40. Gafir · Ajeti 18 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 40:13–40:22

Allahu, nga mëshira e vet, u ka mundësuar njerëzve t'i shohin dhe t'i zbulojnë faktet, të I cilat argumentojnë për fuqinë e Tij të pakufishme, por çdo sy dhe çdo mendje nuk është në gjendje t'i shohë e as t'i kuptojë ato, andaj besimtarët, të cilët ia njohin cilësitë e Zotit, le ta adhurojnë Atë sinqerisht edhe pse të tjerëve u vjen keq për atë adhurim. Zoti, që është sunduesi më i lartë, i zoti i Arshit, ia jep shpalljen atij që do, e urdhëron që I t'u tërheqë vërejtjen për ditën e kijametit, për ditën që i tërë sundimi është në duart e Tij, e mëkatarëve do t'u vijë shpirti në fyt nga frika e dëshprimi, pse Zotit nuk mund t'i fshihet asgjë dhe para drejtësisë së Tij çdokush do të jetë i gjunjëzuar. - Arshi i Zotit përmendet në shumë vende në Kur'an, ai ësht fron i Zotit, por si dhe çfarë është ai, ne nuk jemi në gjendje ta përshkruajmë, nuk jemi në gjendje t'i përshkruajmë fronet e sunduesve të botës, e po jemi për atë të Zotit?! E, besojmë ashtu si thuhet në Kur'an, ngase mendja e njeriut I nuk është në gjendje të depërtojë deri në një aso fshehtësie, andaj, çdo shpjegim rreth Arshit i të Zotit, i cili nuk është i mbështetur në ndonjë thënie të Pejgamberit, është vetëm hamendje.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 40:18–40:20

- “Paralajmëroji ata për Ditën që afrohet gjithnjë e më shumë ...” - Jeumul âzifeti është një prej emrave të Ditës së Kijametit, për shkak të afrimit të saj, siç ka thënë i Lartësuari në ajetin tjetër: “E afërta është afruar. Askush nuk mund ta largojë atë, veç Allahut.” [Nexhm 57, 58]. Ose: “U afrua Ora dhe Hëna u ça.” [Kamer 1]. Ose: “Gjithnjë e më shumë po u afrohet njerëzve Dita e Llogarisë, por ata nuk i kushtojnë vëmendje dhe i shmangen (besimit të vërtetë).” [Enbija 1]. Ose: “Erdhi urdhri i Allahut (Kijameti). Pra, mos e kërkoni ngutjen e tij! I Pastër (nga çdo mangësi) dhe i Lartësuar është Ai në krahasim me atë (idhujt) që ata i shoqërojnë.” [Nahl 1]. Ose: “Kur ta shohin atë (dënimin) që u afrohet, fytyrat e jobesimtarëve do të shëmtohen. Atyre u thuhet: “Ky është ai që ju kërkonit ta shihnit me sy.”” [Mulk 27]. - “... kur zemrat do të vijnë në fyt për t'u zënë frymën.” - Katadja shpjegon dhe thotë se, prej frikës, zemrat do të ngjiten lart tek fyti dhe as nuk do të dalin dhe as nuk do të ulen poshtë, për të qëndruar në vendin e tyre. Lidhur me fjalën “ kadhimin”, thuhet se ka kuptimin “... për t'u zënë frymën.” Imam Ibn Kethiri thotë se ka kuptimin: “të heshtur”. Pra, askush nuk flet e nuk guxon të flasë, veçse me lejen e të Madhëruarit, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Atë ditë, Xhibrili dhe melekët do të

