4. Nisa · Ajeti 34 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:29–4:35

Është i ndaluar shfrytëzimi i pasurisë pa djersë, siç është vjedhja, mashtrimi, plaçkitja, kamata etj.: gjithashtu është e ndaluar mbytja e vetvetes apo e tjetrit.

Mëkat i madh ose i vogël konsiderohet në bazë të pasojave që shkakton ai, megjithëse në një hadith janë përmendur shtatë sosh si mëkate të mëdha: "Idhujtaria, mbytja pa kurrfarë të drejte, magjia, ngrënja e kamatës, ngrënja e mallit të jetimit, zmbrapsja në fushën e betejës dhe shpifja kundër femrave të ndershme myslimane". Në disa hadithe të tjera përmenden: mosrespektimi ndaj prindërve, betimi i rrejshëm, prostitucioni etj.

Ky ajet është shumë shpresëdhënës, ngase Allahu premton faljen e mëkateve të vogla atyre që ruhen nga ato të mëdhatë. Epërsia e burrave ndaj grave nuk është epërsi komanduese, por detyrë përgjegjëse, andaj nuk duhet bërë zili ndaj veçorisë së tjetrit me të cilën e dalloi Zoti.

Gratë e padëgjueshme së pari duhet këshilluar, pastaj duhet larguar prej shtratit, e nëse asnjëra nuk ndikojnë në përmirësimin e tyre, atëherë lejohet një rrahje, por e lehtë. Duhet ditur se Allahu i është më i larti ndaj çdo sendi, e edhe ndaj burrit që sillet keq me gruan.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:34

- Burrat kanë autoritet mbi gratë, për shkak të dallimit që Allahu u ka bërë disave mbi disa të tjerë dhe për shkak të shpenzimeve që ata bëjnë nga pasuria e tyre. - Burri është eprori i gruas dhe i madhi në sytë dhe zemrën saj. Ai është gjykatësi, që gjykon sjelljen e saj dhe edukatori i kujdesshëm i saj, nëse ajo devijon e gabon. Allahu e ka veçuar burrin dhe pozitën e tij mbi gruan, duke thënë: “...për shkak të dallimit që Allahu u ka bërë disave mbi disa të tjerë”. Nuk ka dyshim se burrat janë më të vlerësuar dhe të dalluar sesa gratë. Prandaj dhe profetësia është një gradë që u është dhënë veç burrave. Po kështu edhe disa lloje postesh drejtuese janë të veçanta për burrat, e nuk lejohet që në to të vendosen gratë, si posti i udhëheqësit më të lartë, siç mëto n Profeti i Allahut kur thotë: 704. “Nuk kanë për të gjetur shpëtim një popull që e lënë udhëheqjen (e lartë) në

