4. Nisa · Ajeti 23 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:22–4:28

Martesa me njerkën ka qenë e pranishme para islamizmit, edhepse ishte turpësi e madhe. Atë Islami e ndaloi.

Ndalesat e martesave nga gjaku janë shtatë: nënat, bijat, motrat, hallat, tezet, bijat e vëllaut, bijat e motrës. Nga gjiri e miqësia janë gjashtë: nënat e gjirit, motrat nga gjiri, nënat e bashkëshorteve, bijat e bashkëshorteve (me tjetër burrë) gratë e djemve dhe bashkimi përnjëherë i dy motrave në një niqah. Me sunnet mutevatir e që është edhe Ixhmaë, është i ndaluar edhe bashkimi, në një niqah, me hallën ose me tezen.

Kur'ani na sqaron se martesa me robëresha të zëna robër në luftë, është e lejuar me kusht kur nuk ka mundësi materiale të martohet njeriu me femra jo robëresha dhe ka frikë se nuk mund të ruhet prej imoralitetit, e jo për t'i dëfruar epshet. Gjithashtu është e ndaluar rreptësisht martesa e përkohshme për një sasi mjetesh materiale, sepse martesa nuk ka për qëllim vetëm anën fizike e epshore, por edhe anën njerëzore e bashkëshortore të sinqertë, që do të jetë burim i një edukimi të shëndoshë të brezit të ardhshëm.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:23–4:24

- Ju është ndaluar martesa me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllait, me bijat e motrës... - Ky ajet i mrekullueshëm tregon qartë kategoritë e grave me të cilat një burrë e ka të ndaluar të martohet. Kategoritë e ndaluara renditen

sipas shkaqeve përkatëse: Të ndaluara për shkak të lidhjes farefisnore; Të ndaluara për shkak të gjidhënies ; Të ndaluara për shkak të lidhjeve martesore. Ibn Ebu Hatimi citon Ibn Abasin të ketë thënë: “Janë të ndaluara për ju shtatë kategori për shkak të lidhjes farefisnore dhe shtatë për shkak të lidhjeve të krushqisë e gjidhënies”. Pastaj lexoi ajetin: “Ju është ndaluar martesa me nënat tuaja, me bijat tuaja...”. Përcillet, gjithashtu, se Ibn Abasi ka thënë: “Shtatë kategori grash janë bërë haram për shkak të lidhjes farefisnore dhe shtatë të tjera për shkak të lidhjeve të krushqisë e gjidhënies”. Dhe më pas ka lexuar ajetin: “Ju është ndaluar martesa me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllait, me bijat e motrës...”. Këto janë shtatë të ndaluarat për shkak të lidhjes farefisnore. Shumica e dijetarëve bazohen në këtë ajet për të thënë se, edhe vajzat e lindura nga marrëdhëniet jashtëmartesore kanë të njëjtin gjykim si ato të ligjshmet, sepse fjala: “bijat tuaja” i përfshin edhe ato. Ky është qëndrimi i Ebu Hanifes, Malikut dhe Imam Ahmedit. Ndërsa nga Imam Shafiiu përcillet mendimi se bijat e paligjshme nuk përfshihen, sepse ato nuk konsiderohen si “bija”, siç aludon për këtë fjala e Allahu të Madhëruar: “Allahu ju urdhëron kështu për fëmijët tuaj: mashkullit i takojnë sa për dy femra.” Dhe, është e pranuar unanimisht që bija e lindur nga marrëdhënie jashtëmartesore nuk ka pjesë në trashëgimi. Atëherë, ashtu siç nuk merr statusin e bijës në rastin e trashëgimisë, po ashtu nuk konsiderohet edhe në këtë rast. Megjithatë, Allahu është më i ditur. - “... me mëndeshat që ju kanë dhënë gji, me motrat nga gjiri...”. - Ashtu siç është haram martesa me nënën që të ka lindur, ashtu është haram martesa edhe me nënën (mëndeshë) që të ka dhënë gji. Në dy Sahihët vjen hadithi nga Aishja, e cila tregon se Profeti ka thënë: 667 . “Martesa me mëndeshën tënde është e ndaluar, ashtu siç është e ndaluar martesa me nënën që të ka lindur” Në një version të sjellë nga Muslimi thuhet: 668 . “Gjidhënia bën të ndaluara të njëjtat gjëra që bën të ndaluara lidhja e gjakut (farefisnia).” Dhe nga ky gjykim nuk përjashtohet askush. Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për numrin e gjidhënieve, që ato të konsiderohen si shkak për ndalimin e martesës. Disa janë të mendimit se qoftë edhe sikur të kesh pirë nga ajo grua një herë e vetme, është e mjaftueshme ndalimi i martesës me të, sepse ajeti është përgjithësues dhe nuk ka përcaktuar numër të veçantë. Ky është mendimi i mbështetur nga Imam Maliku dhe është përcjellë, gjithashtu, si mendim i Ibn Umerit dhe i disa tabiinëve. Disa të tjerë janë të mendimit se duhet të kesh pirë jo më pak se tri herë, që gjidhënia të konsiderohet si shkak për ndalimin e martesës me atë grua. Argument për këtë është hadithi që përcillet nga Aishja në Sahih-un e Muslimit, se Profeti ka thënë: 669 . “Nuk e bëjnë haram (martesën) një ose dy të thithura të gjirit (gjidhënie)” Ky është mendimi i mbështetur nga Imam Ahmedi dhe është përcjellë si mendim i Aliut, Aishes, Umu Fadlit etj. Disa të tjerë janë të mendimit se, që gjidhënia të konsiderohet si shkak për ndalimin e martesës duhet të kesh pirë jo më pak se pesë herë. Argument për këtë është hadithi që përcillet nga Aishja në Sahih-un e Muslimit se Profeti ﷺ ka thënë: 670. “Ndër ajetet që u zbritën prej Kur 'anit ishte edhe: “Dhjetë gjidhënie të njohura e bëjnë haram (martesën)”. Më pas ky gjykim u abrogua dhe u ul në 5 gjidhënie të njohura. Kur Profeti ndërroi jetë, ato lexoheshin ende si ajete kuranore.” Edhe Abdurrezaku përcjell nga Aishja një hadith të ngjashëm. Ndërsa në hadithin e Sehlete Bintu Suhejlit përmendet se: 671 . “Profeti e urdhëroi atë që t’i jepte gji Salimit 5 herë.” Po kështu, edhe Aishja i urdhëronte të gjithë ata që donin ta vizitonin lirshëm atë, që të pinin pesë herë gji. Ky është qëndrimi i Shafiiut dhe pasuesve të tij. Gjithashtu, duhet ditur se gjidhënia duhet të jetë në moshë të vogël të fëmijës, apo thënë më saktë brenda dy viteve të para të jetës së tij.

Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Më hollësisht për këtë çështje kemi folur në tefsirin e sures Bekare, e pikërisht në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Nënat le t’u japin gji foshnjave të tyre dy vjet të plotë, nëse dëshirojnë që ta plotësojnë gjidhënien.” [Bekare 233]. 167 Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për pyetjen se, a konsiderohet edhe bashkëshorti i mëndeshës si “babai prej qumështi” i fëmijës së ushqyer? Nëse po, atëherë personit që ka pirë gji te një mëndeshë i bëhen të ndaluara të njëjtat gjëra që për të janë të ndaluara kundrejt prindërve nga të cilët ka lindur. Apo kjo dispozitë ka të bëjë vetëm me mëndeshën, dhe nuk e përfshin bashkëshortin e mëndeshës (siç është edhe mendimi i disa selefëve)? Përgjigjet e këtyre pyetjeve përfshijnë edhe mendimet e ndryshme për këtë çështje, 168 shtjellimi i së cilës është bërë hollësisht në librin “ El Ahkam el Kebir”.169 - “... me nënat e grave tuaja (vjehrrat) dhe me thjeshtrat (vajzat) e grave tuaja,që janë nën kujdesin tuaj, me të cilat keni kryer kontakt; por nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë) , atëherë s’ka pengesë.” - Vjehrra bëhet e ndaluar për martesë që në momentin e lidhjes së aktit martesor me të bijën, edhe nëse ende nuk ke kryer marrëdhënie intime me këtë të fundit. Ndërsa thjeshtra, pra, bija e gruas (me tjetër burrë), bëhet e ndaluar veçse pasi të jetë kryer marrëdhënie intime me nënën e saj. Kështu, nëse është bërë vetëm lidhja e aktit martesor, por pa u konsumuar martesa, dhe më pas është bërë divorci me këtë grua, atëherë martesa me të bijën e saj, që e ka me një tjetër burrë, nuk konsiderohet e ndaluar. Allahu i Madhëruar thotë: “...dhe me thjeshtrat (vajzat) e grave tuaja, me të cilat keni kryer kontakt; por nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë) , atëherë s’ka pengesë.”. Ndalu pak në këtë ajet, e pikërisht te: “...nëse nuk keni pasur kontakt me to...”. Pyetja që shtrohet është: Përemri vetor “to” i referohet vetëm gruas apo është gjithëpërfshirës dhe vlen edhe për thjeshtrën? Disa janë të mendimit se përemri “to” përfshin gruan dhe thjeshtrën. Pra, sipas këtij mendimi, martesa me një grua nuk bëhet haram thjesht dhe vetëm prej lidhjes së aktit martesor me bijën e saj, që e ka patur me tjetër burrë, por veçse pasi është konsumuar martesa (janë kryer marrëdhënie seksuale) me këtë të fundit. Këta e mbështesin këtë mendim edhe me ngjarjen që përcillet nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili u pyet rreth dikujt që u martua me një grua dhe e ndau atë para se të kryente marrëdhënie intime me të: a i lejohej tashmë që të martohej me nënën e saj? Aliu tha: “Ajo ka të njëjtin gjykim si martesa me thjeshtrën (bijën e saj), nëse nuk është kryer marrëdhënie intime me nënën e saj.”. Gjithashtu, na ka treguar Ibn Beshari se Zejd Ibn Thabit ka thënë: “Nëse një burrë e ndan gruan e tij pa kryer asnjëherë marrëdhënie intime me të, nuk është e ndaluar që të martohet me nënën e saj.” Kështu, shumica e dijetarëve janë të mendimit se martesa me thjeshtrën nuk bëhet e ndaluar thjesht e vetëm nga një lidhje e mëparshme martesore me të ëmën, por veçse nëse është kryer marrëdhënie intime me këtë të fundit, pra, nëse është konsumuar martesa e mëparshme. Ndërsa nga ana tjetër, mjafton që të jetë lidhur akti martesor me thjeshtrën më herët, që martesa e mëpasshme me nënën e saj të bëhet haram. Këta janë të mendimit se përemri “to” në ajetin kuranor i referohet vetëm nënës së thjeshtrës, sepse ai është emri i përmendur më pranë përemrit në fjalë, dhe sipas rregullit të njohur të gjuhës arabe, përemri lidhet me emrin më të afërt të përmendur. Nëse do të pranonim se përemri vetor “to” shënon jo vetëm nënën, por edhe thjeshtrën, atëherë do të duhet të pranonim gjithashtu se ai përfshin nënën e gruas (vjehrrën), si edhe kategoritë e tjera të grave, që janë përmendur në të njëjtin kontekst. Por kjo është e papranueshme për arsye të shumta, ndër të cilat: a. Ibn Xheriri shpjegon: “Allahu i Lartësuar thotë: “...me nënat e grave tuaja

