4. Nisa · Ajeti 59 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:57–4:70

Amanet është çdo gjë që i besohet njeriut, qoftë pasuri, pozitë, fjalë ose diçka tjetër. Ruajtja e amanetit është obligim për të gjithë njerëzit, qoftë amanet mes Zotit dhe njeriut, qoftë mes njerëzve.

Shkas i zbritjes së këtij ajeti ishte çelësi i Qabes, të cilin e merr Pejgamberi me rastin e çlirimit të Mekës, Qabes, nga dora e Osman Bin Talha-as që me kohë e mbante familja e tyre. Osmani qe prekur shumë, pse çelësi doli prej dorës së tyre, por nuk foli asgjë. Zoti e urdhëroi t'ia kthejë çelësin dhe Pejgamberi ia ktheu, e thuhet se edhe sot e kësaj dite çelësin e Qabes e mban ajo familje.

Ajeti në fjalë ka një qëllim të përgjithshëm, e jo vetëm rastin e posaçëm të çelësit të Qabes. Pejgamberi ka thënë: "Ai që nuk e ruan amanetin, në të ka shenja të nifakut" - tradhtisë.

Ajeti pas tij, e sipas juristëve islamë sugjeron për burimet e sheriatit islam e që janë: Kur'ani, Syneti e pas tij edhe Ixhmai e Kijasi.

Çdo çështje dhe çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur sipas udhëzimeve të Pejgamberit, i cili për zgjidhjen e çështjeve gjithnjë është mbështetur në fakte të Kur'anit. Munafikët ndonëse publikisht thonin se i kanë besuar Kur'anit, nuk dëshironin që mes çështjeve të tyre të gjykojë Pejgamberi sipas Kur'anit, por shkonin te njerëzit e djallëzuar dhe pastaj përpiqeshin ta bindnin Pejgamberin se nuk kishin ndonjë qëllim të keq. Në ajetet që u lexuan, Zoti i gjithëdijshëm i tregoi Muhammedit dhe myslimanëve për qëllimet e tyre dhe për atë çka i pret në botën tjetër. Një njeri e pyet Pejgamberin: "Kur është kijameti?" Pejgamberi i thotë: "Çka ke përgatitur për të" Ai tha: "Asgjë, pos që e dua Zotin dhe të dërguarin e Tij" Pejgamberi tha: "Ti do të jeshë me atë që e dot" Enesi, sahab i Pejgamberit thotë: "Nuk kemi përjetuar gëzim më të madh se nga fjala e Pejgamberit: "Do të jeshë bashkë me atë që e dot"