dorën e një gruaje.” Kështu e sjell hadithin Buhariu. Po kështu është edhe posti i gjykatës e të tjera. Një shkak tjetër për vlerësimin dhe veçimin e pozitës së burrit mbi gruan, përmendet nga Allahu i Madhëruar: “...dhe për shkak të shpenzimeve që ata bëjnë nga pasuria e tyre.” Burri e ka detyrë që t’i japë gruas mehrin, t’i mundësojë shpenzimet e nevojshme për jetën dhe të përmbushë detyrimet me të cilat Allahu i ka ngarkuar në lidhje me gratë, detyrime e përgjegjësi të cilat i ka shtjelluar qartësisht në Librin e Tij dhe në Sunetin e Profetit. Atëherë, duke qenë se burri është më i mirë se gruaja, është mëse e përshtatshme që të ketë ketë autoritet mbi gruan. Allahu i Madhëruar thotë: “Ato (gratë) kanë aq të drejta sa edhe përgjegjësi, sipas traditës. Por burrat kanë një shkallë përparësie ndaj tyre. Allahu është i Gjithëfuqishëm e i Urtë.” [Bekare 228]. Për këtë arsye, gruaja e ka detyrë që t’i bindet burrit në ato çështje për të cilat e ka urdhëruar Allahu i Madhëruar. Pjesë e bindjes ndaj burrit është edhe bamirësia ndaj familjes së tij, si dhe të jetë e kujdesshme e të ruajë pasurinë e tij. Kështu kanë thënë Mukatili, Seddiju dhe Dahhaku. Ibn Merdeve jhi përcjell se Aliu ka thënë: 705. “Një ensar shkoi tek Profeti me një nga gratë e fisit të tij dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, burri i saj është filani i biri i filanit, prej ensarëve. Ai e ka rrahur dhe i ka lënë shenjë në fytyrën e saj. Profeti ﷺ tha: “Atij nuk i takon ta bëjë diçka të tillë.” Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “Burrat kanë autoritet mbi gratë...”, pra, në lidhje me edukimin e tyre. Profeti i Allahut tha: “Unë dëshirova diçka, ndërsa Allahu dëshiroi diçka tjetër.” Për ajetin: “...për shkak të dallimit që Allahu u ka bërë disave mbi disa të tjerë dhe për shkak të shpenzimeve që ata bëjnë nga pasuria e tyre”, Shea'biju ka thënë: “Këtu bëhet fjalë për mehrin, që burri e ka detyrim t’ia japë gruas. Ndërsa për sa i përket dallimit që i ka bërë burrit mbi gruan, a nuk e sheh se, nëse burri e akuzon gruan se ka bërë imoralitet, e nuk sjell katër dëshmitarë, burri nuk ndëshkohet për shpifje, por ajo ka të drejtën që zbatojë praktikën e “ el mulâane -s” (mallkimit). Ndërsa nëse gruaja e akuzon burrin për imoralitet e nuk sjell dëshmitarë, ajo ndëshkohet me rrahje me kamzhik, për shpifje.” - Prandaj gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu. - Gratë e mira, Allahu i Lartësuar i ka përshkruar me këto cilësi: Ato janë të dëgjueshme, pra, që u binden burrave të tyre. Ato ruajnë fshehtësitë që Allahu i ka urdhëruar që të ruhen. Ajo ruan nderin dhe të fshehtat e burrit të saj, edhe kur ai është në mungesë. Në fjalën “fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu (të ruhen)”, janë përfshirë të gjitha ato urdhëresa e detyrime ndaj burrit, që vetë Zoti ka urdhëruar të respektohen. Ibn Xheriri përcjell me senedin e tij nga Ebu Hurejra, që rrëfen se Profeti i Allahut ka thënë: 706. “Gruaja më e mirë është ajo që, kur e sheh, të sjell gëzim (e kënaqësi), kur e urdhëron, të bindet, kur nuk je i pranishëm, të ruan nderin dhe pasurinë tënde.” Pastaj, - thotë Ebu Hurejra - Profeti i Allahut lexoi ajetin: “Burrat kanë autoritet mbi gratë...”, deri në fund.” - Gratë të cilave i druheni mosbindjes dhe sjelljes së tyre të keqe, këshillojini, largojini nga shtrati ose edhe i rrihni lehtë. - ‘En-nushûz’ është një term që përmbledh mosbindjen dhe çdo sjellje të keqe. Kështu, një grua nâshize është ajo që shpreh mendjemadhësi e kokëfortësi ndaj burrit të saj, shpërfill urdhrat e fjalët e tij, shfaq mospërfillje dhe urrejtje për të. Nëse tek gruaja fillojnë të shfaqen shenjat e nushuz-it, hapat që duhen ndërmarrë janë ato që Allahu i Lartësuar tregon. “Këshillojini”, domethënë, kujtojini ndëshkimin e Allahut për mosbindjen ndaj burrit. Kujtojini se Allahu i Madhëruar ia ka bërë detyrë përmbushjen e detyrimeve ndaj burrit dhe ia ka bërë haram cenimin e këtyre detyrimeve e përgjegjësive. Ajo duhet të jetë mirënjohëse për kujdesin dhe mirësitë e

