40. Gafir · Ajeti 22 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 40:13–40:22
Allahu, nga mëshira e vet, u ka mundësuar njerëzve t'i shohin dhe t'i zbulojnë faktet, të I cilat argumentojnë për fuqinë e Tij të pakufishme, por çdo sy dhe çdo mendje nuk është në gjendje t'i shohë e as t'i kuptojë ato, andaj besimtarët, të cilët ia njohin cilësitë e Zotit, le ta adhurojnë Atë sinqerisht edhe pse të tjerëve u vjen keq për atë adhurim. Zoti, që është sunduesi më i lartë, i zoti i Arshit, ia jep shpalljen atij që do, e urdhëron që I t'u tërheqë vërejtjen për ditën e kijametit, për ditën që i tërë sundimi është në duart e Tij, e mëkatarëve do t'u vijë shpirti në fyt nga frika e dëshprimi, pse Zotit nuk mund t'i fshihet asgjë dhe para drejtësisë së Tij çdokush do të jetë i gjunjëzuar. - Arshi i Zotit përmendet në shumë vende në Kur'an, ai ësht fron i Zotit, por si dhe çfarë është ai, ne nuk jemi në gjendje ta përshkruajmë, nuk jemi në gjendje t'i përshkruajmë fronet e sunduesve të botës, e po jemi për atë të Zotit?! E, besojmë ashtu si thuhet në Kur'an, ngase mendja e njeriut I nuk është në gjendje të depërtojë deri në një aso fshehtësie, andaj, çdo shpjegim rreth Arshit i të Zotit, i cili nuk është i mbështetur në ndonjë thënie të Pejgamberit, është vetëm hamendje.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 40:21–40:22
- “A nuk shëtisin ata nëpër botë e të shohin se si ka qenë përfundimi i popujve të shkuar?” - A nuk udhëtojnë nëpër tokë këta mohues të besimit dhe të shohin se si ishte përfundimi i atyre popujve që refuzuan profetët e tyre, - paqja e Zotit qoftë mbi ta! A nuk udhëtojnë dhe të shohin se çfarë ndëshkimi i shfarosi ata, edhe pse ata ishin shumë herë më të fortë, më të fuqishëm, më të pushtetshëm se këta të sotmit? Madje, siç thotë i Lartësuari: - “Ata qenë edhe më të fuqishëm dhe lanë më shumë gjurmë në tokë; ...” - Ata lanë gjurmë madhështore në tokë, me ndërtesat, zhvillimin e lartë dhe vendbanimet e tyre, të tilla që këta të sotmit as nuk mund t’u afrohen, siç thotë Allahu i Madhëruar në ajetin tjetër: “Ne u kishim mundësuar atyre gjëra që nuk jua kemi mundësuar juve.” [Ahkaf 26]. E me gjithë atë pushtet e fuqi, famë e madhështi, Allahu i Madhëruar i ndëshkoi për gjynahet dhe padrejtësitë, ku u zhytën: - “... por përsëri Allahu i dënoi për shkak të gjynaheve të tyre. Ata nuk patën asnjë, që t’i mbronte prej dënimit të Allahut.” - Askush nuk mundi t’i mbronte prej ndëshkimit të Allahut. - “Kjo ndodhi sepse, kur profetët u shkonin atyre me argumente të qarta, ata i mohonin.” - Profetët u sillnin shenja të qarta, treguese të vërtetësisë së profetëve dhe të shpalljeve nga Zoti, por ata i mohonin. Ata mohonin rrugën e vërtetë dhe refuzonin ftesën e tyre. - “Allahu i ndëshkoi ata.” - Ai shkatërroi dhe shfarosi të gjithë mohuesit e besimit dhe rrugës së drejtë. Nuk ka dyshim se të gjithë mohuesit do të kenë ndëshkime të ngjashme. Le ta dinë se: - “Ai është i Fuqishëm dhe ndëshkon rreptë.” - Ndëshkimi i Tij është i dhimbshëm, i ashpër dhe i tmerrshëm. Allahu na ruajtë nga ndëshkimi i Tij!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 40:21–40:22
- “A nuk shëtisin ata nëpër botë e të shohin se si ka qenë përfundimi i popujve të shkuar? Ata kanë qenë edhe më të fuqishëm dhe kanë lënë më shumë gjurmë në tokë; ...” – Kuptimi: Pse nuk lëvizni nëpër botë, me trup e me mendje, për të parë se ç’ka ndodhur me popujt e mëparshëm, me qëllim që kjo t’ju ndihmojë të merrni mësime e përvojë? Pse nuk meditoni rreth ngjarjeve historike? A nuk e keni mësuar se si ishte përfundimi i shumë popujve pararendës, që e mohuan dhe e injoruan të vërtetën? Atyre iu dhanë ndëshkimet më të rënda e më poshtërueset. Në vendet e tyre do të gjeni gjurmët e ndëshkimit, poshtërimit e të përfundimit të turpshëm, edhe pse ata ishin më të fortë në fuqi, pushtet e ushtri e më të mëdhenj në trup se ju që kundërshtoni tani. Madje, ata lanë gjurmë dhe patën famë më të madhe në tokë se ju. Vendbanimet madhështore të tyre dëshmojnë për fuqinë e banorëve dhe të ndërtuesve që i ngritën ato, për pushtetin e
për zhvillimin e lartë të tyre, me ndikim të gjerë në botë. Por pavarësisht nga kjo: - “...por përsëri Allahu i dënoi për shkak të gjynaheve të tyre. Ata nuk patën askënd që t’i mbronte prej dënimit të Allahut. Kjo ndodhi sepse, kur profetët u shkonin atyre me Argumente të qarta, ata i mohonin ato. Allahu i ndëshkoi ata. Ai është i Fuqishëm dhe ndëshkon rreptë.” – Pra, Allahu i Madhëruar i ndëshkoi, sepse ata vazhdonin me gjynahe pa u ndalur dhe pa u penduar. Allahu është më i Forti dhe ka ndëshkim të ashpër. Atyre nuk u vleu aspak fuqia e pushteti i tyre përballë pushtetit dhe fuqisë së të Madhëruarit. Madje, edhe kur një ndër popujt më të mëdhenj e të fuqishëm tha: “Kush është më i fortë se ne?”, Allahu i Madhëruar u dërgoi atyre një furtunë të fuqishme, e cila i shkatërroi tërësisht. Pastaj i Madhëruari përmend një shembull, që tregon gjendjen e mohuesve të profetëve, si Faraoni e ushtritë e tij.