40. Gafir · Ajeti 1 · Tefsir

Hyrja e sures Gafir Sherif Ahmeti

E zbritur në Meke, pas sures Ez Zumer, ajete: 85

Si pjesë e Kur'anit të shpallur në Meke, edhe kjo sure parashtron çështje të besimit, çështjen e të drejtës dhe të kotës.

Fillon me përshkrimin e cilësive të larta të Zotit, me argumentet e Tij të mëdha, e pastaj u kthehet kundërshtimeve që i bënë jobesimtarët ndaj fakteve të Allahut, edhe pse ato fakte ishin të qarta për mendjen e shëndoshë e pastaj u bën një vështrim edhe ndëshkimeve, të cilat i përjetuan ata kundërshtarë.

Në mesin e asaj atmosfere të tmerrshme, të cilën do ta përjetojnë kundërshtarët, paraqitet një skenë rreth Hameletul Arshit - engjëjve kujdestarë ndaj Arshit të Zotit, rreth adhurimit që ia bëjnë dhe i luten Zotit.

Përshkruhen edhe disa momente të ditës së kijametit, të gjendjes së njerëzve në ato çaste, në të cilat nga frika e tmerri u vjen shpirti në fyt, dhe nën ato rrethana, secili njeri do të gjejë shpërblimin me çka ka punuar, mirë ose keq.

I bëhët një vështrim edhe dallimit mes besimit e arrogancës, dallim i cili fitohet përmes rrëfimit të thirrjes së Musait që i bëri faraonit mizor dhe në këtë rrëfim hasim në një kaptinë të re e cila nuk është përmendur në rrëfimet e tjera të Musait, kaptina rreth besimtarit nga familja e faraonit, i cili besimin e mbante fshehtë por me butësi e maturi ngriti zërin për të drejtën, e kundër të shtrembërës.

Quhet: "Suretu Gafir" - kaptina e mëkatfalësit, ngase në fillim të sures Zoti e përmend këtë atribut të vetin të bukur, madje këtë e përmend edhe ai njeri besimtar, kur thotë: Po u thërras te besimi në Zotin fuqiplotë e që shumë falë mëkatet.

Quhet edhe Suretu mumin - pse përmendet tregimi për atë njeriun besimtar.

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 40:1–40:12

Kur'ani është shpallje e Zotit fuqiplotë e të gjithdijshëm. Zoti është që shlyen mëkatet, që pranon pendimet, që dhuron të mira pa masë. Është edhe ndëshkues i rreptë kundër kokëfortëve, por si po shihet, është më shumë mëshirues se sa ndëshkues.

Njeriu nuk duhet mashtruar me ato kënaqësi që i përjetojnë jobesimtarët në këtë jetë, ato janë pak dhe të përkohshme. Edhe popujt e hershëm si ai i Nuhut e të tjerë, nuk i besuan pejgamberët, u përpoqën t'i mposhtin, ta asgjësojnë të vërtetën, po i gjeti më e keqja, e ashtu do t'i gjejë edhe mekasit.

Melaiket më të larta e besojnë, e madhërojnë Allahun, e disa njerëz e mbajnë veten lart, andaj do të jenë në zjarr.

Melaiket e lusin për besimtarët që t'u falë gabimet dhe t'i shpërblejë me xhennet, por e lusin edhe për familjet e tyre, ashtu që të jenë edhe më të kënaqur kur t'i kenë pranë vetes.

Melaiket janë kujdestarë të Arshit dhe të çdo gjëje, ata rregullojnë të gjitha çështjet në ekzistencë sipas urdhërit të Zotit.

Idhujtarët nuk deshën ta besojnë Zotin një, sa ishin në këtë jetë, andaj kundër vetes tërhoqën urrejtjen e Zotit, e kot është mjerimi kur ta shohin dënimin.

Dy vdekje janë: të vdekur para se të lindën dhe kur merr fund jeta në këtë botë. Dy ngjallje janë: kur njeriu lindet dhe kur ringjallet pas kësaj jete.

