4. Nisa · Ajeti 77 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:71–4:81
Myslimanët u urdhëruan të jenë gjithnjë të përgatitur, të mos dalin një nga një e t'i befasojë armiku, por të dalin në grupe ose të gjithë së bashku. Munafikët nuk u bashkoheshin myslimanëve në luftëra, por nëse myslimanët fitonin, ankoheshin kinse nuk kanë ditur se edhe ata do të merrnin pjesë, edhe pse e kishin ditur, e kur dëmtoheshin myslimanët e quanin fat mospjesëmarrjen e tyre në luftë.
Lufta në rrugën e Allahut nuk është humbje, sepse ai që mbytet është dëshmor, kurse ai që shpëton, e ka ndihmuar përhapjen e drejtësisë, andaj edhe ai do të ketë shpërblim të madh. Banorët e Mekës ishin mizorë, ngase i torturonin të gjithë ata që kishin besuar Zotin një, e posaçërisht të paaftit, si pleqtë, gratë e fëmijët. Lufta kundër atyre mizorëve u bë e obligueshme. Myslimanëve u tërhiqet vërejtja që të mos frikohen nga vdekja, sepse asaj nuk mund t'i shpëtohet, e nëse vdiset në luftë, shpërblimi është shumë i madh.
Munafikët përpiqeshin t'ia mveshin Muhammedit fajin për të gjitha fatkeqësitë në mënyrë që t'i iritonin njerëzit nga ai. Kur'ani ua bëri të qartë se çdo e keqe është pasojë e vetë njeriut, ngase njeriu nuk përputh veprat e veta me ligjet e Zotit dhe mendon se dikush tjetër e ka fajin.
Të gjitha të mirat burojnë prej Zotit. Dërgimi i Muhammedit për të gjithë njerëzit është një e mirë prej Zotit, por Muhammedi ishte vetëm komunikues i porosive të Zotit, e jo edhe roje e dredhive që i bënin fshehtas munafikët. Mjafton që Allahu i di dredhitë e tyre dhe Ai do t'u japë llogarinë e merituar. Bindja ndaj Pejgamberit është njëkohësisht edhe bindje ndaj Allahut, ngase Ai dëshmoi se e ka dërguar për t'iu kumtuar njerëzve udhëzimet e Tij.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:77–4:79
- A nuk i ke parë (o Muhamed) ata të cilët u porositën: “Largoni duart tuaja prej luftës, faleni namazin dhe jepeni zekatin!?” Por kur iu bë detyrim lufta, një grup prej tyre iu frikësuan njerëzve ashtu si duhet t’i frikësohesh Allahut, madje edhe më shumë. - Në fillimet e Islamit, në Mekë, besimtarët ishin urdhëruar për faljen e namazit dhe dhënien e zekatit, edhe nëse nuk ishte plotësuar masa e nisabit. Ata ishin urdhëruar që të ndihmonin të varfërit. Gjithashtu, ishin urdhëruar të ishin të përmbajtur e durimtarë përballë mundimeve e dhimbjeve që u shkaktonin idhujtarët, edhe pse përbrenda digjeshin nga dëshira për të luftuar kundër tyre e për të shuar hakmarrjen për padrejtësitë që u bënin. Por në atë kohë, ata ishin të pakët në numër dhe të dobët në përgatitjen ushtarake për të luftuar armiqtë, përveç faktit që ndodheshin në qytetin e shenjtë të Mekes. Për këtë arsye, xhihadi u ligjërua veçse në kohën e Medinës, e cila tashmë ishte shteti i muslimanëve, me ushtri e përgatitje të mjaftueshme luftarake. Megjithatë, kur u urdhëruan për xhihad, disa prej tyre u trembën nga lufta dhe thanë: - Ata thanë: “O Zoti ynë! Pse na e bëre detyrim luftën? Sikur të na e kishe shtyrë pak më vonë!” - Po sikur ta kishe shtyrë detyrimin e luftës për një kohë tjetër! Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ibn Abasi: 785. “Abdurahman Ibu Aufi dhe disa nga shokët e tij, shkuan tek Profeti i Allahut, në Mekë dhe i thanë: “O Lajmëtari i Allahut! Ne ishim krenarë e të pacenueshëm nga njerëzit në kohën kur ishim idhujtarë, kurse tani që kemi besuar Allahun, përse të jemi të poshtëruar e të ulim kokën?!” Profeti i Allahut: “Unë jam urdhëruar për falje e durim, prandaj mos nisni luftë me ta!” Por, kur Allahu i Madhëruar i bëri vend Profetit në Medinë dhe e urdhëroi për luftë, disa u frenuan dhe iu shmangën luftës, prandaj Allahu i Madhëruar zbriti këto ajete.” Nesaiu, Hakimi dhe Ibn Merde uejhi sjellin prej Ali Ibn Hasen Ibn Shekikit një rrëfim të ngjashëm. Suddiju shpjegon: “Në fillim, ata nuk kishin detyra të tjera, përveç namazit dhe zekatit, ndaj i kërkuan Allahut që t'ua bënte detyrë luftën. Por kur Allahu ua bëri detyrë luftën, atëherë: “ ...një grup prej tyre iu frikësuan njerëzve, ashtu si duhet t’i frikësohesh Allahut, madje edhe më shumë. Ata thanë: “O Zoti ynë! Pse na e bëre
detyrim luftën? Sikur të na e kishe shtyrë pak më vonë!”. Me fjalën “më vonë”, ata nënkuptonin vdekjen. Pra, nuk do të donin t'u bëhej detyrë lufta, sa të kishin jetë.” - Thuaju: “ Kënaqësitë e kësaj bote janë të pakta; Bota tjetër është shumë më e mirë për ata që janë të devotshëm. Juve nuk do t’ju bëhet padrejtësi aspak.” Përkundrazi, do t'ju jepet shpërblimi i veprave tuaja i plotë e i pacenuar. Kjo është një nxitje për të menduar e përpjekur më shumë për ahiretin dhe për të mos u shqetësuar për stolitë e kësaj bote. Allahu i nxit besimtarët për xhihad në rrugën e Tij. Ebu Mis'hari gjithmonë citonte këto vargje: Nuk ka hajër njeri në këtë jetë, nëse Allahu pjesë nuk i ka bërë në ahiret. Le ta dijë ai që dynjanë ka pasion, ajo është mashtruese, shpejt vjen e shkon! Në vijim i Lartësuari thotë: - Kudo që të jeni, vdekja do t’ju arrijë - Që të gjithë do të vdisni një ditë, dhe kjo është e paevitueshme, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen.” [Al Imran 185]. Për çdo njeri është shkruar exheli i tij në mënyrë të prerë. Koha e qëndrimit të tij në këtë jetë është e përcaktuar qartë. - Edhe në qofshi në kështjellat më të forta. - Edhe në qofshi në fortifikatat më të mbrojtura e të ruajtura, asnjë lloj mase e përkujdesi nuk mund t’ju shpëtojë nga vdekja. Zuhejr Ibn Ebu Sulemi thotë: Kush kërkon mënyra që vdekjes t’i ikë, Ajo do ta kapë, edhe sikur në qiell të hipë. Në vijim, i Lartësuari thotë: - Sa herë që u vjen ndonjë e mirë, ata thonë: “Kjo është nga Allahu.”. - Fjala “e mirë” ka për qëllim bollëkun, rizkun, fryte e begati në punë, në të mbjella, fëmijë etj. Pra, kur u jepen të tilla mirësi, ata thonë: “Kjo është nga Allahu.”. - Por nëse i godet ndonjë e keqe, thonë: “Kjo është nga ti (O Muhamed) !”