(vjehrrat)....”. Kështu, duhet pranuar se gjykimi për martesën me nënën e gruas (vjehrrën) vjen i prerë dhe i paspecifikuar në ajet dhe, si i tillë, i përfshin të dyja rastet. Rrjedhimisht, martesa me nënën e gruas (vjehrrën) është haram, pavarësisht a është kryer marrëdhënie intime me të bijën, para ndarjes së saj, apo jo. Kjo është një çështje e pranuar unanimisht në Islam dhe askush nuk e kundërshton atë. Atëherë, meqenëse për këtë çështje ka unanimitet, kjo tregon se rasti nuk duhet trajtuar njëlloj si nëna e thjeshtrës dhe nuk mund të ketë të njëjtin gjykim si ajo. Po kështu, më pas është përmendur se është haram edhe martesa me kategori të tjera grash, por edhe për këto kategori është gjykuar unanimisht se është e ndaluar martesa me to, pavarësisht a është kryer apo jo marrëdhënie me to. Atëherë, kjo të krijon bindjen se përemri vetor “to” i referohet në mënyrë specifike vetëm nënës së thjeshtrës, e jo thjeshtrës apo kategori ve të tjera.” Përfundimisht, ajeti duhet kuptuar si vijon: “...me nënat e grave tuaja (vjehrrat) dhe me thjeshtrat (vajzat) e grave tuaja, me të cilat keni kryer kontakt ; por nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë), atëherë s’ka pengesë.” b. Gjithashtu nga Ibn Abasit përcillet se ka thënë: 672. “Nëse një burrë e ndan gruan, ose ajo vdes, përpara se të kryejë marrëdhënie intime me të, për të bëhet haram martesa me nënën e saj.”. Pra, nuk ka rëndësi a ka kryer apo jo marrëdhënie përpara ndarjes. Ky është edhe mendimi i katër medhhebeve, i Shtatë Dijetarëve të mëdhenj të fikhut dhe shumicës së dijetarëve të fikhut në të shkuarën dhe të sotmen. Vetëm Allahut i takon lavdërimi e mirënjohja për çdo mirësi! Në ajet, kur flitet për thjeshtrat, thuhet: “që janë nën kujdesin tuaj”. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se përmendja e kujdestarisë këtu nuk ka ndonjë qëllim të veçantë, por është thjesht sepse zakonisht kështu ndodh. Pra, martesa me thjeshtrën lejohet si në rastin kur janë nën kujdesin e atij burri që interesohet të martohet, ashtu edhe kur nuk janë nën kujdesin e tij. I rëndësishëm, në lidhje me martesën me thjeshtrat është kushti i parë: pra, kryerja ose jo e kontaktit me nënat e tyre, siç u përmend më sipër. Një shpjegim i ngjashëm është dhënë edhe rreth fjalës së Allahut të Madhëruar: “Mos i detyroni robëreshat tuaja të bëjnë imoralitet, kur duan ndershmërinë ... “ [Nur 34]. Edhe në këtë ajet, shprehja “kur duan ndershmërinë”, nuk ka ndonjë qëllim të veçantë, por është përmendur thjesht sepse zakonisht kështu ndodh. Domethënë, ajeti nuk mëton se, nëse ato nuk e duan ndershmërinë, atëherë mund të detyrohen të bëjnë imoralitet. Në dy Sahih-ët gjendet ky hadith: 673 . “Ummu Habibe i propozoi Profetit ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Martohu me motrën time, vajzën e Ebu Sufjanit!” [Në versionin e Muslimit qëndron se ajo i tha: “Martohu me Izeten, vajzën e Ebu Sufjanit!”] Profeti a.s i tha: “Vërtet e dëshiron diçka të tillë?” Ajo tha: “Po”. E si do t'ia lija këtë nder dikujt tjetër? Profeti i tha: “Në fakt, ajo nuk është e lejuar për mua.” Ajo tha: “Por ne kemi dëgjuar se kërkon të martohesh me vajzën e Ebu Selemes?” Profeti tha: “Me vajzën e Umi Selemes?!” - “Po.” Profeti tha: “Përveç faktit se ajo është thjeshtra ime dhe nën kujdestarinë time, ajo është gjithashtu vajza e vëllait tim nga gjiri. Babai i saj Ebu Seleme dhe unë jemi vëllezër nga gjiri. Na ka dhënë gji Thuejbja. Për këtë arsye, mos më propozoni për martesë me vajzat dhe motrat tuaja!” Ndërsa në versionin e Buhariut thuhet: 674. “Përveç faktit që jam martuar me të ëmën, Ummi Selemen, ajo nuk është e lejuar për mua edhe për faktin se i ati i saj është vëllai im nga gjiri...”. Siç shihet, në këtë version Profeti ﷺ përcaktoi si shkak për ndalesën e martesës me thjeshtrën vetëm faktin se ishte martuar me të ëmën dhe se i ati i saj ishte vëllai i tij nga gjiri, pa përmendur faktin se thjeshtra ishte nën kujdestarinë e tij. Kjo tregon, në njëfarë mënyre, se fakti se ishte ose jo thjeshtra nën kujdestarinë e tij, kjo nuk përbënte rëndësi për lejimin ose jo të martesës me të. Ky