qëndrojnë të rreshtuar. Askush nuk mund të flasë, veç atij që e lejon i Gjithëmëshirshmi dhe që thotë të vërtetën.” [Nebe 38]. Ndërsa Ibn Xhurejxhi thotë se ka kuptimin: “... duke qarë.” - “Për keqbërësit nuk ka mik të afërt e as ndërmjetësues, që i shkon fjala. ” - Kjo ndodh me ata të cilët e kanë shkatërruar veten e tyre nëpërmjet idhujtarisë, duke i shoqëruar Allahut idhuj dhe partner: nuk do të ketë asnjë mik të afërt, që t’ju sjellë ndonjë dobi dhe as ndërmjetësues të pranuar për ta. Atyre iu mbyllet çdo rrugë shpëtimi, ndihme dhe mirësie. - “Allahu e di shikimin e hedhur fshehtas dhe për gjithçka që fshehin zemrat. ” - Krenari dhe i Lartësuari na tregon diturinë e Tij të plotë e gjithëpërfshirëse. Ai ka përfshirë me diturinë e Tij absolute çdo gjë, si ato të dukshmet e të mëdhatë, ashtu edhe ato të fshehtat dhe më të imëtat, me qëllim që të paralajmërojë njerëzit dhe ata të turpërohen e t’i frikësohen Atij ashtu si Ai e meriton; që ata ta ndiejnë mbikëqyrjen e Tij e të jenë të sigurt për të, duke mos pasur asnjë dyshim në shikimin gjithpërfshirës t ë Zotit. Allahu Krenar dhe i Lartësuar e di mirë për sytë tinzarë, edhe nëse hiqen si të dëlirë. Ai e di mirë se çfarë fshehin robërit në skutat më të thella të shpirtit. Ibn Abasi, në lidhje me këtë ajet, thotë se ai bën fjalë për atë burrë që shkon vizitë në ndonjë shtëpi, ku ndodhet ndonjë grua e bukur e tërheqëse dhe, kur njerëzit e shtëpisë janë të pavëmendshëm, ai i hedh sytë asaj femre, por kur ata janë të vëmendshëm, ai ul shikimin. Sa herë që ata heqin vëmendjen, ai e sheh. Por Allahu e di mirë dhe sheh në zemrën e tij se, nëse do të mundej, do të shihte atë që nuk i lejohet ta shohë. Kështu e sjell Ibn Ebu Hatimi. Ndërsa në lidhje me fjalën “... dhe për gjithçka që fshehin zemrat ...”, Ibn Abasi thotë: “Pra, Allahu e di mirë, nëse do të mundeshe, a do të bëje zina me të apo jo.” Ndërsa Sudiju thotë që bëhet fjalë për vesveset. - “Allahu gjykon me të vërtetën ...” - Allahu gjykon me drejtësi të plotë. Eameshi përcjell nga Said Ibn Xhubejri, e ky nga Ibn Abasi, i cili, duke shpjeguar këtë ajet, ka thënë: “Ai është i plotpushtetshëm që të shpërblejë atë që bën punë të mira me mirësi dhe atë që bën punë të këqija me ndëshkim.” Ky shpjegim i sjellë nga Ibn Abasi për këtë ajet është i ngjashëm me ajetin tjetër, ku i Lartësuari thotë: “Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai ka për t'i dënuar ata që bëjnë keq sipas veprave të veta e ka për t’u dhënë shpërblimin më të mirë atyre që bëjnë vepra të mira. Për ata që largohen prej gjynaheve të mëdha dhe poshtërsive, përveç ndonjë gjynahu të vogël, s’ka dyshim se Zoti yt e ka faljen të gjerë. Ai di gjithçka rreth jush, qysh kur e filloi krijimin tuaj nga dheu dhe qysh kur ishit fetus në bark të nënës suaj. Atëherë, mos e mburrni veten, sepse Ai e di më mirë se cili është, vërtet i devotshëm.” [Nexhm 31, 32]. - “... ndërsa ata që adhurohen veç Tij, nuk kanë në dorë të gjykojnë për asgjë. ” - Pra të gjitha ato puta, shtatore, idhuj dhe partnerë, që ata ia shoqërojnë Zotit, nuk kanë asgjë në dorë e nuk kanë asnjë meritë për t’u adhuruar. Ato nuk mund të gjykojnë për asnjë çështje dhe për asgjë. - “Me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.” - Ai dëgjon të gjitha fjalët e krijesave të Tij dhe sheh gjithçka të tyre. Ai udhëzon ose lë në humbje atë që Ai dëshiron. Ai është gjykuesi më i drejtë në të gjitha këto çështje.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 40:18–40:20

Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit të Tij, Muhamedit (a.s.), që t’i këshillojë dhe paralajmërojë njerëzit për t’u përgatitur për Ditën e Kijametit, e cila – ashtu sikurse e përshkruan Allahu – afrohet gjithnjë e më shumë. Tronditja, tmerret dhe vështirësitë e saj janë shumë pranë. - Paralajmëroji ata për Ditën që afrohet gjithnjë e më shumë, kur zemrat do të vijnë në fyt për t'u zënë frymën. - Nga tmerri i madh atë ditë, zemrat do të ngrihen deri në fyt, ndërsa gjoksi do t’u zbrazet. Vështrimet e tyre do të jenë të shtangura e të tmerruara. Askush nuk do të flasë, përveç atij që Rahmani do t’i japë leje dhe do të thotë vetëm të vërtetën. - “Për keqbërësit nuk ka mik të afërt e as ndërmjetësues që i shkon fjala.”- Atë ditë, për të padrejtët nuk do të ketë të afërt, miq apo ndërmjetësues, të cilëve do t’u dëgjohet dhe pranohet ndërmjetësimi. Ditën e Gjykimit nuk ka ndërmjetësim për ata që e kanë përlyer veten me idhujtari. Edhe sikur

dikush të ndërmjetësojë për ta, – gjë që nuk ka për të ndodhur kurrë, – Allahu i Madhëruar nuk është i kënaqur me këtë lloj ndërmjetësimi dhe nuk e pranon atë. - Allahu e di shikimin e hedhur fshehtas dhe për gjithçka që fshehin zemrat (e njerëzve). - Vështrim vjedhurazi është ai që njeriu e fsheh nga ai që ka pranë. Por, nëse këtë nuk e vërejnë të pranishmit, Allahu i Madhëruar e di shumë mirë, sepse Atij nuk i fshihet as ajo që mbahet fshehur në gjoks dhe që robi nuk ua tregon të tjerëve. Allahu i Madhëruar i di dhe i sheh të fshehtat e zemrës dhe të dukshmet, sepse Ai është i Gjithëdituri. - “Allahu gjykon me drejtësi...” - Fjala e Tij është e vërtetë dhe e drejtë, ligji i Tij për krijesat është i drejtë dhe i vërtetë, ashtu si edhe gjykimi i Tij shpërblyes dhe ndëshkues është i drejtë dhe i urtë. Allahu është i Drejtë dhe i Urtë në gjithçka, sepse dija e Tij përfshin gjithçka dhe se Ai ka shkruar dhe ruajtur çdo gjë me saktësi e drejtësi. Ai është i Drejtë në gjithçka, sepse Ai është i pastër nga padrejtësia, mangësia e nga çdo cen. Allahu është i vetmi në dorë të të Cilit është përcaktimi i gjithçkaje që ndodh në gjithësi. Nëse Ai dëshiron diçka, ajo është, e nëse Ai nuk dëshiron që ajo të ekzistojë, ajo kurrë nuk do të ekzistojë. Është Ai që bën ndarjen mes robve të Tij besimtarë dhe mohuesve në jetën e dynjasë, duke u dhuruar suksesin të dashurve dhe të zgjedhurve të Tij. - “...ndërsa ata që adhurohen veç Tij, nuk kanë në dorë të gjykojnë për asgjë. - Kjo përfshin gjithçka që adhurohet veç Allahut. Pra, – sipas kuptimit, – çdo lloj idhulli dhe i adhuruar tjetër, veç Allahut, nuk ka asnjë grimcë pushteti. Tek idhujt nuk ekziston aspak dashuria për idhujtarët, ashtu si nuk kanë asnjë dëshirë e mundësi për të vepruar diçka a për t’i ndihmuar. - “Me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.” - Allahu i Dëgjon të gjitha zërat, me të gjithë larminë e gjuhëve apo të nevojave që shprehin ata. Ai Shikon atë që është dhe atë që do të jetë, atë që ne e shohim dhe atë që nuk mund ta shohim, atë që krijesat e dinë dhe atë që ato nuk e dinë. Në fillim të këtyre ajeteve, Allahu i Madhëruar thotë: "Paralajmëroji ata për Ditën që afrohet gjithnjë e më shumë,...”, dhe më pas e përshkruan këtë ditë me hollësi, me ngjarjet e saj përgëzuese e frikësuese, si një nxitje për të qenë të përgatitur.

← Gafir 40:18