Idhujtarët është dashur ta dinë sa ishin në dynja, se vetëm Zoti është Ai që komandon me çdo gjë, e jo idhujt, pendimi i tyre në botën tjetër është i kotë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 40:1–40:3

- “Ha, Mim.” - Për sa i përket germave në fillim të sures, kuptimi i tyre është shtjelluar hollësisht në suren Bekare. Ebu Daudi sjell rrëfimin nga El Mihleb Ibn Ebu Safrate, që thotë: “Më ka treguar dikush, i cili e ka dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: 2295. “Nëse sulmoheni (nga armiku) natën, thoni: “Ha mim, lâ junsarun” (Ha, mim! Nuk kanë për të fituar).” 16 Ky është një isnad i saktë. - “Shpallja e këtij Libri është prej Allahut, Ngadhënjimtarit, të Gjithëditu - rit …” - Zbritja e Kuranit është bërë prej Allahut, Zotëruesit të të gjithë krenarisë dhe diturisë. Atij nuk mund t’i cenohet kurrë krenaria dhe nuk mund t’i fshihet asnjë gjë, sado të shumta dhe të dendura të jenë mbulesat që e fshehin atë. - “Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit …” - Është Ai që i mbulon gjynahet që kanë kaluar dhe premton se e pranon pendimin edhe për gjynahet në të ardhmen, për ata që gjithmonë pendohen sinqerisht, duke u thyer përunjësisht tek Ai. - “... që ndëshkon ashpër ...” - I tillë është Allahu për të gjithë ata që rebelohen dhe shkelin kufijtë e Tij, ata që nuk nënshtrohen të përmbushin urdhëresat e Tij. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar në ajetin tjetër: “Thuaju robërve të Mi se vërtet, Unë jam Falësi i Madh e Mëshirëplotë. Por edhe dënimi Im është i dhembshëm.” [Hixhr 49, 50]. Allahu i Madhëruar i përmend së bashku këto cilësi të Tij në ajete të shumta në Kuran, në mënyrë që robi të jetojë gjithmonë mes shpresës dhe frikës. - “... por është dhe Bamirës i madh.” - Ibn Abasi shpjegon: “ Dhit-tauli domethënë Zotëruesi i mirësive të shumta. Kjo tregon se Ai është Bamirës ndaj robërve të Tij. është Ai që derdh mirësi të panumërta mbi robërit e Tij, të cilët kurrsesi nuk munden që t’i tregojnë Atij mirënjohjen e mjaftueshme, qoftë edhe për një mirësi të vetme, me të cilën i ka begatuar. I Lartësuari thotë: “Ai ju jep nga gjithçka që kërkoni. Edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i numëroni ato. Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë mosmirënjohës.” [Ibrahim 34]. Në vijim, Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar thotë: - “Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij ...” - Nuk ka të adhuruar tjetër me

meritë në Tokë dhe as në qiejt e lartë, përveç Tij. Ai është i vetëm dhe pa ortak në këtë meritë. - “... dhe tek Ai do të kthehen të gjithë.” - Tek Ai do të jetë kthimi, që secilin ka për ta shpërblyer sipas asaj që ka punuar. I Lartësuari thotë: “... Allahu gjykon dhe askush nuk mund ta kundërshtojë gjykimin e Tij. Ai është i Shpejtë në llogari.” [Rad 41]. Ibn Ebu Hatimi sjell rrëfimin nga Zejd Ibn Esami, se një burrë prej Shamit, që ishte shumë i ashpër dhe i vrazhdë, e vizitonte shpesh Umer Ibn Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Njëherë, Umeri e ndjeu mungesën e tij dhe pyeti: “Ku është filani, i biri i filanit?” Ata i thanë: “O udhëheqësi i besimtarëve! Ai nuk shkëputet dot prej pijes.” Atëherë, Umeri thirri shkruesin e tij dhe e urdhëroi që të shkruante: “ Prej Umer Ibn Hatabit, drejtuar filanit të birit të filanit. Paqja qoftë mbi ty! Unë e lavdëroj Allahun, që nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij! Ai është Falësi i gjynaheve dhe Pranuesi i pendimit, që ndëshkon ashpër, por është dhe Bamirës i madh. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë. ” Pastaj u tha shokëve të tij: “Luteni Allahun për vëllain tuaj, që të pendohet thellësisht me zemër dhe me sinqeritet për Allahun dhe që Allahu i Madhëruar t’ia pranojë pendimin.” Kur i shkoi mesazhi i Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), burri e lexoi dhe filloi ta përsëriste dhe përsëriste. Pastaj tha: “Ai është Falësi i gjynaheve dhe Pranuesi i pendimit, që ndëshkon ashpër, por është dhe Bamirës i madh.” Vërtet më paralajmëroi për ndëshkimin e Tij, por edhe më premtoi që do të m’i falë gjynahet.” Në variantin e sjellë nga Ebu Neimi thuhet: “Ai vazhdoi t’ia përsëriste këtë ajet vetes së tij dhe qante, derisa hoqi dorë prej gjynaheve e pijes, duke u përmirësuar. Kur Umeri mësoi se çfarë kishte ndodhur, tha: “Kështu veproni nëse shihni vëllain tuaj që rrëshqet! Drejtojeni atë, këshillojeni dhe luteni Allahun që t’ia bëjë mbarë pendimin dhe t’ia pranojë atë. Mos ndihmoni shejtanin e mallkuar kundër vëllait tuaj!”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 40:1–40:3