është edhe mendimi i katër medhhebeve, i Shtatë Dijetarëve të mëdhenj të fikhut dhe shumicës së dijetarëve të fikhut në të shkuarën dhe të sotmen. Disa janë të mendimit se martesa e një burri me thjeshtrën është e ndaluar veçse në rastin kur ajo është nën kujdesin e tij. Ky është përcjellë si mendim i Ali Ibn Ebu Talibit, që e argumentohej me kuptimin e ajetit: “...dhe me thjeshtrat (vajzat) e grave tuaja, që janë nën kujdesin tuaj”. Por ky është një mendim i rrallë, që pakkush e ka mbështetur. Ndër ata që e kanë mbështetur këtë mendim janë Daud Ibn Ali el Dhahiriu dhe pasuesit e tij. Thuhet se ka qenë edhe mendimi i imam Malikut. Po kështu e ka përzgjedhur këtë mendim edhe Ibn Hazmi. Dhehebiu tregon se imam Ibn Tejmije e ka konsideruar këtë si një çështje problematike dhe nuk ka dhënë gjykim të prerë për të. Por Allahu është më i ditur. Nga Katade është përcjellë se ka thënë: “E ndaluar është jo vetëm martesa me thjeshtrën, por edhe me bijën e thjeshtrës, e gjithë çka poshtë tyre (mbesa, stërmbesa etj.).” Allahu i Madhëruar thotë qartë: “...me të cilat keni kryer kontakt.”. Nga kjo kuptohet se thjesht e vetëm veçimi i burrit me gruan e sapomartuar, nuk e bën haram martesën me vajzën e saj, nëse e divorcon përpara se të kryejë marrëdhënie intime me të. Pra, thjesht fakti se janë veçuar e kanë ndenjur së bashku në kushte në të cilat kanë mundësi të kryejnë marrëdhënie, kjo nuk është e mjaftueshme për ta bërë të ndaluar martesën me vajzën. Martesa me vajzën bëhet e ndaluar veçse nëse kanë kryer marrëdhënie intime. Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: - Ju është ndaluar martesa edhe me gratë e bijve tuaj, që janë të lindur nga ju (jo të bijve të adoptuar) - Flitet për fëmijët biologjikë, duke përjashtuar kështu bijtë e adoptuar. Allahu i Madhëruar e ka qartësuar këtë çështje edhe në ajetin: “...Pastaj, kur Zejdi e kishte kryer divorcin me të (gruan e tij), Ne ta dhamë ty për bashkëshorte, në mënyrë që (në të ardhmen) besimtarët ta dinë se nuk ka gjynah për besimtarët që të martohen me gratë e të birësuarve të tyre, nëse ata janë divorcuar. Vendimi i Allahut duhet gjithmonë të përmbushet.” [Ahzab 37]. Atau ka thënë: “Na është treguar - dhe Allahu e di më mirë - se, kur Profeti u martua me gruan e birit të tij të adoptuar, Zejdit, idhujtarët filluan ta përflisnin këtë lidhje martesore. Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “...Ju është ndaluar martesa edhe me gratë e bijve tuaj, që janë të lindur nga ju (jo të bijve të adoptuar) ...”. Gjithashtu: “...Dhe as nuk ju lejon që djemtë tuaj të adoptuar të kenë përkatësinë tuaj (atërore)...” [Ahzab 4]. “Muhamedi nuk është babai i asnjërit prej burrave tuaj, por (ai është) i dërguari i Allahut dhe vula e të gjithë profetëve.” [Ahzab 40]. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Hasen Ibn Muhamedi, i cili ka thënë: Dispozitat e nxjerra nga ajeti kuranor: “Ju është ndaluar martesa edhe me gratë e bijve tuaj, që janë të lindur nga ju (jo të bijve të adoptuar) ” dhe: “...me nënat e grave tuaja (vjehrrat)” janë gjykime të ashtuquajtura mubhemât. Një mendim i ngjashëm është përcjellë edhe nga një grup tabiinësh. “ Mubhemat” do të thotë se ndalesa për martesën me këto kategori grash është sjellë në formë të prerë e përgjithësuese, pavarësisht a është kryer apo jo marrëdhënie intime me to para ndarjes. Pra, martesa me këto kategori është e ndaluar që në momentin kur është lidhur akti martesor me to, edhe pse ende nuk është konsumuar kjo martesë. Kjo është një çështje unanimisht e pranuar dhe askush nuk kundërshton në këtë. Një pyetje që shtrohet këtu është: “A i lejohet një burri që të martohet me gruan e birit të tij nga gjiri? Përgjigja është “jo”. Kjo martesë është haram, dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Madje, disa e kanë konsideruar si një çështje unanimisht të pranuar, megjithëse nuk është e tillë. Nëse thuhet se mbi ç'argument e mbështesin këtë gjykim, përgjigjja është në fjalën e Profetit, që ka thënë: 675. “Gjidhënia bën të ndaluara të njëjtat gjëra që bën të ndaluara lidhja e gjakut (farefisnia).”.

