4. Nisa · Ajeti 71 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:71–4:81

Myslimanët u urdhëruan të jenë gjithnjë të përgatitur, të mos dalin një nga një e t'i befasojë armiku, por të dalin në grupe ose të gjithë së bashku. Munafikët nuk u bashkoheshin myslimanëve në luftëra, por nëse myslimanët fitonin, ankoheshin kinse nuk kanë ditur se edhe ata do të merrnin pjesë, edhe pse e kishin ditur, e kur dëmtoheshin myslimanët e quanin fat mospjesëmarrjen e tyre në luftë.

Lufta në rrugën e Allahut nuk është humbje, sepse ai që mbytet është dëshmor, kurse ai që shpëton, e ka ndihmuar përhapjen e drejtësisë, andaj edhe ai do të ketë shpërblim të madh. Banorët e Mekës ishin mizorë, ngase i torturonin të gjithë ata që kishin besuar Zotin një, e posaçërisht të paaftit, si pleqtë, gratë e fëmijët. Lufta kundër atyre mizorëve u bë e obligueshme. Myslimanëve u tërhiqet vërejtja që të mos frikohen nga vdekja, sepse asaj nuk mund t'i shpëtohet, e nëse vdiset në luftë, shpërblimi është shumë i madh.

Munafikët përpiqeshin t'ia mveshin Muhammedit fajin për të gjitha fatkeqësitë në mënyrë që t'i iritonin njerëzit nga ai. Kur'ani ua bëri të qartë se çdo e keqe është pasojë e vetë njeriut, ngase njeriu nuk përputh veprat e veta me ligjet e Zotit dhe mendon se dikush tjetër e ka fajin.

Të gjitha të mirat burojnë prej Zotit. Dërgimi i Muhammedit për të gjithë njerëzit është një e mirë prej Zotit, por Muhammedi ishte vetëm komunikues i porosive të Zotit, e jo edhe roje e dredhive që i bënin fshehtas munafikët. Mjafton që Allahu i di dredhitë e tyre dhe Ai do t'u japë llogarinë e merituar. Bindja ndaj Pejgamberit është njëkohësisht edhe bindje ndaj Allahut, ngase Ai dëshmoi se e ka dërguar për t'iu kumtuar njerëzve udhëzimet e Tij.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:71–4:74

- O ju që keni besuar! Rrini në gatishmëri dhe dilni grup pas grupi ose të gjithë së bashku! - Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët që të jenë shumë të kujdesshëm në masat që duhet të marrin për t’u ruajtur e mbrojtur nga armiqtë e tyre. Ata duhet të përgatitjen maksimalisht për sigurimin e armëve, forcave dhe infrastrukturës së nevojshme për luftë. Kjo detyrë kërkon edhe mobilizimin e popullit për të qenë i gatshëm në këtë luftë në rrugën e Allahut. I Madhëruari thotë: “...dhe dilni grup pas grupi...” pra, dilni në grupacione të ndarë, njëri pas tjetrit, ose “të gjithë së bashku!” - Ka, sigurisht, prej jush që do të bishtnonin. - Ka nga ata që do t'i bënin bisht xhihadit në rrugën e Zotit dhe do të pengonin edhe të tjerët nga kjo rrugë, siç veproi Abdullah Ibn Ubej Ibn Ebu Seluli, - Allahu e shëmtoftë dhe e poshtëroftë! Duke folur për këta munafikë, Allahu i Madhëruar na tregon fjalët që ata thoshin kur i bënin bisht xhihadit: - E nëse ju godet ndonjë fatkeqësi, ata thonë: “Allahu më favorizoi që nuk isha bashkë me ta.”. - Kur besimtarët vriten në luftë e bien dëshmorë, ose armiku i tyre arrin të fitojë ndonjë betejë kundër muslimanëve, për urtësi që Allahu i di, ata thonë: “Allahu më favorizoi që nuk isha bashkë me ta.” Pra, kënaqen që nuk ishin me besimtarët në atë betejë. Të mjerët, e mendojnë këtë si një mirësi të Allahut për ta, e nuk e kuptojnë se çfarë kanë humbur nga shpërblimi i madh që ka durimi e qëndrueshmëria në flakën e luftës, si dhe nderimin e madh që ka dëshmori në rrugën e Zotit. Ndryshe ndodh me këta të poshtër kur besimtarët arrijnë ndonjë fitore. Allahu i Lartësuar thotë:

- Por nëse juve ju vjen ndonjë e mirë nga Allahu, ata, - a thua se mes jush dhe atyre nuk ekziston ndonjë lloj dashurie - me siguri do të thonë: “Ah, sikur të kisha qenë së bashku me ta e të kisha arritur një fitim të madh !” - Kështu nëse muslimanët fitojnë dhe marrin plaçkë lufte, këta sillen, siç thotë Allahu “... a thua se mes jush dhe atyre nuk ekziston ndonjë lloj dashurie...”, pra sillen si të mos ishin të nje feje me muslimanët. Ata thonë fjalë injorantësh, të tilla si: “Ah, sikur të kisha qenë së bashku me ta, të kisha fituar gjithë atë pasuri!” Ky është kufiri i synimeve të tyre: përfitimi material. Në vijim, i Madhëruari thotë: - Le të luftojnë (besimtarët) në rrugën e Allahut, kundër atyre që e preferojnë jetën e kësaj bote mbi botën tjetër. - Le të luftojnë kundër atyre që e shesin fenë për pak pasuri të kësaj bote. Këta të mjerë e bëjnë diçka të tillë veçse për shkak të mohimit të Zotit, i Cili ua ka mbyllur zemrat e tyre. Më pas, i Madhëruari thotë: - Kush lufton në rrugën e Allahut e vritet ose fiton, Ne, do t’i japim atij shpërblim të madh.” - Si ata që vriten, edhe ata që fitojnë në luftë, kanë shpërblim shumë të madh tek Allahu i Madhëruar. Në dy Sahihët vjen hadithi: 784. “Allahu i Madhëruar e ka siguruar muxhahidin në rrugën e Tij që, nëse vritet, ta fusë në Xhenet, ose kthejë në shtëpinë e vet me shpërblim të madh ose me plaçkën e luftës.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:71–4:74

Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit e Tij besimdrejtë që të ruhen dhe të jenë vigjilentë ndaj qafirëve. Kjo është porosi për të marrë të gjitha masat e mundshme për t’u ruajtur prej të keqes së tyre. Duhen shfrytëzuar të gjitha mënyrat për të qenë plotësisht në gjendje që t’i luftosh qafirët dhe që të mbrohesh nga të gjitha anët prej tyre. Në përgatitje hyjnë fortifikimi i vendit, mësimi i artit luftarak, mësimi i të gjitha mënyrave të mbrojtjes, njohja dhe zbulimi i çdo gjëje që ka lidhje me armikun, gatishmëria për të luftuar në rrugën e Zotit etj. Kështu, Zoti thotë:

- “O ju që keni besuar! Rrini në gatishmëri dhe dilni grup pas grupi ose të gjithë së bashku! ” – Kuptimi: Jini të gatshëm që të nisni luftën, qoftë në formë skuadrash të vogla, qoftë të gjithë së bashku, në varësi të nevojës dhe dobisë së Islamit dhe muslimanëve. Ky ajet është i ngjashëm me një ajet tjetër, ku thuhet: “Përgatituni kundër tyre me sa fuqi të keni, përfshirë kuajt e luftës, në mënyrë që t'i fusni tmerrin armikut të Allahut dhe armikut tuaj, si dhe të tjerëve, të cilët mund të mos i dini, por të cilët i di Allahu. Çfarëdo që të shpenzoni në rrugën e Allahut, ajo do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet aspak padrejtësi. ” [El enfal 60]. Pastaj Allahu i Lartësuar na flet rreth atyre që kanë iman të dobët e të cilët tregohen të plogësht ndaj luftës në rrugën e Tij. Ai thotë: - “Ka, sigurisht, prej jush që do të bishtnonin.” – Kuptimi: Janë disa prej jush, o besimtarë, të cilët tregohen të dobët, frikacakë dhe i bëjnë bisht xhihadit në rrugën e Zotit. Pra, sipas nesh, këtu bëhet fjalë për besimtarët me besim të dobët. Disa janë të mendimit se këtu flitet për ata që i nxisin të tjerët të mos luftojnë, domethënë për munafikët. Por shpjegimi i parë është më i saktë, për dy arsye: Së pari, Allahu i Lartësuar thotë: “ka disa prej jush...”, pra, Ai u drejtohet besimtarëve. Së dyti, Allahu i Lartësuar thotë: “...a thua se mes jush dhe atyre nuk ekziston ndonjë lloj dashurie.” Dhe dihet se Allahu i Lartësuar e ka larguar nga besimtarët dashurinë për qafirët dhe munafikët afërsinë me ta. Kësisoj, në këtë ajet nuk flitet për jobesimtarët dhe hipokritët. Pastaj, këtë fakt e vërteton edhe realiteti, sepse besimtarët ndahen në dy kategori: 1. Besimtarë të fortë, me besim të sinqertë dhe të plotë, që i bën ata të punojnë e luftojnë në rrugën e Zotit. 2. Besimtarë të dobët, që e kanë pranuar Islamin, por që kanë në zemër besim të vagët dhe të pamjaftueshëm për të luftuar në rrugën e Zotit. Ja si thotë i Lartësuari në një ajet: "Beduinët thanë: “Ne kemi besuar.” Thuaju: “Ju ende nuk keni besuar, prandaj thoni ‘Hymë në Islam’, sepse besimi nuk ka hyrë ende në zemrat tuaja. ”. [El huxhurat 14]. Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon arsyen e këtyre njerëzve me besim të dobët, duke na qartësuar se qëllimi i tyre i vërtetë është dynjaja dhe pasuritë e saj: - “E nëse ju godet ndonjë fatkeqësi, ata thonë: “Allahu më favorizoi që nuk isha bashkë me ta.”. ” – Pra, nëse besimtarët humbasin, lëndohen apo vriten në luftë, gjëra që ndodhin vetëm me lejen dhe urtësinë e Zotit, ata thonë: “Zoti na privilegjoi, që nuk ishim atje në luftë bashkë me ta.” Për shkak të imanit të tyre të dobët, ata mendojnë se mosmarrja pjesë e tyre në xhihad, – në të cilin mund të pësohet edhe disfatë, – është një mirësi nga Zoti. Ata nuk arrijnë ta kuptojnë se mirësia e vërtetë është pikërisht suksesi që të jep Zoti të marrësh pjesë në xhihad, në këtë adhurim kaq të madh, në të cilin kalitet imani i sinqertë dhe për shkak të të cilit njeriu sigurohet dhe shpëton njëherë e mirë nga ndëshkimi, dëshpërimi dhe humbja. Atij që i jepet shansi të marrë pjesë në një adhurim të tillë, me të vërtetë i është hapur një rrugë drejt shpërblimit të madh dhe kënaqësisë së Allahut të Lartësuar, Bujarit, Dhuruesit të çdo mirësie. Mosmarrja pjesë në xhihad, edhe pse mund t’i ofrojë njeriut një rehati të përkohshme, pas saj atë e pret një lodhje e gjatë, dhimbje të shumta e vuajtje të rënda dhe, veç këtyre, ai është i privuar nga ato mirësi që i janë premtuar vetëm luftëtarëve në rrugën e Zotit. Pastaj i Lartësuari thotë: - “Por nëse juve ju vjen ndonjë e mirë nga Allahu, ata, – a thua se mes jush dhe atyre nuk ekziston ndonjë lloj dashurie – me siguri do të thonë: “Ah, sikur të kisha qenë së bashku me ta e të kisha arritur një fitim të madh!”” – Pra, nëse besimtarët fitojnë në ndonjë luftë, atëherë edhe ata do të dëshironin të kishin marrë pjesë në atë luftë, me qëllim që të kishin përfituar edhe