. – Kjo na erdhi për shkak të pasimit të rrugës dhe fesë tënde, o Muhamed. Po kështu na tregon Allahu rreth Faraonit dhe pasuesve të tij: “Kur vinin kohë të mira, ata thoshin: “Kjo është, thjesht merita jonë”. E, kur i godiste ndonjë e keqe, atë e konsideronin si ogur të zi që shkaktohej nga prania e Musait dhe e atyre që ishin me të. Në fakt, fatkeqësitë u vinin nga Allahu (për gjynahet e tyre) , por shumica e tyre nuk e dinin.” [Araf 131]. E tillë ishte edhe gjendja e këtyre munafikëve, të cilët u shfaqën si muslimanë, edhe pse në vete e urrenin atë. Kur u vinin të mira në pasurinë, të mbjellat e pasardhësit e tyre, e shihnin këtë si mirësi që ua jepte Allahu. Por nëse ndodhte e kundërta, si thatësira humbja e pasurisë dhe e të mirave materiale, e konsideronin si fat të zi që vinte nga Muhamedi dhe feja e tij. Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: - Thuaju: “Të gjitha janë nga Allahu!” - Çdo gjë ndodh me caktimin dhe me vullnetin e Zotit. Vendimi i Zotit zbatohet mbi të gjithë, si mbi të këqinjtë, ashtu edhe mbi të mirët, si mbi besimtarin, ashtu edhe mbi qafirin. Duke shpjeguar fjalën e Allahut: “Të gjitha janë nga Allahu!”, Ibn Abasi thotë: “Pra, si e mira, edhe e keqja janë prej Allahut dhe caktimit të Tij.” - Ç’është me këta njerëz që nuk kuptojnë asgjë? - Kështu, Allahu i Lartësuar i qorton këta njerëz, që thoshin të tilla fjalë, të cilat vinin si pasojë e dyshimit e pasigurisë në zemrat e tyre, si dhe mungesës së diturisë dhe forcës së tyre të dobët arsyetuese. Ata ishin njerëz të zhytur në injorancë dhe padrejtësi. Në vijim, Allahu i drejtohet Profetit, por ka për qëllim llojin njerëzor, në mënyrë që njeriu të arrijë të kuptojë të vërtetën për këtë çështje. Ai thotë: - O njeri! Çdo e mirë që të vjen ty është nga Allahu - Çdo e mirë të vjen nga mirësia, bujaria, butësia dhe mëshira e pakufishme e Allahut. - ndërsa çdo e keqe që të godet është nga vetja jote. - E keqja vjen nga ana jote dhe shkaktohet nga vetë punët e tua, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar: “Çfarëdo e keqe që ju godet, është pasojë e veprave tuaja dhe për shumë të tjera, Ai ju fal.” [Shura 30]. Në hadith të saktë thuhet: 786. “Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Çdo
shqetësim e ankth që e kap besimtarin, çdo lodhje e mundim, madje edhe një gjemb nëse e shpon, Allahu ka për t’i falur për këtë shkak gjynahet e tij.” Ibn Ebu Hatimi sjell thënien e Mutarrif Ibn Abdilahit: “E çfarë kërkoni ju në lidhje me caktimin e Zotit?! A nuk ju mjafton juve fjala e Allahut në suren Nisa: “Sa herë që u vjen ndonjë e mirë, ata thonë: “Kjo është nga Allahu...” - deri tek fjala e tij: “...ndërsa çdo e keqe që të godet është nga vetja jote.”?! Pra, e keqja të vjen nga veprat e tua. Betohem në Allahun se ata nuk mund të arsyetohen me kaderin e Zotit, ndërkohë që Ai u ka dhënë urdhëresa e ndalesa për t'iu përmbajtur. Por, le ta dinë se të gjithë sipas caktimit të Zotit do të veprojnë. Kjo është një fjalë shumë e thellë dhe plotë mësime të vyera në çështjen e besimit në kaderin e Zotit që nuk është ky momenti i shtjellimit të saj. Kjo është një fjalë që hedh poshtë besimin e kaderive dhe xhebrive gjithashtu. 