- dhe të jini të martuar njëherazi me dy motra, përveç rasteve që tashmë kanë kaluar. Vërtet, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - I njëjti gjykim është edhe për skllavet nën zotërim. Pra, është e ndaluar të bashkosh njëherazi në një kurorë dy motra, edhe nëse burri i ka të dyja skllave të tij. Allahu i Madhëruar thotë: “...përveç rasteve që tashmë kanë kaluar.” Pra, ju ka falur për rastet e shkuara. Ibn Maxhe përcjell nga Ebu Harrash Raini, që ka thënë: 676. “Kur shkova tek Profeti, unë isha i martuar me dy motra, që nga koha para Islamit. Ai më tha: 677 . “Kur të kthehesh, ndaje njërën nga dy motrat!” Ka mundësi që emri i Ebu Harrashit, që e ka sjellë këtë hadith, të jetë Dahhak Ibn Fejruz el Dejlemi, por Allahu e di më mirë. Ibn Merdevejhi përcjell se El Dejlemi i ka thënë Profetit: “O i Dërguari i Allahut! Unë jam i martuar me dy motra. Ai i tha: 678 . “Ndaje njërën prej tyre, cilën të duash!” Ky është i njëjti person që u përmend më sipër, pra Dahhak Ibn Fejruz el Dejlemi, - Allahu qoftë i kënaqur me të! Ai ka qenë njëri nga emirët e Jemenit, të cilët morën përsipër detyrën për ekzekutimin e profetit të rremë, që quhej Esued el Anesi, - Allahu e mallkoftë! I njëjti gjykim është edhe për skllavet, dhe për këtë tregon vetë ajeti, i cili është gjithëpërfshirës dhe i paspecifikuar. Imam Maliku përcjell nga Ibn Shihabi, e ky nga Kabisate Ibn Dhuejbi, se një burrë e pyeti njëherë Uthman Ibn Afanin, për bashkimin mes dy motrave në një kurorë, nëse janë skllave. Uthmani iu përgjigj: “Në një ajet është lejuar diçka e tillë dhe në një ajet tjetër është ndaluar. Unë nuk mund ta bëj të ndaluar diçka të tillë.” Kur u largua nga Uthmani, ai takoi një sahab tjetër, dhe e pyeti për këtë çështje. Ai i tha: “Po të ishte në dorën time, nëse dikush do të bënte diçka të tillë, do ta dënoja e bëja shembull për të tjerët!” Imam Maliku tregon se Ibn Shihabi tha: “Mendoj se ky sahabi j ishte Ali Ibn Ebu Talibi.” Ebu Umer Ibn Abdil Beri përcjell rrëfimin e Ijas Ibn Amirit, që thotë: “E pyeta njëherë Ali Ibn Ebu Talibin: “Kam patur në zotërim dy konkubina motra. Me njërën prej tyre pata marrëdhënie e ajo më lindi disa fëmijë. Tani e dëshiroj edhe tjetrën. Çfarë të bëj?” Aliu i tha: “Jepi lirinë asaj me të cilën ke pasur marrëdhënie më parë dhe pastaj lidhu me tjetrën.” Pastaj tha: “Dije se edhe nga ato femra që i ke në zotërim janë të ndaluara të njëjtat kategori që janë përmendur për të lirat në Librin e Zotit, me përjashtim të numrit të tyre [Ose tha: “përveç numrit katër” (pra, marrëdhënia me robëreshat nuk është e kufizuar me katër]. Dije, gjithashtu, se gjidhënia bën të ndaluara të njëjtat gjëra që janë bërë të ndaluara në Librin e Allahut nga lidhja e gjakut (farefisnia).” Ebu Umeri ka thënë se mendimi që është përcjellë nga Uthmani është sjellë edhe si mendim i një grupi selefësh, mes të cilëve edhe Ibn Abasi, por është kundërshtuar nga të tjerët. Madje këtë mendim nuk e ka marrë për bazë askush prej dijetarëve të fikhut të shpërndarë nëpër emsar. Të gjithë muslimanët janë unanimisht dakord se ajeti “Ju është ndaluar martesa me nënat tuaja...” është gjithëpërfshirës dhe gjykimi që kuptohet nga ai është i njëjtë si për femrat e lira, ashtu edhe për robëreshat. Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: - (Ju është ndaluar martesa) Edhe më gratë që janë tashmë të martuara, përveç atyre (robinjave) që i keni në zotërim. - Domethënë, janë të ndaluara edhe ato gra që janë të martuara. Por nëse ato janë skllave që i keni nën zotërim si robinja lufte, lejohet të keni marrëdhënie me to, pasi të kalojë koha e pastrimit që tregon se nuk janë shtatzëna. Ajeti ka zbritur pikërisht për të shtjelluar këtë çështje. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Seid el Hudriu, i cili ka thënë: 679 . “Ne morëm disa robinja lufte nga Eutasi, por nuk kryem marrëdhënie me to, për shkak se ishin të martuara. Kur e pyetëm Profetin për këtë çështje, zbriti ajeti: “(Ju është ndaluar martesa) Edhe më gratë që janë tashmë të martuara, përveç atyre (robinjave) që i keni në zotërim.” Atëherë në mund të kryenim marrëdhënie me to.”