mëdha që burri i bën gruas. Profeti i Allahut ka thënë: 707 . “Nëse do të urdhëroja një njeri që të binte në sexhde për një njeri tjetër, do të urdhëroja gruan që të binte në sexhde për burrin e saj, për shkak të meritave që ai ka mbi të.” Buhariu sjell hadithin nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti i Allahut ka thënë: 708 . “Nëse burri e dëshiron dhe e fton gruan në shtrat, ndërsa ajo e refuzon, atë grua e mallkojnë melekët deri në agim.” Ndërsa në versionin e këtij hadithi të sjellë prej Muslimit, thuhet: “Nëse një grua e kalon natën duke refuzuar të shkojë në shtrat me burrin e saj, atë grua e mallkojnë melekët deri në agim.” Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar udhëzon e thotë: “Gratë të cilave i druheni mosbindjes dhe sjelljes së tyre të keqe, këshillojini.” Pra, t’i këshillojmë me porositë e Allahut dhe të Profetit. Në vijim, i Madhëruari thotë: “...largojini nga shtrati “. Ibn Abasi ka thënë: “Fillimisht, burri ta këshillojë. Nëse gruaja nuk reflekton, atëherë le ta largojë nga shtrati.”. Po nga Ibn Abasi transmetohet të ketë thënë se: “Largim nga shtrati do të thotë që burri të mos kryejë marrëdhënie intime me të dhe t’i kthejë shpinën në shtrat.” Në Sunen dhe në Musned shënohet se Muavije Ibn Hajd ete el Kushajri pyeti njëherë: 709. “O i Dërguari i Allahut, çfarë detyrimi kemi ndaj grave tona?” Ai tha: “Ta ushqesh atë ashtu siç ushqehesh vetë, ta veshësh ashtu siç vishesh vetë, të mos e gjuash në fytyrë, të mos i shkaktosh shëmtim e dëmtim dhe të mos e braktisësh në shtrat, veçse në shtëpi.” Në vijim, i Madhëruari thotë: “... ose edhe i rrihni lehtë.”. Pra, me gjithë këshillën dhe largimin nga shtrati, nëse ato sërish nuk përmirësojnë sjelljen e tyre, atëherë keni të drejtën që t’i rrihni lehtë, me qëllim edukues, pa lënë shenja e dëmtime fizike. Në Sahih-un e Muslimit vjen hadithi nga Xhabiri, se Profeti i Allahut, në Haxhin e Lamtumirës, ka thënë: 710. “...frikësojuni Allahut në lidhje me gratë! Ato janë ndihma e krahu juaj. Është e drejta juaj mbi to që ato të mos fusin askënd që e urreni në shtëpinë tuaj. Nëse e bëjnë mund ti rrihni, pa i dëmtuar. Ju e keni detyrë, përkujdesin e veshmbathjen e tyre, siç e do e mira e zakoni.” Dijetarët e fikhut kanë thënë se “rrahje e lehtë” është ajo që nuk shkakton thyerje gjymtyrësh apo që lë gjurmë në trupin e saj. - Por nëse i kthehen bindjes, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. - Pra, nëse gruaja ju bindet për gjithçka që kërkoni prej saj, - kur janë të lejueshme nga Zoti, - atëherë ju nuk keni asnjë të drejtë që t’i rrihni, t’i braktisni e t’i largoni nga shtrati. Mendoni me kujdes në fjalën e Allahut kur thotë: - Allahu është i Lartësuar, i Madhëruar. - Allahu i Lartësuar është kujdestari i tyre, nëse burrat kalojnë kufijtë dhe i mundojnë pa asnjë shkak. Ai e ndëshkon këdo që shkel të drejtat e grave.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:34–4:35