183 Në vijim, i Lartësuari thotë: - Ne të dërguam ty (O Muhamed) si Profet për mbarë botën. - Të dërguam që t'u kumtosh atyre Shpalljen e Ligjin e Allahut. T’u tregosh e mësosh ato vepra që Ai i do dhe i pëlqen prej nesh, dhe ato vepra që Ai i urren dhe na i ka ndaluar. - Mjafton që Allahu është dëshmitar për këtë. - Allahu dëshmon se është pikërisht Ai që të dërgoi ty si profet. Ai është dëshmitar për besnikërinë tënde në kumtimin e Shpalljes popullit tënd. Ai e di mirë dhe dëshmon për refuzimin dhe mosbesimin e tyre me inat e kokëfortësi.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:77
- “A nuk i ke parë (o Muhamed) ata të cilët u porositën: “Largoni duart tuaja prej luftës, faleni namazin dhe jepeni zekatin!?”” - Kur ishin në Mekë, para hixhretit, besimtarët ishin të urdhëruar vetëm për namaz e zekat, me kuptimin e përgjithshëm të fjalës “zekat”, pra, për të ndihmuar të varfërit, jo për zekatin e njohur në Islam, që ka kushtet dhe rregullat e caktuara e i cili u bë i detyrueshëm pas emigrimit në Medine. Kështu, në fillim, besimtarët nuk ishin urdhëruar për xhihad, për arsye e urtësi të shumta. Allahu, me urtësinë e Tij, i ka sjellë ligjet gradualisht, në atë mënyrë që njerëzve të mos u bien rëndë. Ai ka filluar së pari me rregullat më të rëndësishme e më të thjeshta. Nëse Allahu i Lartësuar do t’i urdhëronte besimtarët për luftë, ndërkohë që numri i tyre ishte shumë i vogël dhe mundësitë e tyre të pakta, ndërsa armiqtë ishin të shumtë në numër, atëherë kjo do të shkaktonte tretjen dhe zhdukjen e Islamit. Pra, iu dha përparësi dobisë më të madhe, kundrejt asaj më të vogël. Përveç kësaj, ka edhe urtësi të tjera. Disa besimtarë dëshironin të luftonin që në fillim, por ai nuk ishte momenti për luftë. Së pari, ata duhet të përpiqeshin të plotësonin më së miri detyrimet që kishin, si: teuhidin, faljen e namazit, dhënien e zekatit etj., siç thotë i Lartësuari disa ajete më lart: “ Sikur Ne t’i urdhëronim ata të flijonin veten, ose të linin shtëpitë e tyre, shumë pak prej tyre do ta bënin këtë. Sikur
të vepronin ashtu siç këshilloheshin, kjo do të kishte qënë më e mira për ta dhe një përforcim më i madh (në besimin e tyre) . Atëherë, Ne, do t’u jepnim atyre shpërblim të madh nga ana Jonë dhe do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë. Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata, të cilëve Allahu u ka dhuruar mirësi të shumta - me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me vepërmirët. Sa shokë të mirë janë ata! Ky është shpërblimi që vjen prej Allahut dhe mjafton që Allahu Di gjithçka.” [Nisa 66 -68]. Por pas emigrimit në Medinë, kur Islami u fuqizua dhe kur atyre iu bë detyrë lufta, atëherë: - “Por kur iu bë detyrim lufta, një grup prej tyre iu frikësuan njerëzve ashtu si duhet t’i frikësohesh Allahut, madje edhe më shumë. ” - Pra, disa prej atyre që më përpara e kërkonin me ngulm luftën, filluan të thonë nga frika e dobësia: “O Zoti ynë, pse na e bëre detyrim luftën?” Kjo tregonte pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit të Zotit, ndërkohë që detyrë për ta ishte e kundërta. Për besimtarët është detyrë