Kështu e kanë sjellë këtë hadith Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe dhe Muslimi në Sahihun e tij. Ndërsa Taberaniu thotë se ky ajet ka zbritur për rastin e robinjave të Hajberit dhe sjell një hadith të ngjashëm me atë të Ebu Seidit. Një grup selefësh kanë thënë se blerja e robinjës shënon ndarjen e saj nga i shoqi. Nga Ibn Mesudi përcillet se ka thënë: “Nëse një robinjë blihet nga dikush, atëherë blerësi ka përparësi në të drejtën për të shkuar me të (pra, ajo konsiderohet e ndarë nga buri i saj)”. Nga Ibn Abasi përcillet se ka thënë: “Me blerjen e robinjës, ajo konsiderohet e ndarë nga burri i saj.” Po kështu janë shprehur edhe Ubej Ibn Keabi dhe Xhabir Ibn Abdilahi. Nga Ibn Abasi përcillet se ka thënë: “Robëresha konsiderohet e ndarë nga bashkëshorti në gjashtë raste: kur blihet nga dikush, kur lirohet nga skllavëria, kur dhurohet te dikush, kur bëhet berâetuha dhe kur vetë burri i saj e ndan.” 170 Abdurrezaku sjell hadithin nga Ibn Musejibi, që duke folur për fjalën e Allahut: “(Ju është ndaluar martesa) Edhe më gratë që janë tashmë të martuara...”, ka thënë: “Allahu e ka ndaluar martesën (e marrëdhëniet) me gratë e martuara, përveç atyre që i keni nën zotërimin tuaj (skllave, robinja), sepse me blerjen e tyre, ato konsiderohen të ndara nga bashkëshorti.”. Megjithatë, shumica e dijetarëve në të shkuarën dhe të mëvonshëm e kanë kundërshtuar këtë mendim, duke gjykuar se blerja e skllaves nuk konsiderohet si ndarje nga burri i saj. Si argument, ata paraqesin hadithin e Beriras, i cili gjendet në dy Sahih-ët e në libra të tjerë, në të cilin përmendet se Aishja e bleu Beriran dhe i dha lirinë asaj. Megjithatë, me blerjen e saj nga Aishja dhe lirimin e saj, akti martesor me burrin e saj, Mugithin (që edhe ai ishte skllav), nuk u konsiderua e prishur, sepse Profeti i la asaj të zgjedhë: ose të qëndronte e martuar me Mugithin, ose ta prishte atë martesë. Ajo zgjodhi prishjen e martesës së saj me Mugithin, dhe historia e saj është e njohur. Kështu, nëse blerja do të sillte ndarjen e saj, - siç mëtojnë grupi i parë, - Profeti nuk do t’i linte asaj mundësi zgjedhjeje, por do ta njoftonte se tashmë konsiderohej e ndarë. Duke qenë se Profeti i la asaj mundësi zgjedhjeje, kjo tregon se lidhja martesore me Mugithin ishte ende në fuqi. Atëherë, nga kjo nxjerrim se ajeti bën fjalë veçse për robinjat e luftës. Sidoqoftë, Allahu është më i ditur. - Ky është urdhri i Allahut për ju. - Ndalesa për t'u martuar me më shumë se katër gra është normë, që e ka vendosur Allahu për ju, prandaj përmbajuni Librit të Allahut, kufijve dhe ligjeve të Tij, që i bëri detyrë për ju! - Veç këtyre, për ju janë të lejuara të gjitha gratë e tjera që t’i merrni (në martesë) me pasurinë tuaj, duke pasur për qëllim bashkëshortësinë, jo prostitucionin. - Pra, përveç kategorive të ndaluara të përmendura, çdo femër tjetër është e lejuar për t’u martuar. Vëreni me kujdes kur Allahu thotë: “që t’i merrni (në martesë) me pasurinë tuaj, duke pasur për qëllim bashkëshortësinë, jo prostitucionin.” Domethënë, me pasurinë tuaj, ju mund të martoheni deri në katër gra dhe mund të merrni skllave sa të dëshironi, pa kufizim numri, por sipas rregullave të Sheriatit. - Jepjani mehrin e caktuar bashkëshorteve tuaja, me të cilat keni kontaktuar. - Ashtu siç kënaqeni me gratë tuaja, edhe ju, në këmbim të kënaqësisë, duhet t'ua jepni mehrin, që edhe ato të kënaqen. Nuk duhet t’i bëni bisht këtij detyrimi kundrejt tyre, siç ka thënë i Madhëruari në një ajet tjetër: “E si mund t’ua merrni (atë plaçkë), kur ju i jeni dhënë njëri-tjetrit dhe kur ato kanë marrë prej jush një premtim të fortë?!” [Nisa 21]. Disa janë mbështetur në këtë ajet për lejimin e martesës së ashtuquajtur ‘ el mut'atu ’. Nuk ka dyshim se kjo lloj martese ka qenë e lejuar në fillimet e Islamit, por më pas u abrogua si praktikë. Imam Shafiiu dhe disa të tjerë janë shprehur se kjo praktikë është abroguar, pastaj është lejuar, e pastaj është abroguar për herë të dytë. Madje, disa të tjerë janë shprehur se kjo ka ndodhur më