ata prej plaçkës së kapur. Kështu, ata synojnë veç fitimin material të kësaj bote. - “a thua se mes jush dhe atyre nuk ekziston ndonjë lloj dashurie” – Pra, ata shprehen ashtu, sikur të mos ekzistonte mes tyre dhe besimtarëve ndonjë lidhje, siç është lidhja e besimit. Dihet se besimtarët janë si një trup i vetëm, që kujdesen për t’i mundësuar njëri -tjetrit çdo të mirë dhe për t’u ruajtur nga çdo e keqe. Ata gëzohen me të mirat që i mundësojnë bashkësisë së tyre dhe trishtohen për problemet që mund të kenë të tjerët. Të gjithë përpiqen që të arrijnë çdo gjë që rregullon çështjet e fesë dhe të jetës së tyre. Atëherë, ata të cilët dëshirojnë veç dynjanë nuk e kanë këtë solidaritet dhe dashuri të ndërsjelltë që duhet të kenë besimtarët e vërtetë. Megjithatë, Allahu i Lartësuar është shumë i Butë, i Dashur dhe i Mëshirshëm me robërit e Tij. Ai kurrë nuk ua këput shpresën dhe kurrë nuk ua mbyll portat e kthimit dhe afrimit tek Ai. Për këtë arsye, ata që bëjnë diçka jo të denjë për një besimtar, Ai i fton dhe i ndihmon që të plotësojnë dhe ndreqin mangësitë e tyre dhe ta përsosin veten me cilësitë e duhura për një besimtar. Kështu, i Lartësuari i urdhëron këta njerëz për sinqeritet dhe i nxit që të dalin e të luftojnë në rrugën e Tij: - “Le të luftojnë në rrugën e Allahut ata që e japin jetën e kësaj bote për botën tjetër. Kush lufton në rrugën e Allahut e vritet ose fiton, Ne, do t’i japim atij shpërblim të madh. ” - Ky është njëri nga kuptimet dhe shpjegimet e ajetit. Pra, Allahu i Lartësuar i fton të gjithë besimtarët, mes të cilëve edhe ata me iman të dobët, që të përpiqen të plotësojnë vetveten, të ndreqin gabimet dhe mangësitë e tyre, të kultivojnë sinqeritetin, si dhe të përpiqen e të luftojnë në rrugën e Tij. Kuptimi i dytë i ajetit është: Le të luftojnë në rrugën e Zotit besimtarët që kanë iman të plotë dhe të sinqertë, të cilët e shesin dynjanë, duke treguar mosinteresim për të, dhe kërkojnë ahiretin, për rëndësinë e madhe që ka ai në zemrat e tyre. Pra, vetëm atyre u drejtohet ky urdhër, sepse vetëm ata e përgatisin shpirtin e tyre për xhihad, ndërsa nxitësi është imani i tyre i plotë. Ndërsa ata që e kanë imanin e dobët dhe ngurrojnë që të luftojnë në rrugën e Zotit, ata nuk kanë ndonjë peshë: me ta është njëlloj, dalin apo jo në luftë, sepse nuk luajnë ndonjë rol, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “ Thuaj: “Besoni në atë (Kur'anin) apo jo, atyre që u është dhënë dituri (nga librat e parë) para tij, kur u lexohet (Kur'ani) lëshohen me fytyrë përdhe, duke bërë sexhde.”. Dhe thonë: “I Lartësuar qoftë Zoti ynë! Premtimi i Zotit tonë është përmbushur.”Ata lëshohen me fytyrë në tokë duke qarë dhe ai (Kur'ani) ua shton edhe më shumë përuljen. ” [Isra 107 - 109]. Disa të tjerë thonë se kuptimi i ajetit është: Le të luftojnë muxhahidët në rrugën e Allahut, ata të cilët e blejnë ahiretin duke shitur jetën e dynjasë. Pra, bëhet fjalë për të gjithë ata që luftojnë dhe përpiqen në rrugën e Zotit, duke zbatuar urdhrin e Tij dhe të Profetit të Tij, me sinqeritet të plotë vetëm për të kënaqur dhe adhuruar Atë, Zotin e

gjithësisë. Pra, kësaj kategorie luftëtarësh, nëse vriten ose nëse fitojnë betejat, Allahu i Lartësuar u premton shpërblim të madh. Nëse fitojnë luftën dhe shpëtojnë gjallë, atyre do t’u shtohet dhe do t’u plotësohet besimi, do të fitojnë plaçkë lufte, si edhe do të kenë emër të mirë mes njerëzve. Ndërsa në jetën tjetër, Zoti ka rezervuar për ta mirësi që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe zemra e askujt nuk i ka menduar e përfytyruar.

← Nisa 4:71