që t’u dorëzohen dhe t’u nënshtrohen urdhrave të Zotit, duke qenë të durueshëm, korrektë dhe të sinqertë në zbatimin e tyre. Por ata vepruan të kundërtën, duke thënë: - “Ata thanë: “O Zoti ynë! Pse na e bëre detyrim luftën? Sikur të na e kishe shtyrë pak më vonë!”” - Kështu ka ndodhur në të shumtën e rasteve me ata që kanë kërkuar nga Zoti diçka para kohës së vet. Në momentin kur Zoti ua ka bërë detyrë atë që e kërkonin me ngut, ata janë sprapsur dhe nuk e kanë patur vullnetin për ta plotësuar. Prandaj Zoti i Lartësuar i ka paralajmëruar këta njerëz që të ruhen nga të tilla sjellje, të cilat të bëjnë të mos kesh durim dhe qëndrueshmëri në rrugën e Tij. - “Thuaju: “Kënaqësitë e kësaj bote janë të pakta; Bota tjetër është shumë më e mirë për ata që janë të devotshëm. Juve nuk do t’ju bëhet padrejtësi aspak. ” - Kënaqësitë e kësaj bote janë të vogla dhe të shkurtra. Nga ana tjetër, vështirësitë në rrugën e Zotit janë mëse të përballueshme për njeriun, sidomos kur kujton se ato nuk kanë për të zgjatur shumë. Ahireti është i pakrahasueshëm me dynjanë në kënaqësitë që ofron dhe në çdo aspekt tjetër. Vlera e ahiretit është ashtu sikurse e ka përshkruar Profeti (a.s.): “Një copë vend në Xhenet sa gjurma që lë një shkop në tokë është më e mirë sesa gjithë dynjaja dhe ç’ka në të”. Kënaqësitë e Xhenetit janë të plota dhe për t’i arritur ato nuk nevojitet lodhje. Në fakt, ato as që mund të përfytyrohen. Çdo kënaqësi e përfytyruar ndonjëherë nuk mund as t’i përafrohet kënaqësive të Xhenetit, sikurse ka thënë i Lartësuari: “Askush nuk di për atë kënaqësi (të zemrës e të shpirtit) , që u është caktuar atyre si shpërblim për veprat e tyre të mira (në dynja) .” [Sexhde 17]. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar, nëpërmjet Profetit të Tij, na ka njoftuar se ka thënë: “Unë kam përgatitur për adhuruesit e Mi punëmirë atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe që zemra e njeriut nuk e ka ëndërruar”. 28 Ndërsa kënaqësitë e dynjasë arrihen veçse me vështirësi dhe lodhje. Po ashtu, nëse krahasojmë çastet e kënaqësisë së dynjasë me momentet e ankthit, trishtimit, lodhjes dhe mërzitisë në të, do të vërejmë se çastet e kënaqësisë janë shumë herë më të pakta. Kjo botë vetë është e përkohshme dhe jeta e njeriut në të është akoma më e shkurtër. Ndërsa mirësitë e ahiretit janë të përjetshme dhe banorët e tij janë të përjetshëm atje. Kështu, nëse njeriu do të gjykonte qetësisht për të krahasuar mes dynjasë dhe ahiretit, do të bënte patjetër zgjedhjen e duhur. Ai do t’i jepte përparësi ahiretit dhe do të luftonte për të arritur shpërblimin e atjeshëm. Kjo është arsyeja që edhe i Lartësuari na nxit që të punojmë për arritjen e atij duke u bërë të devotshëm: “ Bota tjetër është shumë më e mirë për ata që janë të devotshëm. Juve nuk do t’ju bëhet padrejtësi aspak. ” Pra, nëse ruhemi nga shirk-u dhe çdo gjynah tjetër dhe zbatojmë porositë e Tij, atëherë kemi pa dyshim premtimin për Xhenetin, pa na u bërë asnjë padrejtësi. Çdo përpjekje që bëjmë për ahiretin do ta gjejmë të plotë atje.