shumë se dy herë. Ndërsa një grup janë të mendimit se një praktikë e tillë mund të lejohet në raste nevoje e domosdoshmërie. Por shumica e dijetarëve i kanë hedhur poshtë këto opinione dhe argumenti bazë ku bazohen është ajo që përcillet në dy Sahihët nga Ali Ibn Ebu Talibi, i cili ka thënë: 680 “Profeti i Allahut ndaloi martesën el mut'atu dhe ngrënien e mishit të gomarit të butë, dhe kjo ndodhi në luftën e Hajberit.” Në Sahih-un e Muslimit vjen një hadith nga Rabi' Ibn Sebrate Ibn Mea'bed el Xhuheni, që e sjell hadithin nga i ati: 681 . “Ai mori pjesë në luftë së bashku me Profetin në çlirimin e Mekës, kur ai tha: “O njerëz! Unë jua pata lejuar në fillim martesën el mut'atu me gratë, por tashmë Allahu e ka bërë të ndaluar këtë praktikë deri në Ditën e Gjykimit. Kush vazhdon të jetë i lidhur në një martesë të tillë, le ta lëshojë gruan në rrugën e saj dhe të mos marrë asgjë nga ajo pasuri që i ka dhënë.” Në një version tjetër, të sjellë nga Muslimi, thuhet se 682. kjo ka ndodhur në Haxhin e Lamtumirës. Ky hadith është sjellë në versione e formulime të ndryshme, por kjo çështje është shtjelluar mirë në librat e fikhut dhe ligjeve. 171 - Nuk ka gjynah për ju nëse, me mirëkuptim të dyanshëm, e shtoni a e pakësoni mehrin. - Ibn Xheriri sjell hadithin nga Mu'temed Ibn Sulejmani, e ky nga i ati, që ka thënë: “El Hadramiu pretendon se ndodhte që, pasi përcaktohej mehri, burrave u vështirësohej gjendja ekonomike, prandaj Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “Nuk ka gjynah për ju nëse, me mirëkuptim të dyanshëm, e shtoni a e pakësoni mehrin.”. Pra, nëse gruaja bën lëshim për një pjesë të mehrit të saj, atëherë është hallall për ju.” Këtë mendim e ka përzgjedhur Ibn Xheriri. Allahu i Madhëruar e mbyll këtë ajet, duke thënë: - Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. - Përmendja e këtyre dy emrave e cilësive të Allahut është shumë e përshtatshme, pas ligjërimit të këtyre dispozitave e ndalesave.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:23

Ky ajet i mrekullueshëm tregon shkoqur për gratë me të cilat një burrë e ka të ndaluar të martohet. Kategoritë e ndaluara janë të klasifikuara sipas shkaqeve të tyre: 1. Të ndaluara për shkak të lidhjes farefisnore. 2. Të ndaluara për shkak të gjidhënies. 3. Të ndaluara për shkak të lidhjeve martesore. 4. Të ndaluara për shkak të bashkimit në një kurorë të kategorive të caktuara. *** 1. Të ndaluarat për shkak të lidhjes farefisnore. Thotë i Lartësuari: - “Ju është ndaluar martesa me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllait, me bijat e motrës,...” - Në radhë të parë përmenden nënat. Termi ‘nënat’ nënkupton çdo femër me të cilën burri ka lidhje lindjeje, duke përfshir ë nënën biologjike, gjyshen (nënën e nënës), stërgjyshen e më lart. Këtu nuk përfshihen gjyshet nga gjidhënia. Fjala “bijat” nënkupton çdo femër të lindur prej teje e poshtë saj, pra, mbesat, stërmbesat etj., të lindura nga bija jote. Fjala “motrat” përfshin si motrat nga nëna e babai, edhe ato vetëm nga njëri prej tyre. Fjala ‘hallat’ nënkupton çdo motër të babait tënd, të gjyshit tënd e kështu me radhë. Në termin “tezet” hyn çdo motër e nënës tënde apo e gjyshes, apo e stërgjyshes e çfarë ka lart tyre, pavarësisht në meritojnë trashëgimi apo jo. Te “bijat e vëllait” hyjnë vajzat e vëllait dhe të gjitha femrat e lindura poshtë tyre prej vajzave. Te ‘bijat e motrës’ hyjnë vajzat e motrës dhe tërë femrat e lindura poshtë tyre prej vajzave. Këto kategori – siç e thamë - janë të ndaluara për shkak të lidhjes së gjakut, dhe të këtij mendimi janë të gjithë dijetarët muslimanë. Ato i tregon tekstualisht ajeti kur’ânor. Ndërsa femrat e