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:59

- O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe udhëheqësve tuaj! - Buhariu sjell komentin e Ibn Abasit rreth këtij ajeti: 767. “Ky ajet ka zbritur dhe flet për Abdullah Ibn Hudhafe Ibn Kajs Ibn Adijit, të cilin Profeti i Allahut e dërgoi në krye të një ekspedite ushtarake...” Në këtë variant e kanë sjellë edhe autorët e Suneneve, përveç Ibn Maxhes. Imam Ahmedi sjell hadithin edhe nga Aliu, i cili ka thënë: 768. “Profeti i Allahut dërgoi një ekspeditë ushtarake, në krye të së cilës vendosi një ensar. Gjatë udhëtimit, ai u zemërua me ushtarët për diçka dhe u tha: “A nuk ju urdhëroi Profeti i Allahut që të më bindeni mua?” - “Po” - “Atëherë, shkoni e më mblidhni dru për zjarr!” Dhe i urdhëroi që t’i ndiznin një zjarr. Pasi e ndezën zjarrin, ai u tha: “Unë ju urdhëroj tani që të hidheni në të!” Një djalosh prej tyre u tha: “Ju po e ndiqni të Dërguarin e Zotit pikërisht për t’i shpëtuar zjarrit. Prandaj, mos u nxitoni të bëni gjë, derisa të takoni Profetin! Nëse ai ju urdhëron që të hidheni në zjarr bëjeni!” Kur ata u kthyen tek Profeti, e njoftuan atë dhe ai u tha: “Nëse do të hynit në atë zjarr, nuk do të dilnit kurrë prej tij! Bindja është e detyrueshme veçse në gjërat e pranueshme dhe të drejta.” Ky hadith vjen në dy Sahihët prej Ea 'meshit. Ebu Daudi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Umeri se Profeti i Allahut ka thënë: 769. “Dëgjimi dhe bindja është detyrë për robin musliman, qoftë në gjërat që ai i pëlqen, qoftë në ato gjëra që i urren, për sa kohë që nuk urdhërohet për poshtërsi e mosbindje ndaj Allahut! Nëse urdhërohet për mosbindje ndaj Zotit (gjë të ndaluar), atëherë nuk e ka detyrë të dëgjojë e të bindet.” Hadithi i Buhariut dhe Muslimit. Buhariu sjell hadithin nga Enesi se Profeti i Allahut ka thënë: 770. “Dëgjoni dhe të jeni të bindur ndaj të parit, edhe nëse ju vihet në krye një rob nga Abisinia me kokë të vogël si rrushi i thatë.” Ibn Xheriri sjell hadithin nga Ebu Hurejra se Profeti ﷺ ka thënë: 771. “Pas meje do të vijnë udhëheqës. Bamirësi do të vijë me bamirësinë e tij dhe keqbërësi do të vijë me ligësinë e tij. Dëgjoni dhe binduni në gjithçka që është në përputhje me drejtësinë dhe të vërtetën dhe faleni namazin pas tyre. Nëse ata bëjnë mirë, mirë keni edhe ju, edhe ata. Por nëse bëjnë keq, ju keni mirësi, ndërsa mbi ata do të rëndojë padrejtësia.” Nga Ibn Abasi (r.a) përcillet se Profeti i Allahut ka thënë: 772. “Nëse dikush sheh nga udhëheqësi i tij diçka që e urren, le të bëjë durim, sepse ai që i largohet xhematit të muslimanëve qoftë edhe një pëllëmbë dhe vdes në atë gjendje, ka vdekur si injorant.” [Buhariu dhe Muslimi]. Allahu i Madhëruar thotë: “... dhe udhëheqësve tuaj!” Disa kanë thënë se flitet për udhëheqësit e shtetit apo të vendit, ndërsa të

