4. Nisa · Ajeti 26 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:22–4:28
Martesa me njerkën ka qenë e pranishme para islamizmit, edhepse ishte turpësi e madhe. Atë Islami e ndaloi.
Ndalesat e martesave nga gjaku janë shtatë: nënat, bijat, motrat, hallat, tezet, bijat e vëllaut, bijat e motrës. Nga gjiri e miqësia janë gjashtë: nënat e gjirit, motrat nga gjiri, nënat e bashkëshorteve, bijat e bashkëshorteve (me tjetër burrë) gratë e djemve dhe bashkimi përnjëherë i dy motrave në një niqah. Me sunnet mutevatir e që është edhe Ixhmaë, është i ndaluar edhe bashkimi, në një niqah, me hallën ose me tezen.
Kur'ani na sqaron se martesa me robëresha të zëna robër në luftë, është e lejuar me kusht kur nuk ka mundësi materiale të martohet njeriu me femra jo robëresha dhe ka frikë se nuk mund të ruhet prej imoralitetit, e jo për t'i dëfruar epshet. Gjithashtu është e ndaluar rreptësisht martesa e përkohshme për një sasi mjetesh materiale, sepse martesa nuk ka për qëllim vetëm anën fizike e epshore, por edhe anën njerëzore e bashkëshortore të sinqertë, që do të jetë burim i një edukimi të shëndoshë të brezit të ardhshëm.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:26–4:28
- Allahu dëshiron t’ju sqarojë çështjet, t’ju drejtojë në rrugën e atyre që ishin para jush dhe t’ju pranojë pendimin. - Allahu i Lartësuar na njofton se Ai dëshiron t’i sqarojë besimtarët për ato gjëra që i ka lejuar dhe ato që i ka bërë haram. Gjithashtu, Ai dëshiron: “...t’ju drejtojë në rrugën e atyre që ishin para jush...”. Pra, dëshiron t’ju udhëzojë në rrugën e lavdëruar dhe të mbarë, në të cilën udhëzoi edhe ata besimtarë të mirë që ishin para jush. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar dëshiron: “...t’ju pranojë pendimin”, pasi bëni gjynahet dhe gjërat e ndaluara nga Ai. - Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. - Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur e i Urtë në Sheriatin që ka vendosur që të zbatohet ndër ju. Ai është i tillë në kaderin e Tij, pra, në ligjet e ekzistencës dhe të krijimit. Ai është i tillë në të gjitha veprat dhe fjalët e Tij. - Allahu dëshiron t’ju pranojë pendimin, ndërsa ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që ju të largoheni tërësisht nga rruga e drejtë. - Ata të cilët pasojnë shejtanët, qofshin këta prej jehudëve, të krishterëve, imoralëve apo të përdalëve, të gjithë dëshirojnë që ju të largoheni nga rruga e të vërtetës, për të hyrë në rrugët e errëta të humbjes. Allahu e përshkruan humbjen e shkaktuar prej tyre si mejlen adhimâ, pra, devijim i madh, humbje e largët, e errët dhe e thellë. - Allahu dëshiron t’ju lehtësojë (vështirësitë), pasi njeriu është krijuar si një qenie e dobët. - Allahu dëshiron t’jua lehtësojë çështjet. Ai dëshiron që t’jua bëjë jetën të thjeshtë, të mirë e të bukur, përmes ligjeve të Sheriatit të Tij. Me urdhëresat e Tij, Ai ju ndihmon që të mos devijoni nga e vërteta, por të qëndroni gjithmonë të përqenduar e të palëkundur në këtë rrugë të mirë, të mbarë dhe të lumtur. Zbatimi i këtyre ligjeve ju forcon e ndihmon që të mos anoni dhe largoheni nga rruga e Tij, për t’u zhytur në të kotën e devijimin. Kështu, te ligjet e Sheriatit, te urdhëresat dhe ndalesat e Tij dhe çdo gjë që Ai e ka përcaktuar për ju si ligj për ta zbatuar, ndodhet lumturia dhe lehtësimi, ndodhet kënaqësia në dynja dhe në ahiret. Allahu i Lartësuar thotë: “...njeriu është krijuar si një qenie e dobët.” Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e lejoi që të martohet edhe me skllave, nëse plotëson kushtet e përmendura në ajet. Ky ligj ia lehtëson njeriut pëmbushjen e urdhëresave dhe e ndihmon të largohet nga e keqja. Në raste të tilla është