tjera, si vajzat e xhaxhait, të dajës, të tezes, të hallës, janë të lejuara, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “ Veç këtyre, për ju janë të lejuara të gjitha gratë e tjera që t’i merrni (në martesë) me pasurinë tuaj, duke pasur për qëllim bashkëshortësinë, jo prostitucionin.”. *** 2. Të ndaluarat për shkak të gjidhënies. Allahu i Lartësuar thotë: - “...me mëndeshat që ju kanë dhënë gji, me motrat nga gjiri, ...” – Mëndesha është gruaja (jo nëna) që të ka dhënë gji. Motrat prej gjiri janë ato të cilave u ka dhënë gji e njëjta grua prej së cilës ke pirë gji ti. Pra, janë dy mundësi: ose ti ke pirë gji nga nëna e tyre, ose ato kanë pirë gji nga nëna jote. Allahu i Lartësuar ka bërë të ndaluar për martesë mëndeshën, që i ka dhënë gji personit kur ka qenë foshnjë. Por duke qenë se qumështi nuk prodhohet vetëm prej gruas, por edhe prej burrit të saj, atëherë edhe bashkëshorti i saj konsiderohet si babai i këtij fëmije, për shkak të qumështit. Për këtë arsye, personit që ka pirë gji te një mëndeshë i bëhen të ndaluara të njëjtat gjëra që do të ishin të ndaluara për të nëse do të ishte i lindur prej asaj nëne dhe atij babai, ashtu sikurse ka thënë Profeti (a.s.): “Gjidhënia bën të ndaluara të njëjtat gjëra që bën të ndaluara lidhja e gjakut (farefisnia).” Megjithatë, kjo ka vlerë vetëm për personin që ka pirë gji dhe fëmijët e tij, dhe jo me pjesëtarët e tjerë të gjakut të tij (si vëllai, motra etj). Që gjidhënia të konsiderohet si shkak për ndalimin e martesës, është kusht që fëmija të ketë pirë pesë herë të plota dhe të ngopet. Gjithashtu, kjo gjidhënie duhet të jetë bërë brenda dyvjeçarit të parë të jetës së tij, sikurse është sqaruar në Traditën e Profetit ﷺ. *** 3. Të ndaluara për shkak të lidhjeve martesore. Të tilla janë katër kategori, siç thotë i Lartësuari: - “...me nënat e grave tuaja (vjehrrat) dhe me ato që janë nën kujdesin tuaj prej thjeshtrave (vajzave) të grave tuaja, me të cilat keni kryer kontakt; por nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë) , atëherë s’ka pengesë. Ju është ndaluar martesa edhe me gratë e bijve tuaj, që janë të lindur nga ju (jo të bijve të adoptuar),” – Pra, këto kategori janë: - Bashkëshortet e babait, gjyshit, stërgjyshit e ç’ka sipër tyre. Kjo u tregua edhe në ajetin 22. - Bashkëshortet e djemve të lindur nga ju e ç’ka poshtë tyre (nipër, stërnipër etj.), pavarësisht në janë trashëgues apo jo. - Nëna e gruas, pra, vjehrra e ç’ka sipër tyre (pra, gjyshja e gruas, stërgjyshja etj.). Këto bëhen të ndaluara që në momentin e lidhjes së aktit martesor me to (edhe nëse nuk janë kryer marrëdhënie). - Vajzat e grave tuaja (nga burra të tjerë) e ç’ka poshtë tyre (mbesa, stërmbesa etj.). Por këto bëhen të ndaluara veçse pasi është kryer kontakt me nënën e tyre. Pra, nëse është lidhur akti martesor me nënën e tyre, por ende nuk është kryer kontakt me të, vajza është e lejuar dhe mund të lidhësh kurorë me të (pasi të divorcosh nënën), nëse dëshiron, sepse Allahu i Lartësuar thotë që martesa është e ndaluar: “... dhe me ato që janë nën kujdesin tuaj prej thjeshtrave (vajzave) të grave tuaja, ” Për sa i përket cilësimit tjetër të përmendur në ajet, pra, që vajzat të jenë nën kujdesin e atij burri, shumica e dijetarëve janë të mendimit se nuk ka ndonjë qëllim të veçantë, por është përmendur thjesht sepse zakonisht kështu ndodh. I rëndësishëm është kushti i parë: pra, kryerja e kontaktit me nënat e tyre. Megjithatë, cilësimi: “...që janë nën kujdesin tuaj...” ka dy urtësi të tjera: 1. Ai na tregon shkakun pse është e ndaluar që të martohesh edhe me vajzën e bashkëshortes. Ato vajza që burri i ka nën kujdestari duhet t’i trajtojë njëlloj si bijat e tij. Është gjë e shëmtuar që ai të martohet me to, pasi është martuar e ka kryer marrëdhënie me nënat e tyre. 2. Ai tregon, gjithashtu, se burrit i lejohet veçimi me bijat e bashkëshortes, sepse ato

janë njëlloj si bijat e tij. Allahu është më i Ditur për gjithçka. *** 4. Të ndaluara për shkak të bashkimit në një kurorë të kategorive të caktuara. - “...dhe të jini të martuar njëherazi me dy motra, përveç rasteve që tashmë kanë kaluar. Vërtet, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Pra, burrit nuk i lejohet të martohet me motrën e bashkëshortes. Ndërsa sipas një hadithi të saktë, Profeti ﷺ e ka ndaluar edhe martesën e burrit me tezen apo hallën e bashkëshortes. Me fjalë të tjera, çdo grua që ka lidhje farefisnore me bashkëshorten është e ndaluar ta bashkosh në të njëjtën kurorë. Kjo është bërë me qëllim që të mos prishen lidhjet farefisnore. Më pas, i Lartësuari thotë:

← Nisa 4:23