tjerë thonë se flitet për dijetarët. Megjithatë, mendimi më i saktë është se ajeti përfshin edhe udhëheqësit, edhe dijetarët, të cilët janë në krye të çështjeve. Në një hadith mutefekun alejhi nga Ebu Hurejra transmetohet se Profeti ka thënë: 773. “Ai që më është bindur mua, i është bindur Allahut. Ai që thyen urdhrat e mi, në fakt ka thyer urdhrat e Allahut. Ai që i bindet emirit tim, më është bindur mua dhe ai që thyen urdhrin e emirit tim, ka thyer urdhrin tim.” Këto janë urdhra për bindje ndaj drejtuesve dhe dijetarëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Bindjuni Allahut!” Pra, zbatoni urdhëresat e Tij, bindjuni e nënshtrojuni Allahut sipas ligjeve të Librit të Tij! Edhe kur flet për Profetin dhe bindjen ndaj tij, thotë: “...bindjuni të Dërguarit!”, domethënë, ndiqni Sunetin e tij! Pastaj, kur flet për bindjen ndaj udhëheqësve, thotë vetëm: “...dhe udhëheqësve tuaj”. Kështu: bindjuni atyre veç nëse ju urdhërojnë për bindje ndaj Allahut e jo në rastin kur ju urdhërojnë për poshtërsi e thyerje të urdhëresave e kufijve të Allahut, sepse nuk lejohet bindja ndaj krijesës kur përbën poshtërsi ndaj Krijuesit, siç u përmend më parë në hadith: “...Bindja është e detyrueshme veçse në gjërat e pranueshme dhe të drejta.” - Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë tek Allahu dhe tek i Dërguari, nëse vërtet e besoni Allahun dhe Ditën e Fundit! - Kthehuni në Librin e Allahut dhe Sunetin e Profetit. Ky është një urdhër nga Allahu i Madhëruar që, për çdo çështje për të cilën njerëzit bien në kundërshtim, qofshin çështje themelore të Islamit apo degëzime dhe hollësi të tij, të kthehen në Librin e Zotit dhe Sunetin e Profetit. Allahu i Madhëruar thotë: “Për çdo çështje për të cilën nuk pajtoheni, gjykimin për të e gjeni tek Allahu. Ai është Allahu, Zoti im. Vetëm tek Ai mbështetem dhe vetëm Atij i drejtohem.” [Shura 10]. Kështu, ajo për të cilën Libri i Zotit dhe Suneti i Profetit tregojnë se është e vërtetë, pikërisht ajo dhe vetëm ajo është e vërteta dhe e drejta. Pas të vërtetës, ka vetëm kotësi e padrejtësi. Allahu i Lartësuar thotë: “...nëse vërtet e besoni Allahun dhe Ditën e Fundit...” Shenja e besimit të vërtetë në Allahun dhe Ditën e Gjykimit është të gjykuarit për të gjitha mosmarrëveshjet dhe gjërat e paditura duke u bazuar në Librin e Allahut dhe Sunetin e Profetit të Tij. Është detyrë që ta mbështetësh gjykimin në këto burime të pastra e të drejta për të gjitha konfliktet e mosmarrëeshjet. Ky ajet është dëshmi se, nëse njeriu nuk i gjykon konfliktet me Librin e Zotit e Sunetin e Profetit, nuk është besimtar në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit. - Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë. - Më e dobishmja është që njerëzit të mbështeten dhe të gjykojnë sipas Librit të Zotit dhe udhëzimit të Profetit për mosmarrëveshjet e tyre, për të gjetur drejtësinë dhe të vërtetën. Ky është, gjithashtu: “...përfundimi më i mirë”, domethënë, do të sjellë përfundimin dhe shpërblimin më të mirë tek Zoti.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:58–4:59