- “Ha, Mim! Shpallja e Librit është prej Allahut, Ngadhënjimtarit, të Gjithëditurit, Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që ndëshkon ashpër, si dhe prej Dhuruesit e Bamirësit të madh.” – Në ajet flitet për Shpalljen e Allahut të Madhërishëm, për Librin e Tij. Kur'ani është Shpallja e të Madhëruarit, të vetmit që meriton adhurimet, sepse Ai është i vetmi Absolut, i Plotë, i Pakrahasueshëm dhe i Pashembullt në veprat e Tij. Allahu është El Azizu – Krenari, Ngadhënjimtari, i Cili, me krenarinë e Tij, ka nënshtruar e mposhtur çdo krijesë. Ai është El Alim - i Gjithëdituri, Gafiru Dhenbi - Falës i gjynaheve për ata që gabojnë e Pranues i pendimit për ata që pendohen. Por Allahu është edhe Shedidul Ik âb - Ndëshkues i

rreptë për këdo që ka paturpësinë të zhytet në gjynahe dhe nuk pendohet prej tyre. Ai është Dhuttauli - Dhurues e Bamirës i madh, i Cili ka përfshirë gjithçka me bamirësinë e Tij. Pas gjithë këtyre pohimeve për Veten e Vet, Allahu i Madhëruar tregon se është i vetmi që meriton adhurimin dhe të Cilit duhet t’i përkushtohen veprat me sinqeritet të plotë: - “Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë.” - Ekziston një lidhje e ngushtë mes faktit që Kur'ani është shpallur prej Allahut dhe përmendjes së këtyre emrave dhe cilësive të Tij të mrekullueshme. Këta emra e cilësi janë pikërisht lënda që përmban dhe shtjellon Kur'ani i shpallur nga i Madhërishmi, sepse Kur'ani është: 1. ose prezantim i emrave, cilësive dhe veprave të Allahut, sikurse ndodh në fillim të kësaj sureje; 2. ose rrëfim i ngjarjeve të panjohura, që i përkasin së shkuarës e së ardhmes, të cilat vijnë nga i Gjithëdituri; 3. ose përshkrim i mirësive e begative të mëdha të premtuara nga i Madhërishmi, duke treguar urdhrat e porositë nëpërmjet të cilave arrihen këto mirësi, të cilat, në ajetin e mësipërm, i gjen te dhënia e emrit të Tij Dhuttauli - Dhurues e Bamirës i madh, sepse nuk ka mirësi më të madhe për robtë, sesa Shpallja nga Mëshirëploti. 4. Në Kur'an tregohet, gjithashtu, rreth zemërimit të Zotit dhe ndëshkimit të ashpër të Tij, si edhe rreth atyre veprave që e shkaktojnë atë. Në ajetin në fjalë, këtë e tregon emërtimi Shedidul Ikab. 5. Kur'ani është ftesë drejtuar gjynahqarëve e gabimtarëve për pendim dhe kërkim faljeje. Në ajet, për këtë tregon emërtimi Gafiru Dhenbi - Falës i Madh i gjynaheve. 6. Kur'ani është pohim i faktit se Allahu është i vetmi Zot, që meriton dashurinë dhe madhërimin prej krijesave, duke sjellë për këtë të vërtetë argumente të shumta, duke ndaluar nga adhurimi i çdo gjëjë tjetër veç Allahut e duke dëshmuar se sa padrejtësi e madhe është idhujtaria, për ta urryer atë dhe për të kërcënuar ata që e ushtrojnë. Në ajetin në fjalë, këtë tregon fragmenti: “ Lâ ilâhe il-lâ hû” - “Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij”. 7. Kur'ani tregon, gjithashtu, ligjin e shpërblimit me drejtësi të Allahut, nëpërmjet të cilit Ai shpërblen vepërmirët dhe ndëshkon gjynaqarët e pabindur. Në ajetin e mësipërm, këtë tregon fjala e Tij: “...dhe tek Ai do të kthehen të gjithë”. Këto janë synimet e larta dhe çështjet e rëndësishme të Kur'anit që përbëjnë lëndën e tij.

← Gafir 40:1