- “Burrat kanë autoritet mbi gratë, për shkak të dallimit që Allahu u ka bërë disave mbi disa të tjerë dhe për shkak të shpenzimeve që ata bëjnë nga pasuria e tyre.” - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai i ka vendosur burrat si përgjegjës dhe kujdestar për gratë. Ata duhet të kujdesen për gratë, që ato t’u përmbahen dispozitave të Allahut të Lartësuar, duke kryer urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave dhe punëve të ulta. Pra, është detyrë e burrave që të kujdesen që gratë të qëndrojnë brenda kufijve të Allahut. Gjithashtu, burrat e kanë detyrë të përkujdesen edhe duke shpenzuar për plotësimin e nevojave të tyre. Allahu i Lartësuar tregon edhe shkakun tjetër pse burrat e meritojnë këtë status mbi gratë: “...për shkak të dallimit që Allahu u ka bërë disave mbi disa të tjerë”. Dallimi i burrave mbi gratë është në shumë drejtime. Për shembull, e drejta e kujdestarisë ligjore është e drejtë vetëm e burrave, dhe jo e grave. Pra, një grua nuk mund të jetë kujdestare ligjore. Po kështu edhe profetësia ka qenë cilësi vetëm e burrave. Kurrë nuk ka patur e s’mund të ketë grua profete. Allahu i Lartësuar i ka veçuar burrat me disa lloje adhurimesh, që nuk i bëjnë dot gratë dhe që nuk është detyrë për to, siç janë xhihadi, namazi i bajrameve apo namazi i xhumave. Allahu i Lartësuar i ka dalluar burrat me një nivel të logjikës, arsyetimit, durimit e qëndrueshmërisë, që gratë nuk mund ta arrijnë. Allahu i Lartësuar i ka ngarkuar burrat me detyrën e shpenzimit për përmbushjen e nevojave të grave. Shumë shpenzime janë detyrë vetëm e burrave, jo e grave. Ndoshta ky është mesazhi i ajetit, kur i Lartësuari thotë: “...për shkak të shpenzimeve që ata bëjnë nga pasuria e tyre.” Çdo lloj shpenzimi që i nevojitet gruas është përgjegjësi dhe detyrë ligjore e burrit. Ai e ka detyrë që t’i përmbushë këto detyrime për gruan e tij. Ai është për gruan si udhëheqësi dhe zotëria i saj. Ndërsa gruaja është kujdestare dhe zonjë në shtëpinë e burrit, e cila kënaq zemrën dhe syrin e tij. Ajo ka detyrë t’i bindet së pari Zotit të saj, i Cili e krijoi, duke e adhuruar si Një të vetëm, dhe pastaj e ka detyrë t’i bindet dhe të kënaqë burrin e saj. Kështu, Allahu i Lartësuar na tregon se cilat janë gra të mira: - “Prandaj gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu.” – Pra, gra të mira janë ato që janë të bindura ndaj Zotit dhe të vazhdueshme në adhurimin e Tij me drojë, shpresë dhe dashuri. Gratë e mira duhet t’u binden edhe burrit të tyre, ashtu si duhet të ruajnë nderin dhe pasurinë e tij. Por këtë ato arrijnë ta bëjnë vetëm me ndihmën dhe suksesin e dhënë prej Zotit. Është Zoti i Lartësuar që i ndihmon dhe i udhëzon ato të jenë të tilla, për shkak të adhurimit të tyre përkushtuar Atij. Egoja urdhëron për të këqija, por kush e adhuron Zotin me sinqeritet dhe i mbështetet plotësisht Atij, mjaftohet me Zotin për çdo gjë që e shqetëson nga çështjet e fesë dhe nga çështjet e dynjasë. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: - “Gratë të cilave i druheni mosbindjes dhe sjelljes së tyre të keqe, këshillojini, largojini nga shtrati ose edhe i rrihni lehtë.” - Ato të cilat tregojnë arrogancë dhe mosbindje ndaj burrit, me fjalë dhe me