- “Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin ...” - ‘Amanet’ quhet çdo punë dhe përgjegjësi me të cilën njeriu ngarkohet për ta kryer dhe për ta plotësuar. Kështu, Allahu i Lartësuar na urdhëron që t’i plotësojmë detyrat me të cilat jemi ngarkuar; pra, t’i kryejmë ato në formën më të plotë dhe më të mirë, pa cenuar gjë dhe pa i vonuar nga koha e tyre. Amanetet që merr njeriu përsipër janë të natyrave të ndryshme, por ne jemi të urdhëruar që të gjitha ato t’i çojmë në vend, ashtu sikurse na është ngarkuar. Edhe nëse nuk na sheh kush, të jemi të sigurt që Zoti na sheh dhe do të na marrë në përgjegjësi për to. Dijetarët thonë se, nëse dikujt i lihet një amanet për ta ruajtur, ai e ka detyrë ta ruajë atë, duke marrë masat e nevojshme, që merren zakonisht në të tilla raste. Veçse në këtë mënyrë mund të thuhet se e kemi kryer detyrën.

“...dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni me drejtësi. ” - Por me çfarë drejtësie jemi urdhëruar që të gjykojmë? Vallë, a mos caktohet ajo nga oreksi dhe arsyetimi i njerëzve? Jo! Drejtësi është vetëm ajo që Zoti e ka përcaktuar si të tillë në Shpalljen e sjellë nëpërmjet Profetit të Tij. Në Kur’ân dhe në Traditën e Profetit të Tij, Allahu i Lartësuar ka vendosur ligjet që mbrojnë pesë domosdoshmëritë: fenë, jetën, mendjen, nderin dhe pasurinë. Por që të gjykojmë me drejtësi, duhet që fillimisht t’i njohim këto ligje të Zotit. Pra, ajeti është së pari një nxitje për njohjen e ligjeve të Zotit, që pastaj të bëhet i mundur gjykimi i drejtë. Nuk mund të ketë drejtësi pa dije dhe pa frikë ndaj Zotit. Urdhrat dhe ligjet e Zotit janë të mrekullueshëm, siç thotë Ai: - “Vërtet, sa të mrekullueshëm janë urdhrat që ju jep Ai! Allahu dëgjon dhe sheh si veproni. ” - Allahu i Lartësuar lëvdon urdhrat dhe ndalesat e Tij, sepse ato përmbajnë udhëzimin e plotë dhe të vetmin që u siguron njerëzve lumturinë dhe që i ruan ata nga çdo e keqe në të dyja jetët. E si të jetë ndryshe, kur Ai që i caktoi ato është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi, të Cilit nuk i fshihet asgjë dhe i Cili e di shumë mirë se cila është e mira dhe e keqja për krijesat?! Ai di atë që ata nuk e dinë. - “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe udhëheqësve tuaj!” - Allahu i Lartësuar na urdhëron që t’i bindemi dhe t’i nënshtrohemi, duke zbatuar porositë e Tij dhe të Profetit të Tij. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar na urdhëron që të jemi të bindur edhe ndaj udhëheqësve. Këtu bëhet fjalë për udhëheqës shteti dhe udhëheqës feje. Që çështjet e kësaj bote dhe feja e njerëzve të jenë të stabilizuara dhe të rregullta, njerëzit duhet të tregojnë bindje ndaj udhëheqësve të tyre, në emër të bindjes ndaj Allahut dhe për shpërblimin që Ai premton. Megjithatë, bindja ndaj udhëheqësve ka si kusht që ata të mos urdhërojnë për gjynahe dhe mosbindje ndaj Allahut. Nëse ata urdhërojnë për diçka që Zoti e ka ndaluar, atëherë thuhet se nuk ka bindje ndaj krijesës duke kundërshtuar Krijuesin. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, Allahu i Lartësuar nuk e përsërit foljen “bindjuni” për herë të tretë, por thotë: “Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe përgjegjësve tuaj!” Profeti ka urdhëruar veçse për drejtësi dhe bindje ndaj Allahut të Lartësuar, prandaj ai që i bindet Profetit i është bindur Allahut. Ndërsa ndaj një udhëheqësi, për sa kohë që ai i bindet Allahut dhe Profetit dhe urdhëron për bindje ndaj Allahut dhe Profetit, është detyrë që të tregojmë bindje. Në të kundërt, nëse urdhrat e tij cenojnë bindjen ndaj Allahut dhe Profetit, atëherë nuk ka bindje ndaj tij. - “Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë tek Allahu dhe tek i Dërguari, nëse vërtet e besoni Allahun dhe Ditën e Fundit! Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” - Allahu i Lartësuar na udhëzon se si të veprojmë në raste polemikash dhe kundërshtish për çështjet themelore apo dytësore të fesë. Në të tilla raste, pra, është detyrë që ne t’i kthehemi Librit të Allahut dhe Traditës së Profetit Në Kur’ân dhe në Sunet gjenden udhëzimet e qarta për çdo mospajtim. Në fakt, udhëzimet në këto dy burime janë të natyrave të ndryshme. Ato mund të jenë krejt të kuptueshme, por ndonjëherë mund të jenë në mënyrë përgjithësuese, ndonjëherë si shenja që na drejtojnë drejt së mirës, ndonjëherë si krahasime për të gjetur gjykimin në raste të ngjashme etj. Libri i Zotit dhe Tradita e Profetit të Tij janë themelet e fesë së Zotit, pa të cilët nuk mund të thuhet se jemi në rrugë të drejtë. Mbështetja në Librin e Zotit dhe në Traditën e Profetit është kusht i domosdoshëm për besimin, prandaj Allahu i Lartësuar thotë në përfundim të urdhërit: “...nëse vërtet e besoni Allahun dhe Ditën e Fundit”. Kjo tregon se ai që, në rastet e kundërshtimit, nuk gjykon sipas Librit të Zotit dhe Traditës së Profetit, nuk është besimtar i vërtetë, por i është nënshtruar tagut-it (çdo gjëje që adhurohet veç Zotit), sikurse thuhet në ajetin më poshtë.

Mbështetja te Libri i Zotit dhe te Tradita e Profetit është rruga më e mirë dhe sqarimi më i saktë, sepse gjykimi i Zotit dhe i Profetit të Tij është gjykimi më i drejtë dhe më i mirë për njerëzit, për çështjet e fesë, dynjasë dhe të ardhmërisë së tyre.

← Nisa 4:59