Mbikëqyrësi ynë, që dëshmon gjithçka që ne veprojmë: - “Vërtet, Allahu është Mbikëqyrësi juaj i përhershëm.” - Ai është mbikëqyrës i robve. Ai i vështron ata në çdo gjendje, gjatë lëvizjes dhe qetësisë, kur janë mes njerëzve dhe larg syve të tyre. Nëse jemi të vetëdijshëm për këtë mbikëqyrje, ajo do të kultivojë në shpirtin tonë frikërrespektin ndaj Allahun, turpin, devotshmërinë dhe bindjen e vazhdueshme ndaj Tij. Allahu i Lartësuar na nxit që të meditojmë mbi faktet e krijimit të Tij. Ai na ka shpërndarë nëpër tokë, edhe pse origjina jonë është e
njëjtë dhe e përbashkët. Pikërisht për shkak të kësaj origjine të njëjtë, njerëzit duhet të jenë të butë dhe të mëshirshëm me njëri - tjetrin. Për të përforcuar këtë ndjenjë në zemrat e tyre, Allahu i Lartësuar, menjëherë pasi i urdhëron ata që të jenë njësues në adhurimin e Tij, i urdhëron për bamirësi dhe mëshirë ndaj njëri -tjetrit dhe i ndalon nga ndarja, largimi dhe armiqësia mes tyre. Ashtu sikurse është detyrë përmbushja e detyrimeve ndaj Zotit, duke e adhuruar Atë si Një të Vetëm, ashtu duhen plotësuar edhe detyrimet ndaj krijesave, sidomos ndaj të afërmve, madje respektimi i të drejtave të tyre është pjesë përbërëse dhe e pandashme e respektimit të të drejtave të Zotit mbi krijesat e Tij, për të cilat Ai ka urdhëruar të plotësohen dhe për to do t’i marrë në përgjegjësi Ditën e Llogarisë. Shihni se si Allahu e fillon këtë sure me urdhrin për devotshmëri ndaj Tij dhe për bamirësi ndaj prindërve, grave, jetimëve dhe njerëzve në përgjithësi, për të vazhduar pastaj me një shpjegim të hollësishëm të këtyre të drejtave gjatë gjithë sures. Kështu, fillimisht, Allahu përshkruan të drejtat që njeriu duhet të plotësojë, dhe pastaj, në vijim të sures, i shpjegon ato me imtësi e mjaft bukur. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “…ndërsa prej tij (burrit) krijoi bashkëshorten”. Kjo kuptohet edhe si një këshillë për t’u përpjekur maksimalisht për plotësimin e të drejtave të grave, sepse Allahu i Lartësuar i ka krijuar ato nga një pjesë e burrit (nga brinja e Ademit a.s.). Kjo është arsyeja përse mes burrit dhe gruas ekziston një lidhje dhe afrimitet shumë i fortë. Pra, ajeti sikur thotë: “Kujtojeni këtë fakt dhe ndërtojeni jetën tuaj mbi dashurinë dhe mëshirën e ndërsjelltë. Ju jeni bërë për të qenë shumë të afërt me njëri -tjetrin.” Allahu i Lartësuar thotë: - “Jepuani pasurinë e tyre jetimëve ...” - Kur shtjellon imtësisht të drejtat njerëzore që ne duhet të përmbushim, Allahu i Lartësuar e fillon me të drejtat e jetimëve. ‘Jetimë’ quhen fëmijët që janë nën moshën e pjekurisë e të pafuqishëm për të përballuar jetën, të cilët kanë humbur të dy prindërit ose vetëm babanë dhe kështu nuk ka kush kujdeset për ta. Kështu, i Gjithëmëshirshmi dhe i Dashuri i urdhëron robërit e Tij që të jenë bamirës me këtë kategori njerëzish. Allahu i Lartësuar e ka ndaluar që t’i afrohemi pasurisë së jetimëve, përveçse po ta bëjmë këtë në mënyrën më të mirë dhe më dobiprurëse për ta. Ai ka urdhëruar që, kur ata të arrijnë moshën e pjekurisë dhe kur të shihet qartë tek ata aftësia për të administruar drejt pasurinë, atëherë t’u dorëzohet pasuria e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: - “...dhe mos e përzieni pasurinë e pastër me të papastrën. ” - Ky është një urdhër për ta trajtuar pasurinë e jetimëve veçse në mënyrë të lejuar. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që pasurinë tonë të pastër të mos e përziejmë me pasuri të papastër, haram, që është marrë padrejtësisht nga pasuria e jetimëve ose me rrugë jo të lejuara. Nga ana tjetër, nëse e shfrytëzojmë pasurinë e tyre në mënyrë të drejtë dhe brenda kufijve të caktuar nga Allahu, atëherë ajo është hallall. - “Mos e hani pasurinë e tyre duke e përzier me pasurinë tuaj, sepse ky është një gjynah i madh. ” – Kuptimi: Mos e përzieni pasurinë e tyre me tuajën, për të përfituar prej saj. Mjaftohuni me pasurinë tuaj, të cilën Allahu jua ka dhuruar dhe mos shpenzoni prej pasurisë së jetimëve për veten tuaj. Ai që merr guximin të bëjë një vepër të tillë të ulët, le ta dijë se ky është një gjynah shumë i madh. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe para Zotit tuaj. Përzierja e pasurisë së pastër me të papastër bëhet me forma të ndryshme, për shembull, kur kujdestari ligjor i jetimit merr prej pasurisë së jetimit mallin e mirë dhe e zëvendëson atë me mall të keq. Nga ky ajet kuptohet edhe ligjshmëria e kujdestarisë mbi jetimin, e pikërisht kur flitet për detyrimin që pasuria t’i kthehet jetimit, sepse ai që detyrohet nga ligji për t’i kthyer pasurinë jetimit është vetëm ai që ligji i ka dhënë të drejtën e kujdestarisë ligjore mbi
të. Ajeti udhëzon për bamirësi dhe mirëadministrim të pasurisë së jetimit. Pasuria e jetimit duhet të ruhet, të kultivohet dhe të përmirësohet.