mëse e përshtatshme lehtësimi që sjell Allahu, për shkak të dobësisë së robit te vetja e tij, te vullneti dhe ambiciet e tij, si edhe te përkushtimi ndaj normave. Duke shpjeguar ajetin: “...njeriu është krijuar si një qenie e dobët”, Tausi ka thënë: “Njeriu është krijuar i dobët përkundrejt grave dhe marrëdhëniet me to, prandaj dhe Allahu i Lartësuar i solli këto lehtësime për ta.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:26–4:28
Këtu, Allahu i Lartësuar na tregon për mirësinë dhe bujarinë e Tij të gjerë, për kujdesin e Tij të veçantë për besimtarët dhe për thjeshtësinë e fesë së Tij. Ai thotë: - “Allahu dëshiron t’ju sqarojë çështjet, t’ju drejtojë në rrugën e atyre që ishin para jush dhe t’ju pranojë pendimin. ” –
Kuptimi: Allahu i Lartësuar dëshiron t’ju sqarojë juve gjithçka që keni nevojë, për të dalluar të vërtetën ng a e kota, hallallin nga harami. Me Kur’ânin dhe me Traditën e Profetit, Allahu i Lartësuar dëshiron të na udhëzojë në rrugën e atyre fatlumëve që shkuan para nesh, në rrugën e atyre që i begatoi me të mira, siç ishin profetët dhe pasuesit e tyre të çmuar. Ashtu sikurse i udhëzoi ata për bindje ndaj Tij, ashtu siç i ndihmoi të bëjnë vepra të mira që e kënaqin Atë, ashtu siç i stolisi me cilësi të mira, që Ai i pëlqen, ashtu siç u dha sukses të plotë për të arritur çdo të mirë dhe për t’u larguar nga çdo e keqe, po ashtu dëshiron të kujdeset edhe për ne. Për ne Ai ka rezervuar një përkujdesje më të madhe dhe një ligj të mrekullueshëm, që i sqaron çështjet në atë mënyrë që asnjë prej popujve të shkuar nuk e ka patur privilegj. Për ne ka rezervuar dijen më të plotë dhe suksesin për të kryer veprat më të mira dhe më të shpërblyeshme. Përveç këtyre, Ai, nga butësia dhe mëshira e Tij, na ka treguar se çdo gabim dhe mangësi në adhurimin tonë ndaj Tij, Ai e fal dhe gjithmonë e pranon pendimin tonë. Duke e ditur dobësinë tonë, Allahu i Lartësuar është treguar i mëshirshëm me ne dhe na ka bërë lehtësime në fe. Kështu, ligjet e Tij nuk e shpërfillin dobësinë tonë, por na ndihmojnë që të largohemi nga harami dhe të mjaftohemi me hallallin. Me lehtësimet e Tij për ne, na ka mundësuar që t’i pakësojmë gjynahet tona duke shfrytëzuar vetëm gjërat e lejuara. Kjo është pjesë e lehtësimit të pendimit për këtë umet. Sa herë që ne gabojmë, Ai hap portën e mëshirës dhe hedh në zemrat tona pendimin, keqardhjen për gjynahet që bëjmë, në mënyrë që të kthehemi tek Ai kokulur dhe duke kërkuar falje. Pasi na fal këto ndjenja të mrekullueshme në zemrat tona, Ai na e pranon pendimin dhe na fal, duke na mundësuar një fillim të ri. I lavdëruar qoftë Allahu për të tilla mirësi! - “Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. ” – Kuptimi: Allahu ka dituri dhe urtësi absolute. Është Ai që, prej diturisë së Tij, ju mësoi atë që ju nuk e dinit. Prej kësaj diturie të rëndësishme janë edhe këto dispozita. Në bazë të urtësisë dhe mëshirës së Tij, Ai iu mundëson dhe ua pranon pendimin atyre që e meritojnë. Po ashtu, me dijen, drejtësinë dhe urtësinë e Tij, Ai i privon nga pendimi ata që nuk e meritojnë. - “Allahu dëshiron t’ju pranojë pendimin, ndërsa ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që ju të largoheni tërësisht nga rruga e drejtë. ” – Kuptimi: Nëpërmjet pendimit, Allahu rregullon punët tuaja, iu lehtëson çdo vështirësi, e shton atë që është pak dhe e grumbu llon atë që është e shpërndarë. Ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë ata që iu binden vetëm epsheve dhe dëshirave të tyre të shfrenuara. Ata dëshirojnë t’ju devijojnë dhe largojnë nga rruga e drejtë, ashtu sikurse kanë humbur vetë. Ata i japin përparësi plotësimit të epsheve të tyre, me çfarëdolloj kostoje qoftë kjo. Ata janë adhurues të vërtetë të epsheve. Gjynahqarët e të gjitha kategorive, të cilët parapëlqejnë plotësimin e dëshirave të tyre kundrejt bindjes ndaj Zotit dhe Profetit të Tij, dëshirojnë që edhe ju të devijoni dhe të largoheni nga rruga e drejtë, për të shkuar ose në rrugën e atyre që merituan zemërimin e Zotit (të cilët e njohën të vërtetën dhe nuk punuan me të) , ose në rrugën e të humburve (që punuan pa dituri dhe libër të ndritur nga Zoti). Ata dëshirojnë që ju, nga bindja e plotë ndaj Rahmanit, të ktheheni pas e t’i bindeni Shejtanit të mallkuar; nga qëndrimi brenda kufijve të Zotit, gjë e cila siguron lumturinë në të dyja jetët, të ktheheni në shkeljen e kufijve të Tij, gjë e cila sjell trishtimin dhe vuajtjen në të dy jetët. Allahu i Lartësuar e ka lidhur lumturinë e njerëzve pikërisht me qëndrimin brenda kufijve të Tij, duke zbatuar urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, në shenjë dashurie, madhërimi dhe nënshtrimi për Të. Ndërsa trishtimi dhe vuajtjet janë të lidhura me cenimin e devotshmërisë. Kështu, pasuesit dhe adhuruesit e epsheve dëshirojnë që ju të prishni lumturinë tuaj dhe të humbisni thellë
në errësirën e gjynaheve dhe të mosbindjes ndaj Zotit. Zgjidhni, pra, për veten tuaj më të mirën, që të gjeni lumturinë, dhe dijeni se Allahu i Lartësuar dëshiron lehtësimin për ju, siç thotë më pas: - “Allahu dëshiron t’ju lehtësojë (vështirësitë), pasi njeriu është krijuar si një qenie e dobët. ” - Kuptimi: Çdo gjë për të cilën ju ka urdhëruar Allahu është e thjeshtë, e mirë, e këndshme dhe e dobishme për ju. Çdo gjë nga e cila ju ndalon Ai është e keqe, e shëmtuar, e pisët dhe e dëmshme për ju, por gjithsesi, e thjeshtë për ta lënë. Nëse ndieni vështirësi për të respektuar ndonjë ndalesë të Allahut, dijeni se Ai ka bërë të lejueshme shumëfishin e asaj që e ka ndaluar. Të lejuarat e Tij janë gjithmonë të mjaftueshme kundrejt harameve, që janë të kufizuara dhe të pakta. Madje, në raste të jashtëzakonshme, kur cenohet jeta apo nderi juaj, Ai ju ka lejuar që ta përdorni edhe të ndaluarën. Përfundimisht, ata të cilët kanë frikë se mund të bien në imoralitet, mund të martohen edhe me skllave, me kushtet e përmendura më sipër. Kjo tregon mëshirën dhe bamirësinë e pakufishme të Allahut të Lartësuar, tregon dijen e Tij të plotë dhe urtësinë e Tij absolute. Ai përkujdeset për njerëzit që janë të dobët fizikisht, financiarisht, por edhe moralisht. Allahu gjithmonë dëshiron të na i lehtësojë çështjet kur forca, durimi dhe imani ynë janë në shkallë të ulët.