veprime, duhen edukuar duke filluar me mënyrat më të buta. Hapi i parë është këshilla, duke i sqaruar dhe kujtuar se çfarë gjykimi ka ligji i Zotit për bindjen ndaj burrit dhe për mosbindjen ndaj tij. Atyre u duhet kujtuar shpërblimi që i pret nëse janë të bindura, por edhe ndëshkimi nëse janë të pabindura. Nëse ato ndreqen pas këshillave, atëherë është arritur rezultati i kërkuar, por nëse jo, atëherë kalohet në hapin e dytë: largimin e tyre nga shtrati. Pra, burri nuk fle dhe nuk kontakton me gruan, derisa ajo të bindet. Nëse edhe me hapin e dytë nuk arrihet edukimi i tyre, atëherë kalohet në hapin e tretë: goditini lehtë! Goditja duhet të ketë karakter edukues dhe jo dëmtues. Nëse arrihet qëllimi me njërën nga këto mënyra, atëherë: - “Por nëse i kthehen bindjes, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. ” - Kuptimi: Përderisa ju e arritët atë që dëshironi, domethënë, bindjen e grave tuaja, atëherë duhet të mjaftoheni me kaq. Kjo do të thotë që burri nuk duhet t’u kthehet më kohëve të këqija dhe t’i kujtojë gruas mosbindjen e saj të dikurshme, sepse kujtimi i të tilla gjërave është i dëmshëm. - “Allahu është i Lartësuar, i Madhëruar.” - Ai është absolut në lartësinë e Tij, në të gjitha aspektet. Ai është i Lartësuar në Qenien e Tij. Allahu është i Madh dhe asgjë nuk mund të jetë më e madhe dhe më e lartë se Ai. Allahu është Madhështor e i lartësuar në Qenien dhe cilësitë e Tij. - “Nëse i druheni ndarjes midis burrit e gruas, dërgoni një ndërmjetës të urtë nga familja e tij dhe një ndërmjetës të urtë nga familja e saj. ” - Nëse i druheni divorcit të bashkëshortëve, atëherë dërgoni nga secila palë dy burra muslimanë të mençur e të drejtë, të cilët i njohin të dyja palët dhe të dinë të gjykojnë drejt për bashkimin apo ndarjen e tyre. Këto cilësi të përmendura janë përftuar nga kuptimi i fjalës “hakemun”. Kështu, këta burra duhet të shohin se çfarë urren secila palë tek pala tjetër, dhe pastaj të përcaktojnë përgjegjësitë dhe detyrimet e secilës palë për të pasur një jetë të denjë bashkëshortore. Nëse ndonjëri prej tyre nuk i përmbahet plotësisht këtyre përgjegjësive, atëherë punohet me palën tjetër që të jetë tolerante dhe të kënaqet me nivelin e palës tjetër aq sa të jetë e mundur. Kështu vazhdohet me harmonizimin dhe rregullimin. Megjithatë, nëse gjendja e çiftit ka arritur aq sa nuk bëhet i mundur rregullimi i marrëdhënieve të tyre dhe të dy të urtët e shohin se ndarja e tyre është më e dobishme, sepse përndryshe do ketë padrejtësi, atëherë çifti ndahet. Në një rast të tillë nuk është kusht që burri të pranojë apo jo ndarjen, Ata që vendosin për ndarjen janë dy të urtët dhe jo burri, sepse Allahu i Lartësuar i ka quajtur ata “hakemen”, domethënë ata që duhet të gjykojnë dhe vendosin, edhe nëse dikujt mund të mos i pëlqejë gjykimi. - “Nëse ata të dy kanë për qëllim pajtimin, Allahu e mundëson afrimin mes tyre (çiftit).” - Pas ndërhyrjeve dhe urtësisë së burrave, pas fjalëve të mira dhe nxitëse për një jetë të denjë bashkëshortore, nëse palët vërtet do të duan bashkimin dhe të mirën, Allahu i Lartësuar do t’i bashkojë ata. Me fjalë të tjera, nëse ndodh ndarja, atëherë kjo, në njëfarë mënyre, tregon mungesën e dëshirës për të vazhduar. - “Allahu është i Gjithëditur e Zbulon gjithçka.” - Allahu i Lartësuar është i Gjithëditur, për çfarë duket dhe çfarë mbahet fshehur. Allahu i Lartësuar është Mbikëqyrës i çdo imtësie, në çdo çështje në këtë botë. Prej dijes së Tij të madhe dhe mirësive të Tij të mrekullueshme janë edhe këto ligje të drejta dhe të bukura, që rregullojnë jetën e njerëzve dhe marrëdhëniet e tyre me Atë dhe me të tjerët.

← Nisa 4:34